DUKE RIKUJTUAR VIKTOR GJIKEN

Mbresa nga libri “Vit pas viti”, i kineastit tonë të njohur Nga Skifter Këlliçi Këto ditë në një nga gazetat tona të përditshme u botuan kuj...

Mbresa nga libri “Vit pas viti”, i kineastit tonë të njohur

Nga Skifter Këlliçi


Këto ditë në një nga gazetat tona të përditshme u botuan kujtime shumë interesante të operatorit të njohur kinematografik, Ilia Terpini. Në këto kujtime, ndër të tjera, ai ndërmend me shumë mirënjohje ngjarje nga puna krijuese me regjisorin tonë të shquar, Viktor Gjika, aq më tepër që, duke filluar punën si operator, profesion për të cilin kishte studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik, Viktori e kishte ndihmuar shumë edhe atë.
Në biseda më shokë këtu në Kuinci, (Boston) kujtuam edhe ne Gjikën, i cili u ndan nga jeta në pranverë të vitit 2009, dhe filmat e tij që kanë mbetur në fondin e artë të kinematografisë sonë. U rrëfeva atyre dhe për takimet që kam pasur edhe unë me të, një pjesë të të cilave po i rendis në këtë shkrim duke u mbështetur në librin e tij “Vit pas vit”.
Në radhët e fundit të parathënies së librit “Vit pas viti”, të kineastit tonë të njohur, Viktor Gjika, që u nda nga ne pak muaj më parë,shkrimtari, skenaristi, dhe politikani i shquar, Teodor Laço, hok i tij i fëmijërisë, duke perifrazuar vargje të Dritëro Agollit, shkruan: ”Kur të jeni mërzitur, kërkojeni dhe ai do të zbresë e do të ulet pranë jush”.
Këtë ndjesi provova edhe unë, kur mbarova së lexuari këtë libër me kujtime, që Viktori mezi arriti ta përfundonte, kur ndodhej në prag të vdekjes,por të cilin,mjerisht, nuk arriti ta shihte të botuar. Madje, jo vetëm kaq. M’u duk se, jo vetëm e kisha pranë, por edhe se zura të kuvendoja për ngjarje që kam përjetuar me të në vite. E, pra,nuk kam qenë shok i ngushtë më të, si Teodor Laço, ose Pirro Milkani, që kanë kaluar së bashku vite të të shkollës fillore, a të mesme, që kanë ëndërruar për të ardhmen, që kanë arritur të bëhen që të tre “musketierë” të artit tonë kinematografik. Përkundrazi, jam një shok i largët i tij , me të cilin u njoha rastësisht, por pastaj më lidhi me të puna si gazetar në Radio Tirana, në TVSH e më pas edhe si autor i skenarëve të tre filmave  të prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” dhe dëshirave të mia të munguara për të skenarë filmash të tjerë.
Ndaj, tani që sapo kam mbaruar së lexuari këtë libër kujtimesh, më duket se e kam Viktor Gjikën pranë dhe po nis kuvendimin me të.
Duke lexuar librin çuditërisht mësova se ishim thuajse bashkëmoshatarë: ai kishte lindur ne qershor të vitit 1937, kurse unë në janar të vitit 1938. Ishte pra vetëm gjashtë muaj më i madh se unë; për më tepër, se kishim pasur ëndrra të përbashkëta: në vitin e maturës edhe unë pyetësorët që na u dhanë për dëshirat që kishim për të studiuar më tutje në shkollat e larta, pata kërkuar të studioja për letërsi dhe kinematografi. Por dëshira e fundit nuk u realizua. Arsyeja ishte e thjeshte. Ndërsa, Viktori, siç shkruan në libër, doli i shkëlqyer në mësime, unë jo. Në rast se do të kisha studiuar për kinematografi, do të ishim njohur e bërë shok që atëherë.
Sidoqoftë, duke kaluar nga viti 1937 i librit “Vit pas viti”, vit ku ai ka lindur, duke lënë pas vitet e rinisë së parë në Korçë e më tutje, të studimeve në Bashkimin Sovjetik për kinematografi, më saktë, operator filmi, do të ndalem në vitet kur jam takuar me të…

1961
“Ndërkohë edhe “Debatik” po përfundonte, -shkruan Viktori në librin e tij, -e do të shfaqej në Tiranë. Filmi do të pritej shumë mirë nga shikuesit“.
Edhe unë, atëherë gazetar në Radio Tirana, kujtoj disa skena gjatë xhirimit të këtij filmi nëpër rrugët e Tiranës. Kur e pashë së bashku me Dhimitër Anagnostin, pranë aparatit të xhirimit, m’u kujtua se i kisha takuar të dy në “Librin sovjetik”, një dyqan i madh, kur ata, ashtu unë blinit libra, gazeta dhe revista sovjetike që vinin me avion nga Moska.

Viti 1965
“Para disa ditëve, -shkruan Viktori në kujtimet e tij, -ne të dy me Taqon dhe drejtorin e Kinostudios, Vaskë Aristidhi, u thirrëm në zyrën e Ministrit të Arsimit dhe Kulturës. Manush Myftiu na njoftoi se ishim ngarkuar të realizonim filmin artistik “Komisari i dritës”, me skenar të Lazar Siliqit.
Kjo ndodhte pasi ai së bashku me Dhimitër Anagnostin, kishit qenë operatorë të filmit “Detyrë e posaçme”, (1962). Tani së bashku do të ishin regjisorë të këtij filmi. Këtu për herë të parë u njoha nga afër me të dhe me Taqon, sepse, si gazetar i Radios, isha ngarkuar të përgatitja një reportazh kushtuar xhirimeve të këtij filmi. Gjatë intervistës, më bëri përshtypje aftësia e tij dhe e Dhimitrit, për t’u shprehur me shkathtësi dhe rrjedhshëm para mikrofonit, deri atëherë e pazakonshme për të tjerë që emocionoheshin dhe flisnin me gabime.
“Në film ndjeja vështirësi në punën më aktorët, -vazhdon Viktori në këto kujtime. -Nuk mjaftonin leksionet e Institutit, librat e lexuar për metodën e Stanislavskit, përvojën e Vahtangovit, Cerkasovit…” Më ndërmendet se gjatë intervistës Viktori u shpreh edhe për këto vështirësi.
Dhe që aty u bëmë më të afërt për njeri-tjetrin. Rastiste që kur takoheshim, më fliste edhe për sportit, vecanërisht për futbollin, më bënte edhe ndonjë verejtje për radiokronikat e mia sportive. Flisnim së bashku  për komentatorë e mëdhenj rusë, Sinjavski dhe Ozerov, sidomos për këtë të fundit, që kishte qenë edhe sportist, madje aktor, ndaj ishte aq emocionues gjatë komenteve.
Disa ditë, pasi pashë këtë film në kinema “Partizani, u takova dhe të, e urova tashmë si regjisor, madje i suksesshëm. Ai ndjehej i lumtur. Besoj se kështu ndjehej edhe shoku i tij i ngushtë, Dhimitër Anagnosti.

1967
“Mora vesh nga Nasho Jorgaqi se Dhimitërer Anagnosti, – vazhdon Viktori në faqet kushtuar këtij viti, -kishte filluar të bashkëpunonte me të për krijimin e filmit “Duel i heshtur”…Tani duhej të gjeja dhe unë skenarin tim. Në shtypin e atij viti u shqua poeti i talentuar, Dritëro Agolli me një sërë artikujsh kundër burokracisë…Ishte viti i heroit, Adem Reka, që dha jetën në mbrojte të bigës së portit të Durrësit”… Kontaktova me Dritëroin dhe i propozova të shkruante një skenar për film artistik”.
Të jem i sinqertë, pjesa më e madhe e veprave letrare, muzikore dhe të arteve figurative, që u botuan, u shfaqën, ose u ekspozuan në ato vite, pas fjalës së diktatorit Enver Hoxha, më 4 shkurt 1967, i cili, veç të tjerash, dha urdhër që të shemben kishat dhe xhamiat dhe të ndalohen besimet fetare, më janë dukur skematike, siç ishin në të vërtetë. Por jo filmi ”Horizonte të hapura”. Ndaj, kur e kam takuar pas premierës së këtij filmi, i kam shprehur këtë bindje. Ky film, falë skenarit, por edhe të punës ë Viktorit ishte larg çdo skeme, një film njerëzor dhe i goditur artistikisht.

Viti 1970
Në librin e tij Viktori shkruan: “Si rregull, premierat e filmave organizoheshin në Pallatin e Kulturës, me kineastë, shkrimtarë, artistë, gazetarë dhe pjesëtarë të nomenklaturës. Më 23 shkurt 1970 salla ishte plot e përplot. Gruaja ime, Flora, s’dinte kujt t’i falte buzëqeshje më parë. Afrohet Kujtim Spahivogli dhe me shaka i thotë:”Mos u mburr kaq shpejt! Të shohim pas shfaqjes se si do buzëqeshësh”. Po Florës atë ditë nuk kishte zot që t’i prishte humorin…Filmi pati sukses të plotë. Kujtimi na kapi te dera, na përqafoi gjithë dashuri dhe iu drejtua Florës: ”Paske pasur të drejtë. Burri yt edhe ti qenki për t’u lëvduar sot”. Nuk më harrohet buzëqeshja e tij e lumtur, thua se filmin e kishte bërë ai vetë”.
Ishte fjala për filmin “I teti në bronx”, sipas skenarit të Dritëro Agollit. Edhe unë e mbaj mend ditën e premierës. Kam uruar veçanërisht, shokun tim të mirë, Bexhet Nelkun, këtë aktor kaq të talentuar, të cilin vdekja e rrëmbeu shumë të ri. Më ka bërë përshtypje gjithashtu interpretimi i Yllka Mujos dhe Mevlan Shanajt, aktor ri që luante për herë të parë.
I ndërtuar mbi bazë retrospektivash të goditura ky film ishte përsëri një trajtim origjinal, pa stisje e ngjarje skematike, që pati sukses të madh. Veçanërisht, siç shkruan Viktori në libër, në Kosovë.

1972
Ishin ditët e para të majit, kur para hotel “Dajtit” pashë Viktorin duke shëtitur me një burrë, po aq tërheqës sa ti. Kisha dëgjuar se kishte ardhur në Tiranë aktori i madh kosovar, Bekim Fehmiu, të cilin e kishim parë nga transmetimet e RAI-t në filmin “Aventurat e Ulisit”, ku ai luante rolin kryesor. E njoha menjëherë. Madje, pata rast të njihesha edhe nga afër, kur ai bëri vizitë në TVSH, i shoqëruar nga Viktori. Ai erdhi në studiot e TVSH-së për një bisedë të drejtuar prej vetë Viktorit. Më kujtohet, se gjatë bisedës, siç përmendet në libër, ai foli mirë për filmin e Viktorit “Yjet e netëve të gjata”, që kishte filluar të shfaqej ato ditë.

1974
Atë vit, midis filmave të tjerë u shfaq edhe filmi i Viktorit “Rrugë të bardha”, me skenar të shkrimtarit Vath Koreshi. Një film mjaft lirik prekës, realizuar me shije të hollë artistike, një film shumë njerëzor, një film, ku heroizmi flet pa pompozitet, me natyrshmëri romantike.
Duke kujtuar këtë film. Viktori shkruan në libër:”Filmi i përfunduar u shfaq në Bajram Curri, më 13 korrik 1974 e më pas në Kukës, Pukë, Tiranë. Suksesi ishte i bujshëm, frekuentimi rekord. Për regjinë meritova Cmimin e Republikës të Klasit të Dytë. Filmi u shfaq në Festivalin e Selanikut…Agjensia Frannceze e Lajmeve “Fance Press” dha njoftimin flash se “Shqipëria prezantohet me “Rrugë të bardha”, një film kolor, i realizmit socialist, me fytyrë njerëzore. Ky njoftim as u përfill nga ATSH-ja”.
Atë vit në kinematë e Shqipërisë u shfaq edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Nëpër fushat e futbollit”, me skenarin tim dhe regjinë e Sajmir Kumbaos. Viktori më uroi dhe më kujtoi ato ditë të viteve të shkuara, kur diskutonim për futbollin, për komentatorët sovjetikë, Sinjavski dhe Ozerov, për skenarin tim “Në tokë të huaj”, kushtuar fitores së tri vajzave tona në Krosin Ballkanik të vitit 1966, të cilin ia pata dhënë për ta lexuar. Atëherë ai më pat thënë se ky film mund të realizohej, por duheshin xhiruar skena jashtë shtetit, kërkesë që atëherë ishte luks i madh.
“Sidoqoftë, ti je shkrimtar që ke shkruar për sportin dhe do të gjesh tema të tjera për filma artistikë”-, më tha. Do të kalonin vite dhe kështu do të ndodhte.

 1978
“Vath Koreshi më erdhi me një propozim interesant dhe origjinal, me skenarin”Gjeneral Gramafoni”, -shkruan Viktori në libër. -Filmi do të trajtonte temën e ruajtjes së vlerave më të mira të kulturës kombëtare nga dyndja e qëllimshme dhe ambiciet agresive të huaja, që do të paraprinin agresionin ushtarak”.
Një mbrëmje vjeshte, pasi e kisha parë këtë film me një shok, para hotel “Tiranës” u takova papritur me ty. Natyrisht që e urova. ”Sidoqoftë, -shtova, – për mua “Rrugë të bardha “është filmi yt më i mirë deri tani”. Për një çast mbete i topitur. ”Lakra në vaj”-ishte përgjigja jote, një shprehje korçare, që përdoret për të mirë. Edhe sot, pas më shumë se tridhjetë jetë vitesh, këtë përshtypje kam. Ndoshta, sepse një gazetar italian, që punonte për emisionin e italishtes në Radio Tirana, më pati thënë për këtë film: ”Regjia është e shkëlqyer, por ideja që agresioni kulturor i paraprin agresionit ushtarak, nuk është justifikuar siç duhet artistikisht në skenar. Sidoqoftë, filmi, siç shkruan Viktori, u prit shumë mirë në Festivalin Ndërkombëtar Ballkanik të vitit 1979 në Stamboll, ku u nderua me një diplomë nderi dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Por aty nga vjeshta e këtij vit, ishte radha e Viktorit të më uronte. Dhe jo më kot: Filmi ”Pas gjurmëve” i regjisores Xhanfise Keko, me skenar timin sipas romanit gjithashtu imi, me të njëjtin titull, kishte fituar Çmimin Special të Presidentit të Republikës italiane. Por vaj medet! As ATSH- ja, as shtypi nuk shkruan për këtë sukses, sepse çmimin na e paskësh dhënë . . presidenti i Italisë, me demek i një vendi kapitalist!. . Dhe, të mos harrojmë se ky film, së bashku me filmin “Lulëkuqet mbi mure”, “Beni ecën vetë”,  “Shoku ynë Tili”dhe ndonjë tjetër kanë fituar çmimet më të larta nga filmat shqiptarë të shfaqur në festivale ndërkombëtare.

1982
Ato ditë nëntori, së bashku me shokë të tjerë, pamë filmin “Nëntori i dytë”, kushtuar 50-vjetorit të pavarësisë. Disa vjet më parë pata shkruar një dramë të shkurtër radiofonike për këtë ngjarje, pra, e njihja mirë subjektin. Por, të them të drejtën, falë skenarit të Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit, filmi i Viktor Gjikës mori përmasa madhështore. . ”Në telefon më doli Ramiz Alia, -shkruan Viktori në libër, -i cili më uronte papushuar, me fjalët më të mira për”Nëntorin e dytë”. Ai vlerësonte lart sidomos gjetjen simbolike të karrocës, me personazhet e saj historike drejt shpalljes së pavarësisë, si gjetje e thjeshtë dhe sinjifikative për këtë film”. Dhe kështu ishte në të vërtetë.
Meqë ky ishte film me temë historike, një ditë e takova e urova për këtë film, dhe i thashë:”Po romanin tim “Atentat në Paris”, do të kishe dëshirë ta ekranizoje?. ”Do të dilte një film i shkëlqyer, – m’u përgjigje. -Por ti e kupton si është situata sot…”. Nuk e zgjati me tutje. Njëmend, një film i tillë duhej të ishte bashkëprodhim shqiptaro-francez, disa skena duhej pa tjetër të realizoheshin në Paris, atje ku Avni Rustemi kishte zhdukur nga faqja e dheut Esat pashën. Por, a mund të përfytyrohej kjo, kur një vit më parë ishte vrarë, a vetëvrarë Mehmet Shehu, burgosur Kadri Hazbiu!. . Situatë me të vërtetë tepër e rëndë, po të mendosh edhe gjendjen e vështirë ekonomike, që po kalonte populli shqiptar nën regjimin komunist…
1985
Siç përshkruan në libër, kundër dëshirës së tij, Viktorin e emëruan drejtor të Kinostudios dhe si i tillë, ashtu sic të kishtë thënë edhe Pirro Milkani, shoku yt i fëmijërisë, nuk mund të bëje vetë filma. ”Gjatë vitit 1985, -shkruan Viktori në libër, -Kinostudioja realizoi13 filma artistikë…” dhe i përmend me radhë. Nuk harroj ato çaste kur më përgëzoi dhe mua si autor i skenarit së bashku me Gëzim Erebarën, që ishte edhe regjisor i filmit “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, mbi historinë e Shprefesë”, skuadrës së Tiranës, që në vitet e luftës i ktheu ndeshjet me skuadrat fashiste në manifestime kundër pushtuesit. ”Ja, më së fundi, -më the atëherë, – realizove ëndrrën që të shkruaje një skenar për film artistik, kushtuar sportit”.

1997-2000
Në këto vite Viktor, takimet e mia me Viktorin qenë më të rralla. Më kujtohet që një ditë të diel të vjeshtës së vitit 1995, kur po përgatitsha të futesha në studio, për ë drejtuar “Rubrikën sportive” në TV, të pashë tek po punoje për montimin e një filmi. Më the se po përgatitje filmin dokumentar “Rron, or rron dhe nuk vdes Noli”.
“Në mungesë të ndonjë skenari për film artistik dhe vështirësive për të xhiruar një të tillë, – shkruan Viktori në librin e tij, -mendova t’i vihem një zhanri tepër tërheqës-filmit dokumentar biografik”.
Unë më 1999, disi i zhgënjyer u detyrova të largohesha nga atdheu dhe të vendosesha Boston. Dhe atje, një ditë dhjetori të atij viti, kur me disa shqiptarë mërgimtarë, ndodhesha në “Pier 4”, një ndër restorantet më të njohura të Bostonit, u takova me Antoni Athanasin, këtë biznesmen, atdhetar i flaktë, që jo rrallë në sallat e këtij restoranti, organizonte mbrëmje, sidomos në Ditën e Pavarësisë . Prej tij mësova se Viktori  kishte realizuar një film dokumentar, kushtuar atij, që ishte shfaqur në RTVSH. ”Besoj se e njeh Viktor Gjikën?” -më pyeti Antoni Athanasi. ”Atë e njeh tërë Shqipëria dhe nuk kam si të mos e njoh unë që jam gazetar dhe shkrimtar”, -iu përgjigja.
Dhe kështu, nëpërmjet librit ”Vit pas viti”, rikujtova një pjesë të mirë krijimtarisë Viktor Gjikës deri në kur nëpërmjet shtypit shqiptar që lexoj në internet, mësova se ai ishte sëmurë…
Në rreshtat e fundit të këtij libri, siç duket, duke kuptuar se në ç’gjendje të rëndë shëndetësore ndodhej, Viktori shkruan: ”Kam thënë se kam përmbushur misionin tim, ndonëse kisha shumë plane. Por jeta s’mund të jetë veçse një fragment i ëndrrave të njeriut”.
Dhe pastaj ndodhi ajo që thonë latinët: ”Mors, ultima ratio”, pra vdekja është gjykimi i fundit.
isa ditë pasi Viktor Gjika u nda nga jeta, hasa në shtyp një intervistë të Fatmir Toçit, botuesit të njohur të “Toenës”, i cili, pyetjes që lidhej me botimin e librit të këtij kineasti të njohur , i përgjigjej kështu:”Besoj se libri do të dalë së shpejti në një nga ditët që do të kujtohet largimi i tij”.
Dhe kështu ndodhi. Libri prej vitesh ndodhet në duart e lexuesve, veçanërisht të miqve dhe shokëve të tij, një ndër të cilët guxoj ta quaj veten edhe unë. Pra, edhe një herë: Kur të jeni të mërzitur, lexoni librin e Viktor Gjikës “Vit pas viti” dhe ai do të zbresë e do të jetë pranë jush. Kështu më ndodhi dhe me mua. Kështu do të ndodhë edhe me të tjerë. Ai do të ulet dhe do të kuvendojë me këdo, sepse, ashtu si çdo artist dhe krijues i madh, ishte miku i të gjithëve.

Related

Libri 6216150570680959430

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item