SHKENCE / Fuqia e frikës
Frika është emocioni më i pakontrollueshëm, e megjithatë ka qenë forca shtytëse e qytetërimeve dhe e progresit. Por nga çfarë kishin frikë t...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/shkence-fuqia-e-frikes.html
Frika është emocioni më i pakontrollueshëm, e megjithatë ka qenë forca shtytëse e qytetërimeve dhe e progresit. Por nga çfarë kishin frikë të lashtët? Dhe si i dëbonin fantazmat e tyre?
Eshtë një ndjenjë në dukje irracionale. E megjithatë, ajo vë në lëvizje historinë. Atë të djeshmen, kur njeriut i pllakosnin furtuna dhe sëmundje, ashtu si atë të sotmen, një epokë që sipas shumëkujt është e obsesionuar nga nevoja për siguri dhe e dominuar nga “kultura e frikës”. E njëjta frikë që ka influencuar zgjedhjet individuale të njerëzve të zakonshëm dhe vendimet thelbësorë të sovranëve dhe qeverive. Po si ka ndryshuar nëpër mijëvjeçarë dhe si ka ndikuar në çështjet njerëzore? Një shpjegim e jep Lars Svendsen, filozof norvegjez që në librin e tij “Filozofia e frikës” prek pikërisht këto tema.
Cila është lidhja mes frikës dhe historisë?
Frika është në themel të shumë prej asaj që ne e përcaktojmë si njerëzore: shtëpi dhe qytete të lindur për qëllime mbrojtës, ushtri të tëra, ligje dhe besime fetarë. Sipas Giambattista Vico (1668-1744) të gjithë qytetërimet kanë lindur prej frikës. Për të, në origjinë të gjithçkaje ishte frika prej rrufesë. Një terror atavik që bashkonte të gjithë popujt primitivë dhe qytetërimet arkaikë dhe që sipas Vicos ishte në bazë të lindjes së ndjenjës së kolektivitetit. Për anglezin Thomas Hobbes (1588-1679) ka qenë në fakt mosbesimi mes individëve që bëri të domosdoshme hierarkitë sociale dhe rregullat e bashkëjetesës, thënë ndryshe, një Shtet.
E megjithatë frika ka një rrënjë biologjike dhe potencialisht pozitive…
Origjina e frikës është sigurisht biologjike. E kanë demonstruar shkencëtarët. Në natyrë frika mbron nga rreziqet (kafshë të egra, fenomene atmosferikë) dhe në rastin e qenies njerëzore mund të reduktojë risqet për të cilët fillesë jemi ne vetë, me një sjellje të nxituar. Fuqitë simbolike tipike të species njerëzore, megjithatë i kanë amplifikuar efektet e frikës, duke shumëfishuar vetë frikërat me kalimin e shekujve. Dhe së fundi ka një lidhje të vërtetuar mes frikës dhe agresivitetit, që në çështjet njerëzore shpesh herë është transformuar në luftë.
Në bazë të të gjithë frikërave është ajo nga vdekja?
Në realitet, jo gjithmonë frika nga vdekja ka qenë dominuese. Pas vitit 1789, me Revolucionin Francez njerëzit nuk frikësoheshin aq shumë për humbjen e jetës, se sa heqjes dorë nga vlerat tradicionale dhe mirëqenia që këto sillnin për disa shtresa shoqërore: kishin frikë, ashtu si shumë prej nesh sot, nga moderniteti dhe nga e ardhmja.
Për këtë arsye ka nga ata që thonë se frika është në themel të lindjes së besimeve fetarë?
Nuk mund të jetë rastësi që është ndjenja e parë që përmendet në Bibël: kur Adami zbulon se është lakuriq pasi ka ngrënë nga pema e dijes, frika vjen përpara turpit. Historiani francez, Jean Delumeau ka shpjeguar se si në kulturën mesjetare europiane dhe deri në vitet gjashtëqind, frika nga një ndëshkim hyjnor ka patur edhe një lloj funksioni për kontrollin social. Dhe për të lashtët respektimi i pakteve me perënditë, të sanksioniar dhe rinovuar me anë të flijimeve dhe riteve shërbente pikërisht për të siguruar mbrojtjen përballë fenomeneve natyrorë të pashpjegueshëm si eklipset, tërmetet apo zitë e bukës.
Pra, a ekzistojnë frikërat periodike?
Çdo epokë ka patur frikërat e saj, por ka elementë që përsëriten. Aristoteli thoshte: “frika është pritshmëria për të keqen. Të gjithë kemi frikë nga të këqiat si uria, varfërisa, sëmundja, mungesa e miqve, vdekja”. Sigurisht, sot nuk janë prapë të shumtë ata që ndihen të kërcënuar nga mallkimi i përjetshëm, por janë të shumtë dhe në rritje ata që kanë frikë nga sëmundje si kanceri apo SIDA, ekuivalentë modernë të murtajës apo sifilizit. Të përsëritura janë edhe frikërat apokaliptike. Nëse në mesjetë kishte lëvizje në masë që paralajmëronin fundin e botës, statistikat e viteve tetëdhjetë demonstrojnë se lufta bërthamore perceptohej si një mundësi reale.
Të gjithë këto frikëra janë manipuluar shpesh prej pushtetit…
Ato kolektive, të paktën që kur ekziston politika, janë përdorur gjithmonë. Shpesh herë për të çimentuar identitete kombëtarë dhe kanalizuar energjitë drejt një armiku të përbashkët. Por edhe për të vendosur autoritetin nëpërmjet terrorit. Për Makiavelin, një princ duhej që të duhej, por ishte më e rëndësishme që t’ia kishin frikën. Dhe për Hobbes shteti duhej të themelohej mbi frikën e vdekjes dhe ndëshkimit. Terrori mund të përdoret për të ruajtur rendin shoqëror, si ka ndodhur në regjimet totalitarë. Dhe frika ka shërbyer për të motivuar sulmin si një akt mbrojtjeje: është ky shpjegimi që historiografi grek Tucididi jepte për agresionin e Spartës në vitin 431, kundër athinasve që tashmë ishin duke u bërë shumë të fuqishëm: ishte një sulm që ndezi luftën 30-vjeçare të Peloponezit./bota.al