Martesa/ Kujdestaria familjare

Kujdestaria është një institut i së drejtës që përfshin tërësinë e dispozitave ligjore, të cilat bëjnë të mundur mbrojtjen e të miturit që n...


Kujdestaria është një institut i së drejtës që përfshin tërësinë e dispozitave ligjore, të cilat bëjnë të mundur mbrojtjen e të miturit që ndodhet jashtë kujdesit prindërore ose personit madhor në rastet e heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar. Në këtë mënyrë vendoset një marrëdhënie juridike, e cila sjell të drejta dhe detyrime nga njëra anë për personin e vendosur nën kujdestari dhe nga ana tjetër, kujdestarin. E gjithë kjo marrëdhënie është e vendosur nën kontrollin e organeve gjyqësore.
Qëllimi i këtij instituti është mbrojtja e unitetit të familjes, në bazë të të cilit është interesi i anëtarëve të pazotë të familjes, administrimi me efikasitet i tij duke evituar çdo dëm të mundshëm, i cili do të cenonte interesat e anëtarëve të tjerë të familjes dhe mbrojtjen e interesit publik, i cili kërkon siguri maksimale dhe shpejtësi në vendimmarrje, duke përfshirë marrëdhëniet pasurore dhe personale midis këtyre personave.

Kujdestaria mbi të miturit
Fëmijët e mitur vendosen nën kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore për shkaqe të ndryshme, p.sh. të dy prindërit kanë vdekur, nuk njihen janë shpallur të pagjetur, u është hequr zotësia për të vepruar ose përgjegjësia prindërore, si dhe çdo shkak tjetër i pranuar nga gjykata, qe ka të bëjë veçanërisht me raste të rënda. Gjykata që mund të vendosë për kujdestarinë e fëmijës është ajo e vendbanimit ose e vendqëndrimit të të miturit.
Te drejtën për paraqitjen e kërkesës për kujdestar për fëmijën e mitur janë të afërmit e tij, cilido që merr njoftimin për mbetjen e fëmijës pa prindër ose për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur, vetë i mituri i cili ka mbushur moshën 18 vjeç, prokurori, noteri i cili me çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.
Gjykata mund të vendosë kujdestar personin e caktuar nga prindi, i cili ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, e lënë me testament ose deklaratë testamentare, si alternativë mund të vendoset edhe një familje kujdestare, për t’i ofruar fëmijës ambient familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje morale. Këto familje janë të identifikuara nga shërbimi social pranë bashkive dhe komunave, të cilat japin një deklaratë gatishmërie për të qene familje kujdestare. Gjykata i jep prioritet zgjidhjes së kujdestarit midis të afërmve të fëmijës së mitur dhe si alternativë e fundit ngelet institucioni publik ose privat.
Para se gjykata të caktojë kujdestarin, dëgjohet personi i zgjedhur për të kryer këtë detyrë dhe merret mendimi i të miturit nëse ai ka mbushur 10 vjeç. Në çdo rast merret mendimi i sektori i ndihmës dhe përkujdesjes sociale, i cili përmban ekzaminimin e personalitetit të fëmijës si dhe ekzaminimin mbi kushtet dhe përshtatshmërinë e fëmijës me personin kujdestar, familjen ose institucionin. Caktimi i kujdestarit bëhet duke i parë të gjithë elementët së bashku, si dhe mbasi ka dëgjuar mendimin e një psikologu.
Kujdestari kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë në të gjitha veprimet juridike dhe administron pasurinë e tij. I mituri nga ana tjetër duhet ta respektojë dhe t’i bindet kujdestarit, ai nuk mund të braktisë banesën ose institucionin ku është lenë pa lejen e kujdestarit. Në një rast të tillë kujdestari ka të drejtë ta kërkojë dhe t’i drejtohet gjykatës nëse është e nevojshme, për kthimin e tij.
I rëndësishëm është edhe instituti i kujdestarisë së posaçme, ne rastet e parashikuara nga ligji. Gjykata vendos për caktimin e një kujdestari të posaçëm kur: 1. Kur ka konflikt interesash midis të miturit dhe prindërve të tij, apo kujdestarit të tij si dhe kur midis tyre duhet të kryhet një veprim juridik, për shkak të njëanshmërisë që mund të paraqesin këto veprime. 2. Kur ka konflikt interesash midis të miturve vëllezër dhe motra, që kanë të njëjtin kujdestar ose duhet të kryejnë një veprim juridik mes tyre. 3. Për shkak të sëmundjeve ose të shkaqeve të tjera, kujdestari i caktuar pengohet të kryejë një veprim të caktuar, ose të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi. Gjykata e cakton kujdestarin e posaçëm me kërkesën e prindërve, kujdestarit, të afërmve, personave të interesuar dhe përcakton kufijtë e të drejtave dhe detyrave të kujdestarit duke bërë vlerësim rast pas rasti. Është e rëndësishme që kujdestari i posaçëm të bëjë inventar mbi gjendjen e pasurisë së të miturit në momentin që ai merr funksionin e tij.
Kujdestaria mbaron kur fëmija arrin një moshë madhore, vdes ose fiton zotësinë për të vepruar me anë të martesës.

Kujdestaria mbi personat që iu është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar
Dispozitat e Kodit të Familjes për kujdestarinë mbi të miturit zbatohen edhe mbi personat të cilëve u hiqet ose u kufizohet zotësia për të vepruar. Kujdestari i këtij personi, përfaqëson dhe administron pasurinë e tij ashtu si prindi përfaqëson dhe administron pasurinë e fëmijës që nuk ka mbushur 14 vjeç. Gjykata në vendimin e heqjes së zotësisë për të vepruar, cakton edhe kujdestarin për personin që i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar.
Kujdestari i personit të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, detyrohet të kujdeset për personin dhe sidomos për mjekimin e tij.
Të miturit që ka mbushur moshën 14 vjeç, qe ndodhet nën përgjegjësinë prindërore dhe i hiqet zotësia për të vepruar, nuk i caktohet kujdestar por vazhdon të jetë nën kujdesin e prindërve si i mituri i cili nuk e ka mbushur këtë moshë. Kur i mituri bëhet madhor dhe nuk i është kthyer zotësia për të vepruar, gjykata cakton një kujdestar për të që mund të jetë një nga prindërit ose një person tjetër.
Kujdestaria mbi personin që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, pushon kur kjo është kthyer me vendim të gjykatës.

Related

Speciale 2191988780077649853

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item