BE: Vota e Zvicrës do të ketë pasoja
Emigrimi Berna mund të humbasë tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian Një votim në referendum për kufizimin e emigrimit nga...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/be-vota-e-zvicres-do-te-kete-pasoja.html
Emigrimi
Berna mund të humbasë tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian
Një votim në referendum për kufizimin e emigrimit nga vendet e Bashkimit Europian mund t’i shkaktojë Zvicrës humbjen e aksesit të privilegjuar në tregun e përbashkët europian, bënë të ditur zyrtarë të BE-së, pasi zviceranët votuan me rezultat të ngushtë për vendosjen e kuotave të emigrantëve të rinj.
Votimi i të dielës u iniciua nga partia e krahut të djathtë Partia Popullore, e cila shfrytëzoi shqetësimet se kultura zvicerane po gërryhet nga të huajt, të cilët përbëjnë një të katërtën e të gjithë popullsisë 8 milionëshe të këtij vendi.
Kufizimet e emigrimit u kundërshtuan ashpër nga udhëheqësit e industrisë së vendit, si dhe nga qeveria në Bernë. Kjo e fundit tashmë gjendet në situatën e vështirë të përkthimit të rezultatit në ligj, ndërkohë që duhet të përballet me hakmarrjen e Brukselit dhe fqinjët e mëdhenj si Gjermania dhe Franca.
“Zvicra më së shumti ka dëmtuar veten me këtë rezultat”, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Steinmeier. “Zvicra duhet të kuptojë se nuk mund të zgjedhë nga politikat e BE-së çfarë i pëlqen”, tha ai.
“Është e qartë se do të ketë pasoja”, tha ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. “Nuk mund të kesh akses të privilegjuar në tregun e brendshëm europian dhe në anën tjetër, të kufizosh lëvizjen e lirë”.
Lëvizja e lirë e njerëzve dhe vendeve të punës brenda kufijve të vet është një nga politikat themelore të Bashkimit Europian dhe Zvicra, megjithëse nuk është anëtare, ka përfituar me anë të marrëveshjeve ne Brukselin.
Që nga viti 2002, qytetarët e Zvicrës dhe ata të BE-së kanë qenë në gjendje të kalojnë kufirin lirshëm dhe të punojnë kudo që siguronin kontrata pune apo vetëpunësim.
Zyrtarët e BE-së thanë se traktati i lëvizjes së lirë është pjesë e paketës me shtatë marrëveshje, të cilat qëndrojnë në fuqi apo rrëzohen së bashku. Marrëveshjet mbulojnë edhe bashkëpunimin ekonomik e teknologjik, prokurimin publik, pranimin e ndërsjellë të diplomave dhe licencave, tregtinë bujqësore, aviacionin e trafikun rrugor e hekurudhor.
“Ne thjesht nuk mund t’i pranojmë këto lloj kufizimesh, të tilla si ato që u miratuan dje”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Pia Ahrenkilde. “Është e qartë se kjo sjell komplikime edhe për pjesën tjetër të marrëveshjeve me Zvicrën”.
Udhëheqësit e biznesit në Zvicër thanë se kuotat për emigrimin kërcënojnë ekonominë, e cila bazohet në masën 20 për qind nga punëtorët nga vendet europiane.