Artan Fuga: “Ne nuk mund të prodhojmë kulturë pa treg të rregullt për librin”

Valeria Dedaj    Artan Fuga Në Akademinë e Shkencave u zhvillua dje forumi për “Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe për të Drejtën e Autorit”....

Valeria Dedaj   

Artan Fuga

Në Akademinë e Shkencave u zhvillua dje forumi për “Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe për të Drejtën e Autorit”. Të pranishmit që referuan ishin: Artan Fuga, Piro Misha, drejtoresha e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Marjana Imeri etj.

Mungesa e librit shkencor në biblioteka

Profesor Artan Fuga trajtoi temën “Kriza e librit shkencor në Shqipëri”. Ai në kumtesën e tij u zhvendos rreth 400 vjet mbrapa, duke trajtuar si model një pamflet të shkuar nga iluministi Denis Diderot, “Letër mbi tregtimin e librave” (1763). Letra historike dhe politike e Diderot i adresohet një nëpunësi, lidhur me përkthimin e një libri. Sipas profesorit, në të renditen një sërë avantazhesh dhe arritjesh, e më pas jepen edhe propozime për zgjidhje. 
“Ne si Akademi e Shkencave duhet të themi se si mund të gjejmë modelin shkencor të arsyetimit. Këtu dallon publicistika nga analiza shkencore. Publicistika kërkon detaje të një koncepti dhe kërkimet shkencore shkojnë drejt modelit ideal. Por a ka një model industria e librit në shoqërinë shqiptare sot? A janë të metat që ne vëmë ré, mungesë perfeksionesh? Apo janë mangësi të natyrshme që shoqërojnë një sistem midis avantazheve dhe disavantazheve, sepse modelet nuk ekzistojnë fare. Ne jemi në kaos fenomenesh që mund t’i konstatojmë, por që nuk mund t’i abstragojmë brenda një modeli. Apo jemi në rastin ku modeli është i gabuar dhe në vend që të kritikojmë fenomenin dhe fenomenet që e shoqërojnë modelin, ne i bëjmë gisht këtij modeli?”. 
Sipas profesorit, ky model është i dështuar. “Ky model është i dështuar në kuptim që ka disa synime esenciale strukturore të brendshme, të cilat duhet që të riparohen.  Pra, ne nuk jemi në fazën kur sistemi është i mirë, por që ka disa elemente”.
Duhet të hedhim dritë mbi botimet shkencore të Akademisë së Shkencave “Ne duhet të hedhim dritë mbi botimet shkencore të Akademisë së Shkencave. Unë nuk përfaqësoj Akademinë, por veten time në këtë forum, por mendoj se duhet bërë një vështirim që të jetë konceptualisht i bazuar dhe i arsyetuar”.
Çfarë do të bëjmë ne? A do të lejojmë që të shtohen botuesit pafund pa plotësuar kriteret? A do të lejojmë ne që autorët të shkruajnë pa plotësuar asnjë lloj qarkullimi të vlerave sot? A do të lejojmë që librat tanë të shiten nëpër trotuare? Këto janë disa nga pyetjet që ngre prof. Fuga. Ai thotë se: “Ky është një shqetësim shumë i madh, sepse konkurrenca e lirë pa dhënë produkte shkatërron edhe libra të kulturës elitare”. 

Cila është situata e librit tonë shkencor dhe teknik? 

“Nuk besoj se kemi nevojë që të shkojmë për të hedhur një sy në bibliotekat shtëpiake të shqiptarëve. Nuk besoj se kemi nevojë që të shikojmë botimet enciklopedike, apo se çfarë bëhet me botimet shkencore dhe teknike, për të parë sesa vepra bazike të autorëve klasikë duhet të botojmë. Nëse flasim për librin në shkencat humane, sigurisht që nuk mund të lavdërohemi sepse ne nuk kemi më botime të nivelit ndërkombëtar, që mesa mbaj mend kanë qenë dhe në Tiranën e viteve ’60-‘70”. 
Profesor Fuga, citon Dideroin, i cili thotë: “Shikoni, ju jeni duke bërë gabimin më të rëndë, jo po godisni botuesin e mirë në treg, duke e konkurruar me lloj-lloj sharlatanësh. Librarinë e mirë po e godisni duke e konkurruar me llojlloj njerëzish që bëjnë tregti banale. Por mos bëni një gabim të dytë, të cenuar në përmbajtje. Kjo është censura më e keqe”. 
Sipas profesorit, nëse librat nga printi shpërndahen pa asnjë lloj kontrolli, atëherë ne kemi marrë fund. “Ne kështu do të pësojmë kritikën e vetes. Do të themi, ku janë librat? Unë nuk shikoj dot një pedagog që të jetojë me librat e tij. Një autor që të thotë se unë do të jetoj me punën time shkencore. Bibliotekave u jepen nga pesë kopje, por përse blejnë pesë kopje kur nuk vlejnë asgjë. Një bibliotekë me kaq kopje nuk e lexon askush”, - shprehet profesori.
Drejtoresha e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Marjana Ymeri tha se në fondin e kësaj biblioteke ekzistojnë rreth 65 mijë botime. Çdo vit botohen rreth 10 deri 12 tituj të rinj. Ata që lexojnë librat shkencorë janë kryesisht akademikë dhe profesorë, ndërsa sipas Ymerit, ndihet një tkurrje e lexuesit të ri. Ndërkohë kjo Akademi boton vetëm dy revista shkencore në vit, nga 10 të tilla që kanë qenë më parë. 

Dita Botërore e Librit 

Në kalendarin e ngjarjeve të shënuara të kulturës botërore, prej vitesh, në të pesë kontinentet, çdo 23 prill festohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Kjo ditë është caktuar nga UNESCO në nderim të shkrimtarit të shquar anglez, Shekspir, pasi me 23 prill ai ka ditën e lindjes. Në këtë ditë ka vdekur Miguel Servantes dhe Inca Garcialaso de la Viega. Po në këtë datë kanë lindur edhe mjaft shkrimtarë të shquar, si Maurice Druon, H. Laxnes, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.  

Pirro Misha  

Piro Misha, gjatë referimit të tij shpreh shqetësimin, se libri është në një situatë shumë më dramatike, sepse ne kemi thjeshtë improvizim të vazhdueshëm. Ai rendit disa nga pikat më shqetësuese.
“Në radhë të parë situata është kaotike, sepse autorët që kërkojnë të bëjnë një botim shkencor sot janë shtuar shumë. Botimet e universiteteve private janë në një kaos total. Të gjithë botojnë dhe në pjesën më të madhe janë plagjiatura, sepse mungon kontrolli”.
Sipas Mishës duhet ndërhyrë sepse plagjiatura është bërë masive kudo.
“Shpërndarja e librit në tregun e Diasporës është shumë i vakët, në Maqedoni pothuajse nuk ndodh fare, kurse në Kosovë është jetike. Botimet e realizuara nga institucionet shkencore duhet të jenë më të kontrolluara dhe më serioze."

Related

Kultura 472551352048920614

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item