Hafëz Ibrahim Dalliu dhe kontributi i tij në fushën e jurisprudencës islame
(Me vështrim të veçantë në veprën: “ LIBRI I SË FALMES “) nga H. Resul Rexhepi-Sekretar i përgjithshëm – Bashkësia Islame e Kosovës Abstra...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/hafez-ibrahim-dalliu-dhe-kontributi-i.html
(Me vështrim të veçantë në veprën: “LIBRI I SË FALMES“)
nga H. Resul Rexhepi-Sekretar i përgjithshëm – Bashkësia Islame e Kosovës
Abstrakt
Të shkruash për hafëz Ibrahim ef. Dalliun dhe kontributin e tij në fushën e jurisprudencës islame dhe në fushat tjera shkencore, është një punë sa e privilegjuar po aq edhe komplekse dhe e vështirë. Kjo për faktin sepse hafëz Ibrahim Dalliu është një personalitet i shquar i kulturës sonë, që me veprimtarinë e gjerë e të gjithanshme i solli shërbime të mëdha ngritjes së kulturës dhe mendimit shkencor shqiptar. Kjo i siguroi atij përgjithmonë vendin e merituar në historinë e kulturës sonë.
Të shkruash për hafëz Ibrahim ef. Dalliun dhe kontributin e tij në fushën e jurisprudencës islame dhe në fushat tjera shkencore, është një punë sa e privilegjuar po aq edhe komplekse dhe e vështirë. Kjo për faktin sepse hafëz Ibrahim Dalliu është një personalitet i shquar i kulturës sonë, që me veprimtarinë e gjerë e të gjithanshme i solli shërbime të mëdha ngritjes së kulturës dhe mendimit shkencor shqiptar. Kjo i siguroi atij përgjithmonë vendin e merituar në historinë e kulturës sonë.
Po të vështrohen me kujdes, veprat që na ka lënë trashëgim hafëz Dalliu, e të cilat nuk mund të vlerësohen më pak se monumente të kulturës dhe shkencës shqiptare, atëherë s’është vështirë që të radhitet ndër dijetarët tonë më eminentë.
Pas po thuaj gjashtëdhjetë viteve nga vdekja e hafëz Ibrahim Dalliut, shtrohet një pyetje e ligjshme dhe logjike: nëse është shkruar gjithçka duhet për jetën dhe veprën e tij? Për këtë mund të përgjigjemi se, ndonëse deri në njëfarë mase për këtë figurë të njohur kanë shkruar studiues të njohur të shkencës shqiptare, megjithatë, këtij alimi (dijetari) e patrioti të madh vështirë se mund t’i dilet hakut. Për të gjithmonë do të ketë diçka të re të thuhet e të shkruhet.
Shkaqet e mungesës për mosnjohjen e thelluar të veprës madhore të këtij alimi janë të natyrës ideologjike, po edhe njëanshmëria e qasjes së veprës së hafëz Ibrahim Dalliut.
Studiuesit tanë, kur bëjnë fjalë për veprën e hafëz Dalliut, sikur kanë synimin të “hyjnë” sa më parë në veprimtarinë patriotike të tij, duke anashkaluar atë fetare, thua se kjo e fundit nuk do të thotë patriotizëm!!!
Prandaj, duke u nisur nga ky fakt, qëllimi ynë në këtë shkrim kryesisht konsiston në:
Figurat e mëdha fetare e kombëtare të kalibrit të hafëz Dalliut, janë hulumtuar nga studiuesit tanë kryesisht nga këndvështrime të tjera, por jo edhe nga këndi dhe kontributi i tyre në fushën e islamistikës, natyrisht me ndonjë përjashtim.
Përmes këtij kontributi modest dëshiroj t’i nxis studiuesit e tjerë kompetentë që të merren me studimin e veprave nga kjo fushë, d.m.th. nga fusha e islamistikës, e rrjedhimisht edhe nga fusha e jurisprudencës islame, kurse studentët e fakulteteve islame gjithandej, kujtoj, do të mund të ishin ata që më së shumti mund të kontribuonin në këtë drejtim, qoftë përmes punimeve të diplomës, qoftë edhe përmes studimeve dhe hulumtimeve të tjera.
Kontributi i hafëz I. Dalliut në përgjithësi, e në fushën e islamistikës në veçanti është aq i konsiderueshëm, sa që i detyrohemi të merremi me shqyrtimin e tyre, sepse ato ngelin të jenë prore aktuale edhe gati pas më shumë se një shekulli të daljes së tyre në dritë.
Dy fjalë për jetën e hafëz Ibrahim ef. Dalliut
Hafëz Ibrahim Dalliu ishte një mendimtar i madh shqiptar, dijetar islam mendjendritur, pedagog i çmuar, atdhetar e patriot i dëshmuar. U lind më 1880 në Tiranë, kurse vdiq më 8 shkurt 1952. Familja e tij ishte nga familjet e njohura tiranase me traditë të hoxhallarëve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen dhe të lartën i vazhdoi në Stamboll, duke iu bashkangjitur kështu vëllait të tij më të madh, haxhi Hysniut, i cili kishte kohë që ndiqte mësimet atje. Në Stamboll, hafëz Ibrahimi do të vazhdojë të qëndrojë për pak kohë, sepse “familja e tij nuk kishte mundësi materiale sa të përballonte pagesën e dy bursave për dy djemtë e vet në dhé të huaj, prandaj hafëz Ibrahimi u detyrua të kthehej në Tiranë dhe në medresenë e saj (të Tiranës) do t’i vazhdojë mësimet”- shkruan biografi i hafëz Dalliut dhe njëherazi shoku i burgut, Ibrahim Hasnaj (Hima)[1].
Që në fëmijëri hafëz Ibrahimi u brumos dhe u edukua me ndjenjën e fetarit të sinqertë dhe të atdhedashësit të zjarrtë e të guximshëm. Me vullnet të fortë mësoi alfabetin shqip, kurse në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare mori përsipër misionin e mësuesit, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses. Pas daljes së Kushtetutës së re, në Tiranë u lejua që të funksiononin tri shkolla shqipe (dy fillore dhe një ruzhdije), kurse Hafëzi i nderuar u emërua për mësues dhe edukator në shkollën fillore të vajzave. Mirëpo, më vonë ftohet në Nënprefekturën e Tiranës, ku i kërcënohen dhe e urdhërojnë që të heqë dorë nga të mësuarit e shqipes, kurse ai me një krenari dhe kurajë burrërore do të refuzojë duke iu thënë: “E drejta për të mësuar gjuhën time më është dhënë me Kushtetutë, prandaj nuk e kam ndërmend të heq dorë nga misioni im”[2].
Në kohën e mbajtjes së Kongresit të Elbasanit, Hafëzi u caktua delegat nga Tirana, e kur u vendos hapja e Normales, ai u emërua një ndër mësuesit e saj të parë. Pas një viti pune, dhe meqenëse nëndrejtorit të saj Luigj Gurakuqit nuk i vajtën punët mbarë e mirë sa duhej, Hafëzi vendosi të japë dorëheqjen, mirëpo, pas insistimit me ngulm të shokëve të tij, u detyrua ta tërheqë dorëheqjen e tij.
Më pas, më 15 vjeshtë e dytë 1909, hafëz Ibrahimi boton një artikull tek organi “Bashkimi i Kombit”,që asokohe botohej në Manastir me emërtimin “Nji qëndrim i çuditshëm”, në të cilin demaskonte pa frikë atë pseudoliri e demokraci të trumbetuar me aq shumë bujë, i cili mjaftoi që ai t’iu nënshtrohej arrestimit dhe torturës. Pas disa ditësh, njëzet e dy të burgosur, në mesin e të cilëve edhe Hafëzi, i nisën në këmbë për në Elbasan, i nxorën para gjyqit ushtarak dhe i dënuan me nga dhjetë vjet burgim të rëndë, natyrisht, me arsyetim se kanë zhvilluar aktivitet dhe propagandë patriotike. Hafëzi dënimin do ta vuante në Jedi-Kule të Selanikut së bashku me Beqir Lugën, Mahmud Fortuzin, Jusuf Elezin e Mustafa Marën[3]. Mirëpo, për shkak të presioneve të shumanshme, protestave të rrepta, madje edhe në shtypin shqiptar të Bostonit, xhonturqit pas pak kohe morën vendim për lirimin e tyre.
Hafëz Ibrahimi pasi u kthye pranë familjes së tij në Tiranë, përsëri nuk ndeji duarlidhur, por vajti në Krujë dhe iu bashkua çetës së Sarisalltikut, e cila komandohej nga patrioti Abdi Toptani.
Edhe në ngjarjet e Nëntorit 1912, Hafëzi kishte rol flamurtar. Meqenëse ushtria serbe ishte në Lezhë dhe po marshonte në drejtim të Tiranës, ai thirri një mbledhje popullore me urgjencë në mëngjesin e 25 nëntorit në fushën e Namazgjahut, ku dhe u vendos që të nesërmen (pra, 26 nëntor 1912) të shpallej Pavarësia Kombëtare dhe të ngrihej flamuri. Edhe para dhe pas kësaj kohe, Hafëzi punoi edhe si imam, vaiz, hatib, por mbi të gjitha vazhdimisht u angazhua të shkruaj e të shkruaj, vepra këto të cilat edhe sot e kësaj dite tingëllojnë aktuale dhe janë të dobishme. Me këto detyra e veprimtari ai u bë një hoxhë i dashur dhe i nderuar në shkallë kombëtare, një propagandist i zjarrtë i fesë dhe i kulturës islame. Ligjëratat e tij ishin të përgatitura në mënyrë shembullore, me material të pasur, me fakte dhe argumente bindëse nga Kur’ani, hadithet, ngjarjet historike e shembuj nga jeta e përditshme, i nxitnin besimtarët për të zbatuar adhurimet fetare islame, për të qenë myslimanë të rregullt e të devotshëm[4].
Veprat e H. Ibrahim Dalliut
Hafëz Ibrahim Dalliu duke qenë një alim i devotshëm, mësues i palodhshëm, poet me forcë humoristiko-satirike, gazetar i guximshëm, njëri që ndër të parët hapi rrugën e satirës dhe humorit në letërsinë shqipe, pas vetes ka lënë, me sa dihet, këto vepra:
- Texhvid i Kur’anit- vepër origjinale e mbaruar.
- Ç’asht islamizma- vepër origjinale e mbaruar, botuar më 1935.
- Libri i së falmes- botimi i tretë më 1941.
- Dhantië e Ramazanit-
- Patriotizma më Tiranë- grimca historie, botuar më 1930.
- Dokrrat e hinit- poemë satirike.
- Grenzat e kuqe- poemë humoristike, botuar më 1918.
- Triskat- (dorëshkrim) poemë sarkastike.
- Kreshniku i Atdheut- vjersha patriotike, botuar më 1920.
- E lemja e të madhit Pejgamber dhe jeta e Ati (vepër origjinale).
- Besimet e myslimanëve- vepër origjinale, botuar më 1933.
- Mësime teorike dhe praktike të moralit islam- vepër origjinale 1939.
- Ajka e kuptimeve të Kurani-Qerimit- përkthim, vëll. i parë u botua më 1929.
- Udha Muhammedane- Tarikati Muhamedije, përkthim, 1936.
- Hadithi-erbein ose Dyzet hadithet, e para vepër e përkthyer e këtij lloji në shqip, 1940.[5]
Përveç veprave e përkthimeve të përmendura, Hafëzi ka botuar edhe te gazetat e kohës, siç ishin “Xhoka”, “Dajti” etj. Madje, te kjo e fundit ka qenë edhe botues (pronar) dhe drejtor përgjegjës, dhe jo rrallë herë nënshkruhej me pseudonimin “Mrrela” (një mizë e madhe që i thumbon kafshët), kurse te gazeta “Xhoka” nënshkruhej me pseudonimin “Bumalla”.
Krahas këtyre veprave dhe shkrimeve të rëndësishme hafëz Dalliu i kishte shtuar vetës edhe një detyrë shumë të rëndësishme; të shkruante edhe një vepër në fushë të jurisprudencës islame, që, sikurse u tha, është përmendur më së paku – veprën “Libri i së falmes”, vetë titulli i së cilës e çon lexuesin te falja e namazit.
“Libri i së falmes”, të cilin disponojmë, është, sikurse shkruan, botimi i tretë i vitit 1941 dhe është shtypur në shtypshkronjën “Tirana” në Tiranë. Përmbledh 112 faqe gjithsej.
Vepra “Libri i së falmes” është një kontribut intelektual mjaft serioz i autorit, në të cilën përmblidhen dispozitat e Sheriatit që kanë të bëjnë me dhe rreth faljes së namazit. Vepra hapet me parathënien. Në fillim jepen shpjegime të arsyeshme, të mjaftueshme se ç’është falja e namazit; kur është bërë farz falja e pesë kohëve të namazit; cilat janë dobitë shëndetësore të faljes etj, – për të vazhduar më pas për namazin dhe krejt ç’ka të bëjë me të në mënyrë të detajuar. Duke qenë se namazi është ibadet, të cilit i paraprinë pastërtia- abdesi, Dalliu sjell argumente logjike dhe shkencore, madje edhe të dijetarëve evropian, për dobitë shëndetësore të pastërtisë, të abdesit dhe të faljes së namazit. Sa për ilustrim lidhur me dobinë e dhënies mes’h kokës gjatë marrjes abdes, po sjellim një konstatim të hafëz Dalliut: “Hiqmeti i së dhanmes mes’h kreës, asht tepër i madh; njeriu, me ç’do punë të merret, kur të marzitet e të lodhet lypset ta freskojë kokën për ta ndaluë sulmin e gjakut në truët”[6]- konstaton autori. Autori vazhdon të sjellë argumente për dobitë higjenike dhe shëndetësore me rastin e pastrimit të secilës pjesë të trupit me rastin e marrjes abdes, ose, – siç e quante ndryshe, – pastrimit të pjesërishëm. Gjithashtu, edhe për faljen e kohëve të namazit ai sjell edhe arsyeshmëri logjike. P.sh. për faljen e namazit të sabahut me kohë, hafëz Dalliu, thotë: “Zotni! Si të mos jet i shëndosh ai që se ka zapë Dielli asnjiher njum, ai githmonë ngrihet para sabahit. Kjo punë asht e vërtetueme dhe ke Evropianet, të cilët kanë nji proverb kështu: Në qoft se bini heret dhe ngrihi para se lenë Dielli, fitoni shëndetin, pasuriën dhe gjendjen e mirë”[7].
Në vazhdim të veprës, autori në mënyrë të shkoqitur – e pjesën më të madhe ia kushton namazit – bën fjalë për faljen; kushtet, ruknet, synetet e namazit, për namazin e xhumasë, të bajramit, të vitrit, të teravisë, të udhëtarit, namazin kaza, namazin e xhenazes etj., për të përfunduar me një poezi – lutje pesëmbëdhjetë strofëshe kushtuar: “Shpirtit të shejtnueshëm të Pejgamberit tonë”.
E veçantë e kësaj vepre është se autori çdo dispozitë e ka argumentuar dhe e ka ilustruar me shembuj; shpjegimet i ka mjaft të qarta dhe për fillestarët mjaft të lehta dhe praktike.
Prandaj, ky doracak, kujtojmë, është një libër praktik shumë i përshtatshëm që besimtarëve do t’u ndihmonte shumë për faljen sipas rregullave të namazit. Aspak nuk është i ngarkuar me mendime të dy a të trefishuara të dijetarëve, por ai e zgjedh atë më kompetentin, më të qëndrueshmin, përfundimtarin (el-kaulurr rraxhih), dhe e vë në dispozicion.
Në gjysmën e parë të veprës “Libri i së falmes”, Hafëzi shënon edhe suret e Kur’anit nga sureja “Ed-Duha” deri te “En-Nas”, duke sjellë edhe domethënien e tyre, si dhe të gjitha duatë-lutjet dhe pjesë të tjera që nevojiten për t’u lexuar gjatë namazit, gjithnjë të transkriptuara në shkronja latine.
Mirëpo, ajo që transkriptimin e tyre e bën të veçantë dhe ndoshta të përdorur në këtë mënyrë për herë të parë ndër shqiptarët, është se ai tetë shkronjat karakteristike të gjuhës arabe që nuk janë në gjuhën shqipe i sjell të shënjuara me shenja që nuk përdoren në gjuhën shqipe dhe i fut në përdorim, me të vetmin qëllim që lexuesi shqiptar t’i lexojë sa më saktë.[8]
Hafëz Ibrahim Dalliu, në veprën e tij “Libri i së Falmës”, mendojmë, është ndër të parët, që iu jep kuptimin e saktë e të plotë shumë terminëve që përdoren në terminologjinë e jurisprudencës islame-fikhut, e sidomos rreth terminologjisë së të falmës – namazit. Për më tepër, vlerën e përkthimit të tyre që ne sot t’i kemi të gatshme, e rrit koha kur autori ka përkthyer, shqipëruar a adaptuar ato fjalë. Ai, p.sh., disa terminë i shqipëron kështu: tavafi – e sjellmja, namazi – e falmja, iftitah tekbiri - tekbiri i fillimit (çelmjes), setri auret – të mbuluemit, eda – e falme në kohë të saj, kaza – e falme pasi t’i kalojë koha, kijam – qëndrimi në këmbë, ruqu – krrusje, sexhde- ulje, kaadei ehire – ndeja e mbrame, sexhdei sehvi – ulja e gabimit, sexhdei tilaveti – ulja e këndimit etj.
Në anën tjetër, hafëzi i nderuar disa terminë nuk i përkthen fare, por i përdor në formën e tyre origjinale, siç është rasti me fjalët: ruqnet e nemazit, nemazi i xhumaës, vitri, lutja e kunutit, vaxhibetj., megjithëse edhe ato në brendi të temës i shpjegon gjerësisht. Duke qenë se e falmja e namazit është adhurim që veprohet, për të qenë më e kuptueshme për lexuesin dhe për ta pasur më lehtë që ta vejë atë në praktikë, I. Dalliu nuk mjafton vetëm me shpjegime teorike, por i shkoqit edhe me shembuj praktikë se si mund të veprohet gjatë faljes së namazit[9], duke e shënuar kohën e së falmes, mënyrën e nijetit, ç’mund të lexohet në reqatin e parë e kështu me radhë, derisa jepet selam dhe kryhet namazi. Madje, edhe pas së falmes, ai i përshkruan lutjet të cilat e përcjellin atë, natyrisht arabisht të transkriptuara dhe me përkthimin e tyre.
Kur është fjala tek përkthimet duhet përmendur se ato i karakterizon një gjuhë e pastër, e qartë, dhe e pasur, ndonëse herë-herë, ai ato shprehje i sjell të adaptuara (shqipëruara).
Është e rëndësishme të theksohet se hafëz Dalliu, të gjitha normat e Sheriatit të shkruara në këtë broshurë – siç e quan ai,- janë të sistemuara sipas shkollës juridike hanefite. Kjo mbase është shumë e kuptueshme, sepse u dedikohej lexuesve të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pasues të po asaj shkolle, pra të shkollës juridike hanefite.
Në fund edhe një veçori e hafëzit të nderuar: Të gjitha veprat e tij fetare i shpërndante falas, pra edhe veprën “Libri i së falmes”, dhe thotë: “Me suksesin e Perendiës m’u plotsue kjo dëshirë, shkrova diçka e po e botojë për t’a dhanë falas siç i kam dhanë edhe disa libra të tjera”[10].
Gjithashtu, përmes librave të tij fetarë në viset jashtë Shqipërisë administrative, ai synonte ngritjen e vetëdijes fetare të shqiptarëve dhe njëkohësisht që ata të kenë mundësi ta mësojnë gjuhën e tyre shqipe. Për t’i dërguar librat në Kosovë, ai fillimisht i dërgonte në Ambasadën Shqiptare në Beograd me rekomandim që të njëjtat të përcilleshin për në Kosovë, natyrisht të gjitha falas.
Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, zotëri Rauf Fico, në kujtimet e veta shkruan:
“Kur hafëz Ibrahim Dalliu nxirrte nga shtypi ndonjë përkthim a vepër origjinale fetare, dërgonte në Ambasadën Shqiptare të Beogradit nji sasi të konsiderueshme ekzemplarësh për t’i shpërndarë gratis ndër viset e robnueme të Kosovës. Kështu që, duke lexue librat fetare të Hafëzit, ata zhvillonin njëkohsisht edhe gjuhën amtare”[11].
Duke e përmbyllur këtë vështrim do të theksojmë se në veprën “Libri i së falmes”, hafëz Ibrahim Dalliu, nuk ka lënë pa prekur asgjë të rëndësishme dhe të domosdoshme e që ka të bëjë me faljen e namazit.
Pikëpamjet e Dalliut për faljen e namazit mund të kuptohen të plota, sidomos pasi të lexohet vepra në tërësi. Prej saj do të nxirren mësime të shumta edhe sot e kësaj dite.
Prandaj, të shpresojmë dhe të lutemi se një ditë “Libri i së falmes” i hafëz Ibrahim Dalliut do të ribotohet. Ribotimi eventual i kësaj vepre, tani me një redakturë gjuhësore të kohës së sotme, më shumë i bën nder botuesit se sa vet autorit, kurse myslimanët do të përfitonin shumë nga ajo.
Burimet kryesore:
- Hafëz I. Dalliu, “Libri i së Falmës” botimi i tretë, Tiranë, 1941.
- Ibrahim Hasnaj (Hima), “Hafëz Ibrahim Dalliu-jeta dhe vepra” te “Dituria Islame” nr. 64-70, përgatitur nga Vehap Shita, Prishtinë.
- H. I. Dalliu, “Patriotizma më Tiranë”, Tiranë, 1930.
- Gazmend Shpuza, “Veprat e Hafëz Ibrahim Dalliut” te “Perla”, nr. 2-3, Tiranë, 1999.
- Faik Luli- Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002.
- Ibrahim Hasnaj (Hima), Hafëz Ibrahim Dalliu (dorëshkrim).
- Faik Kasollja, Hafëz Ibrahim Dalliu, “Hëna e Re” nr. 170, v. 2003.
- Dr. Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shek. XX”, Tiranë, 1997.
[1] Ibrahim Hasnaj (Hima), Hafëz Ibrahim Dalliu – jeta dhe vepra, “Dituria Islame” nr. 64-70, përgatitur nga Vehap Shita, botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Po ashtu: Hafëz Ibrahim Dalliu – jeta dhe vepra, (dorëshkrim) nga Ibrahim Hasnaj (Hima).
[2] Patriotizma më Tiranë – H. I. Dalliu, Tiranë, 1930.
[3] Si nën 1.
[4] Faik Luli&Islam Dizdari, “Mevludet në gjuhën shqipe”, Shkodër, 2002, fq. 463.
[5] Faik Kasollja te “Hëna e Re”, nr. 170, viti 2003.
[6] “Libri i së falmes”, f. 13.
[7] Po aty, f. 15.
[8] “Libri i së Falmes”, f. 17-18, “Mënyra e së kënduemes arebisht me shkronjat t’ona”.
[9] Ibid. f. 80 – 81.
[10] Ibid, f. 3 tek “Nja dyë fjalë”.
[11] Dituria Islame nr. 64-70.