Fëmijët e Kosovës: Si na masakronin serbët

Koha që punova në Fort Diks, Nju Xhersi, me refugjatët e Kosovës, për mua do të mbetet e paharruar. Jam e sigurt se shumë prej atyre të cilë...


Koha që punova në Fort Diks, Nju Xhersi, me refugjatët e Kosovës, për mua do të mbetet e paharruar. Jam e sigurt se shumë prej atyre të cilëve iu dha kjo mundësi mund të thonë të njëjtën gjë.
Gjithsesi, për mua ishte diçka e veçantë. Së pari, sepse m’u besua që të përgatisja një program radiofonik të përnatshëm për “miqtë”,
(kështu ishim porositur t'i quanim refugjatët) gjë që më kujtonte profesionin tim në Shqipëri. Së dyti, dëgjuesit e programit nuk ishin të zakonshëm. Ata ishin të etur për lajmet; nuk dëgjonin por thithnin çdo lajm për Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, ku kishin mbetur pjesëtarë të familjeve të tyre, por edhe për gjithë Ballkanin.
Prisnin me padurim të dëgjonin që forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë. Lajmi Më kujtohet një mbrëmje kur transmetimin e hapa me lajmin “Kisha ortodokse serbe kërkon dorëheqjen e Millosheviçit”- u dëgjua menjëherë një thirrje e fuqishme gëzimi.
Zërat e tyre depërtuan përmes dritares në studion e transmetimit. U rrëqetha. E kam ndjekur reagimin e tyre në çdo transmetim që bëja. E dija kur gëzoheshin, e dija kur hidhëroheshin. Jetoja me ndjenjat e tyre. Ndonjëherë, ata nuk prisnin sa të vinte koha e transmetimit, por më pyesnin sa herë më shihnin jashtë studios: Çfarë lajmesh kemi sot?
Për ditën e 4 korrikut, ditën e Pavarësisë së Amerikës dhashë një program të veçantë në qendër të të cilit vura pjesë nga Deklarata e Pavarësisë. Gjithsesi, atë ditë pjesa me interesante e programit tim ishin fëmijët. Ata e mbushën këtë program me këngë, vjersha, e biseda të sinqerta. Vetë jeta e refugjatëve, e secilit prej tyre, kishte diçka tragjike.
Por në këngët e vjersha e fëmijëve e kuptoje që tragjikja qe trashëguar nga e kaluara. Këngët e lirisë, këngët e trimave ishin të parat këngë që mësuan fëmijët kosovarë. Ata mësuan të jetonin me dhimbjen si pjesë e pandarë e jetës. Mësuan të jetonin një jetë të jashtëzakonshme duke e marrë atë si të zakonshme.

Eksperienca
Fëmijët nga 10-14 vjeç, ishin fëmijë të lindur në kohën kur qeveria e Beogradit ua hoqi autonominë (‘89) bashkë me të drejtën e gëzimit të jetës dhe ua zëvendësoi atë me ankthin e persekutimit. I mësoi fëmijëve eksperiencën e hidhur të luftës, kur dikush nga familja mund të mungojë në çdo kohë, mund të vritet, të persekutohet apo emigrojë.
Fëmijët e Kosovës para se të mësonin këngët e lodrat e fëmijërisë mësuan ato të mërgimit, lëngimit për liri e për atdhe, këngët e trimërisë.
Ata kënduan për heronjtë e Kosovës, recituan për ata që u burgosën nga serbi vetëm sepse donin lirinë. Këngët e tyre ishin për emigrantët që u detyruan ta lenë vendin e tyre të bukur për shkak të pushtetit serb.
Fëmijët e sollën këtë thesar në programin tim. Diçka që më beri përshtypje e që s’do ta harroj kurrë ishte fakti se askush prej tyre nuk këndoi as edhe një këngë fëmijësh, këngë lodrash të moshës së tyre, siç bëjnë fëmijët e lirë kudo në botë.
Jo sepse atyre nuk u pëlqenin lodrat e moshës se tyre , por sepse ata u lindën atëherë kur qeveria e shtetit të tyre ua hoqi lirinë e buzëqeshjen. Ata u lindën e u rritën gjatë persekucionit serb. Ajo qeveri u mbylli shkollat që ata të mos e mësonin kurrë historinë e tyre, kulturën e popullit të tyre.
Fëmijët e Kosovës para se të mësonin të emërtonin lodrat e tyre, mësuan fjalët “liri”, “burg” dhe “mërgim”. U mësuan të përballojnë diskriminim ashtu sikurse prindërit e tyre. Ata u bënë të fortë si prindërit e tyre. Për më tepër ata u bënë poetë të dhimbjes. Më kujtohet një mbrëmje dikush më solli në studio një vajzë të re me një vështrim të menduar.
"Jam 14 vjeç, tha, quhem Makbule Qerimi. Ajo recitoi një vjershë vargjet e të cilës po i citoj: “Pse kështu?/Pse u larguam kështu?/Të jem në mërgim e përmalluar/ Pse u largova nga foleja ime?/
Të jetoj në mërgim si jetime?/Mua më kishte vdekur nëna/Por prapë kisha një nënë/Kisha Kosovën me diell e me hënë/ Ndodhem në Amerikë/Në kazermat ushtarake/Për Kosovën time/Lotët më shkojnë për faqe...” Kur mbaroi, e pyeta se kush e kishte shkruar atë poezi.
Mu përgjigj thjesht: Unë. Atë mbrëmje biseduam gjatë. Ishte jetime. Ishte e pjekur tej moshës së saj. E pyeta nëse dëshironte të rrinte në Amerikë. Ajo ishte e talentuar, e zgjuar dhe Amerika do t’i jepte shumë mundësia. "Jo, më tha, Amerika ka plot njerëz të zgjuar e të talentuar. Amerika nuk ka nevojë për mua. Kosova ka nevojë".
Nuk e di pse, por atë moment më erdhi ndër mend ai episod i bukur E kam fjalën për zakonin e vjetër të arbëreshëve në brigjet e Italisë kur prindi e ngrinte lart fëmijën e porsalindur duke e kthyer atë me fytyrë nga Adriatiku për të mos harruar kurrë nga kishin ardhur.
Flakron Gjikokaj, 15 vjeç, Deçan
“Ishim mbledhur të gjithë në shtëpi kur papritur dëgjuam të shtëna me automatik. Dolëm menjëherë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Rruga ishte e mbushur me ushtarë e milicë serb. Ne u nxituam të hynim nëpër podrume. Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta kur serbët nisën të qëllonin me granata mbi Deçan. Një granatë na ra në kulm të shtëpisë dhe fëmijët nisën të qanin me të madhe. Dolëm prej andej pasi nuk e ndjenim më veten të sigurt.
U nisëm në këmbë për në Kodrali, fshat afër Deçanit. Por edhe aty serbët filluan të sulmojnë me granata. E lamë Kodralinë e u nisëm për në Llukë.
Helikopteri serb fluturonte mbi kokat tona e qëllonte. Nga helikopteri janë plagosur plot njerëz rrugës. Një komshia jonë, plakë e paralizuar që po e mbanin djemtë, iu lut atyre që ta linin në rrugë e të mos rrezikonin jetën e tyre për të. Prej aty duke ecur gjithë kohën në këmbë arritëm në një fshat tjetër, në Strelcë.
Në atë fshat banonte tezja. Edhe aty gjendja nuk ishte më e mirë. Gjetëm një makinë e ikëm dhe prej aty. Vazhduam rrugën në drejtim të Pejës.
Babai atë kohë ishte në Gjermani. Kur i dhanë lajmin që ne do shkonin në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë e la Gjermaninë për t’u bashkuar me ne. Por nuk u takuam dot me të. Nga Stankoveci ne na prunë në Amerikë ndërsa babai tani ndodhet në Stankovec”.
Shkabjan Hetemi, 14 vjeç, Prishtinë
“E para gjë që nuk e harroj kurrë pasi na dëbuan nga shtëpia, është momenti kur zbritëm nga treni në Maqedoni.
Ushtarët serbët na vunë në kolonë dy nga dy e na urdhëruan të ecnim mbi shinat e trenit. Na thanë që askush të mos guxonte të dilte nga shinat se ndryshe do ta vrisnin. Ata ecnin anash nesh me automatik në duar.
E dyta, ishte qëndrimi në Bllacë të Maqedonisë. Në Bllacë ndenjëm jashtë tre ditë. Binte shumë shi. Këmbët i kishim në llucë. I gjithë vendi rreth e qark ishte kthyer në llucë. Maqedonasit na jepnin qese plastike për t’u mbrojtur nga shiu.
Ne i ngulnim në shkopinj druri dhe i përdornim si strehë. Ushqimin, bukën, e sillnin me traktorë dhe na e hidhnin që nga traktori, kush të mund ta kapte.
Aty kemi pritur autobusin që të na çonte në kamp. Tre ditë kemi pritur në shi. S'kishim ku flinim veçse në baltë. Mamit i ra të fikët. Vëllai na mungonte. Nuk e dinim se ku ishte. Vonë Kryqi i Kuq na njoftoi se ai kishte hyrë në Shqipëri”.
Adnan Murtezi, 14 vjeç, Prishtinë
“Ushtarët serbë erdhën me maska tek shtëpia jonë dhe thirrën serbisht: “Dilni jashtë! Shpejt! Dilni jashtë! Hajt, shkoni tek NATO-ja! Shkoni tek Klintoni!”
Pastaj shanin me fjalë të ndyra.. Ne dolëm jashtë. Ata qëlluan me automatikë në dyert e dritaret tona. Çdo gjë u thye, u shkatërrua. Rrugës na shtynin përpara, na shanin dhe herë pas here shtinin me automatik nga të gjitha anët Thërrisnin:
“Ikni, zhdukuni! Kosova s'është e juaja, është e jona!” Ushtarët serbë thyenin xhama dyqanesh e çfarë t’u dilte përpara, por nuk na tregonin se ku po shkonim. Kemi ecur kështu ndoshta 5 orë, deri sa na kanë çuar te stacioni i trenit.
Unë kam tre motra dhe një vëlla të sëmurë. Një motër tjetër ishte e martuar. Ajo mbeti në Prishtinë. Për të nuk dinim asgjë se ku ndodhej e si ishte. …
Atë natë nuk na zuri treni të gjithëve. Ne që mbetëm, ramë për të fjetur përtokë. Por askush s’mundi të flejë atë natë. Dëgjonim krisma, të shtënat e ushtarëve serbë. Atë natë dy gra shtatzëna lindën aty, afër trenit. Të nesërmen në mëngjes herët u nisëm me tren për në Maqedoni”.
Alberta Mehmeti, 14 vjeç, komuna e Gjilanit
“Aty, ku banonim ne, janë dy Shillova, Shillova e Shqiptarëve dhe Shillova ku banonin serbët. Natën që NATO-ja filloi sulmin ajror mbi Jugosllavi, ne po ndiqnin lajmet e televizionit të Tiranës. Aty dëgjuam se sirenat e alarmit për fillimin e bombardimit të NATO-s u dëgjuan mbi Beograd. Shqiptarët e Shillovës brohoritën për këtë lajm me të madhe.
Këto brohoritje i dëgjuan serbët në anën tjetër dhe atëherë ata filluan të qëllojnë me armë në drejtim të Shillovës shqiptare. Atë natë u plagos një vajzë. Familja e mori për ta çuar urgjentisht në spital. Milicët serbë i ndalën familjarët rrugës dhe u kërkuan dokumentet.
Familja i u lut të mos i vononin shumë se vajza kishte humbur shumë gjak e duhej çuar sa me parë tek doktori, në spital. "Ah, ashtu?! A doni ta çoni sa më parë në spital? Çojeni pra!" Thanë ata dhe e shprazën automatikun mbi gjoks të vajzës”.
Fatbardha Rexhepi, 12 vjeç, Pogragjë
“Në familjen tonë, ndodhi një tragjedi të cilën s’do ta harroj gjithë jetën. Po largoheshim nga shtëpia jonë e nga Kosova të ndjekur prej policisë e ushtarëve serb. Ishte një kolonë e gjatë njerëzish para e pas nesh. Ne po udhëtonim me traktor.
Mbi kokat tona fluturonte helikopteri serb dhe herë pas here qëllonte. Emta e babait tim po mbante në krah fëmijën një vjeç e gjysmë. Plumbi i snajperit serb goditi foshnjën, në kurriz. Emta e babit, që ishte gjyshja e fëmijës duke menduar që fëmija i vdiq në duar, u trondit aq shumë, sa i pushoi zëmra në vend. Ajo quhej Nexhmije Azemi”.
Programi
Ishte pasdite tek bisedoja me një grup fëmijësh. Doja të dija se çfarë dëshironin të dëgjonin ne programin e tyre. Sigurisht isha përgatitur të dëgjoja kërkesa fëmijësh. Njeri nga fëmijët ngriti dorën duke kërkuar leje të fliste: “Unë dua të dëgjoj që Kosova u çlirua nga serbët!” “-Si të quajnë?” - e pyeta. - “Alban”- m’u përgjigj.
I thashë Albanit që edhe unë e prisja me padurim atë lajm dhe shpjegoja që përveç lajmeve në programin e mbrëmjes do kishim edhe një minutash të caktuar vetëm për ata, fëmijët. E pyeta në se i pëlqenin vjershat.
–“Po”, më tha, dhe u ngrit duke marrë drejtqëndrim për të recituar. Ndër të tjera vjersha e tij thoshte: “Më rrahën /më keqtrajtuan/ Më kërcënuan me burg e ferr. Por unë s’frikësohem /E ç’fryj zemrën e s’kam dert!” -“A e di se kush shkruar këtë poezi, Alban?”
Djali nuk foli, por i vëllai i tij më i vogël, Arlini bëri me kokë nga ai: “E ka shkruar vetë”. U mësova të mos habitem më kur dëgjoja që fëmijët e Kosovës i kishin shkruar vetë poezitë që recitonin apo në ndonjë rast edhe këngët.
Ishte vështirë ta kërkoje fëmijërinë tek ata. Ajo ishte e përzierë me luftën. Ata më treguan historitë e tyre, ashtu si e kanë përjetuar ata krimin serb të fundshekullit dhe ato unë i përfshiva në librin tim në anglisht "Children of Kosova-stories of horror". Ishin 43 fëmijë, 43 dëshmi...
Albana M.Lifschin

Related

Speciale 6231854516187707444

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item