Rezistenca “Mos bëni seks me rusët”
Një grup hipistesh ukrainase po përpiqen të organizojnë një fushatë bojkoti ndaj rusëve me një armë të pazakontë, por të mirënjohur: duke u ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/rezistenca-mos-beni-seks-me-ruset.html
Një grup hipistesh ukrainase po përpiqen të organizojnë një fushatë bojkoti ndaj rusëve me një armë të pazakontë, por të mirënjohur: duke u mohuar seksin. Një metodë e njohur nga lashtësia që në disa raste ka funksionuar
HANNA KOZLOWSKA, Foreign Policy
Ndërsa forcat ruse kanë vënë nën kontroll të rreptë gadishullin e Krimesë, një grup grash ukrainase po luftojnë me një slogan të thjeshtë dhe që tërheq vëmendje: “Mos ia jepni një rusi.” Fushata – synimi i të cilës është pikërisht ajo që shprehet, dëshiron t’u ndalojë burrave rusë të bëjnë seks. Fushata u përhap me shpejtësi nëpër rrjetet ruse të internetit dhe jo në një mënyrë gallatë.
Gazetaret femra dhe aktivistet shoqërore pas fushatës janë duke shitur bluza për të promovuar kauzën e tyre. Të ardhurat do të shkojnë – prit një minutë – “për nevojat e ushtrisë së Ukrainës”. sipas njërës prej themelueseve të grupit, Katerina Venzhik, redaktore e faqes së internetit Delo.UA. Në faqen e grupit në Facebook, vajza të reja me tatu dhe bluza, shfaqen me duar të bashkuara në lutje, por duart janë në një mënyrë të tillë që ngjajnë me vaginën. Dizenjoja shoqërohet nga një citim nga poeti kombëtar i Ukrainës, Taras Shevçenko: “O virgjëresha zeshkane bini në dashuri, por jo me moskovitët [rusët]”. Bluza shitet për 23 dollarë.
“Ne besojmë se në kontekstin e një pushtimi ushtarak të territorit është e gabuar të vijojmë të mendojmë se të gjithë burrat janë vëllezër”, shkroi Venzhik në një e-mail për Foreign Policy. “Ajo që Rusia po bën në Ukrainë është e tmerrshme, por bota i sheh këto veprime para së gjithash përmes prizmit të propagandës pro-Putin”.
Fushata nuk është përhapur ende masivisht në Ukrainë, por përdoruesit e internetit në Rusi reaguan me shpejtësi për t’u tallur. Gratë që marrin pjesë në fushatë janë quajtur “prostituta” nga përdoruesit që duket se nuk arrijnë të kuptojnë se përpjekja është që t’i mohohet seksi, jo shitja e seksit. Në një përpjekje tjetër për të sulmuar aktivistët, një përdorues interneti manipuloi me fotoshop bluzën e fushatës te fotografia e Valerija Novodvorskaja, një ruse liberale në moshë të mesme që urrehet nga estabilishmenti konservator i vendit, në kontrast kjo me gratë e reja hipi të Ukrainës. “Mendoja se ajo ka qenë në përdorimin e bojkotit të seksit përgjatë tridhjetë viteve të fundit”, komentoi një përdorues i medias sociale.
Venzhik i tha FP se grupi filloi të shesë bluza provokative për të tërhequr vëmendjen te akuzat për keqtrajtime nga ana e rusëve në Krime, të cilat ajo i përshkroi si “rrëmbim, kufizim të të drejtave të Tartarëve [një minoritet pro-Ukrainas], ndalimin e punës së gazetarëve”.
Kontribuuesi i FP, Harriet Salem, raportoi këtë javë se gazetarët dhe tartarët po arratisen nga gadishulli, për shkak të frikës për sigurinë e vet personale.
“Përveç kësaj, ne përfundimisht duam të bëjmë të qartë se gratë ukrainase parapëlqejnë burrat ukrainas!” shkroi Venzhik.
Në faqen e tyre në Facebook, gratë që po shesin bluzat i nxisin bashkëpatriotet e tyre të “luftojnë armikun në çdo mënyrë!” Themelueset e grupit parapëlqejnë të krahasojnë fushatën e tyre me bojkote të mëparshme seksi, përfshirë një bojkot të përshkruar nga Aristofani te Lisistrata, drama antike greke në të cilën gratë u mohojnë seksin burrave për t’i detyruar të hyjnë në bisedime për paqe gjatë luftës së Peloponezit.
Gratë shkruajnë gjithashtu se ata qenë të frymëzuara nga përpjekje më moderne për të arritur objektiva politike përmes celibacisë së detyruar. Gjatë luftës civile të Liberisë, një grup grash u bashkua për t’u mohuar seksin burrave të vet derisa ata të ndalonin luftimin, si pjesë e një përpjekjeje më të madhe të të gjitha grave të vendit për t’i dhënë fund luftës.
Në vitin 2009, ndërkohë, grupimet e grave në Kenia bënë thirrje për një “bojkot seksi” për t’i detyruar politikanët e Kenias të zgjidhin sherrin mes udhëheqësve politikë të vendit.
Një burrë nga Kenia më vonë ngriti padi për “dëmet” që pati pësuar gjatë bojkotit. “Për shkak se gratë bënë thirrje për bojkot seksual, gruaja ime më ka mohuar të drejtat bashkëshortore. Kjo më ka shkaktuar ankth dhe pagjumësi natën”, tha ai.
Kriza u zgjidh dhe aktivistët pretenduan se greva qe e suksesshme.
Por fushata të tilla nuk funksionojnë gjithmonë. Në shkurt, gratë japoneze filluan një bojkot seksual të menduar për të bindur bashkëshortët dhe të dashurit e tyre që të mos votojnë për Joiki Masuzoe, një kandidat për guvernator të njohur për komentet e tij seksiste.
Gratë, argumentoi ai, janë të papërshtatshme për punë qeverisëse të nivelit të lartë për shkak se ato bëhen “irracionale” gjatë menstruacionit. Masuzoe gjithsesi ia doli të fitojë zgjedhjet.
Bojkoti i ri i seksit ka shumë gjasa që nuk do të mjaftojë për të bindur Vladimir Putinin për të kthyer Krimenë. Por në fund të fundit, as sanksionet dhe bojkotet perëndimore nuk është se pritet të kenë efekt.