Francë-SHBA: Koha për një marrëdhënie speciale mes Uashingtonit dhe Parisit
Franca ka ndryshuar qëndrim disa vite më parë, duke u rikthyer në strukturat ushtarake të NATO-s pas 43 vitesh mungesë. Tashmë në SHBA hidhe...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/france-shba-koha-per-nje-marredhenie.html
Franca ka ndryshuar qëndrim disa vite më parë, duke u rikthyer në strukturat ushtarake të NATO-s pas 43 vitesh mungesë. Tashmë në SHBA hidhet ideja që ky vend të trajtohet si special në marrëdhënie, njësoj si Britania
JAMES STAVRIDIS, LEO MICHEL, Foreign Policy
Pavarësisht titujve të lajmeve, vizita zyrtare e Presidentit të Francës, François Hollande, në Uashington që filloi më 10 shkurt, u fokusua shumë te çështjet e sigurisë globale. Europa është “partneri ynë kryesor” në kërkim të sigurisë globale sipas dokumentit strategjik të Pentagonit. Por në kontinentin e vjetër, pengesat ekonomike dhe largimi nga ndërhyrjet ushtarake po dobësojnë vullnetin politik dhe investimet më mbrojtje të nevojshme për të ruajtur dhe përdorur forca të afta ushtarake. Kështu, Shtetet e Bashkuara kanë një interes të qartë në mbështetjen e një aleati që po shkon kundër kësaj tendence.
Para zgjedhjes së tij në maj 2012, Hollande dukej si një kandidat i pagjasë për vëmendje të posaçme si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga Pentagoni. Kohortat e tij në Partinë Socialiste – përfshirë ministrin aktual të Jashtëm, Laurent Fabius – patën kritikuar paraardhësin e Hollande për riintegrimin e Francës në strukturat ushtarake të NATO-s pas 43 vjetësh mungesë. Ndërsa bënte fushatë, Hollande me nxitim premtoi tërheqjen e 3400 trupave franceze nga Afganistani deri në fund të 2012. Në kohën e Presidentit Sarkozy, francezët qenë forca e tretë për nga kontributi pas britanikëve dhe gjermanëve dhe shpesh pranuan misione të vështira luftimi.
Si President, gjithsesi, Hollande ka ndjekur një kurs pragmatik që gjerësisht është pajtuar me interesat strategjike amerikane. E vërtetë, shpenzimet reale franceze për mbrojtjen kanë rënë si pasojë e inflacionit dhe disa kapacitete konvencionale janë dobësuar. Por disa avionë të rinj të transportit, avionë të furnizimit me karburant në ajër dhe avionë pa pilot të prodhimit amerikan Reaper po hyjnë në operim, ndërsa kapaciteti parandalues bërthamor i Francës është ruajtur gjerësisht i paprekur.
Hollande duhet të jetë shumë i interesuar në shmangien e shkurtimeve të tjera, ndërsa ka hyrë në angazhime ndërkombëtare.
Ndërkohë, shumë pak gjëra kanë ndryshuar në përqasjen e Francës ndaj NATO-s. Oficerët francezë kanë ruajtur poste të rëndësishme, përfshirë kreun e Komandës Aleate të Transformimit në Norfolk të Virxhinias, një nga dy komandat strategjike të NATO-s. Hollande ofroi një ngadalësim të tërheqjes nga Afganistani, ku 200 forca franceze vijojnë të qëndrojnë në pozicione stërvitore, mjekësore e logjistike. Dhe në rast se NATO do të hedhë në veprim forcën e vet të Reagimit të Shpejtë gjatë vitit 2014, qoftë brenda Europës apo jashtë kontinentit, selia qendrore do të jetë në Francë.
Në Afrikë, Hollande nuk ka hezituar të përdorë forcën. Në janar 2013 urdhëroi bombardime ajrore dhe dërgoi 4500 trupa në Mali për të luftuar një degë të Al-Kaedës që kërcënonin një pjesë të madhe të vendit. Dhjetorin e kaluar dërgoi 1600 trupa për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës në Republikën e Afrikës Qendrore.
Këta numra mund të duken të vegjël, por janë thelbësorë dhe angazhime të rrezikshme. Ato kanë përfshirë pothuajse aq shumë trupa franceze sa kanë angazhuar amerikanët në Afganistan si përqindje e forcës së përgjithshme.
Në të dyja rastet, Shtetet e Bashkuara ofruan menjëherë mbështetje politike dhe ndihmë praktike, përfshirë mbështetje me informacion sekret për francezët, si dhe transport ajror për forcat paqeruajtëse të Unionit Afrikan që punonin me francezët.
Ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, së fundmi e cilësoi SHBA-në si “partner i domosdoshëm” në Afrikë. Bashkëpunimi ushtarak Francë-SHBA është zgjeruar në rajone të tjera gjithashtu. Grupet me aeroplanmbajtëse franceze dhe amerikane, të udhëhequra nga Charles de Gaulle dhe Harry S. Truman, së fundmi kryen një stërvitje të përbashkët në Gjirin e Omanit, ku Parisi dhe Uashingtoni kanë interesa të ngjashme në sigurimin e shteteve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, të cilat janë të shqetësuara në lidhje me Iranin.
Dy forcat ushtarake kanë ndërvepruar rregullisht edhe në rajonin e Karaibeve, ku siguria detare dhe lufta kundër krimit ndërkufitar janë një shqetësim i përbashkët. Por më shumë gjëra mund të bëhen në rritjen e marrëdhënieve ushtarake me Francën. Akoma më mirë, kjo mund të bëhet duke përforcuar “marrëdhënien speciale” të SHBA-së me Britaninë, e cila tashmë është tradicionale.
Në nivelin strategjik, konsultimet informale trepalëshe mes politikbërësve dhe ushtarakëve amerikanë, britanikë dhe francezë, nuk janë asgjë e re. Por verën e kaluar, mosmarrëveshjet e ndërsjella dhe akuzat për “limitet” e gjithsecilit sa i përkiste gatishmërisë për të nisur sulme ushtarake kundër Sirisë, tregon se ka hapësirë për përmirësim në lidhje me reagimin ndaj krizave.
Kërcënimi në rritje ka nevojë edhe për më shumë vëmendje. Për shembull, si vende me armë bërthamore, të tre aleatët duhet të diskutojnë se si të përmirësojnë qëndrueshmërinë e hapësirës së këtyre aseteve dhe sistemeve kibernetike që janë me rëndësi kritike si armë parandaluese ndaj kundërshtarëve potencialë.
Konsultat trepalëshe duhet të pasohen nga bashkëpunim më i thellë ushtarak. Ndërhyrja e vitit 2011 në Libi demonstroi se lidhjet e ngushta në nivele të shumëfishta mes SHBA-së, Britanisë dhe Francës te forcat ajrore mund të prodhojnë avantazhe vendimtare operacionale.
Të tri marinat punojnë së bashku mirë në Mesdhe, Gjirin Arabik, dhe jashtë brigjeve të Somalisë. Por ato mund të bëjnë më shumë që të sigurohen se ndërveprueshmëria e tyre do të funksionojë për misionet e sigurisë detare në Oqeanin Indian dhe në Gjirin e Guinesë, ku ka kërcënime potenciale nga terroristët dhe piratët.
Të tri ushtritë (veçanërisht forcat e tyre të operacioneve speciale) përballen me kërkesa në rritje për të stërvitur forcat afrikane paqeruajtëse dhe kundër terrorizmit, kështu që koordinimi i përmirësuar dhe specializimi i roleve ka kuptim.
Logjikisht, bashkëpunimi trepalësh duhet të plotësojë traktatet e vitit 2010 Lancaster, sipas të cilave Parisi dhe Londra nisën programe ambicioze dypalëshe për të krijuar një Forcë të Kombinuar Ekspedicionare, të ndajnë përdorimin e disa laboratorëve të lidhur me armët bërthamore dhe të përmirësojnë bashkëpunimin për prodhimin industrial në sistemet e ardhshme të luftës ajrore dhe raketave antianije. Nëse do të jenë të suksesshme, këto traktate do të ofrojnë një shembull të fuqishëm që mund të ndiqet nga europianët e tjerë. Kjo është një situatë ku SHBA del fituese.
Gjithsesi, procedurat amerikane të lejimit të shpërndarjes së disa materialeve të caktuara të karakterit sekret po pengojnë ndarjen e informacionit mes ushtarakëve britanikë dhe francezë, duke ngadalësuar zbatimin e traktateve.
Kjo është një zonë shumë sensitive, por siç e tha Presidenti Barak Obama në komentet e tij më 17 janar mbi çështjet e shërbimeve sekrete: “Krerët e shteteve dhe qeverive me të cilët ne punojmë ngushtë dhe nga bashkëpunimi i të cilëve varemi, duhet të ndihen të bindur se ne po i trajtojmë si partnerë të vërtetë”.
Një takim mes tre ministrave të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të sigurisë mund të jetë i nevojshëm për të zgjidhur këto probleme dhe për të gjetur një përqasje praktike.
Dhe natyrisht, nuk është e mundur thjesht të “rrisësh besimin”, ne duhet të vijojmë të investojmë në ndërfunksionim intelektual të udhëheqësve tanë të ardhshëm ushtarakë.
Sot, 55 francezë, burra dhe gra shërbejnë si oficerë të ndërlidhjes në njësitë e SHBA-së apo studiojnë në institucionet amerikane të arsimimit ushtarak. Gjithsej 35 oficerë të tjerë amerikanë mbajnë pozicione të ngjashme në Francë.
Duke lejuar që disa zyrtarë të lartë të shkojnë pranë stafeve planifikuese kombëtare (siç bëhet aktualisht mes SHBA-së, Britanisë, Kanadasë dhe Australisë), kjo do të bëhet më e lehtë.
Është e vërtetë se Franca, me raste mund të jetë një partner i vështirë. Megjithatë, politikat e saj, kapacitetet dhe angazhimet operacionale do të luajnë një rol të rëndësishëm udhëheqës për europianët e tjerë. Fuqizimi i përqasjes pragmatike me aleatin tonë më të vjetër mund të fuqizojë gjithashtu aleancën transatlantike në tërësi.