PRAG ZGJEDHJET / Kush do ta udhëheqë Europën?

Laurence Peter Muajt e ardhshëm do të shohin ndryshime të mëdha lidershipi në BE. Fytyrat më të famshme të bllokut – Presidenti i Komisionit...

Laurence Peter

Muajt e ardhshëm do të shohin ndryshime të mëdha lidershipi në BE. Fytyrat më të famshme të bllokut – Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy dhe kreu i politikës së jashtme, Catherine Ashton – po e përfundojnë të gjithë mandatin 5-vjeçar, ndonëse nuk është e qartë se kush do i zëvendësojë.
Nga të tre postet, më i pushtetshmi është ai i presidentit të Komisionit, që drejton burokracinë e Brukselit, ku hartohen ligjet dhe nxitet pajtueshmëria me traktatet e BE-së.
A do të zgjidhen udhëheqësit e rinj?
Jo. Ndonëse zgjedhjet do të zhvillohen në maj për Parlamentin Europian, asnjëri prej këtyre posteve nuk zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë popullor. Megjithatë, zgjedhjet mund të kenë një ndikim. Për herë të parë, 28 kryeministrat dhe presidentët e shteteve anëtarë – Këshilli Europian – do të duhet “të marrin parasysh” rezultatin e zgjedhjeve, kur të zgjedhin se kë duan të jetë president i Komisionit. Një gjë e tillë është e shkruar në Traktatin e Lisbonës.
Dhe për herë të parë, Parlamenti Europian do të votojë për kandidaturën e udhëheqësve. Kështu që, zgjedhja e tyre e parë mund të refuzohet prej eurodeputetëve. Deputetët e rinj të parlamentit europian do të mbajnë votimin e tyre në mesin e muajit korrik.
Pasi të marrë detyrën, presidenti i Komisionit do të duhet të përzgjedhë ekipin e komisionerëve. Në të kaluarën, Komisioni ka reflektuar gjerësisht ekuilibrat postzgjedhorë në BE. Në vitin 2009 ishin në pushtet shumë qeveri të djathta – dhe 13 nga 28 komisionerët aktualë janë gjithashtu të djathtë.
Presidenti i Këshillit Europian dhe kreu i çështjeve të jashtme do të vendosen prej Këshillit Europian.
Kush kandidon?
Grupet më të mëdhenj politikë në Europë kanë emëruar kandidatët e tyre për president komisioni. Të tre kandidatët, që bëjnë fushatë për qendrën e djathtë, qendrën e majtë dhe liberalët janë të gjithë veteranë të politikës së BE dhe të gjithë “federalistë”, në kuptimin që duan një BE me një integrim më të fortë dhe më shumë kompetenca.
Partia Popullore Europiane, një grup partish të djathta, ka kandiduar Jean-Claude Junckerin, ish kreu i ministrave të financave të eurozonës dhe ish kryeministër i Luksemburgut.
Socialistët dhe social demokratët e qendrës së majtë kanë Martin Schulzin, një deputet gjerman që është gjithashtu kryetar i parlamentit europian.
Blloku liberal ALDE ka zgjedhur Guy Verhofstadtin, deputet dhe ish kryeministër i Belgjikës. Ata po zhvillojnë shumë debate televizivë, nga të cilët ai i 15 majit pritet të jetë ngjarja më e madhe, organizuar nga European Broadcasting Union.
Të Gjelbërit kanë dy kandidatë kryesorë – kampionin e fermerëve francezë, Jose Bove dhe Ska Fellerin nga Gjermania. Kreu i opozitës së fortë të krahut të majtë në Greqi, bllokut Syriza, Alexis Tsipras është kandidat i Të Majtës Europiane.
Megjithatë, fusha është ende e hapur. Në 2009-ën, shumë pak vetë prisnin që Van Rompuy dhe Baronesha Ashton të merrnin poste kaq të lartë në BE. Qarkullojnë spekulime që, nëse Junckeri nuk bëhet president i Komisionit, ai mund të zëvendësojë Van Rompuyn si president i Këshillit Europian.
A do të jetë garë e fortë?
Ekziston mundësia që, sidomos nëse zgjedhjet prodhojnë një rezultat të ngushtë, blloqet më të mëdhenj të luftojnë fort në mbështetje të identitetit të kandidatëve të tyre. Një sondazh i kohëve të fundit tregon që rezultati do jetë i ngushtë. Kështu që, gjetja e një kompromisi mund të kërkojë kohë.
Disa komentatorë hedhin dyshime për faktin që Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, që është e qendrës së djathtë, do të pranonte Schulzin si president Komisioni. Kryeministri i Britanisë së madhe, David Cameron mund të kundërshtojë gjithashtu Schulzin. Në këtë rast, një ngushëllim për të do të ishte pozicioni që aktualisht mbahet nga Baronesha Ashton.
Por Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski – i njohur për ndërmjetësimin në emër të BE në krizën e Ukrainës – shihet si një konkurrent i fortë për këtë pozicion. Komentatorët kanë folur për kandidatë të ndryshëm që mund të shfaqen në fund për drejtimin e komisionit, si kryeministrja daneze Hele Thorning-Schmidt, homologu i saj irlandez Enda Kenny, apo ish kryeministri italian, Mario Monti, një veteran i Brukselit.
Pritet që euroskeptikët të rrisin numrat e tyre në Parlamentin Europian dhe mund të vështirësojnë arritjen e një konsensusi për emërimet e komisionerëve. Në BE mund të ketë shumë grindje për zgjedhjet që do bëhen, teksa shumë votues vazhdojnë të ndihen të largët prej politikës së BE dhe nuk munden të emërojnë udhëheqësit që kanë aq shumë pushtet në Bruksel.
Kur do të dimë kush fitoi?
Në shtator, çdo komisioner i ri do të merret në pyetje nga eurodeputetët – në të kaluarën ata kanë refuzuar disa kandidatë. Qeveritë e secilit vend paraqesin nga një kandidat për komisioner. Ka gjithmonë rivalitet të fortë për portofolet kryesorë, si tregu i brendshëm, ekonomia, tregtia, drejtësia dhe punët e brendshme. Ekipi i ri mendohet të hyjë në zyra në nëntor.
Në fund të nëntoroit, Këshili Europian do të zgjedhë pasardhësin e presidentit Van Rompuy, si dhe kreune  ri të politikës së jashtme (zyrtarisht quhet Përfaqësues i lartë), për të zëvendësuar Baroneshën Ashton.
BBC/bota.al

Related

Shtypi i huaj 4646005727067468160

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item