Vargut të kullave në Drenicë i shtohet edhe ajo e Hasan Prishtinës
Vargut të kullave që dëshmojnë historinë e popullit të Drenicës në luftën për çlirim, si dhe të figurave të shquara të kombit që lanë gjurmë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/vargut-te-kullave-ne-drenice-i-shtohet.html
Vargut të kullave që dëshmojnë historinë e popullit të Drenicës në luftën për çlirim, si dhe të figurave të shquara të kombit që lanë gjurmë të pashlyer në historinë e popullit shqiptar, të Kosovës dhe të Shqipërisë, siç janë Shaban Polluzha, Ahmet Delija, Azem Bejta, Tahir Meha, Shaban, Hamzë e Adem Jashari, Ilaz Kodra, tani i shtohet edhe kulla e Hasan Prishtinës, një prej personaliteteve dhe figurave më të shquara të Lëvizjes Kombëtare.
Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë e dha për çështjen kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht të vitit 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë.
Tani, në truallin ku kanë jetuar dhe ku ndodhej shtëpia e gjyshit dhe babait të tij, Ali dhe Ahmet Berisha, banorët e Polacit, para së gjithash ata të lagjes “Veliqi”, ku në fakt është trungu i familjes së Hasan Prishtinës, do të ngrihet një kullë. Banorët të lagjes “Veliqi”, në një manifestim të organizuar e ku merrte pjesë edhe pinjolli i vetëm i familjes së Hasan Prishtinës, Hakan Berisha, tani 80-vjeç, është zbuluar pllaka përkujtimore në një mur, ngjitas me truallin e të parëve të Hasanit, e ku do të ngrihet kulla.
Hakani, i ndodhur në mesin e njerëzve të trungut të familjes së tij, ka siguruar se në këtë kullë, e cila do të jetë një shtëpi muze, do të vendosë gjithë arsenalin e dokumenteve dhe eskponateve të shumta për trungun, veprat jetësore dhe mirënjohjet që ka marrë Hasan Prishtina me dekada, e që i ka ruajtur me shumë xhelozi. “Me padurim e kam pritur këtë ditë të madhe. Tani, këtu ku është trungu i Hasan Prishtinës dhe i familjes sonë po ndërtohet kulla, shenjë dhe simbol i familjes së një njeriu që e ka njohur e gjithë bota dhe i cili ka shkrirë gjithë pasurinë e vet për kombin”, tha Hakani, tejet i emocionuar. Ai shtoi se ka një mori dokumentesh të ndryshme të kohës, të cilat, nëse kjo kullë do të ishte shtëpi-muze do të vendoste aty.
Hakani falënderoi gjithë njerëzit e Polacit që kanë vendosur të ndihmojnë për ndërtimin e kullës, e posaçërisht ata të Veliqëve, të cilët vazhdojnë edhe me idenë për ngritjen e një lapidari të Hasan Prishtinës në Polac. Ai gjithashtu falënderoi edhe Komunën e Vushtrrisë, ku është lindur, është rritur dhe ku është arsimuar Hasani, për vendimin që ka marrë për t’i bartur mbetjet mortore të Hasan Prishtinës nga varrezat e Kukësit dhe rivarrimin e tyre në Vushtrri, si dhe për vendimin për ngritjen e një shtatoreje Hasan Prishtinës në qendër të Vushtrrisë.
Ismet Veliqi, profesor, një prej organizatorëve për ngritje të kullës së Hasan Prishtinës në truallin e babait dhe gjyshit të tij, përmjedis lagjes ‘Veliqi’, tha se gurët për kullë janë siguruar në Verbofc dhe ata janë marrë të gatshëm, të gdhendur, pasi që kanë qenë gurë të një kulle që ka qenë në atë fshat.
“Gjithçka është gati, tani e kemi nisur me këtë pllakën përkujtimore, saktësisht në truallin ku kanë jetuar gjyshi dhe babai i Hasanit, kemi siguruar edhe gurët për ndërtimin e kullës dhe nëse gjithçka shkon siç e kemi menduar kulla duhet të përfundojë deri në korrik, kur është përvjetori i Hasanit, por gjithçka varet edhe nga mjetet financiare, banorët kanë mbledhur një shumë të parave, edhe diaspora ka mbledhur mjete për këtë qellim, ndërsa do të kërkojmë që të na ndihmojë edhe Komuna e Skënderajt”, thotë Ismeti.
Sipas tij, truallin ku do të ndërtohen kulla, mbi 6 ari, e kanë falur djemtë e Isuf Veliqit, të cilët janë më të afërmit me gjak me familjen e Hasan Prishtinës. “Janë djemtë e Isufit, i cili është vrarë në luftë, të cilët e kanë falur truallin, pikërisht aty ku ka qenë lama e Alisë dhe e Ahmetit. Ata e kanë familjen e Hasan Prishtinës më të afërm me gjak”, thotë ai.
Ata që morën pjesë në manifestimin e ngritjes së pllakës përkujtimore, kanë shkuar dhe kanë vizituar varrin e Ali Berishës-Veliqit, gjyshit të Hasan Prishtinës, në varrezat e Veliqëve në Polac. Ismet Veliqi tha se edhe varrin e Ali Berishës e kanë rregulluar vetë banorët e lagjes. “Kemi rregulluar varrin e gjyshit të Hasanit, që ndodhet në varret tona, ai kishte qenë i rrethuar me gurë të ngulitur thellë, por edhe ne jemi përkujdesur që gurët t’i vendosim duke ia përshtatur kohës. Tani për tani, gjithçka është duke shkuar ashtu edhe siç është planifikuar”, tha mes tjerash Ismet Veliqi, profesor./Zëri