Faik Konica: Ja përse e refuzova Kongresin e Manastirit!
Faik Bej Konica, në vitet 1900 veshur me kostum tradicional shqiptar të toskërisë Ndoshta nuk është rasti, sepse nuk përbën një jubile të ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/faik-konica-ja-perse-e-refuzova.html
Faik Bej Konica, në vitet 1900 veshur me kostum tradicional shqiptar të toskërisë |
Ndoshta nuk është rasti, sepse nuk përbën një jubile të mirëfilltë ( megjithëse viti përkon me një përvjetor jubilar) por Kongresi i Manastirit (që u mbajt në datat 14-22 nëntor 1908) dhe vendimet e tij, koha vërtetoi se ishin padyshim, jo vetëm ndër më historiket, por edhe me një ndikim të përmasave madhore për fatin e gjuhës, kulturës e arsimit shqip në vitet e dekadat që pasuan. Megjithëse aty morën pjesë shumë figura të ndritura e me kontribute të pamohueshme në çështjen kombëtare, s’na kishte shkuar kurrë ndërmend të vinim re aty, mungesën e Faik Konicës, i cili në një situatë normale, duhej të ishte patjetër në krah të Gjergj Fishtës e Luigj Gurakuqit, Sotir Pecit e Shahin Kolonjës, Mit’hat Frashërit e Ndre Mjedës etj, e të jepte votën e tij, pavarësisht polemikave e kundërshtive që ai mund të kishte.
Por ç’e shtyu Beun e Konicës të mos shkonte në Manastir, ndërkohë që kontributi i tij në kohën që po flasim, sidomos nën logon e revistës “Albania”, ishte sigurisht, ndër më të spikaturit. Nëse i hedhim një sy, jo vetëm koleksionit të revistës “Albania”, por edhe korrespondencës e shkrimeve të tij, shohim se ai ishte jo vetëm një kundërshtar i vendimeve të Kongresit të Alfabetit të Stambollit ( 6 mars 1879)- që pavarësisht kritikave, shtroi rrugën drejt vendimeve të mëvonshme të Kongresit të Manastirit – por vijoi për një kohë të gjatë të këmbëngulte në një alfabet të stisur, që nuk i përmbahej asnjë vendimi të asnjërit prej kongreseve apo aktiviteteve të organizuara prej klubeve patriotike shqiptare. Gjithsesi, ai vijonte të shkruante duke u bazuar kryesisht tek alfabeti latin, por sidoqoftë në një alternativë të cilën ai e mbronte si më të përshtatshmen dhe në dukje shfaqej tejet liberal, duke akuzuar të tjerët për “monopol” në trajtimin e kësaj çështje.
Kështu, në një rast Mit’hat Frashëri ( nën pseudonimin Lumo Skëndo), i shkruante redaksisë së “Albania”’-s në vitin 1898: “Shkronjëzat ka njëzët vjet që vendi ynë i ka. Shqiptarët pak a shumë kanë shkruar dhe më parë gjuhën e tyre: po cilido me një palë shkronja: ca në greqisht, ca në turqisht etj. Që njëzet vjet e tehu, shqiptarët zgjodhën një palë shkronja të cilat sot më tepër se 50.000 njerëzit i njohin si të tyret. Shkronjëzat që zgjodhi shoqëri e Stambollit s’kanë as një qime të metë: janë të lehta, të bukura, të thjeshta dhe të mbaruara. Turqit, grekët dhe për më tepër anglezëet, i kanë shumë të shëmtuara: hiqini dhe ndërtoni t’atyrévé! (Shih: “Vent i hapur për të gjithë – puna e letrave”, Revista Albania, V II, Nr. 10, 28 shkurt 18989, fq. 166-167).
Në përgjigje ndaj tij, Konica, drejtorit të Revistës “Diturija” të Selanikut, i cili mbështeste pra hapur në atë kohë vendimet e “Komitetit të Stambollit” ( ku kishin bërë pjesë edhe Sami Frashëri, Pashko Vasa e Jani Vreto ), ia kthente mbrapsht argumentat, duke i kujtuar ndër të tjera se: “Ne s’jemi prej atyre që duan t’a bëjnë gjë të tyre gjuhën shqipe: gëzohemi përkundrazi, që të punohet dhe lulëzojë gjuha jonë në të katër anët. Andaj, letrat e Stambollit – që ndalojnë këtë lulëzim të përgjithshëm, që e bëjnë shkrimin dhe shtypjen e shqipes monopolin e ca njerëzve – janë letra të liga. REDAKSIA (Shih: po aty)
Diku ai shkruan plot ironi se: Do të bëhet më 1 të vjeshtës së III. Atje do të mblidhen tërë yjet e Shqipërisë së sotme dhe do t’i japin fund kësaj çështjeje me kaq rëndësi. Atje të gjitha abétë e shenjtëruara do të mblidhen të lindin një abé të perëndishme. Oratorët po qërojnë grykën, vjershëtorët po mprehin pendën dhe shqiptarët të gjithë presin pa marrë frymë. Tërë Evropa i ka sytë e saj në Manastir dhe ministrat e punëve të jashtme të fuqive të mëdha, s’flenë nga meraku. ( Shih “Kongres i Abésë”, Revista Albania, viti II, Nr. 5, 1907, fq. 93)
Por kjo s’mjafton për të shpjeguar mungesën e tij në Kongresin e Manastirit. Këtë më së miri e bën vetë Konica, në një përgjigje ndaj Kristo Qiriazit, cili, në emër të komisionit organizator, i kishte dërguar atij ftesën për pjesëmarrje në Kongresin e Alfabetit të Manastirit, duke firmuar në emër të Shoqërisë “Bashkimi”, e cila ishte dhe mentorja e këtij kongresi. Prej përmbajtjes së letrës, por edhe përgjigjes së Konicës, mësojmë se ku ndodhej Konica në atë kohë, dhe pse nuk kishte shkuar në atë Kongres. Cilat ishin “vërejtjet”, ose siç ndodhte zakonisht me të, hatërmbetjet e Beut të Konicës, i cili sigurisht se bashkë me argumentat, nuk do ngurronte të sillte me vete edhe një dozë të fortë ironie e nënvlerësimi për përpjekjet e ish-kolëgëve të vet.
Më poshtë po sjellim të plotë përmbajtjen e sipërpërmendur, të përshtatur sipas rregullave drejtshkrimore të shqipes së sotme, marrë nga Revista Albania, në vitin 1907 ( shih: Shih “Kongresi i shqipëtarëve zhon-turc”, Revista Albania, viti II, Nr. 5, 1908, fq. 98-99).
Kongresi i shqiptarëve xhonturq
Londër, 23 nëntor 1908
Shqiptarët e anës xhonturke, duke mësuar se ana kombëtare qëllon të mbledhë në verë një kongres në Shqipëri për të zgjidhur çështjen e abésë, u hodhën me vrap të dalin përpara dhe të thërrasin menjëherë një kongres të tyrin në Maqedoni. Besoj se është e tepërt t’ju vë në dijeni se nuk u ftova te ky i vetëthënë “kongres”…përveçse në orën e fundit, me ç’qëllim, e kuptoni vetë.
Ja një kopje besnike e letrës që mora:
Klubi i Shqiptarëve “Bashkim”, 1908, në Manastir Nr. 134 I dashur Mëmëdhetar meqenëse s’kemi marrë ndonjë përgjigje për ftesën që të dërguam 20 ditë më parë për kongresin e Abecésë, që do të mbahet këtu më 1/14 të vjeshtës III, po të dërgojmë sot këtë letër të veçantë, me anën e së cilës, ju bëjmë të njohur se kombi ynë ka nevojë të madhe për njerëz të tillë si zotëria Juaj, për t’i dhënë fund kësaj çështje aq të rëndësishme. Besojmë se lutja jonë do të dëgjohet dhe se do t’u kemi nga të parët në këtë punë. Nga gjithë anët e Shqipërisë priten njerëz dhe nga atdhetarët që rrojnë jashtë Shqipërisë. Ju ngjatjetojmë me mall shumë. Për pleqësinë e Klubit “Bashkim” Kristo Qiriazi Manastir, 16/29 Vjeshtë II, 1908 Zotëris së së tij, Faik Bé Konitza
Ja tani një kopje, jo më pak besnike, e përgjigjes që i ktheva:
Albania, 1896
Në Londër më 9 të vjeshtës III, 1908
I dashur matriot, Mora tri ditë më parë, letrën tuaj të vjeshtës së dytë, 29. Duke më ftuar “për të vetëthënin ‘Kongres’” vetëm një javë më parë se të mblidhet, më kujtoni një princ me emrin Albert Gjika, i cili e ka zakon kur thërret miq për drekë, t’a vejë letrën në postë pesë minuta përpara orës që u shënon për të urdhëruar. Kuptohet, pa thënë se për cilat arsye të njohura, nuk u jep dot dorë të më kini te “Kongresi”, por nga ana tjetër, nuk ju jep dorë as të thuhet se nuk më ftuat. Vërtetë thoni se më paskeni dërguar një “ftesë” tjetër, “20 ditë më parë” (do me thënë, pas letrës suaj më 10 të vjeshtës II), por kjo rrenë është tepër vulgare për të merituar vëmendje. Posta angleze nuk më ka humbur ndonjë kartë në shtatë vjet e sipër. Po edhe sikur të ma kishit dërguar “ftesën” më parë, a mund t’ju pyes pse e çuat thirrjen tuaj te gazetat greke dy muaj, përpara se ta dërgonit direkt drejt më të vjetrës fletë shqipe? Një kongres për abénë do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right kongress, by the right men, in the right time, at the right place”. Ua përktheni këtë fjalë pilafxhinjve turq dhe këmbëlëpirësve të krishterë që keni mbledhur me aq nxitim aty në Maqedoni. Një gjë më pëlqen te i vetëthëni “kongres” i juaji: ana poetike e tij. Jini më të shumtët çobanë, dhe kur më shkon mendja te ju, gjithë njomësia e idhujve të Theokritit më flladit zemrën. Ah mblidhuni, mblidhuni matriotë të staneve, thirrni zanat t’ju ndihmojnë në vepra të bukura. Nisuni- nisuni: Po një gjë më shqetëson. …..Hasani dhe Beluli, Ristoja dhe Jorgaqi, dhe çobanët e tjerë të “kongresit”a dinë të shkruajnë? …sepse kam dyshime. Më shkruani” mbajet pé”, por kjo formë përdoret vetëm në gjuhë fare të poshtër, sermo proletaris: njerëzit e rritur thonë “mbahet prej”. Më shkruani prapë: vejuere” “dëghonéte” te parete….Lajthiteni shumë. Shqipja 95 për qind të fjalëve i ka paroksytoné: ju çobanët, duke patur maninë të zgjasni bishtin e çdo fjale me një “e”, gërmë e cila toskërisht ka vlerën e një silabe të plotë, bëni 95 përqind të fjalëve proparoksytone, dhe ashtu ia ndërroni fare fytyrën dhe natyrën gjuhës. Ju këshilloj t’i qëroni vëshët tuaj nga hallva që të dëgjoni më mirë: kini për të vënë re atëherë se populli jashtë staneve thotë “dëghonet”, “ te paret” etj. Gjetkë shkruani: “dit”, “an”, jasht”. Jo! Këto fjalë në toskërisht kanë dy silabe (rrokje): “ditë” etj. Qërojini veshët, qërojini mirë. Në një tjetër vend përdorni “u” në vend të “ju”. Thoni “u” shkruam ( juve). Jo, ju shkruam juve, u shkruam atyréve. Gjetkë thoni: “dotu”, në një fjalë. Jo, kemi tri fjalë këtu, dhe duhet shkruar “do t’u”. Më në fund, më thërrisni herë ti, e herë ju ( a “u”): të dërgojmë “dhe” (ju) “u bëjmë”. Jo, jo! Ose ti, ose ju. Një njeri që di të shkruajë nuk përdor herë njërën e herë tjetrën mënyrë, si t’i shkasë penda. Faik Konica Zotit Kristo Qiriazi, Për Klubin “Bashkimi” të Manastirit