Gratë që shesin trupin për pak peshk
“BBC” vjen me një reportazh mbi Kenian perëndimore, ku peshkatarët me varka druri konkurrojnë njëri-tjetrin për hapësirë Në rrethinat e liqe...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/grate-qe-shesin-trupin-per-pak-peshk.html
“BBC” vjen me një reportazh mbi Kenian perëndimore, ku peshkatarët me varka druri konkurrojnë njëri-tjetrin për hapësirë
Në rrethinat e liqenit Viktoria, një nga zonat më të varfra të Kenias, gratë presin çdo mëngjes peshkatarët për t’iu blerë peshkun. “Detyrohem t’i paguaj duke bërë seks me ta”. Lucy Odhiambo është 35 vjeçe dhe jeton në brigjet e Viktorias. Për të jetuar e për t’iu garantuar të ardhmen fëmijëve, ajo është e detyruar të praktikojë “jaboya”-n në këmbim të disa kilogramëve peshk për ta shitur më pas në tregun lokal.
Në gjuhën luo, “jaboya” do të thotë pikërisht “seks në këmbim të peshkut”. Lucy, vejushë dhe nënë e 5 fëmijëve, është vetëm njëra nga të shumtat që i drejtohet kësaj “tregtie”. “Zakonisht shkoj në shtrat me një ose dy peshkatarë në javë. E di që mund të marr sëmundje, por nuk kam zgjedhje tjetër”. Sëmundja që i referohet ajo është HIV dhe në këtë rajon të varfër të Kenias, numri i personave të infektuar me HIV është rreth 15%, dyfishi i mesatares kombëtare. Praktika e seksit në këmbim të peshkut është një nga shkaqet kryesore të përhapjes kaq masive.
“Nuk varem më nga burrat për të jetuar”
Disa gra, sidoqoftë kanë arritur të emancipohen nga «jaboya». Në sajë të një organizate lokale të financuar nga shoqata amerikane “Peace Corps”, kanë blerë një barkë dhe mbajnë të punësuar peshkatarë. Janë pikërisht gratë që shesin peshkun e tyre në treg pa pasur nevojën e ndërmjetësve. Një nga ato është Agnes Auma dhe me ato që fiton ia del të paguajë vartësit, karburantin dhe mirëmbajtjen e barkës. Pjesën tjetër e ruan mënjanë: “Nëse do të kisha vazhduar takimet intime me peshkatarët do të isha e vdekur, – thotë Agnes, – tani nuk varem më nga burrat për të mbijetuar dhe kur përdor paratë për barkën e bëj me ndërgjegje të pastër”. Për momentin janë 19 gratë që kanë aderuar në projekt, por organizata shpreson të përfshijë edhe shumë të tjera. “Të shitesh në këmbim të peshkut është shumë e rrezikshme, – thotë Dan Abuto, zëdhënës i projektit “Vired”, – Çdo ditë shohim se si njerëzit vdesin nga SIDA. Duhet të krijojmë mundësitë që gratë të ndryshojnë fatin e tyre”.
Pse pranojnë peshkatarët
Nga ana tjetër e “jaboya”-s janë ata, peshkatarët. Dhe vazhdon të tregojë Mark Loëen në reportazhin e tij për “BBC”, ata që janë të disponueshëm edhe për një pagesë në natyrë janë disi të shumtë. I tillë është Felix Ochieng, 26 vjeç, i martuar dhe pavarësisht kësaj, çdo javë ka raporte seksuale me të paktën tri gra të ndryshme, të cilave ju dorëzon pjesë të peshkut të kapur. Në fakt, ajo që paguan në këmbim të seksit ka një vlerë prej disa qindarkash, maksimumi 6 sterlina. Këtë praktikë e ka trashëguar nga i ati, i cili gjithashtu e ka mësuar të përdorë prezervativ. “Sigurisht që më vjen turp, – përgjigjet i pickuar nga pyetja e gazetarit. Është një gjë e shëmtuar, por me gratë tundimet nuk mungojnë kurrë”./Dorina Gjuzi