Qëllimi i karrierës, të përgatitesh për tregun e punës
Për të qenë i suksesshëm, është e rëndësishme të përputhësh nevojat, aftësitë dhe kërkesat e tua me mundësitë reale të tregut. Është e rëndë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/qellimi-i-karrieres-te-pergatitesh-per.html
Për të qenë i suksesshëm, është e rëndësishme të përputhësh nevojat, aftësitë dhe kërkesat e tua me mundësitë reale të tregut. Është e rëndësishme të takohesh dhe bisedosh me një këshillues karriere, prandaj mos ngurroni të trokisni në dyert e zyrës rajonale të punësimit. Aty do të jetë gjithmonë një portë e hapur për të rinjtë. Në fakt, procesi i punësimit nuk është shabllon dhe ndryshon në varësi të sektorit, të kompanisë, të vendit të punës etj. Sidoqoftë, ka disa parime apo karakteristika kryesore që janë të ngjashme dhe që duhet t’i njihni para se të filloni të kërkoni punë. Procesi i punësimit përbëhet nga disa etapa: rekrutimi, përzgjedhja e parë dhe përzgjedhja përfundimtare. Rekrutimi. Është procesi i kërkimit për kandidatë të përshtatshëm nëpërmjet mënyrave të ndryshme. Kjo nuk do të thotë që punëdhënësi kërkon të punësojë me siguri. Ka raste kur kompanitë apo punëdhënësit nisin procesin e rekrutimit, vetëm për të testuar tregun vendor dhe për të mbledhur të dhëna dhe CV të kandidatëve të mundshëm për t’i pasur për mundësi që hapen në të ardhmen.
Mënyrat e rekrutimit mund të jenë: Lajmërim në shtyp: të gjitha kanalet dhe mjetet që konsiderohen të përshtatshme. Një formë e veçantë, gjithmonë e më e përdorur është interneti. Lajmërim i brendshëm: shpesh kompanitë e mbajnë procesin e rekrutimit vetëm për stafin e brendshëm; Referim: Punëdhënës të tjerë referojnë, apo rekomandojnë kandidatë që i njohin dhe kanë përvojë të mire; Agjenci punësimi: janë agjenci të veçanta, të cilat bëjnë procesin e rekrutimit për kompanitë apo punëdhënësit. Ato mund të jenë publike ose private. Për Shqipërinë, janë Zyrat Rajonale të Punësimit, pranë të cilave ju mund të regjistroheni duke shprehur kështu interesin tuaj për të punuar. Shërbime të tjera: Aktivitete apo forma të tjera mund t’i shërbejnë kompanive për të gjetur kandidatë të mundshëm, si për shembull panairet e punës, institucionet arsimore, apo internet. Kompanitë nuk mund të intervistojnë të gjithë aplikantët, prandaj është një hap i ndërmjetëm i cili quhet “shkurtimi i listës”. Punëdhënësit kontrollojnë të gjitha aplikimet dhe kualifikojnë vetëm ata kandidatë që kanë arsimimin, aftësitë dhe përvojat e përshtatshme për vendin e punës.
Përzgjedhja
Është hapi përfundimtar, nëpërmjet të cilit kompania përzgjedh kandidatin që konsideron më të mirë. Ndonjëherë kompanitë bëjnë vetëm intervista ballë për ballë, ndonjëherë edhe një testim me shkrim konsiderohet i nevojshëm. Mos u çudisni, ndodh që intervista të jetë edhe telefonike. Intervista është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të ketë pyetje për arsimimin, aftësitë, dhe përvojat e mëparshme, por edhe për tiparet e personalitetit. Për punëmarrësin, është thelbësore të kuptojë se i riu/e reja që po marrin në punë ka tipare të mira personaliteti dhe vlera si ndershmëria dhe integriteti. Gjithashtu me shumë vlerë çmohen aftësitë e komunikimit. Mos ngurro t’i theksosh vetitë e tua të mira të personalitetit në dosjen e aplikimit, apo gjatë intervistës.
Çfarë është CV-ja?
CV-ja është deklaratë lidhur me kualifikimin tuaj akademik dhe profesional. CV-ja është dokumenti i parë që ju nevojitet për punësim, fitim të çmimeve, bursave, shkollim, panele diskutimi, prezantime etj. Njerëz të profileve të ndryshme do ta shikojnë biografinë tuaj dhe në bazë të sajë do vendosin të të përzgjedhin apo jo. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që CV-ja juaj të ketë informata të sakta, konkrete dhe të paraqesë gamën tuaj të njohurive si në aspektin akademik po ashtu edhe në aspektin profesional. Nuk ka vetëm një formë të vetme të përgatitjes së CV-së, ajo duhet të jetë e ndryshme varësisht se për çka aplikoni. CV-ja juaj duhet të jetë e strukturuar ndryshe nëse aplikoni për shkollim dhe e ndryshme nëse aplikoni për punësim. CV-ja duhet të jetë fotografi e juaja personale, profesionale, akademike. CV-ja duhet të pasurohet përgjatë kohës dhe duhet të paraqesë trajektoren e jetës suaj, duke filluar nga shkollim, puna praktike, punësimi, trajnimi, aftësimi. CV-ja juaj duhet të paraqesë shumë qartë anët tua të forta, dhe të minimizojë anët tua negative ose jo të nevojshme për pozitën e caktuar. Ajo duhet të rishikohet për secilën pozitë që aplikoni. Para sa të aplikoni, ju duhet të konsultoheni me zyrën e karrierës dhe të bëni këto pyetje vetës: A i paraqet CV-ja ime të gjitha informatat që kërkohen? Puna praktike e specifikuar në CV-në time a është relevante për pozitën që aplikoj? A është relevant informata lidhur me gjininë, moshën, përkatësinë time? Ju duhet të kujdeseni që para se të përcjellin CV-në tuaj, të analizoni mirë se si ju prezanton CV-ja juaj.