SYNIM I VMRO-së: DEKAPITACIONI I POLITIKËS SHQIPTARE
Xhelal Zejneli Ndaj partive politike shqiptare, faktori politik sllavo-maqedonas, e sidomos VMRO-ja ka zbatuar strategjinë e dobësimit të...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/synim-i-vmro-se-dekapitacioni-i.html
Xhelal Zejneli
Ndaj partive politike shqiptare, faktori politik sllavo-maqedonas, e sidomos VMRO-ja ka zbatuar strategjinë e dobësimit të tyre. Për këtë strategji, faktori politik shqiptar duket sikur nuk ka njohuri të duhura. Thelbi i kësaj strategjie është: hapësira politike shqiptare në Maqedoni të mbetet pa mbartës të proceseve politike. Në fillim të viteve ’90, mbartëse e proceseve politike në hapësirën politike shqiptare ishte PPD-ja. U bë ç’mos që roli dhe ndikimi i saj të reduktohet. Pas saj, mbartëse e proceseve politike u bë PDSH-ja. Me shpërthimin e luftës së 2001-shit, edhe roli dhe ndikimi i këtij subjekti u relativizua. Pas 2001-shit, mbartëse e proceseve politikenë hapësirën politike shqiptare u bë BDI-ja. Duke qenë parti e dalë nga lufta dhe duke qenë një kohë të gjatë në qeveri, BDI-ja arriti një shtrire të gjerë në popull. Që të tri partitë e sipërthëna kanë pasur elemente të lëvizjeve popullore. Sipas strategjisë sllavo-maqedonase, sapo forcohej njëra, duhej të lindte tjetra. Ose, sapo kanosej me radikalizim njëra, duhej të krijohej tjetra. Me startegjinë e dobësimit të faktorit politik shqiptar, VMRO-ja synon të kryejë dekapitacionin e politikës shqiptare, në mënyrë që hapësira politike shqiptare të mbetet pa promotor dhe pa mbartës të proceseve politike.
Për ta relativizuar peshën e faktorit politik shqiptar, pala sllavo-maqedonase zbaton strategjinë e mëposhtme:
- të refuzohet çdo kërkesë politikee partisë shqiptare që është pjesë e qeverisjes;
- të drejtat e shqiptarëve të maten në shtratin e Prokrustit;
- kohë pas kohe, të pranohet vetëm ndonjë kërkesë jopolitike e partisë shqiptare në pushtet;
- të mundësohet dhe të lejohet korruptimii funksionarëve shqiptarë që janë në organet ekzekutive dhe në ato ligjvënëse të shtetit;
- funksionarët shqiptarë që janë në organin ekzekutiv dhe ligjvënës, të vihen nën hipotekën e organeve të caktuara të shtetit;
- pasi të jenë korruptuar funksionarët, partia politike shqiptare të instrumentalizohet nga shteti për interesa të tij;
- korruptimi i funksionarëve shqiptarë të mbahet sekret, për t’u bërë publike kur të jetë e nevojshme;
- ndaj spektrit politik shqiptar të ndiqet politika divide et impera;
- elementi përçarës në hapësirën politike shqiptare të mbështetet, të mbrohet, të ledhatohet dhe të tolerohet në të gjitha mënyrat.
BDI-ja është parti politike me rol, ndikim dhe shtrirje të gjerë. Si e tillë, ajo është mbartëse e proceseve politike në hapësirën politike shqiptare. Nëpërmjet strategjisë së sipërthënë, VMRO-ja synon që këtë parti të madhe ta privojë nga roli i promotorit të proceseve politike në hapësirën politike shqiptare. Duhet thënë se strategjia defaktorizuese e VMRO-së nuk arriti ta ulë rejtingun e BDI-së. Që nga themelimi i saj e deri më sot, ky subjekt politik kryesisht e ka ruajtur shtrirjen dhe ndikimin e vet në elektorat. Kështu sepse kemi të bëjmë me një elektorat social, që rëndom anon nga partia në pushtet.
Duke e marrë partinë humbëse në qeveri, VMRO-ja ka për qëllim ta defaktorizojë BDI-në dhe ta margjinalizojë rolin e saj në proceset politike.
Po qe se Gruevski e merr në qeveri partinë shqiptare humbëse, atëherë mund të ndodhë që:
- të pranohet ndonjë kërkesë jopolitike e partisë shqiptare humbëse, sidomos ndonjë që ka të bëjë me ekonominë dhe me infrastrukturën;
- të zgjidhet kontesti rreth emrit me Greqinë dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s.
Si rezultat i këtij skenari të paramenduar, roli dhe ndikimi i PDSH-së humbëse do të duhej të rritej, ndërsa roli dhe ndikimi i BDI-së në elektoratin shqiptar, mbase do të relativizohej. Me një ndikim të reduktuar, BDI-ja nuk do të ishte më mbartëse e pakontestueshme e proceseve politike në hapësirën politike shqiptare.
Me këtë strategji të VMRO-së, çështja shqiptare do të mbahej nën kontroll, ndërsa kërkesat politike të shqiptarëve do të mbeteshin jashtë agjendës së qeverisë. Çështja shqiptare do të shndërrohej në problem infrastrukturor, si: ndërtimi i ndonjë ujësjellësi apo i ndonjë salle fizkulture, shtruarja me bekaton e ndonjë rruge fshati etj. Shqiptarët do të mbeteshin pa e zgjidhur çështjen e statusit politik dhe juridik. Pra nuk do t’ia dilnin të bëhen popull shtetformues. Hapësira politike shqiptare, për një kohë të caktuar, do të mbetej pa mbartës të proceseve politike.
Mirëpo Gruevski duhet ta ketë parasysh faktin se anashkalimi i partisë shqiptare e cila e ka fituar shumicën e votave të votuesve shqiptarë, nuk do të kalonte pa pasoja në planin politik dhe ndëertnik.
Me strategjinë e sipërthënë, faktori politik sllavo-maqedonas synonte të parandalojë forcimin e partive politike shqiptare që ishin në pushtet. Përkundër kësaj strategjie, BDI-ja ia dilte të shtrijë ndikimin e vet në elektoratin shqiptar. Një parti politike shqiptare, sapo e rrit rolin dhe ndikimin e vet në popull, faktori politik sllavo-maqedonas, në përputhje me strategjinë e dobësimit ndërmerr masa për defaktorizimin e saj.
Faktori politik shqiptar gjithmonë ka qenë në pozitë të rëndë. Në njërën anë, kërkesat politike të tij, pala sllavo-maqedonase, sidomos VMRO-ja e Gruevskit, i ka refuzuar, ndërsa në anën tjetër, ka pasur përgjegjësinë historike të mbrojë interesin shqiptar. Kur faktori politik shqiptar nuk ia del të mbrojë interesin kombëtar, ai nuk ka rrugë tjetër përpos të radikalizohet. Radikalizimi, i imponohet atij. Është më se e qartë, kërkesat e shqiptarëve nuk janë radikale, por reale. Për faktorin politik shqiptar, “radikalizimi” paraqitet si imperativ. Po qe se në mandatin vijues, partia politike shqiptare që ka qenë e shpërfillur gjatë bashkëqeverisjes, nuk “radikalizohet”, atëherë ajo mund ta pësojë fatin e PPD-së dhe të dalë nga skena politike. Ka analistë sllavo-maqedonas të cilët “radikalizmin” e partisë shqiptare më të madhe e cilësojnë si destruksion politik dhe si mungesë e lojalitetit ndaj shtetit.
Ka opinione sipas të cilave qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana e Prishtina dhe qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni e Brukseli nuk parapëlqejnë një faktor politik shqiptar të fuqishëm në Maqedoni. Për se?! Për arsye se një faktor politik shqiptar i fuqishëm, nuk mund të kontrollohet lehtë dhe mund të kanoset me radikalizim , gjë që do të gjeneronte krizë dhe destabilizim, si në Maqedoni ashtu edhe në rajon. Opinionet e këtilla janë të diskutueshme.
Duhet shtuar se ndërkombëtarët nuk parapëlqejnë që në skenën politike të mbizotërojë vetëm një parti. Sipas tyre, kjo shkon në dëm të proceseve demokratike. Me një fjalë, ndërkombëtarët parapëlqejnë baraspeshë forcash politike.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të dijë: nuk mund të jesh vite me radhë në qeveri, të mos i zgjidhësh si duhet kërkesat politike të shqiptarëve, të pasurohesh brenda nate pa merita dhe në kurriz të popullit, të instrumentalizohesh nga pala sllavo-maqedonase dhe në fund të radikalizohesh. Radikalizimi i vonuar nuk çon shumë peshë, po qe se nuk ke qenë në krye të detyrës gjatë mandatit të qeverisjes. Faktori politik shqiptar do të duhej “të radikalizohej” qysh në vitin 2006, përkatësisht 2008. Partia politike shqiptare e fillon veprimin politik me ideologji kombëtare. Hyn në qeveri pa marrëveshje politike konkrete me palën sllavo-maqedonase dhe gjatë bashkëqeverisjes shndërrohet në parti të moderuar. Një kthesë e tillë, nuk është veçse salto mortale politike. Në vitin 2006 PDSH-ja hyri në qeveri si humbëse, ndërsa në vitin 2008, BDI-ja u bë pjesë e bashkëqeverisjes, pa ndonjë marrëveshje politike konkrete. Vonimi i proceseve politike është pasojë e këtyre veprimeve groteske.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është punë fushate zgjedhore. Kauza shqiptare është çështje e një marrëveshjeje historike, politike dhe parimore midis dy popujve: shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Ndryshe, Maqedonia dhe rajoni nuk kanë për të qenë stabile. Veprimet jopolitike dhe apolitike të faktorit politik shqiptar janë në funksion të drejtpërdrejtë të strategjisë sllavo-maqedonase, për ta privuar atë nga roli i mbartësit të proceseve politike.
Partia politike shqiptare që është në qeveri, kur has në qëndrimin refuzues të partnerit të koalicionit, ndërmerr veprime politike private. Nuk duhet harruar se veprimet politike private nuk mund ta kenë vlerën dhe rëndësinë e politikës zyrtare. Partia shqiptare në pushtet, e ballafaquar me rezistencën e partnerit të koalicionit, e konsideron sukses edhe politikën e vet defensive. Një politikë e tillë - defensive nuk është veçse një arritje e pjesshme. Gjatë fushatës parazgjedhore VMRO-ja i numëron investimet kapitale në Shkup dhe në pjesën lindore të Maqedonisë, ndërsa në viset shqiptare nuk është bërë asnjë investim i madh.
Pala sllavo-maqedonase, ndaj faktorit politik shqiptar zbaton luftë speciale. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë të jenë pre e një lufte të tillë.
Gruevski duhet ta dijë se me kokën prapa, nuk shkohet para.