Nuk e pyesim Rexhep Qosjen

Mehmet Kraja Pa dëshirën dhe vullnetin tim jam i detyruar të përfshihem në një polemikë, të cilën që në fillim e konsideroj të padenjë, jopr...

Mehmet Kraja

Pa dëshirën dhe vullnetin tim jam i detyruar të përfshihem në një polemikë, të cilën që në fillim e konsideroj të padenjë, joproduktive, bjerrakohëse, ngatërrestare, jokulturore, jointelektuale, pra tërësisht inatçore dhe tendencioze. Bëhet fjalë për një letër, të cilën Rexhep Qosja, krahas administratës së Akademisë, ua ka dërguar edhe mediave, përmes së cilës kërkon që emri i tij të mos përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, duke bërë po me këtë radhë edhe disa zhvlerësime dhe akuza të paqëndrueshme. Duke qenë kryeredaktor i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, detyrimisht mbaj përgjegjësi për të gjitha akuzat dhe zhvlerësimet e apostrofuara nga letërshkruesi. Përgjigjet në akuzat dhe pretendimet e ngritura po i rendis një nga një, ashtu siç i ka renditur vetë Rexhep Qosja:
1. Rexhep Qosja kërkon që të mos përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Nuk e kemi pyetur dhe as do ta pyesim Rexhep Qosjen, dhe asnjë individ tjetër të përfshirë në fjalësin e Fjalorit, nëse dëshiron të përfshihet ose jo në këtë botim. Fjalësi i zërave të çdo fjalori enciklopedik, apo të çdo botimi të këtillë ose të ngjashëm, ku përfshihen edhe një numër emrash të personave të gjallë, nuk bëhet duke marrë miratimin e tyre, por duke u mbështetur në punën dhe veprimtarinë e tyre publike. Për rrjedhojë, Rexhep Qosja, në jetën e tij, ka bërë një punë publike, është studiues i letërsisë dhe shkrimtar, veprat e tij shkencore dhe letrare janë publike dhe prandaj, edhe pa dëshirën e tij, do të përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.
2. Rexhep Qosja thotë se në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, duke qenë i Kosovës, pra jo gjithëshqiptar, cenohet qëllimisht “njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi”. Në parathënien e fjalësit të Fjalorit, unë kam dhënë një shpjegim për këtë çështje. Citoj: “…edhe përkundër faktit se Kosova është konstituuar tashmë si entitet politik dhe shtetëror i mëvetësishëm, në shumë fusha ndarja nga tërësia e botës shqiptare paraqitet artificiale, madje e pamundur. Kjo përfshirje e ndarë e Kosovës në këtë lëndë enciklopedike nuk paragjykon qëndrueshmërinë ose jo të zgjidhjeve politike, as aktuale, as të pritshme. Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare është bërë për arsye pragmatike, pa asnjë prapavijë.” Ky shpjegim nuk i ka mjaftuar Rexhep Qoses, madje atë e quan “të rrejshëm”, duke mos u kursyer që Fjalorit t’i japë atributin antikombëtar, si vepër “që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi”. Pa dashur t’ia kontestoj Rexhep Qoses “mandatin” që ia ka dhënë vetes si gardian i çështjes kombëtare, më duhet të them me keqardhje se kombi nuk është pronë e tij dhe se të qenit “roje” nuk domethënë se e posedon objektin që e ruan. Më anë tjetër, një shpërndarje kaq e lehtë dhe dorëlirë e “certifikatave antikombëtare” çon në analogji jo aq të përshtatshme, për të mos thënë të frikshme: sipas kësaj analogjie, pra, të gjithë ata që luftuan për pavarësinë e Kosovës, të gjithë ata që sot përpiqen ta ndërtojnë shtetin e Kosovës, nuk qenkan gjë tjetër, përveçse antikombëtarë.
3. Ndonëse Rexhep Qosja, në letrën e tij, nuk e përmend Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, nënteksti i reagimit fuqizon idenë se vepra model ndër ne, në fushë enciklopedike, mund të quhet ky fjalor. Në të vërtetë, është pikërisht FESH (botimi i fundit, 2008-2009) ai që ka shkelur në mënyrën më brutale të gjitha parimet dhe vlerat, edhe vetëdijen kombëtare dhe historike, edhe traditën, edhe të sotmen e Kosovës dhe të kombit në përgjithësi. Ja se pse: a) FESH i ka gjithsej rreth 8000 zëra, vetëm 10% e zërave i referohen Kosovës; b) njësia më e vogël e vendbanimeve e përfshirë në FESH ka qenë komuna, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, ndërsa është e ditur se komunat në Shqipëri janë fshatra, ndërsa komunat në Kosovë janë njësi territoriale absolutisht asimetrike me këtë koncept; c) një asimetri e çuditshme (joshkencore, gjithsesi) është vendosur edhe në raportin ndërmjet vendbanimeve shqiptare në Mal të Zi dhe vendbanimeve të Kosovës; ç) në parim, për shkak të objektivitetit, pjesëmarrësit që kanë pasur rol të rëndësishëm në ngjarjet historike nuk duhet të jenë autorë të shkrimit enciklopedik për atë ngjarje, ndërsa në FESH ky parim nuk është ndjekur për UÇK-në dhe luftën e vitit 1999; d) në veprat e kësaj natyre, për arsye etike në radhë të parë, autorët nuk duhet të shkruajnë për njëri-tjetrin, ndërsa në FESH nuk është respektuar ky parim (Rexhep Qosja shkruan për Agim Vincën, Agim Vinca shkruan për Rexhep Qosen, etj.); e) ndonjëri nga redaktorët e FESH ka dhënë shpjegime publike, se ata kishin marrë udhëzime të prera nga organet drejtuese të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që në procesin e hartimit të Fjalorit të mos përfshihej asnjë institucion i Kosovës, pra vetëm individët; etj.
4. Rexhep Qosja thotë se fjalësi i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës ”me konceptin dhe me përmbajtjen e tij është vepër partiake – e LDK-së”, pa dhënë ndonjë argument për këtë konstatim. Unë nuk e kam ndër mend të përfshihem në polemikë me Rexhep Qosen për punë partiake dhe ideologjike, por më duhet të them, në cilësinë e kryeredaktorit të Fjalorit, se as në strukturat redaktoriale, as në përmbajtjen e fjalësit, në asnjë rrethanë, nuk është favorizuar ndonjë parti politike, ose krah politik. Në ngritjen e strukturave redaktoriale të Fjalorit është ndjekur një parim krejtësisht i qartë dhe transparent: për disa fusha të dijes dhe të shkencës, kur kjo ka qenë e mundur, në redaksi janë përfshirë anëtarët e Akademisë; në rastet e tjera në redaksi janë caktuar punonjës shkencorë të fushave përkatëse nga Universiteti i Prishtinës dhe nga institutet shkencore. Pra, bëhet fjalë për 72 ekspertë të shquar, në shumicën e rasteve emra të njohur publikë, bindja politike e të cilëve as më intereson, as e di se çfarë është. Më anë tjetër, unë nuk jam aq i papërgjegjshëm për fjalën publike, sa të kontestoj dijen dhe ekspertizën profesionale të kaq shumë njerëzve, nga 24 fushave kaq të ndryshme, të papërthekueshme për një mendje njerëzore sado gjeniale qoftë ajo: të gjeografisë, të historisë, të arkeologjisë, të ekonomisë, të sociologjisë, të pedagogjisë, të mjekësisë, të kimisë, të biologjisë, të gjeologjisë, të etnologjisë, të trashëgimisë, të gjuhësisë, të letërsisë, të muzikës, të arteve, të informimit, të teatrit, të sportit, të religjionit etj. Kontestimi i kompetencës profesionale të këtyre njerëzve nga Rexhep Qosja është e tymtë dhe me prapavijë denigruese. Ndërsa, sa i përket përmbajtjes së fjalësit të publikuar të Fjalorit, kërkoj një, vetëm një argument, qoftë individ, ngjarje, fenomen ose institucion, i cili nuk qenka përfshirë këtu, për motive politike ose partiake. Ekziston mundësia e harresës, ose mospërmbushjes së kritereve. Me propozimet që mund të bëhen tani, nëse janë të argumentuara, edhe kriteret mund të diskutohen ose të “relativizohen”, ndërsa kundër harresës është ofruar zgjidhja e vetme: publikimi, respektivisht nxjerrja në diskutim publik i këtij fjalësi.
5. Sa u përket emrave të “fëmijëve, të etërve, të vjehrrive dhe të miqve” të strukturave redaktoriale dhe të tjera të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, të cilët qenkan përfshirë në këtë fjalës, më duhet të them përsëri se, as me këtë rast, nuk do të pyetet Rexhep Qosja, në i pëlqejnë miqtë, fëmijët, etërit, apo vjehrrit e dikujt, madje nuk do të pyetet, do ose nuk do ai, që t’i shohë në Fjalor edhe njerëzit e tij të afërt, vëllezër, nipa etj. Ata do të përfshihen në fjalor me kriterin e punës së tyre publike dhe askush nuk ka të drejtë t’i ndëshkojë ata, pse mund të jenë fëmijë, etër, vëllezër apo miq të dikujt, që pëlqehet ose nuk pëlqehet nga Rexhep Qosja, apo dikush tjetër.
Së fundi, ndjej obligim ta falënderoj Rexhep Qosen për mundin që ka marrë, për angazhimin, për leximin e kujdesshëm të fjalësit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, duke lutur të tjerë lexues dhe njohës të fushave të veçanta të dijes, që të shfaqin mendimet e tyre për këtë projekt. Ndërsa Rexhep Qoses, çfarëdo që të stisë në të ardhmen rreth këtij fjalësi, nuk e kam ndër mend t’i bëj karshillëk.
* Lidhur me letrën e Rexhep Qosjes, dërguar administratës së Akademisë dhe mediave, me kërkesën që emri i tij të mos përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës

Related

Opinione 1437150187673069713

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item