Gëzim Tushi: Facebook-u është bërë ‘karburanti’ që ushqen dhunën në shkolla
Intervistë me sociologun e njohur, Gëzim Tushi Si u lindi pasioni për t’u marrë me këtë fushë? Filozofia dhe sociologjia kane qenë fusha ku ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/gezim-tushi-facebook-u-eshte-bere.html
Intervistë me sociologun e njohur, Gëzim Tushi
Si u lindi pasioni për t’u marrë me këtë fushë?
Filozofia dhe sociologjia kane qenë fusha ku unë kam shfaqur prirje që në moshë të re. Që kur isha adoleshent ndiqja politikën e jashtme dhe dija pothuaj përmendësh se cilët ishin president dhe burra shteti në çdo vend. Por në gjimnaz, u binda unë por më bindën edhe mësuesit e mi të filozofisë që të ndiqja këtë pasion të dukshëm për filozofi (se në atë kohë nuk flitej për sociologji. Ajo ishte shkencë borgjeze, kurse ne kishim të famshmin materializëm historik). Kështu që zgjodha me bindje dhe mu realizua dëshira për të shkuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, në degën e Filozofisë.
Cilat janë disa nga problemet më të mprehta sociologjike që dalin sot përpara shoqërisë sonë?
Shoqëria shqiptare është në një fazë shumë delikate. Sepse sapo ka kaluar përfundimisht periudhën shumë të zgjatur të tranzicionit politik, i cili mbyllet sipas filozofit të sotëm amerikano japonez pas dy kalimeve paqësore të pushtetit (të cilin ne e kemi realizuar) dhe tranzicionit ekonomik ose sundimit të ekonomisë së tregut. Besoj se nuk ka më njeri frikë se mos kthehen diktaturat apo prona shoqërore në Shqipëri. Por ne kemi problem të thella me tranzicionin kulturor, moral, social, qytetërimor i cili është bërë shumë i vështirë dhe kompleks. Në këtë kontekst shoqëria jonë është një “minierë floriri” për studime sociologjike dhe njëherësh një arenë që prêt kontribute sociale për ndërtimin e “shoqërisë së mirë” të qytetarit dhe qytetërimit tonë. Fenomenet sociale që kalojmë janë shumë të mëdha. Ato janë gjigante nga përmasat dhe prandaj kanë nevojë për mendim sociologjik potent, të kualifikuar dhe jetësor.
Dhuna në familje po merr përpjesëtime të mëdha. Sipas jush cilat janë shkaqet e degjenerimit të marrëdhënieve bashkëshortore në martesat e sotme?
Është e vërtetë që familja shqiptare është nën ndikimin e peshës së dhunës, e cila po dëmton këtë institucion bazal të organizimit të jetës sociale në Shqipëri. Përmasat janë të frikshme. Madje nganjëherë të duket sikur nuk jetojmë në familje, në vendin më të shenjtë të tokës, por sikur jetojmë në “spital psikiatrik”. Dhuna është bërë një “ideologji” e shëmtuar që rëndon sidomos mbi gratë dhe fëmijët. Kjo sepse megjithë ndryshimet strukturore dhe kulturore që ka pësuar familja shqiptare, kultura e komunikimit dhe marrëdhëniet brenda saj, duket qartë se akoma janë të forta idetë që ushqejnë maskilizmin që prodhon pushtetin dhe dhunën mbi gratë, paternalizmin ose autoritarizmin e prindërve mbi fëmijët dhe në shumë raste në familjet e mëdha dhe në zonat rurale edhe fenomenin e gerontokracisë ose të pushtetit të të moshuarve mbi të rinjtë. Sidomos problematike është bërë martesa si institucion dhe marrëdhëniet bashkëshortore. Kriza e martesës është evidente. Atë e vërteton numri i lartë i divorceve në Shqipëri. Ka shkuar në 6 mijë të tilla në vit. Nuk jam kundër divorcit i cili është një mjet i qytetëruar që zgjidh një marrëdhënie martesore të ndryshkur, një lidhje intime që nuk funksionon. Por epidemia e divorcit në Shqipëri është bërë “kazmë” që po shkatërron martesën dhe po shoqërohet me dhunë dhe problem të tjera sociale si varfëria, fëmijët jetimë, gra të papuna, të moshuar të braktisur, etj. Për mua është serioze dhe duhet punuar sidomos me të rinjtë për të kultivuar parimet e qytetëruara të kulturës së martesës por dhe të kulturës së divorcit, kur kjo duhet apo është e domosdoshme.
Si një psikolog i njohur dhe studiues i problemeve psikologjike të fëmijëve, ç’mendim keni për dhunën e formave të ndryshme që ndodhin në shkolla?
Dhuna është bërë shqetësuese edhe në shkollë. Doemos në një shoqëri në të cilën dhuna bëhet “limfë” dhe “demokratizohet” është e natyrshme që as shkolla nuk mund të jetë e imunizuar prej saj. Kohët e fundit është rritur pasha e dhunës në shkollë. Janë shtuar objektet e sherrit midis të rinjve, midis nxënësve dhe mësuesve. Në këtë aspekt ndikon puna e dobët edukative e familjes dhe shkollës, e prindërve dhe mësuesve, të cilët janë të prirur të shikojnë anën mësimore, notat, konkurrimet dhe rezultatet duke harruar se pas këtyre notave është së pari një njeri që duhet të bëhet qytetar. Padyshim disa akte dhune, krimi dhe shumë vrasje janë bërë për motive banale moshore. Një ndikim të madh kanë patur konfliktet shoqërore dhe erotike të ardhura nga “lufta me Facebook-un” i cili tashmë është bërë “karburanti” që për fat të keq ushqen dhunën, krimin dhe vrasjet nëpër shkolla. Kjo e keqe sociale që ka kapur shoqërinë dhe shkollën tonë duhet përballuar. Por së pari duhet punuar për ta parandaluar përmes edukimit të sensit qytetar, shpirtit tolerant, zgjidhjes pa dhunë të konflikteve. Këtë duhet ta bëjë shkolla, familja, institucionet fetare, media, etj. Duhet një front i gjerë për të sulmuar “objektet e dhunës” dhe edukuar “subjektet që grinden” dhe sjellin dhunë dhe krime në shkollë.
A ndjehet roli i psikologut nëpër shkolla dhe cili duhet të jetë misioni i tij në fushën e arsimit?
Kjo puna e psikologut në shkollë aq sa është e vërtetë pretendimi që kemi ndaj tyre, aq po bëhet një slogan që synon që tërë barrën e problemeve psiko-sociale ta “shkarkojë” si përgjegjësi ekskluzive mbi ta. Ky është abuzim. Psikologu është një njeri. Meqenëse është “dirigjent” i çështjeve psikologjike e sociale në shkollë ai duhet parë si drejtues, por që punën nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e strukturave pedagogjike dhe aktorëve të tjerë të shkollës (mësuesit) dhe jashtë saj (prindërit dhe komuniteti). Të ndryshojmë konceptin për psikologun dhe rolin e tij në shkollë në mënyrë që të përmirësojmë praktikën e ndikimit psiko-social mbi nxënësit e shkollës. Ndryshe kjo është demagogji dhe dembelizëm që kërkojnë ta shkarkojmë mbi psikologët.
Njihen tashmë plagët e rënda të shoqërisë sonë, si përdorimi i drogës dhe prostitucioni që në mosha të reja. Cilat janë rrugët që rekomandon sociolog Gëzim Tushi për parandalimin e tyre në shkolla?
Padyshim të rinjtë e sotëm janë shumë të ekspozuar dhe të pambrojtur nga rreziqet që vijnë nga përdorimi i gabuar dhe jo i shëndetshëm i alkoolit, drogës dhe seksit. Është e vërtetë që në shollë këto janë bërë shqetësime serioze që ndikojnë në nivelin dhe rendimentin e punës mësimore dhe edukative në shkollë. Përdorimi i alkoolit, drogës dhe ulja e moshës së fillimit të aktivitetit seksual, janë shqetësime për të cilat duhet të mendohemi mirë. Studimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë, Unicef dhe organizata të tjera të specializuara flasin për agravim të situatës së abuzimit të të rinjve me substance psikotrope dhe seksin. Madje ka patur humbje jete, shtatzani të padëshiruara dhe të parakohshme që janë shoqëruar me aborte të bëra në moshë fëminore. Sipas mendimit tim në shkollë duhet thelluar edukimi i të rinjve për t’u mbrojtur nga rreziqet që u vijnë nga mosha, instinktet e pakontrolluara dhe konceptimet e shthurura të lirisë nga prindërit dhe mësuesit.
Ç’ka ndryshuar në marrëdhëniet dashurore mes njerëzve në ditët e sotme? A duken ata më të hapura, më të dhunshme dhe të ndërtuara mbi bazë interesash?
Një pyetje e vështirë kjo. Sepse kemi hyrë në një shekull të ri dhe me sa duket në këtë fazë postmoderne edhe institucione të tilla bazë të organizimit të jetës njerëzore si dashuria, martesa, familja dhe seksualiteti njerëzor janë duke pësuar ndryshime të mëdha. Unë gjithmonë kam qejf të them se jemi të detyruar që disa nga këto fenomene dhe institucione sociale kanë nevojë të “ripërkufizohen” për t’i përshtatur me kohën dhe ndryshimet e saj dhe të natyrës së njeriut postmodern. Padyshim në këtë transformim janë edhe parimet e vjetra klasike të dashurisë dhe martesës, të cilat në kohën e sotme nuk janë më aq të qëndrueshme, romantizante, por kanë marrë trajta të ndryshuara të shfaqjes së kësaj ndjenje. Është përzierë kjo ndjenjë njerëzore për fat të keq me filozofinë e njeriut pragmatist, me vlerësime më shumë utilitare se sa parimore, ndoshta edhe me influencat e “dorës së padukshme” të tregut që ka filluar të “fut hundët” edhe në sferën e marrëdhënieve intime. Por megjithe determinimet materialiste dhe seksualiste të kohës, dashuria dhe martesa duhet të kenë një pavarësi relative nga tendenca e relativizimit të tyre të skajshëm. Ndryshe e ardhmja e shoqërisë tonë dhe e njerëzimit nuk dihet se si do jetë…
Jeni autor i mbi 15 librave në fushën e sociologjisë, përmes të cilave kërkoni të shëroni plagët e shoqërisë shqiptare në tranzicion. A mendoni se shoqëria jonë, ka shfrytëzuar materiale të tilla me vlerë?
Unë shkruaj vazhdimisht artikuj me problem sociale dhe shqetësime sociologjike në shtypin e ditës. Nga viti 2005 e deri sot kam botuar më shumë se 1400 artikuj në të gjithë gazetat e vendit. Jam i pranishëm në debate televizive për problem me natyrë sociale. Ndërkaq kam botuar 13 libra në fushë të sociologjisë. I fundit ishte “Individi apo shoqëria” (Filozofia e individualizmit dhe sociologjia e komunitarizmit). Nuk po i përmend të gjithë titujt e librave të mi, sepse lexuesi që është i interesuar ka dëgjuar për to. Tani sapo kam futur në botim librin “Qytetari dhe koha modern”, i cili është libri i parë i një triptiku sociologjik që e kam përfunduar. Meqenëse më jepet rasti duhet të them se kam përfunduar dhe janë në radhë janë librat e tjerë si “Turbulencat e qytetërimit”, “Qyteti dhe jeta urbane”, “Morali dhe shoqëria”, “Ne dhe globalizmi”, “Mosha e tretë dhe kujdesi social për të moshuarit” si dhe libri “Shkolla dhe edukimi”. Pyetjes tuaj se sa i ka shfrytëzuar shoqëria librat e mi, nuk mund t’i përgjigjem me siguri. Por jam i sigurt që ka shumë njerëz që kanë njerëz që i kanë lexuar ato. Ata janë qytetarë, intelektualë, gazetarë, studentë, media e shkruar dhe elektronike, etj.
Jeni pedagog i çështjeve sociale në disa universitete. Si reagojnë studentët tuaj ndaj çështjeve sociale që trajtoni?
Me studentët kam marrëdhënie të mira miqësore dhe sidomos profesionale. Përpiqem të zhvilloj leksione sa më të orientuara me problematikat e kohës, me burime teorike të gjëra nga mendimi sociologjik bashkëkohor. Është në natyrën time që leksionin ta zhvilloj me pasion. Nuk lodhem kurrë kur interpretoj dhe përpiqem të intervenoj thellë në interesat e studentëve. Për më shumë do ishte mirë të intervistoni ata dhe të merrni gjykimin e tyre të pavarur. Në mënyrë që të shmangim ndonjë subjektivizëm të mundshëm
Keni shkruar një tok libra për një shoqëri të hapur me kulturë perëndimore. Cili është reflektimi i shoqërisë ndaj çështjeve sociale që ju shtroni?
Unë kam natyrë që shoqërisë i them jo vetëm ato që gjykoj që janë të vërteta por sidomos për ato që po bëhen prirje të pakthyeshme të së ardhmes. Ka gjëra që kuptohen, pranohen dhe përthithen, por ka dhe gjëra që ndeshen me inercitë e koncepteve të shoqërisë dhe moralit tradicional. Sidomos të vështirë e kam kur dua të shpjegoj nevojën e kuptimit dhe pranimit të të “drejtave të reja” të njeriut, për të cilat shpesh kam rezistencë nga miqtë, të afërmit dhe publik në ndonjë rast. Gjithmonë duhet mbajtur parasysh edhe realiteti, në mënyrë që duke dashur të jesh njeri mendjehapur të mos shfaqesh me mendje bosh. Por gjithmonë kam guxuar të them atë që mendoj, që është e kohës ose që po i vjen koha, duke besuar se në disa fusha të dijes është më mirë të ndjekësh rrugën tënde se sat ë dëgjosh të tjerët.
Jeni ndër të parët sociologë që politikën e quani fatalitet të kohës. Pse ky qëndrim kritik ndaj politikës?
Po është e vërtetë që unë kam dhënë kontributin tim në fushën e politologjisë. Politika për mua asnjëherë nuk ka qenë aq e afërt por asnjëherë dhe shumë e largët. Praktikisht kam shkruar katër libra politologjikë si “Politika fatalitet i kohës”, “Politika dhe qytetari”, “Kur flasim për politikën” dhe “Arsyetime politike”. Të gjithë këto libra janë edhe teorikë e konceptualë por dhe të lidhur me kontekstet e politikës sonë. Për ne shqiptarët politika është malli që konsumojmë më shumë por dhe që e zhvlerësojmë më shpejt. Kjo sepse jemi popull me pasione politike të veçanta dhe me shpresa të mëdha prej saj. /Intervistoi: Fran Gjoka