QASJA E GABUAR E SLLAVO-MAQEDONASVE NDAJ ÇËSHTJES SHQIPTARE
Xhelal Zejneli Qasja e gabuar e faktorit sllavo-maqedonas ndaj çështjes shqiptare solli konfliktin e armatosur të vitit 2001. Luftërat shkak...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/qasja-e-gabuar-e-sllavo-maqedonasve.html
Xhelal Zejneli
Qasja e gabuar e faktorit sllavo-maqedonas ndaj çështjes shqiptare solli konfliktin e armatosur të vitit 2001.
Luftërat shkaktohen për shumë arsye: ekonomike, strategjike, gjeopolitike dhe fetare. Ka edhe përplasje qytetërimesh. Luftërat bëhen për qëllime të ndryshme, por kryesisht: përpushtim territoresh; dhe për çlirim territoresh. Ka luftëra dhe ndërhyrje ushtarake që ndërmerren: për zona interesi dhe për sfera ndikimi; për shembje sistemesh totalitare dhe për rrënim pushtetesh tiranike, despotike, autoritare dhe diktatoriale. Ka luftëra që janë bërë edhe për të imponuar ndyshime politike.
Lufta e 2001-shit nuk u bë as për pushtim territoresh, as për çlirimin e tyre. Ajo ishte luftë që duhej t’i impononte palës sllavo-maqedonase ndryshime politike. Prania dhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar ishte në funksion të parandalimit të një konflikt ndëretnik përmasash të gjera. Me fjalë të tjera, kishim të bënim me një konflikt të kontrolluar. Në shtetet dyetnike, homogjenizimi i njërës palë, determinon homogjenizimin e palës tjetër.
Lufta e 2001-shit ishte pasojë e pakënaqësive të brendshme të shqiptarëve në Maqedoni. Deklarata e Prizrenit e vitit 2001, u nënshkrua nga Ali Ahmeti, nga Arbën Xhaferi dhe nga Imer Imeri. Nënshkrimi i saj nga udhëheqësit e dy partive politike shqiptare – PDSH-së dhe PPD-së, dëshmon se spektri politik shqiptar në Maqedoni që deri atëherë e përfaqësonte pjesën më të madhe të popullit, e mbështeti luftën. Me fjalë të tjera, luftën e 2001-shit e mbështeti pothuajse i tërë populli shqiptar. Pakënaqësia e shqiptarëve nuk ishte akumuluar vetëm gjatë viteve të pluralizmit, por që nga koha e luftërave ballkanike, përkatësisht që nga viti 1945, deri në ditën e krismës së parë.
Rezultat i kësaj lufte të armatosur është Marrëveshja e Ohrit. Ky është një dokument mevlerë politike ndërkombëtare. Implementimi apo jetësimi i saj duhej të bëhej brenda viteve 2002-2004/2005. Gjatë periudhës së sipërthënë, një pjesë e Marrëveshjes së Ohrit u sendërtua.
Me ardhjen në pushtet të VMRO-së së Gruevskit, në vitin 2006, çështja shqiptare në Maqedoni mori tatëpjetën. Për ta relativizuar peshën e faktorit shqiptar, kjo parti i mundësoi bisedime për pjesëmarrje në qeveri edhe PDSH-së, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2006, nuk e siguroi verdiktin e shumicës së popullit. Këtë hap të sajën, VMRO-ja e arsyetoi duke thënë se me Kushtetutën e RM-së, askund nuk thuhet se pjesë e koalicionit qeveritar mund të bëhet vetëm partia shqiptare që i fiton zgjedhjet. Në këtë kohë, nga partitë politike shqiptare lindën dy marrëveshje: e marsit dhe ajo e majit.
Duke qenë se Marrëveshja e Ohrit ndodhej në rrugën e implementimit, qoftë edhe tëprolonguar, shqiptarëve nuk u duhej kurrfarë marrëveshje tjetër. Marrëveshjet e lartpërmendura, pavarësisht nga përmbajtja e tyre, ndikojnë në relativizmin e Marrëveshjes së Ohrit. Po qe se shqiptarët nuk kanë kapacitet për ta realizuar Marrëveshjen e Ohrit e cila është rezultantë e luftës dhe ka karakter ndërkombëtar, atëherë cila do të ishte ajo marrëveshje tjetër që do të mund t’ia impononin palës sllavo-maqedonase?! Marrëveshjet nuk lindin kur t’i kujtohet ndokujt. Ato janë rezultantë e proceseve politike të mundimshme që zgjasin me vite dhe dekada.
Hyrja në qeveri e subjektit humbës imponon pyetjen: “Po qe se në qeveri mund të hyjë edhe partia politike shqiptare humbëse, atëherë ç’rëndësi kanë zgjedhjet parlamentare në hpësirën politike shqiptare”!? Është e vetëkuptueshme se procesin politik nuk mund ta lëvizë aq sa duhet subjekti politik që nuk e siguron shumicën e votuesve shqiptarë. Rendja e faktorit politik shqiptar për të hyrë në qeveri me çdo kusht, krijon përshtypje te faktori sllavo-maqedonas se preokupim parësor i shqiptarëve nuk janë interesat e përgjithshëm, por ato personalë dhe konjukturalë. Hyrja në qeveri e subjektit politik shqiptar që e fiton verdiktin e shumicës së elektoratit është akt legjitim. Ndryshe, çështja shqiptare rrezikon të shndërrohet në tregti politike.
Në anën tjetër, subjekti politik shqiptar që hyn në qeveri si fituese e zgjedhjeve, gjatë qeverisjes së tij duhet të jetë i aftë për t’i dalë zot interesit kombëtar. Po qe se partia politike shqiptare hyn në qeveri si fituese e zgjedhjeve dhe procesin politik nuk mund ta çojë para, atëherë shtrohet pyetja: ku është dallimi ndërmjet fituesit të zgjedhjeve dhe humbësit të tyre?! Me fjalë të tjera, ku qëndron pesha e partisë politike shqiptare - fituese e zgjedhjeve, përballë partisë humbëse?! Po qe se procesin politik nuk arin ta çojë para as subjekti politik që i fiton zgjedhjet, atëherë shtrohet pyetja: Ç‘kuptim ka hyrja e tij në qeveri? Në rast të tillë, hyrja në qeveri bëhet, jo për interes të përgjithshëm, por për interes të pjesshëm, parcial, për interesa personalë dhe konjukturalë. Shqiptarët kanë pasur funksionarë – në rolin e marionetit – edhe gjatë tiranisë komuniste. Vetvetiu imponohet pyetja: Ku qëndron dallimi thelbësor ndërmjet funksionarëve shqiptarë të sistemit monist dhe këtyre të kohës së pluralizmit, me mundësi vendimmarrëse të kufizuar?!
Pas afro dy vjet bashkëqeverisjeje me VMRO-në e Gruevskit, PDSH-ja e la qeverinë. Në saje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, pra si fituese e tyre, BDI-ja kthehet në qeveri. Rrënimi i çështjes shqiptare, i filluar në vitin 2006, vazhdoi me të njëjtin ritëm, në mos dhe më shpejt. Tanimë, në hapësirën politike shqiptare, s’kishte rëndësi në ishe fituese e zgjedhjeve apo humbëse e tyre. Si humbësit, ashtu edhe fituesit, VMRO-ja i trajtoi njësoj.
Të kesh ndikim mbi një popull të varfëruar dhe t’i fitosh zgjedhjet pa një konkurrencë të mirëfilltë, kjo nuk paraqet ndonjë epërsi politike relevante. Shqiptarët nuk duhet ta mundin njëri-tjetrin, por palën tjetër. Ta mundësh partinë oponente shqiptare dhe të jesh inferior para palës tjetër, kjo të përkujton dilemat hamletiane aq sa edhe ambiciet makbethiane.
Hyrja në qeveri si humbës, e cilitdo subjekt politik shqiptar, nuk është në dobi të interesit kombëtar. Subjekti politik shqiptar që hyn në qeveri si humbës, mund të realizojë kërkesa të caktuara, por kurrë nuk mund ta zgjidhë statusin politik dhe juridik të shqiptarëve. Hyrja në qeveri, vetëm e atij subjekti politik shqiptar që i fiton zgjedhjet është një prej argumenteve se Maqedonia mund të funksionojë vetëm si shtet federal.
* * *
Politika e VMRO-së e viteve 2006 e këndej, vë në dyshim rëndësinë dhe vlerën e Marrëveshjes së Ohrit. Shtrembërimi, anashkalimi dhe keqinterpretimi i saj shpie nëriciklimin e problemeve ndëretnike në Maqedoni. Mohimi i heshtur i saj nga pala tjetër tregon se çështja shqiptare nuk është zgjidhur as me të. In ultima linea, shqiptarët në të nuk figurojnë si popull shtetformues. Nuk duhet harruar se Marrëveshja e Ohrit:
- ishte një kompromis ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, në funksion të ndërprerjes së luftës;
- nuk u jetësua brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht në periudhën e viteve 2002-2004/2005;
- nga pala sllavo-maqedonase u interpretua njëanshëm;
- me rastin e miratimit, në Kuvendin e RM-së, të ligjeve që prekin interesin shqiptar, pësoi degradim dhe u shndërrua në kompromis të kompromisit;
- faktori sllavo-maqedonas nuk e ka njohur asnjëherë;
- shqiptarët në të nuk figurojnë si popull shqiptar, por si bashkësi joshumicë.
Po ta kishte njohur pala tjetër marrëveshjen, atëherë dita e nënshkrimit të saj do të kremtohej si ditë feste për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe ajo do të përfshihej në tekstet shkollore për t’u mësuar nga nxënësit.
Ka raste kur disa politikanë shqiptarë pohojnë në mënyrë emfatike: “Ne shqiptarët në Maqedoni jemi popull shtetformues...” Pohimet e tilla janë të paqëndrueshme. Për të qenë shqiptarët popull shtetformues, nevojitet që:
- simbolet e shtetit, siç janë flamuri, himni dhe stema t’i ngërthejnë në vete vlerat etnike dhe historike të të dy popujve: të shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve;
- gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Republikës së Maqedonisë;
- simbolet kombëtare shqiptare, siç janë flamuri dhe himni, të përdoren në mënyrë ligjore në të gjitha hapësirat etnike shqiptare në Maqedoni.
- Kuvendi i Maqedonisë të përbëhet prej dy dhomave: dhomës së qytetarëve dhedhomës së dy bashkësive etnike;
- vendimet në dhomën e bashkësive etnike të merren njëzëri, d.m.th. mekonsensus. Me fjalë të tjera, përfaqësuesit e bashkësisë etnike shqiptare të kenë të drejtën e vetos;
- shqiptarët të jenë vendimmarrës në krijimin e buxhetit të shtetit si dhe nëshpërndarjen e tij;
- shqiptarët të jenë vendimmarrës në proceset financiare dhe monetare;
- në hapësirat etnike shqiptare, gjuha shqipe për nxënësit sllavo-maqedonas të jetë lëndë e detyrueshme që nga klasa e parë fillore, deri në mbarim në shkollës së mesme.
Asgjë nga kjo që u tha më sipër nuk mund të realizohet pa u federalizuar Maqedonia. De facto, shqiptarët janë popull shtetformues, por jo edhe de jure. Maqedonia, pa shqiptarët në qeveri, zhbëhet përnjëherë.
Parimi i Badinterit në Kuvendin e Maqedonisë, kurrë nuk ka funksionuar si duhet. Ky parim i ekspertit francez për të drejtën kushtetuese, nuk paraqet zgjidhje të drejtë të çështjeve që prekin interesat themelorë të shqiptarëve. Përveç kësaj, parimi i Badinterit, në mënyrë shumë më efektive funksionon në nivelin vendor. Me fjalë të tjera, pakica sllavo-maqedonase në komunat me shumicë shqiptare, në saje të parimit të Badinterit, ka parandaluar çfarëdo majorizimi nga shumica shqiptare. Parimi i Badinterit në Kuvendin e Maqedonisë kurrë nuk ka funksionuar si duhet. Përkundër këtij parimi, përfaqësuesit shqiptarë në organin ligjvënës, kryesisht janë majorizuar, madje edhe për çështjet që prekin drejtpërsëdrejti interesin kombëtar të shqiptarëve.
* * *
Prej vitit 2006 deri më sot, VMRO-ja ndaj shqiptarëve do të zbatojë strategji speciale. Thelbi i kësaj strategjie është: “Kombi jemi ne, ndërsa ju, vetëm një pakicë kombëtare. Zotër të këtij shteti jemi ne, ndërsa ju, jo më shumë se minoritet. Ky është shtet yni, i juaji është Shqipëria, Kosova”. Në periudhën e sipërthënë, qeveria e VMRO-së i trajtoi shqiptarët si minoritet. S’ka dyshim se shqiptarët kurrë s’kanë për të lejuar të konsiderohen qiraxhinj në shtëpi të vet. Por, zvarritja e proceseve shkon në dëm të shqiptarëve. Brohoritjet: “Jemi popull autokton, ndaj s’jemi qiraxhinj..”., me këtë shkallë të margjinalizimit, nuk janë veçse retorikë folklorike.
Ndërmjet qeverisjes së faktorit politik shqiptar në periudhën e viteve 1991-2002, në një anë, dhe qeverisjes së faktorit politik shqiptar në vitet 2006-2013, mutatis mutandis, nuk ka ndonjë dallim thelbësor. Të drejta të caktuara shqiptarët realizuan kryesisht në vitet 2002-2006. Shihet qartë se ultranacionalistët sllavo-maqedonas synojnë PPD-izimin e faktorit politik shqiptar. Qëllimi i tyre është:
- të relativizojnë luftën e 2001-shit;
- të zhvlerësojnë rolin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
- ta nëpërkëmbin Marrëveshjen e Ohrit;
- të diskreditojnë dhe të komprometojnë faktorin politik shqiptar;
- të kthejnë çështjen shqiptare në periudhën para 2001-shit.
Synimet e tilla satanike, faktori shqiptar nuk duhet t‘i lejojë. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, ndërsa faktori sllavo-maqedonas synon ta shndërrojë në çështje kulturore dhe infrastrukturore, që nënkupton: meremetimin e ndonjë shkolle, ndërtimin e ndonjë salle fizkulture, ndërtimin e ndonjë kanalizmi dhe asfaltimin e ndonjë rruge fshati.