Hebrenjtë: Frika ndaj martesave me të tjerët

Djali i Kryeministrit të Izraelit ka një të dashur norvegjeze. Kaq mjafton që në Izrael të shpallet tradhtar, i padenjë për të vizituar varr...

Djali i Kryeministrit të Izraelit ka një të dashur norvegjeze. Kaq mjafton që në Izrael të shpallet tradhtar, i padenjë për të vizituar varret e paraardhësve. Por disa kërkojnë që hebrenjtë ta pranojnë këtë realitet
Erica Chernofsky, BBC


Martesat me kombe apo fe të tjera për hebrenjtë përbëjnë një kërcënim të madh për mbijetesën në të ardhmen të këtij kombi. Pra çfarë ndodhi kur u dhanë lajme se djali i Kryeministrit të Izraelit ka një të dashur norvegjeze, pra jo izraelite?
Gazeta e përditshme norvegjeze “Dagen”, javën e kaluar raportoi se norvegjezja Sandra Leikanger dhe djali i Kryeministrit Benjamin Netanjahu, Jair, janë çift. Zyra e Netanjahut iu përgjigj pyetjeve të medias izraelite, duke këmbëngulur se të dy janë vetëm shokë klase. Por dëmi është bërë sakaq.
Leikanger nuk është izraelite, një fakt që ka shkaktuar zemërim në Izrael, një vend hebrenjsh, i cili që nga krijimi ka luftuar për të pasur karakterin e vet hebraik të njohur në të gjithë botën.
Ndërsa feja hebraike nuk është një religjion që përhapet, Leikanger, si çdo johebreje tjetër, e ka opsionin e konvertimit nëse ajo dëshiron të bëhet izraelite.
Martesat me të tjerë dhe asimilimi përbëjnë frikën më të madhe të hebrenjve dhe konsiderohet si kërcënim për mbijetesë për kombin relativisht të vogël të izraelitëve.
Sipas ligjit hebraik, religjioni trashëgohet nga ana e nënës, kështu që nëse një burrë hebre martohet me një grua johebreje, fëmijët e tyre nuk mund të konsiderohen hebrenj.

Shansi që fëmijët e një çifti të përzier të ruajnë ndonjë traditë hebraike për gjeneratat pasuese pakësohet ndjeshëm. Aktualisht norma e martesave jashtë fesë dhe kombit mes diasporës së hebrenjve qëndron në mbi 50 për qind dhe shumë janë të shqetësuar se kombi që u mbijetoi persekutimeve të vazhdueshme, pogromeve dhe holokaustit, mund të zhduket në rast se këto praktika vijojnë.
Ky ankth është shprehur në një letër të hapur që organizata izraelite Lehava i ka dërguar Jair Netanjahut. Kjo organizatë lufton për të parandaluar asimilimin. Ata thonë në letër se gjyshërit e tij po “kthehen përmbys në varr… Ata as që mund ta imagjinonin që stërnipërit e tyre nuk do të jenë hebrenj”.
Çështja e martesave mikse ka qenë veçanërisht problematike për hebrenjtë e diasporës – hebrenjtë që jetojnë jashtë Izraelit. Brenda Izraelit, hebrenjtë (75 për qind e popullsisë) dhe arabët (21 për qind) shumë rrallë martohen me njëri-tjetrin, por një dallgë punëtorësh të huaj dhe globalizimi i bashkësisë së izraelitëve gjatë viteve të fundit e ka sjellë këtë fenomen në qendër të vëmendjes.
“Mos e thëntë Zoti, nëse është e vërtetë, kjo më shqetëson”, thotë Arieh Deri, udhëheqës i Partisë ultra-ortodokse Shas, duke u ankuar për lajmin se djali i Kryeministrit ka një lidhje me një johebreje.
“Mua nuk më pëlqen të flas për çështje private… por nëse është e vërtetë, Zoti mos e thëntë, atëherë nuk është më çështje personale – është simbol i popullit të Izraelit.”
Përgjatë fundjavës, Eretz Nehedert, një spektakël popullor humoristik në një televizion të Izraelit, transmetoi një parodi, duke krijuar portrete të persekutuesve famëkëqij historikë të hebrenjve, përfshirë faraonin biblik dhe inkuizitorin spanjoll. Spektakli arriti kulmin me të dashurën johebreje të Jair Netanjahut, të cilët ata e quajtën “kërcënimi më i ri ekzistencial”. Ajo tha fjalën shikse, një term fyes për gratë johebreje, dhe në mënyrë sarkastike shtoi se e ndiente veten “më keq sesa Hitleri”.
Por duke lënë shakatë mënjanë, edhe kunati i Kryeministrit Hagai Ben-Artzi, foli publikisht ashpër kundër marrëdhënies, duke e paralajmëruar Jair se nëse nuk i jep fund lidhjes me Leikanger, kjo është njësoj sikur të pështynte mbi varret e paraardhësve të tij.
“Nga këndvështrimi im, nëse ai bën diçka të tillë, personalisht nuk do ta lejoj t’u afrohet varreve të tyre”, tha ai për një faqe interneti ultra-ortodokse. “Kjo është gjëja më e keqe që po kërcënon dhe ka qenë një kërcënim përgjatë të gjithë historisë së popullit të Izraelit. Më e keqe sesa largimi nga Izraeli është martesa me një të pafe. Nëse kjo ndodh, e ndaloftë Zoti, unë do ta varros veten nuk e di se ku. Do të ec nëpër rrugë me lot gjithkund”.
Ka shumë filma që tregojnë se si prindërit thonë se vajza e tyre konsiderohet e vdekur nëse martohet me një johebre, gjë që tregon se sa e ndjeshme është kjo çështje mes hebrenjve.
Por, dr. Daniel Gordis, autor dhe ekspert mbi Izraelin dhe hebraizmin, thotë se kjo ka ndryshuar disi përgjatë dekadave të fundit, veçanërisht mes bashkësive hebraike në diasporë.
Megjithëse sërish shumë hebrenj e urrejnë një gjë të tillë, sot ka shumë hebrenj të palidhur me një sinagogë apo denominacion (ata që nuk identifikohen si pjesë e asnjë lëvizjeje hebrenjsh), qofshin konservatorë apo reformatorë, për këto grupe nuk është më tabu martesa me të tjerë. Mes këtyre grupeve, martesa jashtë religjionit apo kombit është në masën 80 për qind, thotë ai.
Por mes hebrenjve ortodoksë në Izrael, kjo është çështje sërish shumë e debatueshme. “Nuk është një çështje racore apo superioriteti, nuk është një shfaqje e ksenofobisë”, thotë ai, duke shpjeguar se janë dy arsye për kundërshtimin e martesave jashtë fesë, njëra prej të cilave është se një martesë e tillë është e ndaluar në Halaka apo në ligjin e hebrenjve.
“Arsyeja tjetër është se hebrenjtë shohin se e vetmja mënyrë e vërtetë e transferimit të një identiteti të fuqishëm hebraik për fëmijët e tyre, është që të rriten nga dy prindër hebrenj. Fëmijët e martesave mikse kanë më pak identitet hebraik. Këta fëmijë janë statistikisht më të prirur të martohen me johebrenj. Nuk ka garanci, por është pothuajse e pamundur të krijohet një fëmijë me të njëjtat ndjenja dhe masione hebraike sa gjenerata e mëparshme, në rast se ai fëmijë nuk ndan historinë e tyre.”
Rezultati i martesave mikse është se në Amerikë “ka një gërryerje të fortë në angazhimin e hebrenjve për identitetin e tyre, rënien e shpejtë të numrit të njerëzve që flasin gjuhën dhe një dobësim të përgjithshëm të identitetit hebraik”.
Kështu, izraelitët e Izraelit janë të tmerruar, sepse atje martesat me të tjerë janë kaq të rralla, ndërsa kur një hebre i diasporës martohet me një johebre, kjo shihet si një largim nga hebraizmi.
“Kur je një popull i vogël dhe humbet bazën, kjo të bën shumë nervoz. Ne jemi 14 milionë hebrenj në botë, vetëm kaq”, thotë një rabin. “Ajo që ka ndryshuar në jetën e hebrenjve të kohës sonë jashtë Izraelit është se martesat ndërfetare nuk shihen më si largim nga hebraizmi.”
Ky është një fenomen relativisht i ri mes hebrenjve, thotë Hartman, i cili arsyeton se realiteti duhet të pranohet siç është.
“Beteja kundër martesave ndërfetare është e humbur sakaq. Ne jemi një komb që sakaq jemi martuar me të tjerë – çështja nuk është si ta ndalojmë këtë situatë, por si të afrojmë bashkëshortët apo bashkëshortet në bashkësinë tonë”, thotë ai.
“Të jetosh në një botë moderne, do të thotë të jesh elastik. Gjërat ndryshojnë, nuk e di për mirë apo për keq, kjo do të varet nga çfarë bëjmë ne. Por bota evoluon dhe ne duhet të evoluojmë bashkë me të.”/shqip

Related

Speciale 5935936309395389731

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item