Lajme sportive shkurt
Lionel Mesi Në Kupë luhet për rekordin e golave Mesi - Argjentinasi mund ta thyejë këtë rekord të jashtëzakonshëm që në moshën 26-vjeçare L...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/lajme-sportive-shkurt.html
Lionel Mesi
Në Kupë luhet për rekordin e golave
Mesi - Argjentinasi mund ta thyejë këtë rekord të jashtëzakonshëm që në moshën 26-vjeçare
Lionel Mesi mund të kthehet në golashënuesin më të mirë të historisë së klubeve të futbollit spanjoll nëse arrin të gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjen e sotme të Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedad. Futbollisti ka shënuar 334 gola në ndeshje zyrtare me fanellën e Barcelonës, vetëm një më pak se Telmo Zarra, i cili shënoi 335 të tillë me skuadrën e Atletik Bilbaos në vitet ‘40-‘50. Ndaj argjentinasit i mjafton vetëm një gol për të barazuar këtë rekord të jashtëzakonshëm që qëndron i paprekur prej shumë kohësh. Zarra, i cili la futbollin në moshën 36-vjeçare, është sulmuesi që mban një tjetër rekord që Mesi kërkon të arrijë brenda vitit 2014, atë të numrit më të madh të golave të shënuar në kampionatin spanjoll. Argjentinasi, aktualisht i pesti në renditjen e të gjitha kohëve, ka shënuar 226 gola me fanellën e Barcelonës, ndërsa rekordi i Zarra është 251 gola.
Bajern Mynih
“Allianz” paguan borxhet e stadiumit
Aksionet - Kompania ka paguar 110 milionë euro për të blerë 8.33% të aksioneve të skuadrës bavareze
Bajern Mynih po bëhet gati të shlyejë njëherazi të gjitha borxhet e prapambetura për ndërtimin e stadiumit “Allianz Arena”, falë një rritjeje të ndjeshme kapitali. Gazeta “Bild” ka zbuluar se kompania e sigurimeve “Allianz”, e cila mban edhe emrin e stadiumit, ka blerë 8.33% të aksioneve të skuadrës bavareze, me një vlerë prej 110 milionë eurosh. Kjo kompani bëhet aksioneri i tretë i madh i klubit në bazë të përqindjeve, pasi “Adidas” zotëron 10% të aksioneve dhe “Audi” zotëron 9.09% të tyre. Sipas kontratave të nënshkruara nga bavarezët, kjo shifër do të shkojë direkt e në fondin për pagesën e borxheve për ndërtimin e stadiumit, duke e mbyllur përfundimisht atë, ndërsa nuk do të përdoret për blerjen e futbollistëve të rinj. Blerjet e reja do të sigurohen nëpërmjet të ardhurave normale të klubit, të cilat në vitin 2013 kapën shifrën rekord prej 432.8 milionë eurosh.
Kombëtarja U-19
Kuqezinjtë mundin 3-0 Maqedoninë
Kombëtarja shqiptare e futbollit U-19 ka fituar me rezultatin 3-0 ndeshjen e parë miqësore të këtij viti, të organizuar dje në Pogradec ndaj bashkëmoshatarëve të Maqedonisë. Ndonëse ndeshje të tilla në fillimin e vitit organizohen vetëm për të parë elementë të veçantë në veprim, sinjalet e para të të përzgjedhurve të trajnerit Foto Strakosha kanë qenë shumë pozitive, pasi kuqezinjtë kanë dominuar në lojë përballë ekipit maqedonas. Një tjetër ndeshje miqësore mes dy përfaqësueseve do të zhvillohet nesër në Strugë, ku për të mbështetur kombëtaren U-19, në stadium do të jenë të pranishëm edhe grupimi “Tifozat Kuqezi”.
Kosova
FIFA lajmërohet për Xhamajkën
Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë njoftuar zyrtarisht FIFA-n për qëllimin e organizimit të ndeshjes së saj të parë miqësore, ndaj përfaqësueses së Xhamajkës më 4 mars. Lajmi është konfirmuar për gazetën kosovare “Arena” nga zyra për informim e FIFA-s. “Në përputhje me modalitetet e vendimit të FIFA-s për të lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me klube dhe përfaqësuese, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) na ka njoftuar me shkrim rreth qëllimit të saj për të zhvilluar një miqësore kundër Xhamajkës më 4 mars në territorin e Kosovës”, shkruhet në konfirmimin e FIFA-s.
Soçi 2014
Norvegjia dominon ditën e katërt
Norvegjia ka thelluar diferencën e saj në kreun e renditjes së tabelës së medaljeve në Soçi 2014, falë sukseseve në garat e sprintit në cross country. Ola Hatestad fitoi medaljen e artë në garën për meshkuj, e cila u karakterizua nga një rrëzim në kualifikuese i tre konkurrentëve, mes të cilëve kampioni olimpik në fuqi, rusi Nikita Kriukov. Falë eliminimit të rivalit kryesor, Teodor Peterson, dhe Emil Joenson të Suedisë, arritën të plotësonin podiumin, duke marrë medaljen e argjendtë dhe të bronztë. Në garën për femra, Maiken Falla dominoi lehtësisht në finale, ku mungonte rivalja e saj më e madhe, bashkëkombësja Marit Bjorgen, e cila u rrëzua dhe u eliminua në gjysmëfinale. Medalja e argjendtë i shkoi një tjetër norvegjezeje, Ingvild Ostberg, e cila arriti të kapte në metrat e fundit sllovenen Vesna Fabjan, duke e mundur për dy të qindtat e sekondës.
Surpriza më e madhe e ditës së djeshme erdhi në garën e half-pipe në snowboard, ku amerikani Shon Uajt, dy herë medalist i artë në olimpiadat dimërore dhe dominues i kësaj disipline në çdo aktivitet në vitet e fundit, nuk arriti të merrte medalje, duke përfunduar në vendin e katërt. Medaljen e artë e mori zvicerani Iuri Podladtçikov, i ndjekur nga japonezët Aiumu Hirano dhe Taku Hiraoka.
Tabela e medaljeve
Shteti T. Ar. Argj. B.
Norvegji 11 4 3 4
Kanada 9 4 3 2
Holandë 8 3 2 3
SHBA 7 2 1 4
Rusi 7 1 3 3
Gjermani 5 4 1 0
Austri 4 1 3 0
Suedi 4 0 3 1