Intervistë me Petrit Metushin, ikonë e folklorit të Jugut shqiptar

Pjesëmarrës në shumë festivale folklorike, rapsod, këngëtar, krijues e interpretues i polifonisë dhe monofonisë labe, Petrit Metushi, sjell ...


Pjesëmarrës në shumë festivale folklorike, rapsod, këngëtar, krijues e interpretues i polifonisë dhe monofonisë labe, Petrit Metushi, sjell në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” rrugën e këngës së tij dhe jetën plot halle. Thotë se ka qenë partizan, por prangat e diktaturës nuk e kursyen, duke e cilësuar armik të popullit. Megjithatë ai nuk u ligështua duke vazhduar luftën e tij me armën e trimërisë, këngën. Të gjitha krijimet e tij, ai i ka përmbledhur në një vëllim të titulluar “Gurra gurgullon me ligje, herë si bilbil, herë si qyqe”. Dhe vërtet krijimi dhe interpretimi i Petrit Metushit këndon si bilbil në gëzimet njerëzore, por vajton si qyqe në hidhërimet dhe marrëzitë njerëzore. Për kontributin e tij, përveç çmimeve, certifikatave, urdhrave e medaljeve, që janë me qindra, ai është vlerësuar edhe me titullin”Qytetar Nderi” i Sarandës.  Po le të bisedojmë më mirë me të:

Le ta nisim këtë intervistë drejtpërsëdrejti: Çfarë është kënga për ju?

Kënga për mua është jetë, për mua dhe për të gjithë. U rritëm me të e do të vdesim me të, pra si me thënë e kemi në gjak këngën, ka hyrë thellë në deje e do të na shoqërojë edhe në vdekje. Flas për brezin tim, se unë kam kënduar që në moshën shtatë vjeç e deri sot, kam krijuar e kam kënduar njëherazi. Nuk e ndërpreva këngën as i vogël, as partizan, as i burgosur si armik, as në vitet e rënda të punës e të halleve të shumta e të dhimbshme, as sot që jam i moshuar. Pothuaj në të gjitha festivalet folklorike kam qenë pjesëmarrës, me përjashtim të viteve të burgut, por kam patur edhe halle të tjera që nuk është nevoja t’i them.

Nuk i dimë të gjitha, na i thuaj?

Thashë se kam qenë edhe në burg…se kam qenë edhe partizan…se kështu qe koha!…Por ikën e vanë të gjitha, qe ora për t’i hequr unë e gjithë shqiptarët!…

Pse iu dënuan?

Ata e dinë! Më akuzuan si sekretar i një organizate armiqësore, por nuk isha ç’është e vërteta. Më akuzuan dhe më dënuan kot.

I kujt organizate?

Në fakt emrin e organizatës e ndërruan shumë herë si deshën ata, po unë s’isha në asnjë organizatë. Thashë që më akuzuan sikur isha sekretar. Që 18 vjeç kam qenë partizan me armë në dorë për lirinë e atdheut në Brigadën e 18-të dhe të 4-të me komandant e komisar Andrea Nasin e Thoma Xhixhon.

Thatë se kënga ju shoqëroi gjatë gjithë jetës suaj dhe keni marrë pjesë në shumicën e festivaleve folklorike. Cili është festivali më mbresëlënës për ju?

Po, kënga më shoqëroi gjithë jetën, po më mbresëlënës ka qenë festivali ku këndova këngën: “Tirr, tirr, tirr, moj naze,/Tirr për jetën mesatare,/Që u bë 70-të vjeçare etj.”

Ju keni botuar edhe një libër, janë krijimet tuaja?

Po, të gjitha krijimet e mia në vite i kam zgjedhur dhe botuar pa i ndryshuar. Ashtu siç i kam shkruar. Nuk jam penduar për to. Se do thuash ti që si ka mundësi të dalësh nga burgu dhe të shkruash për fitoret dhe arritjet e socializmit? Po, ajo është e vërtetë, dhe e vërteta s’duhet mohuar: Jeta mesatare u bë 70 vjeçare, u bonifikua dhe u arsimua vendi, u elektrifikua dhe u ndërtua, kudo u punua, ndaj dhe u këndua. Kënga është si historia, do faktin nuk e pranon gënjeshtrën se pastaj humbet rolin e saj shpirtëror e bëhet një deklaratë servile.

A je takuar ndonjëherë me udhëheqësit e dikurshëm?

As me njërin, as të asaj e as të kësaj kohe.

Sot kur dëgjon këngët polifonike, si të tuat ashtu edhe të shokëve, që i transformojnë, si ndjehesh?

Shumë keq! Humbi tradita në çdo drejtim. Humbi fare, qoftë e këngës, qoftë e burrërisë e qoftë dhe e nderit, se kënga i këndon nderit, burrërisë, trimërisë, dasmave e gëzimeve, derteve e hidhërimeve, punës e shoqërisë, veseve dhe mirësisë e gjithë jetës me hallet e saj. Të gjitha këto probleme e fenomene i them në këngët e mia.

Sot a ndjehesh i vlerësuar për kontributin që ke dhënë?

Në vetvete shumë! Nga pushteti disi. Në të dy sistemet pata vlerësime. Por shoh që vlerësohen njerëz pa kontribute, vetëm se kanë njerëz, po pa asnjë vlerë për artin dhe kulturën. Jo se më marrin gjë mua, por s’kanë pse të veshin petkun e artistit pseudo-artistët dhe persona që nuk i japin asgjë publikut. Ja sheshi, ja mejdani, si i thonë fjalës. Vetëm arti nuk e pranon thesin. Unë kam krijuar, kam qarë, kam kënduar, ja kam bërë të tëra hyzmetet këngës në polifoni e monofoni.

Ju jeni edhe Qytetar Nderi i Sarandës, i shpallur nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, si e pritët këtë vlerësim?

E prita shumë mirë, por edhe si vlerësim për artin, një përgjegjshmëri e këshilltarëve ndaj kulturës, si asaj të djeshme, ashtu edhe të sotme, si tradicionales edhe të përpunuar e deri tek modernia. Është vlerësim i madh për mua. Ne do vdesim, po kënga jonë, jo. Dhe kur transmetohet në breza, ajo nuk humbet. Jam laureat i festivaleve tri herë, dy herë nderuar me Urdhrin Naim Frashëri klasi II dhe shumë të tjera. Pastaj dekorata, certifikata e stimuj moralë kam me qindra. Në një sënduk i kam.

Ç’ke për t’i thënë këtij brezi të ri për traditën dhe folklorin?


Këngën ta kenë pasion dhe në gjak, po mos ta bastarjepsin. Kjo është kryesorja, se kur i dëgjoj që i transformojnë, më bie tensioni. Ata kanë këngët e tyre, por mos t’i trazojnë me këto. Unë këndoj këngën time, të traditës sime, dhe me këtë bëra emër dhe u vlerësova, e këndova si e gjeta, nuk e transformova e bastardova. Dhe të gjithë krenohemi për këtë traditë që rrallë vende e kanë polifoninë, por kur këndohet e dëgjohet në origjinal, ama. Kënga më e madhe për mua, që e kam merak është kënga “Venë me këmbë e vijnë pa kokë”, është vaj i kënduar në monofoni.  Është dhimbje e madhe të shohësh vatanin bosh e të plakur. Po kam edhe një këngë tjetër që e kam kënduar para sheshit të bashkisë në vitin 1997. Erdhi një përfaqësi nga Evropa në atë kohë në Sarandë, dhe unë u ndodha atje. Në moment bëra këngën dhe e këndova para shumë njerëzve dhe atyre të huajve tek sheshi i bashkisë. Sa mbarova, të huajt mu afruan të çuditur./Gazeta Telegraf

Related

Kultura 6040963368276781231

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item