Teoria e Lojës, ose shkenca e dilemave
Teoria e Lojës shpjegon vendim-marrjen ndëraktive, ku rezultati i çdo pjesëmarrësi apo “lojtari” varet nga veprimet e të gjithëve. Ne...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/teoria-e-lojes-ose-shkenca-e-dilemave.html
Teoria e Lojës shpjegon vendim-marrjen ndëraktive, ku rezultati i çdo pjesëmarrësi apo “lojtari” varet nga veprimet e të gjithëve. Nëse je lojtar në një lojë të tillë, kur zgjedh rrugën tënde të veprimit, apo “strategjinë”, duhet të mbash parasysh zgjedhjet e të tjerëve. Por, kur mendon për zgjedhjet e tyre, duhet të kesh parasysh se edhe ata po mendojnë për të tuat, dhe kështu që ti konsideron mendimin tënd për atë që ata mendojnë, e kështu me radhë. Duket sikur të mendosh për të menduarit është diçka kaq e ndërlikuar dhe e mprehtë, saqë praktikimi i suksesshëm tingëllon si një art misterioz dhe i errët. Në të vërtetë, parë nga disa këndvështrime, momente të tillë si përshembull gjetja e motiveve të vërtetë të rivalëve dhe pranimi i modeleve kompleksë, shpesh herë i rezistojnë analizës logjike. Por shumë aspekte të strategjisë mund të studiohen dhe sistemohen në një shkencë – që është “teoria e lojës”.
LINDJA E NJË TEORIE
Kjo shkencë është e pazakontë kur flitet për gjerësinë e zbatimeve të saj të mundshme. Ndryshe nga fizika apo kimia, të cilat kanë një fushë veprimi të mirëpërcaktuar dhe të ngushtë, normat e teorisë së lojës janë të vlefshme në një sërë veprimtarish, që nga ndërveprimet e përditshme të jetës sociale dhe sporti, e deri tek biznesi dhe ekonomia, politika, ligji, diplomacia dhe lufta. Biologët kanë pranuar se beteja darviniane për mbijetesë përfshin ndërveprime strategjike, dhe teoria evolucionare moderne ka lidhje të ngushtë me teorinë e lojës.
Teoria e Lojës e pati fillesën e vet me veprën e Xhon fon Nojmanit në vitet 1920, që e pati kulmin në librin e tij të përbashkët me Oskar Morgenshternin.
Ata studiuan lojërat “me shumën zero”, ku interesat e dy lojtarëve ishin saktësisht të kundërvëna. Xhon Nesh trajtoi rastin më të përgjithshëm dhe realist të një përzierjeje interesash të përbashkët dhe rivalitetesh, si dhe çdo numër lojtarësh. Teoricienë të tjerë, ndër më të spikaturit Rainhard Selten dhe Xhon Harsanji të cilët ndanë me Neshin Cmimin Nobel në vitin 1994, studiuan lojëra edhe më komplekse me sekuenca lëvizjesh, si dhe lojëra ku një lojtar ka më shumë informacion se të tjerët.
EKUILIBRI I NESHIT
Teoria ndërton një nocion “ekuilibri”, në të cilin puqet një zinxhir kompleks mendimi, “për të menduarit”. Më pas, strategjitë e të gjithë lojtarëve do të kishin një lidhje logjike reciproke, në kuptimin që secili do të zgjidhte përgjigjen e vet më të mirë ndaj zgjedhjeve të të tjerëve. Që një teori e tillë të jetë e suksesshme, duhet të ekzistojë ekuilibri që parashtron. Nesh përdori teknika të reja matematikore për të vërttuar ekzistencën e ekuilibrit në një klasë shumë të përgjithshme lojërash. Kjo u hapi rrugën zbatimeve. Biologët kanë përdorur madje ekuilibrin e Neshit për të formuluar idenë e qëndrueshmërisë evolucionare. Ja disa shembuj për të përcuar disa ide të teorisë së lojës si dhe shtrirjes së fushëveprimit të saj.
DILEMA E TË BURGOSURIT
Në romanin e Zhozef Helerit, “Catch-22″ fitorja e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore është tashmë një konkluzion i qartë dhe Josariani nuk dëshiron të jetë mes të fundmëve që do të vdesin. Komandanti i tij i drejtohet: “Por, pa mendo pak sikur të gjithë në anën tonë të mendonin njësoj si ti?” Josariani përgjigjet: “Atëherë, unë do të isha idiot nëse do të mendoja ndryshe, apo jo?”
Çdo lexues i rregullt ka dëgjuar për dilemën e të burgosurit. Policia merr në pyetje dy të dyshuar veç e veç, dhe i propozon secilit që ai ose ajo duhet të spiunojë për tjetrin dhe të ofrojë prova për shtetin. “Nëse tjetri nuk spiunon, atëherë mund të arrish një marrëveshje shumë të mirë për veten tënde, duke ofruar prova kundër tjetrit; nëse tjetri spiunon dhe ti vazhdon të rezistosh, në gjykatë do të të trajtojnë shumë ashpërsisht.
Kështu që, nuk ka rëndësi se çfarë bën tjetri, për ty është më mirë të spiunosh se sa të mos spiunosh – spiunimi është strategjia jote më e mirë”. Kjo ndodh si kur të dy janë realisht fajtorë, si për shembull në serialin NYPD Blue, ashtu edhe kur janë të pafajshëm, si në filmin LA Confidential. Sigurisht, kur të dy spiunojnë, të dy përfundojnë më keq nga sa do të ishin sikur të dy të kishin rezistuar; por ai rezultat, ndonëse i dëshirueshëm për të dy ata, shembet përpara tundimit të të dyve për të spiunuar.
Dilema Josariane është vetëm një version i kësaj, por me shumë persona.
Vdekja e tij nuk do të bëjë ndonjë dallim të dukshëm sa i përket fitores, dhe ai personalisht është më mirë të jetojë se të vdesë. Kështu që, shmangia e vdekjes është strategjia e tij dominuese. Xhon Nesh luajti një rol të rëndësishëm në interpretimin e studimit të parë eksperimental të dilemës së të burgosurit, që u krye në Korporatën Rend në vitin 1950.
DILEMA TË BOTËS REALE
Sapo njeh idenë e përgjithshme, nis e sheh dilema të tilla kudo. Dyqane konkurues që ulin çmimet në dëm të tjetrit, kur të dy do të kishin patur shumë më tepër dobi nëse do ‘i kishin mbajtur të dy çmimet të lartë janë viktima të dilemës. (Por në këtë rast, konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të ulët kur shitësit “ia hedhin” njëri-tjetrit). I njëjti koncept shpjegon përse është e vështirë të mbledhësh kontribute vullnetare, apo të bësh njerëzit të dalin vullnetarë për një kohë të mjaftueshme, për kauza të vlefshme publike.
Si mund të zgjidhen dilema të tilla? Nëse marrëdhënia e lojtarëve përsëritet në një kohë të gjatë, atëherë perspektiva e një bashkëpunimi të mundshëm në të ardhmen nuk do t’i lejojë ata “t’ia hedhin” njëri-tjetrit; kjo është strategjia e mirënjohur tit-for-tat (me të njëjtën monedhë). Një lojtar “i madh” që e vuan më shumë kur tjetri ia hedh mund të veprojë në mënyrë bashkëpunuese edhe kur të vegjlit përpiqen t’ia hedhin. Kështu, Arabia Saudite vepron si një valvul në OPEC, duke ulur prodhimin për të mbajtur lartë çmimet në rastet kur të tjerët prodhojnë më shumë; dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një barrë të barabartë kostosh për aleancat e veta ushtarake. Më së fundi, nëse grupi në tërësi do të bënte më mirë në marrëdhëniet e jashtme kur gëzon bashkëpunim të brendshëm, atëherë procesi i përzgjedhjes biologjike apo sociale mund të gjenerojë instikte apo norma sociale që mbështesin bashkëpunimin dhe ndëshkojnë hilenë. Sensi i lindur i drejtësisë dhe sinqeritetit që vihet re mes qenieve njerëzore në shumë eksperimente laboratorikë mbi teorinë e lojës, mund të ketë një origjinë të tillë.
LËVIZJE NGATËRRUESE
Në futbollin amerikan, kur një ekip në sulm has në një lojtar të tretë me vetëm një jardë larg, atëherë lëvizja më e mundshme apo me përqindje më të lartë është zhvendosja në qendër. Po kështu, një lojtar që gjuan penalltinë në futboll që godet gjithmonë në të djathtë të portierit, apo një shërbyes në tenis që godet gjithmonë pranë parakrahut të tenistit pritës, me shumë gjasa do të dalë dobët pasi kundërshtari do të parashikojë dhe reagojë. Në situata të tilla, është mirë të ngatërrohen vazhdimisht lëvizjet që bën, me qëllim që në çdo rast veprimi yt të jetë i paparashikueshëm.
Ngatërrimi është më i rëndësishëm në lojëra ku interesat elojtarëve janë të kundërvëna në mënyrë strikte, dhe kjo ndodh shumë shpesh në sporte. Në të vërtetë, studime empirikë të kohëve të fundit në finalet e tenisit si dhe penalltitë në ligat evropiane të futbollit kanë parë që sjellja e lojtarëve është konsistente me teorinë.
ANGAZHIMET
Zakonisht, një liri më e madhe veprimi është e dëshirueshme. Por në lojrat e ujdive kjo nuk është e thënë të jetë e vërtetë, për arsye se liria për të vepruar thjeshtë mund të shndërrohet në liri për të bërë lëshime para kërkesave të tjetrit. Të angazhohesh për një ofertë përfundimtare të palëkundur, kjo e lë palën tjetër me shansin e fundit për të shmangur një dështim që do të ishte fatkeq për të dy palët, dhe kjo mund të bëjë që ti të arrish një ujdi më të mirë.
Por thjeshtë një deklaratë palëkundshmërie mund të mos jetë e besueshme. Sajimi i veprimeve që bëjnë të besueshëm angazhimet e një lojtari është një prej arteve më të bukur në sferën e lojërave strategjike. Pjesëtarë të një sindikate dërgojnë liderët e tyre në bisedime për të mbërritur në marrëveshje për pagat me udhëzime të saktë, apo me mandate që u lidhin duart këtyre, gjë që bën të besueshëm deklarimin se ata nuk do të pranojnë asnjë ofertë më të ulët. Ekzekutivi i qeverisë amerikane, i angazhuar në negociata ndërkombëtare apo çështje të interesave të veçantë mund të marrë një pozicion të palëkundur e të besueshëm duke theksuar se Kongresi nuk do të ratifikojë asgjë më pak. Dhe një fëmijë ka më shumë gjasa të marrë karamelen apo lodrën që dëshiron nëse qan me sa ka në kokë, duke mos patur mundësi të dëgjojë shpjegimet e arsyetuara të prindit, se përse nuk duhet ta ketë.
Tomas Sheling ishte i pari që u mor me studimet e angazhimeve të besueshëm si dhe “lëvizjet strategjike”, si kërcënimet dhe premtimet. Këto kanë gjetur shumë zbatime në diplomaci dhe në luftë, të cilat, siç ka thënë strategu Karl fon Klausevic shumë kohë më parë, janë dy anë të së njëjtës medalje.
INFORMACION DHE STIMUJ
Supozoni që sapo jeni diplomuar në shkenca kompjuterike dhe keni një ide për një program totalisht të ri që do të integronte në një kompjuterat, celularët dhe televizorin për të krijuar një medium të ri. Potenciali i fitimit është shumë i madh. Shkoni tek kapitalistë të njohur për të financuar apo zhvilluar idenë tuaj.
Nga ta dinë ata që potenciali është aq i madh sa pretendoni ju? Ideja është shumë e re për ta, që të kenë mundësi ta gjykojnë në mënyrë të pavarur.
Ju nuk keni asnjë të kaluar të spikatur, dhe mund të jeni një sharlatan që do të përdorni paratë për të jetuar me standart të lartë për pak vite dhe më pas të zhdukeni. Një mënyrë që ata të testojnë se sa shumë ju vetë besoni në idenë tuaj është të shohin se sa nga paratë tuaja jeni të gatshëm të riskoni për këtë projekt të ri. Çdokush do të thoshte: “Nëse je i gatshëm të hedhësh para nga të tuat, atëherë ky është një sinjal i vlerësimit që ti vetë i bën idesë tënde”.
Kjo është një lojë ku lojtarët kanë informacione të ndryshme; ju e dini potencialin e vërtetë të idesë tuaj shumë më mirë nga sa e dinë financuesit tuaj të ardhshëm. Në lojëra të tilla, veprime që zbulojnë apo fshehin informacionin luajnë rol kritik.
Sfera e “ekonomisë së informacionit” ka qartësuar shumë tipare më parë të turbullt të drejtimit të korporatave dhe organizatave industriale, dhe ka rezultuar njësoj e dobishme në shkencat politike, studime e madje edhe në biologji. Dhënia e Çmimit Nobel 2001, pionerëve të saj Xhorxh Akerlof, Majkëll Spens dhe Zhozef Stiglic dëshmon për rëndësinë e saj. Ajo çfarë i ka mundësuar ekonomisë së informacionit të bulëzojë në dekadat e fundit është zhvillimi paralel i koncepteve dhe teknikave në teorinë e lojës.
RADHITJA E INTERESAVE, SHMANGIA E ENRONËVE
Një zbatim në ekonomi-biznes është hartimi i skemave të stimujve. Korporatat moderne zotërohen nga shumë aksionerë të cilët nuk mbikëqyrin personalisht veprimtarinë e kompanive. Si mund të sigurohen ata që punëtorët dhe menaxherët do të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të maksimiuar vlerën e aksioneve? Mund të punësojnë supervizorë që të mbikëqyrin punëtorët, si dhe menaxherë për të mbikëqyrur supervizorët.
Por gjithë ky monitorim është jo i përsosur: koha në punë mund të monitorohet lehtësisht, por cilësia është shumë e vështirë të vëzhgohet dhe gjykohet. Dhe mbetet problemi se kush do të mbikëqyrë drejtuesit e lartë. Prandaj ka rëndësi krijimi i skemave të kompensimit që vënë në një vijë interesat e punëtorëve e menaxherëve me ato të aksionerëve.
Teoria e lojës dhe ekonomia e informacionit na kanë ofruar ide të vleshme për këtë problem. Sigurisht, ne nuk kemi zgjidhje të përsosura; për shembull, ne sapo jemi duke zbuluar se si drejtuesit e lartë mund të manipulojnë dhe shtrembërojnë matjet e performancës për të rritur vlerën e trye të kompensimit ndërkohë që dëmtojnë aksionerët dhe punëtorët. Kjo është një lojë ku aksionerë dhe qeveria duhet të gjejnë dhe përdorin kundërstrategji më të mira.
NGA INTUITA TEK PARASHIKIMI
Ndërkohë që lexonit këta shembuj, ndoshta menduat se shumë prej mësimeve të teorisë së lojës janë të qartë dhe evidentë në jetën e përditshme. Nëse keni patur përvojë të mëhershme në lojëra të tilla, ndoshta keni zgjedhur me intuitë strategji të mira për to. Ajo çfarë bën teoria e lojës, është unifikimi dhe sistematizimi i intuitave të tilla. Më pas, parimet e përgjithshme i vendosin ato në situata të ndryshme, dhe kështu thjeshtësohet përllogaritja e strategjive të mira për lojëra të reja. Nuk është gjë e keqe që një ide të tingëllojë evidente kur ajo formulohet dhe shpjegohet në mënyrën e duhur; përkundrazi, një shkencë apo teori që merr ide të thjeshta dhe nxjerr prej tyre maksimumin, është e vlefshme pikërisht prej kësaj./bota.al