Profil/ Abdel Fattah el-Sissi, presidenti i ardhshëm i Egjiptit
Në Egjipt, gjenerali Abdel Fattah el-Sissi pritet të njoftojë kandidaturën për president. Në kushtet kur ai ka shumë pak rivalë të fortë, st...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/profil-abdel-fattah-el-sissi-presidenti.html
Në Egjipt, gjenerali Abdel Fattah el-Sissi pritet të njoftojë kandidaturën për president. Në kushtet kur ai ka shumë pak rivalë të fortë, statusi i tij zyrtar si udhëheqësi i ardhshëm i vendit duket se është i sigurtë.
Gjenerali i lartë Abdel Fattah el-Sissi duket se është gati të bëhet presidenti i ardhshëm i Egjiptit, për të pasuar Mohamed Morsin, personin për të cilin ai ndihmoi të përmbysej nga pushteti.
Gjenerali Sissi gëzon mbështetjen e qartë të ushtrisë, një institucion i fuqishëm i Egjiptit. Oficerët e lartë thonë se “populli” i kërkoi atij që të kandidonte. …Dhe me të vërtetë, turma që del nëpër rrugë për ta mbështetur atë, këmbëngul se ai është shpëtimtari i vetëm për vendin.
Aly Hossan ka qënë shok fëmijërie dhe mbështetësi i fushatës së gjeneralit Sissi.
Ai thotë se për momentin nuk ka njeri më të përshtatshëm për të udhëhequr vendin dhe se për cilindo tjetër që do të vihej në krye, do të rifillonin protestat.
Por kritikët thonë se në fakt Sissi do t’i rikthente njerëzit në protesta, pasi do të risillte atë formë udhëheqjeje që njerëzit e përmbysën me protesta në vitin 2011.
Ja si shprehet aktivisti socialist Tarek Shalaby:
“Kjo do të na çonte përsëri aty ku ishim: në protestat kundër militarizimit të shtetit, kundër një diktatori brutal që sundon me grusht të hekurt.”
Por, kur zoti Morsi e zgjodhi atë për postin e ministrit të mbrojtjes dhe shefin e forcave të armatosura në vitin 2012, shumë vetë e panë Sissi-n si njeriun që përfaqësonte shkëputjen nga brezi i vjetër i ushtarakëve, që kishin bashkëpunuar ngushtë me regjimin e vjetër. Reputacioni i tij si një mysliman i devotshëm e bënte të paqartë kahjen e tij politike.
Një vit më pas, dyshimi mori fund. Shpërthyen protesta masive kundër zotit Morsi, presidenti i parë egjiptian i zgjedhur në mënyrë demokratike. Në vitin e tij të parë në pushtet ai e armiqësoi popullsinë, me veprimet e tij që u panë si autokratike. Morsi ishte tepër i fokusuar tek politikat islamike.
Sissi veproi me shpejtësi, fillimisht kundër zotit Morsi, pastaj kundër grupit prej nga Morsi vinte, Vëllazërisë Myslimane.
Ndërsa këto masa energjike të Sissit e shtuan më tej mbështetjen për të, pati edhe prej atyre që fillimisht e mbështetën largimin e zotit Morsi, që më pas u tmerruan prej veprimeve të tij. Kritikët, përfshirë aktivistët laikë dhe akademikët, u përballën me arrestime. Disa prej tyre mërguan jashtë vendit.
Disa prej përkrahësve e krahasojnë Sissi-n me heroin e tij të fëmijërisë, Presidentin Gamal Abdel Nasser, i cili ndihmoi në përmbysjen e monarkisë në Egjipt. Disave ai u duket tërheqës si Nasser-i.
Ja si shprehet konstitucionalisti Ahmed Kamal Abu el Magd:
“Ai është burrë i mirë. Është i butë, i do njerëzit dhe ka sensin e humorit. Po ashtu, ka përvojë në punën me agjentët e fshehtë. Por nuk e di se sa do të ndikonin këto veti tek suksesi i tij në të ardhmen.”
Pikërisht këtu qëndron rreziku tjetër. Pakënaqësitë janë të mëdha në Egjipt, për shkak të varfërisë kronike, papunësisë dhe mosfunksionimit të shërbimeve sociale.
Edhe ndihma e madhe monetare nga vendet arabe, pas rënies së zotit Morsi, ka patur ndikim të vogël pozitiv tek jeta e përditshme.
Banori i Kairos, Mamoud al-Bottar thotë se njerëzit e duan tani Sissi-n, por parashikon se pas 6 muajsh si president i vendit, njerëzit do ta mallkojnë.
Rikthimi i shtypjes në Egjipt në emër të sigurisë, një diçka e njohur për vendin, bart rreziqet e veta. Nga ana tjetër, mostrajtimi i shqetësimeve bazë për egjiptianët e gatshëm për protesta, mund të jetë diçka edhe më e rrezikshme.
Zeri i Amerikes