Pele: Maradona më dashuron

Njëri thumbon e tjetri ia kthen me të njëjtën monedhë. Historia vazhdon të jetë e njëjtë mes Pelesë dhe Maradonës. Legjenda argjentinase tha...


Njëri thumbon e tjetri ia kthen me të njëjtën monedhë. Historia vazhdon të jetë e njëjtë mes Pelesë dhe Maradonës. Legjenda argjentinase tha pak ditë më parë se braziliani do të mbetet gjithnjë i dyti në futboll, kur krahasohet me të. Tri herë kampioni i botës, duke pranuar se ndoshta të dy janë bërë të mërzitshëm, iu përgjigj mjaft shkurt këtë herë Diegos, duke thënë se ai flet vazhdimisht për të sepse e dashuron. Më tej Pele vazhdoi me ato që kishte në axhendë, Botërorin, Olimpiadën e Rios dhe simpatinë e pashuar për Nejmarin. “Është djali ynë, një i ri i mrekullueshëm. Kalimi te Barcelona është jo vetëm një eksperiencë e çmuar për Nejmarin, por diçka e mirë edhe për kombëtaren braziliane”. Ish-ylli i Santosit në vijim nuk la pa kritikuar të gjithë ata brazilianë që kanë protestuar gjatë përgatitjeve të Botërorit. “Na është dhënë mundësia të ecim përpara dhe të zhvillojmë turizmin, infrastrukturën dhe transportin. Ndryshe nga realiteti, imazhi që ka përcjellë Brazili është se nuk jemi në gjendje të organizojmë evente gjigante botërore si Kupa e Botës apo Lojërat Olimpike”. Një shuplakë Pele ua jep ndërkohë edhe politikanëve brazilianë, të cilët, sipas tij, kanë dhënë premtime që nuk i kanë mbajtur. “Janë premtuar shumë gjëra nga autoritetet e vendit tim, por deri tani kemi ende stadiume të papërfunduara dhe vonesa në vepra të tjera. Ky nuk është vetëm shqetësimi im, por i të gjithëve. Gjithsesi, shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe uroj me Brazilin në finale”.


Bekam krijon një skuadër futbolli
Duket se ish-legjenda angleze e futbollit, Bekam, ka gjetur një profesion të ri, atë të të qenit bos. Ish-kapiteni i kombëtares të tre luanve, Devid Bekam, konfirmoi qëllimin e tij për të krijuar një skuadër futbolli në muajt e ardhshëm në Majami. Kjo ndodhi disa orë pasi Federata Amerikane e Futbollit miratoi lejen për të. 38-vjeçari Bekam, i cili kaloi pesë vjet të karrierës së tij duke luajtur për LA Galaksi, shndërrohet në ish-profesionistin e parë në shumë vjet që ndërmerr një nismë të tillë. “Për mua ky është një moment shumë i veçantë”, – deklaroi Bekam në një konferencë për shtyp gjatë së mërkurës. “Dëshiroja të ndërtoja diçka nga fillimi dhe krijimi i një skuadre është diçka shumë personale dhe unike. Majami është një qytet i mrekullueshëm me shumë pasion. E di që ky qytet është gati për të pritur një skuadër futbolli dhe jam i sigurt që ky ekip do të rezultojë i suksesshëm”.


Paris Sen Zhërmeni ia bën me sy Januzajt
Sheikët e Paris Sen Zhërmenit janë të gatshëm të ofrojnë 40 milionë stërlina për Adnan Januzajn. Sipas “Daily Star”, PSG është e gatshme të derdhë në llogarinë e skuadrës së Mançester Junajtidit këtë shumë për të tërhequr në skuadër talentin me origjinë shqiptare. Shefi ekzekutiv i Junajtidit, Ed Uduard ka refuzuar ofertën e parë të PSG-së dhe bëri të qartë se Januzaj nuk është në shitje, por kjo shumë do t’i tundonte drejtuesit e Junajtidit. Lorant Blank është i bindur se kjo shumë mund të joshë talentin kosovar, i cili sapo ka mbushur 19 vjeç për t’u transferuar në Paris.


Berisha i shpëton pezullimit
Çështja e portierit Etrit Berisha mund të quhet e mbyllur zyrtarisht për Kievon, ndaj edhe ka pak gjasa që të ketë ndonjë masë ndëshkimore nga FIFA. “Ne nuk jemi të interesuar më për Berishën. Kjo çështje i përket të kaluarës. Ai tashmë luan me Lacion dhe ne nuk mund të kthehemi mbrapa”, – është shprehur drejtori sportiv i klubit veronez, Xhovani Sartori. Mediat italiane kanë shkruar së fundmi se FIFA mund të pezullojë portierin e Lacios për tre muaj, për shkak se gjatë verës fillimisht nënshkroi një kontratë me Kievon dhe më pas u transferua te Lacio.


Zllatan, mos shëno më gola aq të bukur!
Agjenti i Zllatan Ibrahimoviçit, Mino Rajola, ka kërkuar nga klienti i tij që të ndalojë së shënuari gola sensacional, pasi që po e bën të duket futbollin në Francë shumë të thjeshtë. Suedezi ka shënuar dy herë në fitoren në gjysmëfinale ndaj Nantesit, që ka vënë një hap para ekipin e tij në Kupën e Francës. Por, në fakt ishin golat fantastik ata që po e lënë përshtypjen pozitive te agjenti i lojtarit. “Kur ai e shënoi golin e parë, unë kam qeshur. Dukej sikurse po luan me fëmijë”. “Unë i thashë pas ndeshjes: “Të lutem mos shëno më gola aq të mirë sepse njerëzit po mendojnë se futbolli francez është i lehtë. Duket sikurse po luan me fëmijë”, – ka thënë Rajola për “France Football”.

Related

Sport 6378772590839572142

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item