Ktunaxa, gjuha që flitet nga vetëm 12 njerëz
Folësit aktivë, banorë të fiseve indigjene në Amerikën e Veriut i janë drejtuar teknologjisë për ta shpëtuar nga zhdukja Çdo 14 ditë, një gj...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/ktunaxa-gjuha-qe-flitet-nga-vetem-12.html
Folësit aktivë, banorë të fiseve indigjene në Amerikën e Veriut i janë drejtuar teknologjisë për ta shpëtuar nga zhdukja
Çdo 14 ditë, një gjuhë vdes, dhe për pasojë, edhe një kulturë, duke qenë se gjuha është shprehje e identitetit dhe reflektim i kulturës së një populli. Në botë ekzistojnë edhe gjuhë që fliten nga një numër shumë i vogël njerëzish, dhe ky është një nga faktorët kryesorë që çojnë në rrudhje, deri në zhdukjen e tyre.
Por ka edhe komunitete që kërkojnë ndihmën e teknologjisë për të bërë të mundur mbijetesën e gjuhës së tyre dhe më pas transmetimin e saj në brezat e ardhshëm, gjë që mundëson edhe jetëgjatësinë e një gjuhe. I tillë është komuniteti i gjuhës Ktunaxa, e cila është e folur nga një fis i vogël i banorëve vendas të Amerikës Veriperëndimore, por si ky komunitet i vogël, që rrezikojnë të zhduken bashkë me gjuhën e tyre, ekzistojnë edhe shumë e shumë të tjerë.
Ktunaxa është një gjuhë shumë e lashtë, pa lidhje birësie apo mëmësie me gjuhët e tjera, e cila çdo ditë është duke luftuar përballë rrezikut të zhdukjes në epokën tonë ekstremisht globaliste. Ajo flitet sot vetëm nga disa vendas të mbetur prej fiseve indigjene të Amerikës Veriperëndimore, por në fakt është e shtrirë në disa zona si Montana, Idaho apo British Columbia.
Një regjistrim i realizuar në vitin 1990 tregonte për rreth 400 folës të gjuhës Ktunaxa, por ata dymbëdhjetë që ruajnë strukturat origjinare të gjuhës dhe fjalorin e saj të paprekur apo të pandikuar, i përkasin kryesish brezit të vjetër. Dhe askush tjetër në botë nuk është në gjendje ta flasë atë gjuhë përveç këtyre të dymbëdhjetëve. Duke pasur parasysh numrin shumë të vogël të folësve të lindur të kësaj gjuhe, ekziston rreziku se, ashtu siç ndodhi me gjuhën Kamassino (e cila flitej deri 30 vjet më parë vetëm në Rusi, në malet Urale), por edhe shumë të tjera, kjo gjuhë do të shuhet me vdekjen e folësit të fundit, duke qenë se folësit aktivë janë pothuajse të gjithë të moshuar.
Për të shmangur këtë, disa anëtarë të komunitetit, ata më të rinjtë dhe që kanë më tepër akses me arritjet më të fundit të shkencës, kanë vendosur të përdorin teknologjinë për të luftuar këtë rrezik. Ata kanë shkarkuar në internet, lojëra interaktive për fëmijë dhe materiale të tjera të transkriptuara, duke e bërë më të këndshme për këdo që dëshiron të mësojnë Ktunaxa. Gjithashtu, të rinjtë e këtij komuniteti kanë krijuar edhe programe online për të rriturit të cilët duan të rimësojnë gjuhën e tyre duke iu larguar sa është e mundur rrezikut të harresës.
Zgjidhja duket më se sensitive, duke pasur parasysh që anëtarët e rinj të komunitetit vendas janë të gjithë të lindur në epokën dixhitale. Falë internetit, në këtë mënyrë materiali i ngarkuar është i arritshëm dhe i perceptueshëm për këdo, kudo që ai mund të ndodhet.“Sikur të mos kishim ndërmarrë këtë nismë, - thotë Marisa Philips, një nga ‘konservueset’ e gjuhës Ktunaxa, – ne rrezikojmë të humbasin jo vetëm gjuhën tonë, por edhe identitetin tonë si një komb dhe popull i fisit Ktunaxa”.
Bashkësia e popullit Ktunaxa, që përbëhet gjithsej nga rreth 2000 njerëz, në këtë mënyrë kërkojnë të arrijnë një sukses në një fushë ku të tjerët kanë dështuar. Kjo zonë e Amerikës, në fakt, është bërë varri i shumë gjuhëve të tjera indigjene.
“Ne po përpiqemi të jemi avangardë, t’i paraprijmë sa është e mundur më të keqes si dhe të mendojmë për gjërat e mundshme që do të bëjmë në të ardhmen, në mënyrë që të vazhdojmë të ruajmë kulturën tonë”, – thotë Don Maki, drejtor i Këshillit Kombëtar.
Por gjuha Ktunaxa nuk është e vetmja që sheh te teknologjia një mënyrë shpëtimi nga zhdukjes. Ekzistojnë edhe nisma të tjera, të ndërmarra kryesisht nga gjuhëtarë, në përpjekje për të shpëtuar gjuhë të rralla, me pak folës të lindur që janë ende gjallë të këtyre gjuhëve. Për t’i shpëtuar ato nga rreziku i vdekjes janë realizuar kryesisht instalime në sajte të ndryshme të fjalorëve elektronikë ose audio, me fjalë nga gjuhët e rralla.
Sipas revistës ‘National Geographic’, çdo 14 ditë një gjuhë vdes. Në njëqind vitet e ardhshme mund të kenë humbur gjysma e 7000 gjuhëve që fliten sot në botë, me pasojë zhdukjen edhe të po aq mijëra kulturave.Teknologjia, e cila shumë shpesh është akuzuar për vrasjen e asaj që është më e natyrshmja, e asaj që rrjedh së brendshmi te një komunitet, pra gjuha, ndoshta mund të jetë e vetmja mënyrë për ta shpëtuar atë.