Librat e Arbën Xhaferit

Jeta dhe librat Në rrëfimin për librat e tij, që është njëherësh rrëfim për fatin individual Arbën Xhaferi i bën vend edhe zërit të fatit ko...

Jeta dhe librat

Në rrëfimin për librat e tij, që është njëherësh rrëfim për fatin individual

Arbën Xhaferi i bën vend edhe zërit të fatit kolektiv, të cilit nuk mund t’i shmangej ai si njeri që e ngrysi jetën në një mjedis mirëfilli të pafavorshëm shqiptar


Elsa Demo   Në jetë takon njerëz që kanë lexuar ç’u ka dalë para e të ngjashëm me këta, të tjerë që mbyten në erudicionin batall, apo fejshonistë të ndikuar pas modave të leximit. Asnjë nga llojet, kur është fjala për ta parë leximin dhe dijen si ana tjetër e përvojës së jetës, nuk do të barabiteshin për shembull me ato fshataret (që Hesse-ja i përmend te “Leximet e çastit”) që i vetmi libër që kanë lexuar në jetë është Bibla.   Nuk janë të paktë sot ata që krenohen se nuk lexojnë apo që nuk iu pëlqen leximi. Mund të jetë kjo pjesë e rebelimit të përkohshëm, i natyrshëm për zhvillimin e individit që nuk mund të kuptohet pa vënë në krizë apo në pikëpyetje bazat e tij (paraardhësit, edukimin, Zotin).
Arbën Xhaferi (1944-2012) tregoi njëherë për librat që kishte lexuar në jetë. “Shekulli” e kishte intervistuar për një ditë të shënuar, Dita Ndërkombëtare e Librit. Intervista u botua më 22 prill 2007 me titullin “Arbën Xhaferi: Librat otomanë na thaheshin në tavane”. 
Ai akoma ishte president i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë (PDSH), por në gjendje që të mos e dominonte rrëfimin për edukimin të tij nga librat me mendimin e tij politik. E themi këtë sepse për një politikan kjo do të ishte gjëja më e rëndomtë. Por në rrëfimin për librat e tij, që është njëherësh rrëfim për fatin individual, Xhaferi i bën vend edhe zërit të fatit kolektiv, të cilit nuk mund t’i shmanget ai si njeri që e ngrysi jetën në një mjedis mirëfilli të pafavorshëm shqiptar.
Studimi i modeleve të udhëheqjes së shqiptarëve në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Tetovë, që ndoshta do të bëhen një ditë, do të vënë në dukje ndryshimin e thellë që ekzistonte mes përfaqësuesve kryesorë të këtyre modeleve. Për Shqipërinë kemi një  udhëheqës-diktator që erdhi nga Lufta partizane (Enver Hoxha, 1945 deri në vdekje); udhëheqës (njëri ndër presidentët e viteve të tranzicionit) që vinin nga akademitë ushtarake të Lindjes komuniste (Alfred Moisiu). Kosova kultivoi për një kohë të gjatë udhëheqësin intelektual, i përfaqësuar nga Ibrahim Rugova, që vinte nga bota e mendimit letrar dhe filozofik, paçka se e ashtuquajtura rezistenca e tij paqësore për pavarësinë e Kosovës, mbetet e hapur për një gjykim kritik. Ndërsa shqiptarët e Maqedonisë, me Arbën Xhaferin njohën modelin e udhëheqësit që edhe ai mendimin e tij politik e ngrinte mbi sferat e filozofisë e të kulturës, por që duke u përpjekur ta njohë Amebën etnike në Maqedoni, kultivoi si asnjë nga udhëheqësit shqiptarë një dialog intensiv e afatgjatë me realitetin shqiptar në Maqedoni, duke mbajtur portën çelë për nga Shqipëria. 
Intervista e mëposhtme ribotohet si homazh për këtë udhëheqës që u nda nga jeta më 15 gusht.  



Cili është libri i parë që keni lexuar? 

Pyetja juaj hap një kapitull të hidhur të së kaluarës sonë, që, deshëm apo s’deshëm ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe identitetin tonë. Pyetja juaj më kthen në një periudhë kohore të hiçit, të fillimit nga zeroja, në vitet pesëdhjetë kur shqiptarët formalisht kishin të drejtë ta identifikojnë veten si shqiptarë, por të kurthyer brenda kodeve jugosllave që dita ditës e përthanin shtratin kulturor shqiptar, duke hapur kështu rrugën për një asimilim të ngadalshëm, të pahetueshëm dhe të pashmangshëm. Në atë periudhë kohore nëpër shtëpitë e shqiptarëve nuk kishte libra në gjuhën shqipe ngaqë në periudhën e mbretërisë jugosllave kjo gjuhë, ashtu si në periudhën otomane ishte e ndaluar. Librat e periudhës otomane, të shkruara me shkronja arabe thaheshin nëpër tavanet e shtëpive tona, ndërkaq libra në gjuhën shqipe, por atyre të dedikuara për shkollat fillore nuk kishte. Pyetjes suaj që më kthen në këtë periudhë të zymtësisë, që me ëndje do të doja ta harroja s’di si të përgjigjem, ngaqë me pavetëdije kam harruar shumëçka nga kjo kohë. Me gjasë libri i parë që kam lexuar në këtë kohë të fillimeve absolute duhet të ketë qenë ai i Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë”, pastaj “Pse”-ja e Sterio Spases, “Karvani i bardhë” i Azem Shkrelit etj.
Pranoj se për këtë periudhë kohore nuk kam nostalgji, por më shumë reminishenca traumatike. 

Librat e parë ishin tuajat apo të babait? 

Të them të vërtetën besoj se kanë qenë të shokëve. Në atë kohë ne nuk kishim mundësinë e zgjedhjes. Shqiptarët e kësaj periudhe ishin të ndarë me mure kineze. Pas vitit 1948 marrëdhëniet me Shqipërinë ishin të ngrira, ndërkaq relacionet me shqiptarët e viseve të ndryshme të Jugosllavisë, të survejuara egërsisht. Kultura shqiptare ishte, sidomos në vitet ‘50 në gjendje kromatoze. Ushtrohej një trusni sistematike për të nxitur shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës për pastrim etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës. Në këtë kohë ne jo vetëm që nuk kishim mundësi objektive për zgjedhje, por as dëshirë për lexim. Të shkuara të harruara...

Çfarë gjen në bibliotekën tuaj?

Gjithçka. Libra të vjetër të shkruar me dorë në gjuhën osmane me shkronja arabe, libra autorialë a të përkthyer në gjuhën serbo-kroate, natyrisht libra të autorëve shqiptarëve apo të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe dhe libra të periudhës më të re në gjuhë angleze dhe aty-këtu frënge që trajtojnë çështjen shqiptare ose çështje që kanë patur ndikim në formimin e opinionit botëror, siç janë ato të Semjuel Hantingtonit, të Fukujamës, të Bzhezhinskit, të Habermasit, të Brodiarit etj. Kam edhe libra në gjuhë që nuk i kuptoj, madje edhe në gjuhën kineze ku janë botuar artikujt e mi ose parathëniet që i kam shkruar.   
Përmbajtja e bibliotekës në mënyrë të heshtur flet për kulturën, interesimet, nivelin arsimor të një familjeje, por njëkohësisht edhe për periudhën kohore kur është formësuar ajo. Një kohë të gjatë në bibliotekën time kanë mbisunduar libra të autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën serbo-kroate. Në atë kohë intensivisht përktheheshin libra të autorëve botërore, qoftë nga fusha e letërsisë, filozofisë apo shkencave të ndryshme. Cilësia e përkthimeve ishte në nivel. Me shkëputjen e lidhjeve me këto qendra dhe me normalizimin dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë në bibliotekën time shtohen libra të autorëve shqiptarë apo të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe apo në gjuhën e origjinës.

Cili libër ju ka tronditur bindjet?

Varet nga periudha jetësore dhe nga zhvillimet politike. Në gjimnaz isha i lidhur pas racionalizmit të Rene Dekartit, pas përsiatjeve aforistike të Blez Paskalit, më vonë me autorët e sistemeve të mëdha filozofike, kryesisht me Kantin dhe Hegelin, ndërkaq Gëteja më ndihmoi që të kuptoja më mirë filozofët e periudhës antike, harmoninë mes elementeve dionisiake dhe apolonike në qenien e njeriut dhe implikimet e këtyre përsiatjeve te Shopenhaueri, Niçeja e deri te filozofët modernë të eskatologjisë të formatit të Osfald Shpenglerit, konceptet e të cilit sot përpunohen në mënyra të ndryshme prej autorëve shumë popullorë siç është S. Hatingtoni. 
Nga autorët modernë kam qenë i ndikuar nga krijimtaria dhe jeta e filozofit Seren Kierkegord, polemikat letrare dhe filozofike në mes Sartrit dhe Kamysë, analizat gjithëpërfshirëse të filozofit postmodernist Peter Slloterdik. Angazhimi im politik më ka shtyrë të lexoj literaturë politiko-sociologjike që shkencërisht zbërthejnë natyrën e konflikteve ndëretnike në shoqëritë e segmentuara siç janë Arend Liphart, Donalld Horovic, etj. Pra, flas për autorë që në periudha të ndryshme kanë ndikuar në formimin e botëkuptimeve të mia.

Cili ju ka mësuar një gjuhë që s’e dinit?

Në gjimnaz ky ka qenë profesori i gjuhës frënge, Qerim Arifi, një pedagog me aftësi të rralla dhe përkushtim iluminist. Në atë kohë ky profesor na detyronte që të mësojmë madje edhe zgjedhjen e 170 foljeve të çrregullta të gjuhës frënge. Mbaj mend se në atë kohë, në vitet ’60 dinim më mirë gramatikën e gjuhës frënge sesa atë të gjuhës shqipe. Ky profesor, autodidakt, i një qyteze provinciale na detyronte në atë kohë të dallonim Gerundivin prej participe present-it. Kur ligjëronte shkrumbohej, kur na pyeste shkumohej. Ishte profesor dhe pedagog i madh.

Ka ndodhur të lexoni shumë gjëra të ndryshme nga ato që kërkonit? Kur ndodh kjo “rutinë”?

Kur isha në studime të filozofisë në Beograd, niveli i ulët i leximit më krijoi një problem të madh: kureshtjen për çështjet elementare që nuk i dija, por që ishte dashur t’i dija. Në atë kohë vuaja nga leximi ekstensiv, e humbja toruan nga leximi i librave të dorës së dytë të përmendura në fusnotat e librave primarë. Dija e pakët kërkonte kompensimin me lexim kureshtar të librave të ndryshëm. Në këtë periudhë kujtoj se kam arritur t’i thyej disa barriera të natyrës intelektuale.

Keni patur lexime lineare në kuptimin e fushës? Për shembull Eqrem Çabej pasi kapërceu rininë lexonte shumë pak fiction.

Njeriu, kur dëshiron të arrijë sukses në fushën e caktuar, detyrimisht bëhet rob i leximit linear. Nëse nuk ke këtë përkushtim, atëherë bëhesh erudit, intelektual me dije universale, që cinikët mbase me të drejtë e cilësojnë si mosdije universale. Sipas të gjitha gjasave, unë i takoj grupit të dytë. Lexoj çdo gjë që më nevojitet për ta kompletuar vizionin, botëkuptimin tim. Këto ditë, bie fjala, i shokuar nga intensiteti i vedetizmit, të protagonizmit të politikanëve, pata nevojë të rilexoj disa libra mbi psikologjinë e personalitetit dhe më besoni tani më mirë i kuptoj manifestimet dhe proceset e ndryshme politike.

A ekziston sipas jush “gjenocidi” ndaj librit, dhunë ndaj këtij lloji nga ana e editorisë, shijeve, qytetërimeve, botës moderne?

Fjalën gjenocid do ta zëvendësoja me fjalën konfuzion. Në botë sot botohen më miliona libra. Është shumë e vështirë të dallohet, të veçohet siç thotë populli shapi prej sheqerit. Pjesa dërrmuese e këtyre librave, të çfarëdo fushe qofshin ato, janë me afat të skaduar dhe nuk hapin një tendencë të re, apo nuk thellojnë një tendencë ekzistuese. Kjo është e para. Çështja e dytë që krijon konfuzion është kapaciteti i ulët intelektual dhe financiar  i shtëpive të reja botuese. Privatizimi i çdo gjëje, në këtë fazë të tranzicionit ka privatizuar edhe kriteret dhe standardet si në fushën e botimit të librave ashtu edhe në atë të diskografisë. Profiti është shndërruar në interes primar, saqë shpeshherë nuk analizohet misioni destruktiv i librave të ndryshëm në shoqërinë shqiptare që botohen me para dhe interesa të huaja. Në shoqërinë shqiptare censura rigide është zëvendësuar me liberalizëm ekstrem që nuk përfill asnjë kriter dhe interes të shenjtë. Kam shpresë se kjo fazë do të përfundojë me krijimin e shtëpive serioze botuese që janë në ndërveprim me shtëpitë e ngjashme botuese jashtë shtetit.

Mendoni se të lexuarit është në ditët më të këqija?

Çdo lexim vetvetiu nuk iluminon dhe nuk fisnikëron. Mendoj se të lexuarit cilësor është në ditët më të këqija.

Pse duhet lexuar? Çfarë mesazhi do të jepni ju në Ditën Ndërkombëtare të Librit? Është një ritual në të cilin të intervistuarit kanë rastin të sugjerojnë dhe ndoshta të dëgjohen.

Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë përse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe mbi të gjitha për ta fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë.

Related

Libri 4033921679415054034

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item