Shuhet Marquezi magjik

Në dhjetë vitet e fundit, Gabriel Garcia Marquez nuk ka bërë jetën e një përtaci përkundër lëngimit nga kanceri derisa dje u dha lajmi i nda...

Në dhjetë vitet e fundit, Gabriel Garcia Marquez nuk ka bërë jetën e një përtaci përkundër lëngimit nga kanceri derisa dje u dha lajmi i ndarjes nga jeta. Ishte kjo sëmundje, që e nxiti nobelistin të hidhte në letër kujtimet e një jete të magjishme. “Pakësova në maksimum marrëdhëniet me miqtë, stakova telefonin, anulova të gjitha udhëtimet dhe çdo lloj plani tjetër që kisha menduar për të ardhmen. U mbylla brenda, për të shkruar përditë, pa ndërprerje…”
Ai është konsideruar gjithmonë si një prej shkrimtarëve më të disiplinuar. E thërrisnin “Gabo”, i cili ngrihej qysh herët në mëngjes, për t’u ulur përpara “Macintosh”-it të tij besnik, me kokën mbushur plot fjalë magjike, nga ato që kanë karakterizuar Amerikën Latine, gati për t’i hedhur në tastierë. Ajo pjesë e Gabriel Garcia Marquezit nuk ka ndryshuar kurrë. Por më pas, në 1999 shkrimtari nga Kolumbia, laureat i Çmimit “Nobel” në vitin 1982 dhe një prej autorëve më të famshëm të Amerikës Latine mësoi se ishte i sëmurë me Kancer limfatik. Në mënyrë të menjëhershme, “Gabo” vendosi të “mbyllej brenda” katër mureve të shtëpisë së tij, për të shkruar me një zell të jashtëzakonshëm, i paparë ndoshta që nga koha kur ai shkruante kryeveprën e tij, “100 vjet vetmi” në vitin 1967. “Shoku” i vetëm i tij ishte paketa me cigare, që ia sillte vazhdimisht e shoqja, Mercedes.
“Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që të kujtohet dhe si e kujton atë për të rrëfyer për të”, – shkruan nobelisti, i cili vëllimin e parë e nis për fëmijërinë dhe vitet e rinisë, përfundon në vitin 1955, kur gazeta “El Espectador” e dërgon Gabriel Garcia Marquezin në Evropë.
Natyrisht, shumë lexues e dinë mirë se një katundth i vogël dhe i fjetur, mbushur me pemë bajamesh dhe shtëpi shumëngjyrëshe druri është Makondo, qyteti imagjinar ku jetonte familja e jashtëzakonshme Buendia, tek “100 vjet vetmi”. Është një qytet lufte dhe paqeje, hakmarrjeje dhe dhune, dashurie dhe dëshpërimi, si dhe izolimi të pafund – një parajsë e humbur dhe një metaforë për Amerikën Latine.
Ata e dinë shumë mirë gjithashtu se historitë fantastike të Gjeneral Nikolas Marquez, gjyshit të Garcia Marquezit – tregime për luftën e 1 mijë ditëve dhe duelet fatale – kanë zënë rrënjë në kokën e shkrimtarit, që në start. Ato u bënë ushqimi kryesor i Gabos për kryeveprat e tij të së ardh mes. Megjithatë, “Vivi para contarla” shkon edhe më thellë.
Në rininë e tij, Garcia Marquez ishte i mrekulluar veçanërisht nga historitë për vdekjen. Në kujtimet e tij ai shkruan se si ka parë trupin e parë: një burrë i goditur për vdekje, teksa përpiqej të hynte me forcë në një shtëpi, një “pamje që do të më mbetej në kokë për vite me radhë”. Por, Marquez është një shkrimtar i munduar nga vdekja, disa thonë se kishte shumë frikë prej saj. Një gjë e tillë është evidente në librat e tij; pothuajse të gjithë fillojnë me vdekje apo një temë të ngjashme me të. Shmangja që Garcia Marquez i bën funeraleve është legjendare, dhe vdekja e njerëzve të afërt të tij – dy vëllezër dhe e ëma vdiqën gjatë kohës që shkruante kujtimet – e prekin thellë. “Njëherë, Marquez tha: Nuk është se kam frikë nga vdekja, por jam i zemëruar me të”, – thotë i vëllai, Jaime.
Shumë miq të tij thonë se kanceri, thjesht e nxiti Marquezin të shtrëngonte rripin. Miqtë më të ngushtë thonë se vepra më e fundit e Marquezit duhet parë thjesht si një festim i jetës së shkrimtarit, dhe jo si lajmëtare e vdekjes. Dhe vërtet, thotë Abello, “titulli i librit flet më qartë për këtë histori”. “Gjithë motivimi i tij përmblidhet në atë titull, të jetosh për të rrëfyer – është kënaqësia e të rrëfyerit të historisë”, – ka thënë Marquez. “Është njësoj si të thuash: Ia vlen të jetosh”.
Gabriel García Marquez (Gabriel Garsia Marquez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán. Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.
Tetë vjetët e para të jetës së Marquezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijëditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.
Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.
Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.
Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.
Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Marquezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Marquez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Marquez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.
Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në Nju Jork ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.
Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me Çmimin “Nobel” për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të “Vivir para contarla” (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani “Memorias de mis putas tristes” (përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Aktualisht Gabriel García Márquez jetonte në Mexico Disctricto Federal në Meksikë, ku shkroi autobiografinë e vet dhe luftoi kancerin limfatik. Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden “Dashuri në kohërat e kolerës”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” dhe “Njëqind vjet vetmi”, e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, “Gjenerali në labirintin e tij”, “Erendira” etj. Veprat e Marquezit në shqip janë përkthyer nga Robert Shvarc, Aurel Plasari, Mira Meksi, Ramiz Kelmendi, Veton Surroi./standard

Related

Kultura 7035195499554950308

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item