Irani: Fabrika e fëmijëve në Republikën Islamike

Pranimi nga udhëheqësi suprem revolucionar i trajtimit të lindshmërisë me metodat më moderne po ndryshon jetën në Iran dhe po trondit Lindje...

Pranimi nga udhëheqësi suprem revolucionar i trajtimit të lindshmërisë me metodat më moderne po ndryshon jetën në Iran dhe po trondit Lindjen e Mesme, që mbetet thellësisht konservatore në çështjet familjare
Azadeh Moaveni, Foreign Policy

Në një mbrëmje të nxehtë vjeshtën e kaluar, një klinikë private fertiliteti në qytetin e Shirazit në Iranin e Jugut ishte përplot me klientë, aq sa recepsionistja e kishte të vështirë t’i menaxhonte të gjithë. Gratë po kërkonin shërbimet e klinikës. Në murin përballë ishte reklamuar bukur një fetva nga Ajatollah Ali Khamenei, që ofronte lejen fetare për dhurimin e spermës apo vezëve, e vendosur aty ndoshta për t’i siguruar këto gra se udhëheqësi suprem e ka miratuar atë që kishin ardhur të bënin.
Shumë patën ardhur prej larg nga qyteza të vogla dhe patën mbushur zonën e pritjes, ku bisedat ishin të shumta. Gratë shkëmbenin histori mbi trajtimet, ilaçet dhe përpjekjet e përbashkëta për të konceptuar fëmijë.
“Unë nuk mund ta përballoja këtë pesë vjet më parë, por kam kursyer para dhe tashmë jam gati ta provoj”, tha një grua 30-vjeçare.
Ndërsa vëmendja e botës është përqendruar te programi bërthamor i Iranit, vendi ka qenë në heshtje duke punuar për të fituar një lloj tjetër kapaciteti revolucionar. Republika Islamike – e qeverisur nga mullahët e vet striktë, që kanë arritur te suksesi në fusha të ndryshme nga prodhimi vendës te ndërtimi i aeroporteve – e ka transformuar veten papritur në një kryeqendër të trajtimit të fertilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme. Irani tashmë krenohet me më shumë se 70 klinika në të gjithë vendin, të cilat thithin klientë mes çifteve pa fëmijë nga e gjithë zona, suni apo shia qofshin.
Kjo iniciativë ka ngritur sfida mbi këndvështrimet tradicionale mbi prindërimin dhe martesën dhe ka ndihmuar në largimin e tabuve mbi shëndetin seksual – megjithëse kjo i ka alarmuar disa konservatorë në Iran apo disa nga fqinjët e vet konservatorë suni.
“Mjekët në Gjirin Persik janë të tmerruar nga ideja se iranianët e kanë lejuar diçka të tillë”, thotë Soraya Tremayne, një profesoreshë në Universitetin e Oksfordit dhe eksperte mbi lindshmërinë në Iran. “Ata thonë se ‘këtu te ne, nuk do ta lejojmë kurrë diçka të tillë’”.
Për shumë gjenerata për iranianët, infertiliteti ishte dikur trauma më e madhe e një martese. Ajo është memorializuar si tragjedi nëpër filma si Leila nga Dariush Mehrjui, ku nëna i bën presion djalit të vet të martohet me një grua të dytë, kur sheh se e para nuk arrin të bëjë fëmijë.
Gruaja e parë, e turpëruar nga infertiliteti dhe sërish në dashuri me bashkëshortin e saj, vijon me planin, por vuajtja emocionale shkatërron martesën e tyre dhe bashkëshorti në fund lihet me një fëmijë, por në mënyrë të hidhur, pa grua.
Filmi që doli në qarkullim vetëm pak vite para fetvas së Khameneit më 1999-n ishte shumë i suksesshëm, pasi paraqiste vuajtjet e shumë grave dhe burrave iranianë që përballen me perspektivën e një martese pa fëmijë ose me zgjedhjen e patolerueshme drejt poligamisë.
Irani, njësoj si shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme, ka një normë jashtëzakonisht të lartë infertiliteti. Më shumë se 20 për qind e çifteve të Iranit nuk mund ta konceptojnë, sipas një studimi të kryer në një nga klinikat më të rëndësishme të fertilitetit në vend, në krahasim me normën globale që varion nga 8 në 12 për qind. Ekspertët besojnë se kjo është pasojë e normës së lartë të martesave mes kushërinjve. Infertiliteti mashkullor është “historia e fshehur e Lindjes së Mesme”, thotë Marcia Inhorn, një antropologe mjekësore nga Universiteti i Jellit dhe specialiste për riprodhimin e asistuar në rajon. E kombinuar kjo me një rënie tronditëse që vijon prej shumë dekadash në numrin mesatar të fëmijëve të lindur për grua, kjo do të thotë se trajtimi mjekësor i infertilitetit është më i nevojshëm se kurrë në Iran.
Megjithatë, presioni mbi çiftet e martuara – dhe në veçanti gratë – për të lindur fëmijë, mbetet shumë i lartë.
“Ne jetojmë në një shoqëri lindore dhe të pasurit fëmijë mbetet një gjë shumë e rëndësishme në kulturën tonë”, thotë Sara Fallahi, një mjeke që punon në një nga tri klinikat e fertilitetit në Shiraz. “Edhe për këtë gjeneratë, e cila po martohet shumë më vonë dhe dëshiron familje më të vogla, shumica sërish duan së paku një fëmijë”.
Klinika e parë e fertilizimit in vitro në Iran u hap në qytezën Jazd në shkretëtirë, në Iranin Qendror, më shumë se 20 vjet më parë. Ajo menjëherë e gjeti veten të bombarduar me kërkesa nga klientët. Nga mesi i viteve 2000, ishte aq popullore sa radha vijonte deri jashtë.
Çiftet që patën udhëtuar nga zonat rurale ngrinin tenda jashtë me shpresë se do të merrnin një takim me mjekët. Më shumë klinika u hapën shpejt në Teheran dhe në të gjithë vendin.
Fertilizimi in vitro fitoi shpejt pranim në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, por mjekët u përballën me kufizimet fetare që ndalonin format më të avancuara të trajtimit të fertilitetit. Procedura standarde e fertilizimit in vitro bën që një vezë të fertilizohet me spermë në një laborator dhe pastaj e kthen embrionin në mitër, një proces që kërkon që si veza edhe sperma të jetë e disponueshme nga të dy prindërit. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Hapi tjetër në trajtimin e infertilitetit kërkon një palë të tretë – që është, një vezë apo spermë nga një dhurues jashtë çiftit.
Në islam, etika e një trajtimi të tillë është e errët: pacientët fillimisht u shqetësuan se mosdhurimi nënkuptonte kryerjen e tradhtisë bashkëshortore apo se një fëmijë i lindur në këtë mënyrë mund të ishte i paligjshëm.
Por çiftet pa fëmijë vijuan të kërkojnë një mënyrë për të konceptuar. Në Iran, specialistët mjekësorë iu vunë punës të gjejnë një zgjidhe fetare, duke kërkuar mbështetje nga mujtahidët simpatikë (klerikët e kualifikuar për ta lexuar dhe interpretuar Kuranin).
Tradita Shia në riinterpretimin e ligjit islamik është pjesë thelbësore për vullnetin e klerikëve për të ecur përpara – ndryshim i madh ky me jurisprudencën Suni që përqendrohet në konsensusin mes dijetarëve dhe leximin e drejtpërdrejtë të Kuranit, gjë që pakëson interpretimet e reja mbi çështje bashkëkohore.
Megjithëse për perëndimorët, klerikët shia të Iranit mund të duken si reaksionarë, ata në fakt janë revolucionarë kur vjen puna te bioetika.
Në vitet e fundit, ata kanë publikuar porosi fetare që lejojnë gjithçka, nga kërkimi i qelizave burimore te klonimi.
Fetvatë e tyre kishin gjithsesi nevojë për citime nga Kurani. Zgjidhjet e pranueshme nga pikëpamja fetare u ofruan fillimisht, të tilla si martesa e përkohshme mes dhurueses së vezës dhe partnerit pjellor mashkull, por kjo rezultoi shumë e vështirë në praktikë, pasi i kërkonte dhuruesit të martuar të kalonte në divorce dhe rimartesa. Dhe disa klerikë që nuk janë dakord me fetvan e Khameneit sërish argumentojnë për martesën e përkohshme si një mënyrë për të shmangur implikimet jashtëmartesore në dhuratat nga palët e treta.
Por kjo përqasje është më e lehtë për bashkëshortët, të cilët mund të bëjnë kontratë për një martesë të përkohshme me një dhuruese vezësh pa pasur nevojë për t’u divorcuar me gruan; por kur gruaja është pjellore, që të jetë e aftë të marrë spermë nga një dhurues, ajo duhet të divorcohet fillimisht me bashkëshortin e vet, të presë të kalojë një periudhë e detyruar me fe prej tre muajsh, para se të martohet me duruesin e spermës, pastaj të ndahet nga ai dhe në fund të rimartohet me bashkëshortin fillestar.
Gatishmëria e klerikëve për të dhënë rekomandime novatore fetare përkoi me një ndryshim politik dhe demografik në vend që gjithashtu nxiti trajtimin mjekësor të mungesës së fertilitetit. Në periudhën para revolucionit të vitit 1979, vendi i hyri betejës për të rritur popullsinë, por vonë në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990, ndërsa Irani përpiqej të rindërtohej pas luftës shkatërrimtare me Irakun dhe me një bum fëmijësh në përmasa të plota, shumë vunë në pikëpyetje nëse ekonomia e vendit, shkollat dhe qytetet mund të përballojnë një rritje popullsie. Kështu, autoritetet e përmbysën këtë politikë, duke zbatuar një set politikash që me dashamirësi bindën iranianët tradicionalë të kishin më pak fëmijë.
Sipas Tremayne të Oksfordit, autoritetet me kujdes shmangën fjalë të tilla si “reduktim” dhe “kontroll” dhe në vend të tyre propozuan “rregullimin e familjeve”, duke theksuar se kjo politikë nuk synonte vetëm të reduktonte përmasat e familjeve, por gjithashtu për t’u lejuar çifteve pa fëmijë për të pasur fëmijë.
Kjo marrëveshje funksionoi, tradicionalistët përqafuan politikat kundër lindshmërisë së lartë të qeverisë dhe qendrat për trajtimin e infertilitetit në Iran u shumëfishuan.
Duke promovuar kontraceptivët dhe mbylljen e kanaleve mes shumë strategjive, dhe duke tërhequr subvencionet shtetërore pas fëmijës së dytë, Irani ia doli të reduktojë rritjen e popullsisë nga 3.8 për qind më 1986-n në 1.5 për qind në vitin 1996. Por ndoshta këto metoda punuan tepër mirë: sot Irani e gjen veten poshtë normës së zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për nënë.
Më 1999, Khamenei publikoi fetvan e tij revolucionare duke e bërë dhurimin e spermës apo vezës nga një palë e tretë, të lejuar. “Si dhuruesja e vezës ashtu edhe nëna jopjellore duhet t’u binden kodeve fetare mbi prindërimin”, tha Ajatollahu, duke vendosur kushte të ndryshme që e bënë këtë akt të lejuar përpara Zotit. Përmes vendimit të Khameneit, Republika Islamike e bëri të qartë në nivelin më të lartë se shteti ishte i gatshëm të bënte gjithçka që nevojitej në përpjekjet për të bërë fëmijë.
Sot, kemi hyrë në epokën kur infertiliteti diskutohet hapur dhe kultura e ndërhyrjes është gjithkund. Gratë diskutojnë publikisht për fertilizimin in vitro në televizionin shtetëror, çiftet rekomandojnë specialistë dhe shkëmbejnë përvoja në internet dhe mjekët kanë filluar të nxisin kompanitë e sigurimeve të mbulojnë këtë lloj trajtimi.

Shteti ka klinika të subvencionuara, kështu që kostoja e trajtimit është më e ulët se pothuajse kudo në botë: trajtimi i plotë me fekondim in vitro, duke përfshirë ilaçet, kushton vetëm 1,500 dollarë, sipas Fallahit.
Fetva e Khameneit revolucionarizoi jetën e myslimanëve shia gjithkund dhe hapi rrugën për shumë klinika në Liban, vend që ka një numër të konsiderueshëm të popullatës shia. Por sipas Inhornit të Jellit, sunitë po i përgjigjen gjithashtu këtij dekreti dhe disa çifte nga bota arabe po u drejtohen klinikave në Teheran në numër aq të madh sa këto të fundit po punësojnë përkthyes nga arabishtja.
Vendet sunite si Egjipti, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe praktikojnë gjerësisht fekondimin in vitro tradicional, por nuk ofrojnë opsione për gratë dhe burrat që kanë nevojë për ndihmë nga një palë e tretë për të konceptuar.
“Disa çifte suni janë në gjendje të mbledhin mendjen sa i përket dhurimit të vezëve, – thotë Inhorn. – Ata mund t’i thonë vetes, ‘mirë, së paku ka një fetva që thotë se është në rregull. Disa degë të islamit thonë kështu’, Kjo e bën për ta më të lehtë”.
Sërish, Fallahi, mjekja, thotë se klientët me ankth në klinikën e saj në Shiraz shpesh ngrenë pyetje mbi miratimin nga feja. “Ata duan të sigurohen se kjo që po bëjnë nuk është haram”, ose e ndaluar nga ligji islamik, thotë ajo.
Parlamenti legalizoi dhurimet më 2003, duke ofruar mbështetje ligjore për fetvanë fetare të udhëheqësit suprem. Fallahi këmbëngul se, gjithsesi, vendimi i Khameneit është opinioni i një dijetari dhe se jo të gjithë ajatollahët janë dakord.
“Ne u themi njerëzve se Parlamenti e ka miratuar këtë, por ata duhet të pyesin dijetarin që ata ndjekin për të parë nëse ai jep leje”.
Në disa mënyra, trajtimi i fertilitetit mund të jetë një fushë e rrallë ku regjimi i Iranit ka ecur edhe më përpara nga sa është gati të ecë shoqëria.
Megjithëse ligjvënësit e kanë miratuar dhurimin embrional, ata kanë përmbysur Khamenein në dhurimin e spermës, duke e ndaluar procedurën më 2003. Për rrjedhojë, kjo praktikë po kryhet në ilegalitet dhe ato klinika që e ofrojnë praktikën në heshtje, janë të rrezikuara nga përndjekja ligjore. Sara Bamdad, një kërkuese në Shiraz që kreu vrojtim mbi sjelljet e publikut mbi riprodhimin e asistuar, gjeti se vetëm 34 për qind e të pyeturve e miratonin dhurimin e vezës. “Ligjvënësit duhet të mendojnë mbi të ardhmen dhe atë që do të ndodhë me këta fëmijë kur të rriten, – thotë Bamdad. Nëse shoqëria nuk mund ta pranojë një fëmijë të lindur nga riprodhimi i asistuar, atëherë do të ketë kaq shumë probleme për të në të ardhmen”.
Sistemi ligjor i Iranit ka ende punë për të bërë në lidhje me komplikimet që rrjedhin nga trajtimet e fertilitetit me një palë të tretë dhuruese. Sipas ligjit islamik të familjes në Iran, fëmijët e lindur me dhurim të spermës apo vezës bien në një kategori ligjore me fëmijët e adoptuar apo fëmijët e fituar nga martesa me një partner apo partnere me fëmijë. Këta nuk lejohen të trashëgojnë pronë nga prindërit jobiologjikë.
Çiftet në këtë mënyrë duhet të gjejnë rrugë alternative për të lënë mënjanë trashëgimi për këta fëmijë dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e prindërve biologjikë (apo dhuruesve të vezëve apo spermës, të cilët nënkuptohet se duhet të mbeten konfidencial, por që shpesh në praktikë identifikohen) mbeten të paqarta.
Por nëse vendimi fetar është ende i paqartë, revolucioni i lindjes së fëmijëve mundet që gradualisht të zhdukë tabutë kulturore në çështje të tjera të shëndetit seksual. Klinika e infertilitetit Avisena në Teheran, qendra më e rëndësishme e trajtimit të lindshmërisë në vend, së fundmi ka hapur një klinikë shëndetësore që trajton keqfunksionimet seksuale dhe sëmundjet e transmetuara seksualisht.
Tremayne tregon një rast kur vizitoi një klinikë fertiliteti ku në një dhomë të madhe përplot me burra dhe gra u shfaq një video mbi një ndërhyrje për të fertilizuar vezën e një gruaje në ekran të madh.
“Synimi ynë është të krijojmë një kulturë të re në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se si konceptohen fëmijët dhe se si mund të trajtohet infertiliteti”, i tha një mjek Tremaynes. Skena si kjo janë pjesë e përpjekjeve më të mëdha për të edukuar publikun dhe ndërsa mund të nevojiten vite që infertiliteti të humbasë stigmën në kulturën e Iranit, diskutimi i trupit dhe funksioneve biologjike apo keqfunksionimeve mund të ndihmojë gradualisht burrat dhe gratë e Iranit të ndajnë përgjegjësinë që për shekuj është konsideruar si turp i madh që u përket vetëm grave.
Ndjekja e teknologjisë së fundit në riprodhimin e asistuar ka nisur edhe një proces që në fund mund të ndryshojë konceptin e të qenët të martuar dhe infertil, se çfarë do të thotë të jesh prind dhe madje edhe atë që nënkupton të jesh bashkëshort në Republikën Islamike. Ndërsa Irani vuan përplasjen mes vlerave në evoluim të popullit dhe rregullat e ligjit islamik, suksesi i tij në trajtimin e fertilitetit sugjeron se është e mundur të pajtosh këto presione konkurruese. Por nëse Lindja e Mesme Sunite do të ndjekë këtë rrugë, kjo mbetet për t’u parë.
“Irani po ecën përpara, duke përdorur këto teknologji në të gjitha format e tyre, – thotë Tremayne, – duke shkuar në fusha ku vendet sunite në rajon nuk mund ta ndjekin”.

Related

Shtypi i huaj 8414349916669184262

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item