Zgjedhjet në Algjeri: I moshuari nuk ka ndër mend të ikë

Presidenti Boutenflika është në pushtet prej 15 vjetësh dhe fitoi një mandat të ri pesëvjeçar, në vendin që ka përjetuar makthe të paimagjin...

Presidenti Boutenflika është në pushtet prej 15 vjetësh dhe fitoi një mandat të ri pesëvjeçar, në vendin që ka përjetuar makthe të paimagjinueshme gjatë luftës për pavarësi dhe luftës së fundit civile
The Economist

Nuk është aspak surprizë për një vend që ka humbur 1 milion njerëz në luftën e vet për pavarësi në vitet 1954-1962 dhe ndoshta 200 mijë të tjerë në luftën civile në fund të shekullit, që humori në Algjeri ka tendencën të jetë cinik dhe i zymtë. Dhe nuk është surprizë që zgjedhjet presidenciale të 17 prillit shkaktuan shumë të qeshura të hidhura. Fituesi shumë i sigurt, Abdelaziz Bouteflika, ka qenë President për 15 vitet e fundit të jetës së tij 77-vjeçare. Megjithatë, me përjashtim të disa shfaqjeve të shkurtra televizive nëpër takime zyrtare, ai as nuk është dëgjuar pothuajse fare përgjatë dy viteve të fundit.
Madje ai nuk mori pjesë as në manifestimin e tij përmbyllës të fushatës elektorale pranë Algjerit, kryeqytetit të vendit. Mbështetësit e sjellë me autobusë në fakt dëgjuan një fjalim që ai pati regjistruar në vitin 1999.
“Teknologjia në Algjeri është aq e avancuar sa edhe Presidenti ynë është virtual”, – shpjegoi një komentator gallataxhi në “Facebook”. Këto komente nuk duhet të konsiderohen të lehta. Shumë algjerianë e shohin Bouteflikën me dashuri dhe mëri; në fund të fundit, ai ka qenë në politikë që kur shërbeu si ministër i Jashtëm në vitet 1960, dhe ai ndihmoi për t’i dhënë fund gjakderdhjes së tmerrshme të viteve 1990. Por ata mbeten të shqetësuar nga loja e errët e politikës së Algjerisë.
Fushata elektorale, për shembull, ka pasur një vello praktike demokratike, me gjashtë kandidatë të ndryshëm që konkurrojnë për çmimin më të lartë. Por shteti algjerian i pasur me naftë dhe me të shkuarën e sundimit njëpartiak, ka edhe legjione me zyrtarë që kontrollohen me kujdes për çështje besnikërie nga policia sekrete e shumëfuqishme. Kjo është gjithashtu forca që e bën rezultatin të jetë i pritshëm për kandidatin e emëruar nga “Le Pouvoir”, siç e thërrasin algjerianët rrjetin e gjeneralëve të lartë dhe shefave të sigurisë të cilët praktikisht drejtojnë vendin. Nuk ka pra habi për faktin se Boutenflika fitoi zgjedhjet më 2004 dhe 2009 me 85 dhe 90 për qind të votave, megjithëse pjesëmarrja ishte minimale dhe akuzat qenë të shumta për manipulime.
Pyetja është se pse njerëzit pas kukullave të dukshme të qeverisë së Algjerisë e kanë mbështetur sërish Boutenflikën, pavarësisht faktit se ai pati një atak kardiak një vit më parë dhe mund të mos jetë në gjendje të përfundojë një mandat tjetër pesëvjeçar. Përgjigjja që pëshpëritet gjerësisht është se ka ndarje mes Le Pouvoir, dhe të fuqishmit pas kuintave nuk kanë arritur të gjejnë një alternativë: duhet dikush që mund të prezantojë një fasadë ligjshmërie demokratike dhe qeverisjeje të mirë ndërsa lë në heshtje nomenklaturën që menaxhon feudet e vendit.
Në muajt e fundit, disa nga këto ndasi janë bërë në mënyrë të pazakontë publike. Një ndryshim i posteve ushtarake vitin e kaluar, pas një shpërthimi kritikash nga njerëzit e fuqishëm të Boutenfikës drejt njeriut që prej kohësh shihet si kontrolluesi i pushtetit, gjenerali Muhammad “Toufiq” Mediène, kreu i të frikshmit shërbimi informativ i ushtrisë, ekspozoi tensionet brenda kupolës.
Kritika të hapura në shtyp kundër kandidimit të Presidentit të sëmurë për një mandat të katërt si dhe për korrupsion të dukshëm në nivelin më të lartë, thuhet se është porositur nga gjenerali Mediène. Por këto të çara duket se tashmë janë zgjidhur.
Pavarësisht avantazheve që gëzon Booutenflika, Algjeria sërish ka një shkallë të vogël lirie mjaftueshëm të gjerë sa për të lejuar disa të shtyra politike. Sfiduesi i tij kryesor, Ali Benflis, një ish- kryeministër, ka paralajmëruar me zë të lartë për manipulimet elektorale. Në një fjalim fushate ai parashikoi “një tërmet të dhunshëm që do të trondisë themelet e atyre që mbështesin një president për të gjithë jetën”.
Kjo solli një përgjigje plot urrejtje nga Bouteflika, i cili akuzoi kundërshtarin e tij për “terrorizëm përmes televizionit”.
Shumica e partive të vogla të opozitës në Algjeri, si islamike ashtu edhe laike, i nxitën mbështetësit e tyre të bojkotojnë votimin. Në çdo rast, ata kanë peshë të lehtë. Ndoshta më sfiduese është shfaqja e një grupi presioni jopartizan që ka denoncuar jo vetëm këto zgjedhje por të “gjithë maskaradën” e politikës së Algjerisë.
E nisur vetëm muajin e kaluar, Barakat, që do të thotë “mjaft” në dialektin e arabishtes që flitet në Algjeri, është modeluar në lëvizjen civile paqësore që ka ndihmuar rrëzimin e sundimtarëve të tillë si Hosni Mubaraku i Egjiptit. Prania e saj në internet dhe protestat e grupimit ende nuk kanë tërhequr më shumë se pak mijëra vetë, por udhëheqësit e grupimit thonë se po planifikojnë për qitje të largët. Le Pouvoir është i shqetësuar: një gazetë që mirëpriti një konferencë për shtyp të Barakat u ndëshkua me shpejtësi.
Algjeria nuk është një vend i lumtur. Trazira periodike, përplasje etnike mes arabëve dhe berberëve dhe rreziku i vazhdueshëm i terrorizmit xhihadist janë në majë të sëmundjeve të qelbëzuara shoqërore. Tani për tani, gjithsesi, kujtimet e kohëve edhe më të këqija i shtyjnë algjerianët të jenë të kujdesshëm dhe gjerësisht të mos e sfidojnë pushtetin. Siç tha Boutenflika në shfaqjen e vetme gjatë fushatës, një letër për popullin e vet publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, “sfidat e mia shëndetësore aktuale nuk duket se më skualifikojnë mua në sytë tuaj”.

Related

Shtypi i huaj 3712199387519527618

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item