E bukura rrënjët i ka në transcendentalen
Në brendinë e gjithësisë ka një thelb/esencë të pastër dhe të çiltër, e cila nuk ka mundësi të ndotet nga asnjë vepër e jashtme. Thelbi çdoh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/e-bukura-rrenjet-i-ka-ne.html
Në brendinë e gjithësisë ka një thelb/esencë të pastër dhe të çiltër, e cila nuk ka mundësi të ndotet nga asnjë vepër e jashtme. Thelbi çdoherë është në gjendje që të ngadhënjejë mbi formën, subjekti gjithnjë është në gjendje të shtrijë përtokë objektin. Pikërisht për këtë edhe më pëlqen Kurosawa, për shkak se tek ai esenca gjithnjë ngadhënjen mbi fenomenin.
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Plotini në trajtë tejet serioze është përpjekur t’i përcaktojë kufijtë e zbatimit të të bukurës në qenësi. Ai ka filluar me konstatimin se rrënjët e saja janë në një parim transcendental. Për ta përkapur një lëndë si të bukur, do të thotë ai, ajo duhet në brendinë tonë të ngjallë ndjenja shumë më të thella se relacionet metrike, ndërlidhjet mendore ose përkufizimet lëndore të dukurive. Për pasojë, e bukura duhet të ngjallë te ne një përkujtim. Përkapja e të bukurës është hapje, zbulesë/fet’h e një vlere ideale dhe kjo vlerë ideale do të mund të duket në një objekt që mund ta kënaqë atë.
Kjo ide e Plotinit sikur është duke më bartur në arenën parazënafillore dhe mu aty më del përpara ajo vlerë ideale që ka mundësi të përkujtohet dhe e cila nëpërmjet të të bukurës të na drejtohet neve/njerëzve, objekteve që mund ta kënaqin prezencën e Tij me fjalët: “ Më përkujtoni ju Mua që t’ju përkujtoj Unë juve”. Ndërsa ajo hapje/fet’h sikur më merr dhe më rrotullon përreth Qabes së bashku me Ibn Arabiun dhe përpiqem t’i ndjej ato hapje/futuhat të tij.
Në brendinë e gjithësisë ka një thelb/esencë të pastër dhe të çiltër, e cila nuk ka mundësi të ndotet nga asnjë vepër e jashtme. Thelbi çdoherë është në gjendje që të ngadhënjejë mbi formën, subjekti gjithnjë është në gjendje të shtrijë përtokë objektin. Pikërisht për këtë edhe më pëlqen Kurosawa, për shkak se tek ai esenca gjithnjë ngadhënjen mbi fenomenin. Në filmin e tij “Hakuchi” ai në mënyrë shumë origjinale arrin të prezantojë thelbin e “Idiot”it të Dostojevskit në një kulturë totalisht të huaj për specien e veprës. Por, ai dëshiron nëpërmjet të saj ta ngrejë zërin e thelbit që rrënjët i ka në transcendentalen. E bukura është e fshehur në thelbin e ngjarjes e jo në gjuhën, racën ose hapësirën e atyre që e luajnë. Pikërisht për këtë vepra e tij ka vlerë artistike, pasi rrezet shndrisin nga një përmasë tjetër, ato janë imanente, por ama, burimi i dritës, është lartë dhe në brendinë e tyre.
* * *
Dy-tre shekujt e fundit na burgosën brenda imanentes, kufijtë e të cilës na ballafaquan me krizën e dilemës për ekzistencën e lëndores, pasi ajo secilit nuk i dukej e njëjtë. Objekti i soditjes ishte në disproporcion me thelbin e soditësit. Natyra më nuk fliste, nuk dëgjonte, nuk kishe mundësi të depërtosh në te brenda dhe më thoni si do të mund ta përjetojmë të bukurën në të? Më thoni si do të mund të bëheshim Mexhnun, për të cilin Lejla ishte më e bukura, jo pse të gjithë mendonin se është, por për shkak se ashtu e përjetonte ai. Ato zëra i dëgjonte prej shpirtit të saj. Tash esenca vdiq do të thoshte Niçeja , ndërsa ne e burgosëm në katër muret e botës së dukshme edhe pas vdekjes...
Soditësi i të bukurës e ka të domosdoshme të dëgjojë këtë zë që del nga natyra... “Mos më parashtroni pyetje; heshtni dhe përpiquni të më dëgjoni; a nuk e shihni se unë vetëm jam duke heshtur; unë nuk kam shprehi të të folurit. Çka duhet të kuptojmë? Duhet ta kuptoni se çdo krijesë për mua është objekt i soditjes; edhe unë jam prodhim i një soditjeje dhe kam kënaqësi të madhe që të soditem; personi që më vështron mua me sytë e zemrës, krijon një objekt që mund të soditet vetëm me sytë e zemrës; ata që merren me gjeometrinë vizatojnë figura si pasojë e soditjes së tillë. Ndërsa unë nuk vizatoj asgjë; unë thellohem në meditim dhe atëherë vijat që i kufizojnë trupat, formësohen sikur dalin nga unë. Në brendi i përmbaj elementet e bartjes sime në qenësi; Bartësi im nuk kishte nevojë të bëjë diçka për të më bartur, por pasi Ai ishte shkak më i mirë se unë më hodhi mua në dukshmëri” (Plotini, Enneadet, III, 8,4).
A thua vallë ka mundësi të bëhet fjalë për bukuri dhe art pa këtë përmasë të gjallëridhënies? A thua vallë ka mundësi të përjetohet ajo pa sytë që mund të depërtojnë në brendi të qenësisë dhe ta çajnë përmes atë? A mund të modifikohet nëpërmjet të dorës së njeriut e bukura pa heshtjen dhe ngjitjen në transcendentalen? Jo... por ajo mund të shkatërrohet pa to... mund të ndotet... mund të nëpërkëmbet...
Shebusteri me disa vargje e ka formësuar këtë brengë timen:
...Cili është ky det për të cilin fjala është bregu i tij?
cili është ky margaritar që gjendet në këto thellësi?
Qenia është deti, fjala është bregu i tij,
guaskat janë gërmat ndërsa margaritarët janë dituria e zemrës njeri.
Në çdo dallgë, ai nxjerr mijëra margaritarë e xhevahire mbretërore
të traditave, të fjalëve të shenjta dhe të teksteve hyjnore.
Në çdo moment, me mijëra dallgë shfaqen me furi
megjithatë, nga një pikë e vetme nuk pakësohet uji i tij.
Dituria lind në ujin e këtij deti,
gërmat dhe zëri janë ato që mbështjellin margaritarët prej vërteti.
Meqënëse kjo është një alegori që paraqet këta mistere,
Duhet përdorur një ilustrim nëpër deftere. …
… Zhytësi futet në thellësitë oqeanike
dhe merr me vete margaritarët e shndritshëm.
Bregu është trupi yt, deti është ai i qenies
mjegulla është falja, shiu është njohja e emrave.
Zhytësi në këtë det është arsyeja njerëzore
që ka njëqind margaritarë të mbështjellë në zarfet e tij.
Zemra është si një ibrik për diturinë
zëri dhe gërmat janë guaskat e diturisë së zemrës për njerinë.
Shpirti vërsulet si një vetëtimë e menjëhershme
ai sjell këto gërma në vesh, që është një gjymtyrë e kujdesshme.
Thyeje pra guaskën dhe merre margaritarin mbretëror
hidhe larg atë dhe rrëmbeje bajamen e freskët pranveror.
Ky princip shumë lehtë mund të na shpie në realizmin si-n’ëndërr, i cili i përket Plotinit edhe Ibn Arabiut e Shebusterit. Duke folur mbi Plotinin, Jean Brun ka thënë se: “për idealizmin magjik të Novalisit, nuk ka dallim në mes trupit njerëzor, i cili është reduktim i kozmosit dhe vetë kozmosit, i cili është projekt gjigand i trupit njerëzor. Ky është shkaku, sipas Novalisit, që nuk duhej bërë dallim botës në mes asaj ëndërrimtares dhe botës ku dikush ëndërron”. Kjo lëndë e cila do të duhej të `kapet nga ëndrra` na fton ne në kontemplimin si-n`ëndërr të botës.
Distinksioni në mes lëndës dhe formës, sipas Heideggerit, ka ekzistuar qëkur Platoni dhe Aristoteli kanë shërbyer “si skema konceptuale par excellence për cilëndo teori të artit ose estetikës” dhe qëkur Plotini dhe Tarkovski kanë gërryer me estetikën mistike. “Bukuria”, në kuptimin tradicional, si dhe estetika në formën e jashtme, bëhen sinonime me anë të shkëlqimit të qiellit, me ujitjen e rrënjëve në transcendencë.