S’njohim ende letërkëmbimet e Jup Kastratit me Eqrem Çabejin

Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu Prof. dr. Begzad Baliu Speciale/ Profesori nga Shkodra, nderuar më shumë në Kosovë, pas Prishtinës u k...

Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu

Speciale/ Profesori nga Shkodra, nderuar më shumë në Kosovë, pas Prishtinës u kujtua dje edhe në Tiranë


Studiuesit e Universitetit të Prishtinës, dje në Tiranë, kanë kujtuar në 90-vjetorin e lindjes, veprën e albanologut Jup Kastrati. Në Akademinë e Shkencave, përveç veprës, për prof. Kastratin janë shqyrtuar dimensionet e studimeve të tij, po ashtu edhe epistolari dhe letërkëmbimet me Eqrem Çabejin, të pabotuara. Familjarët janë shprehur se e kanë të pamundur botimin, pasi kërkon potenciale institucionale

Profesor Jup Kastrati mbush 90 vjet! Personalitet i shquar dhe i përmasave të mëdha shkencore, profesor Kastrati është ndarë nga ne më shumë se një dekadë më parë, e megjithatë koha e tij sikur nuk është ndaluar fare, sepse prej mënyrës se si e kemi perceptuar veprën e tij, mund të themi se është koha jonë ajo që nuk ka ecur! Besojmë se mjafton edhe vetëm ky konstatim fillestar që jetës dhe veprës së tij, sot në ditëlindjen e 90-të, t’i qasemi, duke reflektuar në të kaluarën e tij dhe në perspektivën tonë, për të mos thënë madje duke parë vonesën tonë për të njohur përkushtimin hulumtues në kaluarën e tij, si dhe në reflektimin e veprës së tij në të ardhmen tonë.
Përvjetorë të tillë të jetës apo të vdekjes së personaliteteve të formatit të profesor Jup Kastratit, është e zakonshme të priten dhe të përcillen duke bërë vlerësime për arritjet e dijetarëve dhe arritjet tona shkencore, si dhe duke e parë perspektivën tonë dhe të studimeve tona në kontekst të ndërrimeve të gjeneratave, por për fat të keq, vlerësime të tilla sot nuk mund të bëhen në 90-vjetorin e tij dhe është vështirë të besohet se mund të bëhen edhe në dekadën e ardhshme të ditëlindjes së tij. Vlerësimi dhe njohja jonë, sado modeste qoftë, e trashëgimisë së tij shkencore dhe kulturore, na bënë të besonim se për njohjen e arkivit të madh të tij në fushë të albanologjisë dhe për bërjen publike të pasurisë intelektuale të tij duhen shumë studiues dhe institucione, të cilat as nuk i kemi dhe as nuk presim t’i kemi edhe një kohë. Për të sjellë një pamje sado modeste të jetës dhe veprës së tij të botuar e veçanërisht të asaj në dorëshkrim do të duhet shumë kohë dhe shumë mund ekipesh profesionale e shkencore.
Në rrethana të tilla, sot më parë sesa të sjellim një pamje sado modeste të kontributit të tij në fushë të gjuhësisë, letërsisë, bibliografisë, historisë, folklorit, etnografisë dhe përgjithësisht albanologjisë e qytetërimit shqiptar, pra më parë sesa të kujtojmë monografitë e formatit të madh “Gramatologjinë”, “Albanologjinë 1”, “De Radën” “Konicën”, po i theksojmë vetëm disa nga veçoritë që, më parë sesa të quhen themelore, mund të quhen përkujtuese, në 90-vjetorin e ditëlindjes së tij, mbështetur në hulumtime të reja, duke përfshirë këtu në mënyrë të veçantë letërkëmbimin me profesor Eqrem Çabejin, si dhe diskutimet tona gjatë dekadës së fundit të jetës së tij.
Duke kujtuar jetën dhe veprën e tij në 90-vjetorin e lindjes, kujtojmë jetën e shkencëtarit që punën (kudo që e bënte atë: në shtëpi, në universitet apo në shoqëri) e kishte dhunti, kult dhe mision. Një veçori kjo, të cilën do ta lakmonte edhe bardi nacional i Rilindjes Kombëtare: Naim Frashëri! Fqinjët e tij e kujtojnë profesor Jup Kastratin të ulur në të njëjtën karrige në shtëpi dhe gjithmonë në tavolinën e mbushur me libra pune, ndërsa bashkëkohësit e kujtojnë tek ecën drejt institucionit shkencor, arsimor a kulturor, duke përshëndetur majtas dhe djathtas, por pa u ndalur, me qëllim që të arrinte me kohë në vendin e caktuar. A s’është kjo pamja e punës së tij prej studiuesi në kërkim të vazhdueshëm dhe të lirë të formave dhe mundësive të ndryshme për të krijuar shtratin e veprave të tij, me larmi stilore e të natyrshme dhe sa më pak skematike, të cilën nuk e ndërtoi duke shkuar nga diploma në doktoratë, nga njëri personalitet në tjetrin dhe më në fund nga njëri rast në tjetrin, por duke u marrë në mënyrë themeltare dhe të vazhdueshme me literaturën, përkatësisht me bibliografinë shteruese të albanologjisë në përgjithësi dhe të fushave që lëvroi në veçanti.
Në 90-vjetorin e tij, profesor Jup Kastrati në mënyrë të veçantë kujtohet për dashurinë e tij ndaj gjuhës shqipe dhe historisë së saj. Sigurisht kjo është arsyeja pse ai në një moshë shumë të re me përkushtim prej shkencëtari do të angazhohej në “Komisionin hartues të Projektit të ortografisë së shqipes (Mahir Domi-kryetar, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej), zgjanue me tre anëtarë të tjerë (Zihni Sako, Lirak Dodbiba, Jup Kastrati), ku “që në mbledhjen ma të parë të komisionit të zgjanuem, si ma i riu me moshë, ishte caktue sekrektar i komisionit. Proces – verbalet dhe materijalet e referueme i kam në shtëpi (në kopje)”, i shkruante profesor Kastrati mjeshtrit të tij, profesor Çabejit, nga Shkodra, më 26.VII.1963, f. 3. Kujtimi për profesor Kastratin sot bëhet i veçantë jo vetëm për studimet e tij të kohës për problemet historike dhe bashkëkohore të shqipes standarde, por edhe për pasurinë dokumentare, të cilën as pas gjashtë dekadash, kur diskutimet për standardin e gjuhës nuk ndalen, këto dokumente (procesverbale jashtëzakonisht korrekte) ende nuk i ka pasur njeri në dorë. A nuk është kjo edhe një arsye për të konstatuar 90 vjet më vonë se profesor Jup Kastratin nuk e njohim jo vetëm për vlerat e tij personale dhe shkencore, por edhe për nevojat tona historike kombëtare. Në një kohë që një numër studiuesish vazhdojnë t’i ritheksojnë disa citate nga një diskutimi profesor Çabejit për standardin në vitin 1952, ne ende nuk i njohim rreth 1500 faqe fletoresh, të anëtarëve të Komisionit Qendror dhe të mësuesve të Shkodrës e të Zonës së Shqipërisë Veriore, të cilat gjenden në arkivin privat të tij. Përkushtimin e tij dhe të gjithë qytetarëve ndaj gjuhës profesor Jup Kastrati e konsideronte obligim të të gjithë brezave, ndërsa standardizimin e saj, e konsideronte përmbyllje të atyre kërkesave që nuk kishin mundur të realizoheshin gjatë Rilindjes Kombëtare. Kjo është edhe arsyeja pse ai asnjëherë nuk pranoi të bëhej pjesë e grupeve joformale dhe madje as institucionale, për të diskutuar aspekte të caktuara të drejtshkrimit të shqipes pas rënies së komunizmit.
Duke kujtuar punën e tij prej qytetari të Shkodrës dhe shkencëtari të albanologjisë, në 90-vjetorin e tij nuk është vështirë të shihet dhe të kuptohet përkushtimi i tij ndaj vendlindjes, përkatësisht ndaj njërës prej qendrave me trashëgiminë më të pasur arkeologjike, historike, kulturore dhe arsimore në historinë e popullit shqiptar. A nuk është kjo arsyeja pse në studimet e tij, krahas përkushtimit ndaj personaliteteve të mëdha kombëtare, merrej në mënyrë të veçantë edhe me disa nga përfaqësuesit e jetës historike, politike, kulturore, arsimore, letrare dhe artistike, të cilët me kontributin e tyre nuk i kishin kaluar kufijtë e qytetit të Shkodrës dhe kur e kur të rrethinës së saj krahinore. A nuk është kjo vetëm një prej arsyeve, pse ai, krahas një pune kolektive për themelimin e institucioneve të larta arsimore dhe shkencore, do të angazhohet në mënyrë të veçantë për themelimin edhe të disa prej revistave arsimore, shkencore e kulturore. Apo sikur do t’i shkruan profesor Eqrem Çabejit: “Mbas dy vjetësh kërkesash dhe promemoriesh së ndryshme, ia arrita që Shkodra e Zef Jubanit, Vaso Pashës, Fishtës, Mjedës, Gurakuqit, Xanonit, Gjeçovit, Migjenit dhe e sa shkrimtarëve të shquem, Shkodra që patë gjatë 85 vjetësh (1879-1963) plotë shtatëdhjetë organe të ndryshme (revista, gazeta, almanakë), Shkodra e poezisë dhe e pushkës, e legjendës dhe e historisë, të ketë një buletin të vetin që do të trajtojë çashtje të shkencave gjuhësore, letrare, folkloristike, etnografike, historike etj.”. (Letër e Jup Kastratit, 19. 7. 1963, f. 4-5.). Për kujtimin e sotshëm, besoj është me rëndësi edhe arsyetimi që ia bënte profesor Çabejit, në ftesën për bashkëpunim: “Në emër të redaksisë së porsakrijueme të këtij periodiku, që do të vazhdoj traditat e mira të “Hyllit” dhe të “Lekës” (Shkodër, më 19. 7. 1963, f. 5).
Duke kujtuar sot 90-vjetorin e lindjes së profesor Jup Kastratit kujtojmë edhe lidhjen e tij me Kosovën, si njësi gjeografike, etnografike, materiale, kulturore, biografike dhe shpirtërore, për disa arsye që për të gjallë të tij i përmendte me krenari dhe emocione të veçanta: për njohjen e historisë së Kosovës dhe për lidhjen shpirtërore, të cilën e pati artikuluar në moton “Pavarësisht se jam shkodran, unë në shpirt jam kosovar!; për mbajtjen nga fashistët peng në burgun famëkeq të Prizrenit; për artikujt e shumtë shkencorë e publicistikë kushtuar Kosovës dhe bardëve të saj gjatë historisë; për Parathënjen e monografisë “Shota dhe Azem Galica”, përgatitur nga Ajet Haxhiu (Tiranë, 1970, 304 f.) dhe ndalimin e saj të qarkullojë në opinion (e cilësuar ‘nga lart’ e fortë, për çka vepra përfundoi në karton); për botimin më të vëllimshëm të veprës së tij në Kosovë “Historia e gramatologjisë shqiptare (1635 – 1944), “Rilindja” Prishtinë, 1980, pas asaj të profesor Çabejit; për dy projektet e para kushtuar jetës dhe veprës së tij në Kosovë (në Institutin Albanologjik dhe në Universitetin e Prishtinës); për botimin e vëllimit të parë të veprës së tij “Bibliografi albanistike I”, nga njëzetë e tetë, sa mendonte t’i botonte etj. Profesor Jup Kastrati temës së Kosovës, përkatësisht fatit historik të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, i është përkushtuar për një kohë të gjatë, në forma të ndryshme dhe mbi projekte të ndryshme, prandaj krahas gëzimeve shpirtërore ka përjetuar shpesh edhe dëshpërimet e saj. Duke shkruar për fatin e arbëreshëve të Italisë, për fatin e Kosovës dhe më në fund për fatin e popullit shqiptar e të kulturës së tij dhe duke e parë gjendjen e tyre të sotme si pasojë e trashëgimisë historike përgjithësisht, shpesh i ka rënë të qortohet për mendimin kritik të shprehur në këta artikuj, në kundërshtim me politikën shkencore dhe sidomos me politikën shtetërore të kohës.
Duke e kujtuar 90-vjetorin e lindjes së tij sot ne kujtojmë dhe bashkëkohësit e tij, disa prej të cilëve madje ndër të gjallët edhe më tej. Është në traditën e shkrimeve të kësaj natyre që duke shkruar për personalitete të caktuara dhe bashkëkohësit e tyre të flitet me nderim për të kaluarën e tyre, pavarësisht nga kujtimet dhe rrethanat nëpër të cilat kanë kaluar, por kjo për përfaqësuesit si profesor Jup Kastrati nuk është e thënë të jetë ashtu. Pas fjalëve të nderimit e përkujtimit për Profesor Kastratin dhe bashkëkohësit e tij, më parë sesa kujtimet e rastit qëndrojnë disa mijëra faqe letërkëmbimi, që profesor Kastrati pati me pothuajse të gjithë albanologët e botës, prandaj edhe arkivi i tij prej më se 5000 letrave dhe rreth 3000 fotografish flet vetë. Në këtë rrjedhë do të donim të shquanim letërkëmbimin e pasur që kishte me profesor Eqrem Çabejin (80 letra, kartolina e mesazhe të tjera me rreth 200 faqe), të cilat dëshmojnë më së miri për nderimin që kishin ndaj njëri-tjetrit nxënësi dhe mësuesi. Për më tej, vetë profesor Jup Kastrati shprehej: “Me veprat Tuaja, unë jam rritë, edukuar, frymëzuar dhe formuar si gjuhëtar. Për mua është një nder i veçantë të kem qenë, të jem dhe të mbetem një nxënës i denjë i shkollës suaj gjuhësore, albanologjike, i drejtimit tuaj në gjuhësinë tonë, i metodës Suaj (Shkodër, më 6 tetor 1976)”; një model ky nderimi, të cilin profesor Çabej e shprehte për mësuesin e tij Norbert Joklin, po në një letër dërguar profesor Kastratit. “Në metodë kam ndjekur këto parime: “shikim i fakteve gjuhësore lidhur me etnografinë, duke u frymëzuar nga metoda e Norbert Joklit. Shikim i fakteve të shqipes në mënyrë tërësore: krahasim i dialekteve të Shqipërisë ose të kolonive në Greqi, Itali e Dalmaci e me veprat e autorëve më të vjetër. I pari në Shqipëri. I ka shfrytëzuar emrat e viseve e të personave për herë të parë ndër shqiptarë” (Letër e profesor Çabejit, 15 mars 1963). Duke kujtuar marrëdhëniet e tyre prej tri dekadash, të dëshmuara edhe përmes letërkëmbimit (18 tetor 1952 – 8 prill 1979), ne sot do të duhet të mësojmë dhe krijojmë modelin e sjelljes sonë kolegiale e akademike ndaj brezave që po shkojnë dhe po vinë.
Duke kujtuar 90-vjetorin e lindjes së profesor Jup Kastratit, ne njëkohësisht shohim me shqetësim borxhin që kemi ndaj tij, madje borxhin që nuk ia kemi kthyer për të gjallë dhe një dekadë pas vdekjes, borxhin individual dhe borxhin institucional e kolektiv; borxhin moral ndaj tij dhe borxhin institucional e kombëtar ndaj veprës së tij. Në kushte të sotme detyrimi ndaj tij është i dyfishtë: për mosribotimin e disa prej veprave të botuara për të gjallë të tij, që dolën në dritë të censuruara (“Konica” dhe “Zef Jubani”), që u botuan por u ndaluan (“Mjeda”), që u botuan duke u përvetësuar nga bashkautorë të tjerë (“Bibliografia e Skënderbeut”) etj. Dhe jo vetëm kaq! Le t’i kthehemi vetëm një dosjeje bibliografike të tij dërguar profesor Eqrem Çabejit, më 1964. Në Bibliografinë e tij Jup Kastrati veç të tjerash shënonte edhe këto vepra në dorëshkrim: Kontribute për Bibliografinë shqiptare 1942-1964, 500 f.; Faik Konica, Vepra të zgjedhuna,400 f. 1951; Faik Konica (jeta dhe vepra), monografi, 1953-1963, 250 f.; Jeronim de Rada, (jeta dhe vepra), 250 f.,1963; E folmja e Thethit, monografi gjuhësore dialektologjike, 1963”. Apo një dekadë më vonë: “Brenda këtij viti, – i shkruante profesor Jup Kastrati mësuesit të tij, Çabejt, – dorëzoj në shtyp një monografi të gjerë, me rreth 600 faqe të daktilografuara për jetën dhe veprën e Jeronim de Radës (Letër e Jup Kastratit, Shkodër, më 31 janar 1977). Në të vërtetë ajo u botua më 1978 dhe madje u ribotua edhe në Prishtinë, por jo në përmasën e 600 faqeve të daktilografuara. Botën shkencore shqiptare, përkatësisht albanologjinë dhe institucionet e saj i mbajnë peng ende dy vëllimet e mbetura në dorëshkrim të Historisë së albanologjisë, II-III, si dhe dy vëllimet e Studimeve arbëreshe, në një dorëshkrim prej 1700 faqesh. Institucionet publike shkencore dhe shtetërore, shoqëria e sotme shqiptare mund të thuhet se kanë shumë obligime ndaj personaliteteve që kanë bërë shumë për vendin dhe popullin shqiptar, por disa prej këtyre obligimeve janë shndërruar në peng të zhvillimeve të mëtejme. Vepra të tilla në dorëshkrim, vepra të çmuara dhe vepra të cilat nuk shkruhen lehtë nga individë apo grupe specialistësh, prandaj duke mos i botuar ato sa më parë, ne dëmtojmë jo vetëm biografinë historike të atyre që i kanë shkruar, por shkaktojmë mangësi tek brezat që duhet t’i dinë ato. Duke mos botuar disa nga veprat e profesor Jup Kastratit në dorëshkrim, në të vërtetë, më parë sesa biografinë e tij, ne e kemi varfëruar dijen tonë për albanologjinë.
Le të jetë, prandaj, ky moment i sotëm nderimi edhe një kujtesë për obligimet që kemi ndaj tij!

Related

Kultura 3919276747612973051

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item