Të kuptuarit e tjetrit…
Nga Majlinda Bushja Një nga çështjet më të debatuara disa muaj më parë, në media, ishte deklarata e kryeministrit turk në Kosovë, Rexhep Tay...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/te-kuptuarit-e-tjetrit.html
Nga Majlinda Bushja
Një nga çështjet më të debatuara disa muaj më parë, në media, ishte deklarata e kryeministrit turk në Kosovë, Rexhep Tayip Erdogan gjatë përurimit të terminalit të ri, “ Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Kjo deklaratë e kryeministrit turk ngjalli zemëratë në një pjesë të popullsisë, ku analistët kosovarë po atë ditë deklaruan në media se destinacioni i Kosovës është Evropa duke e quajtur deklaratën e kryeministrit turk të nxituar. Aq shumë u ngatërruan punët sa presidenti i Serbisë Vuçiç “ngriu” takimin trepalësh që do të zhvillohej mes Serbisë-Bosnje Herxhegovinës dhe Turqisë, për të treguar indinjatën e tij në lidhje me këtë deklaratë, thënë gjatë përurimit të terminalit të ri në Prizren, të Kosovës. Çështja shkoj deri aty sa Ministri i Jashtëm i Turqisë sqaroi në media se “përkthyesi kishte bërë një përkthim letrar dhe jo substancial”. Gjithçka ndodhi për disa fjalë të çastit që krijuan tension dhe reagim, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Të kuptosh tjetrin përbën një problem që hap të tjera probleme pasi, fjala sa e thjeshtë është për t’u kuptuar aq dhe e mistershme është në përkthimin e saj, kjo, jo vetëm nga gjuha në gjuhë, por dhe brenda së njëjtës gjuhë.
Nëse përkthimi nga gjuha në gjuhë mund të korrigjohet më lehtë, ai brenda së njëjtës gjuhë shkakton një problem të madh, për vet faktin se, është më i vështirë për t’u ndrequr. Të “përkthesh” kuptimin e asaj që thua brenda së njëjtës gjuhë përbën një problem më vete, për vet kompleksitetin e të kuptuarit në të cilën jeton shoqëria, që le shumë hapsirë për keqkuptime dhe lindje të konflikteve të paparashikuara. Nëse në disa raste e rithua atë çfarë ke thënë me fjalë më të thjeshta, dhe të kuptueshme për ata që të rrethojnë, kjo nuk ndodh gjithmonë kështu. Në shumë raste është e pamundur t’i shpjegosh tjetrit kuptimin e fjalëve të tua, sepse jo çdo mesazh jepet në mënyrë të drejtpërdrejtë, komunikimi virtual, apo mënyrat e tjera të komunikimit deformojnë kuptimin e vërtetë të fjalëve duke e lënë marrësin t’i jap vet kuptim mesazhit. Që këtu lind një problem i madh me veten dhe tjetrin, sepse nga njëra anë le një enigmë për mesazhin, që përcjell dhe nga ana tjetër krijon një paqartësi për marrësin e mesazhit për mënyrën tonë ndryshe të të kuptuarit. Ndodh në të tilla raste lindja e një konflikt verbal për dhënësin e mesazhit që me kohën mund të kaloj në përmasa të tjera të paparashikuara. Kjo varet dhe nga pozicioni në të cilin ndodhemi gjatë dhënies së mesazhit, pasi vet pozicioni që ndodhemi përcakton njëkohësisht dhe standartet tona të komunikimit.
Në të shumtën e rasteve fjala e një lideri, në cilindo vend të botës qoftë ai, kur përcillet veçandërisht në media është e predispozuar të dëgjohet nga të gjitha shtresat e popullsisë së atij vendi dhe më gjerë. Ndaj çdo mesazh i paqartë do ta konfuzonte shumë opinionin publik që është i gatshëm të reagoj në mënyra të ndryshme duke mos qenë i njëjtë në mënyrën e perceptimit dhe kuptuarit të gjerave, për shumë arsye. Madje, kundërpërgjigjia e disa personave mund të jetë deri në protesta të dhunshme në rrugë dhe acarim të gjendjes në vendin ku përcillet mesazhi. Të japësh një mesazh për publikun e gjërë së pari, duhet të shkruash në “gjuhën” që opinioni publik e ka të thjeshtë për ta kuptuar, duke marrë parasysh shumëllojshmërinë e shtresave që ju drejtohesh. Prekja në pikën më të dobët për secilën shtresë do të krijonte tension të panevojshëm që do të na kthente pas në kohë.
Në të vërtetë të kuptuarit e tjetrit nis nga limiti ynë i arsyetimit mbi atë çka debatohet, dhe dakortësia midis nesh për të njëjtat çështje. E vërteta është se ne nuk mund të arsyetojmë në të njëjtën mënyrë, për shumë arsye që na detyrojnë të nxjerrim përfundime të ndryshme. Mirëpo, e mira e përbashkët është, të gjendet një gjuhë e përbashkët veçandërisht, kur bëhet fjalë për çështje jetike të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti jetën tonë. Gjetja e harmonisë së komunikimit në funksion të një çështjeje të caktuar i jep zgjidhje asaj. Deri aty është rrugë e gjatë për vet mënyrën individuale të të kuptuarit të gjerave, çka do të thotë që gjetja e harmonisë dhe të kuptuarit e tjetrit kërkon shumë durim për t’u vendosur. Qellimi ynë është për të vendosur ura komunikimi mes nesh , duke e kthyer të kuptuarit e tjetrit një detyrim nga ana jonë. Nëse do të bënim të kundërtën do të ishim përgjithësisht të humbur, gjë që s’do të na pëlqente dhe s’do t’i shkonte përshtat sedrës sonë. Prandaj ne shpesh përpiqemi të përzgjedhim gjuhën e komunikimit tonë, në varësi të personit që kemi përballë, për të vendosur ura të qendrueshme komunikimi me secilin prej tyre. Gjithë sekreti është të njohim gjuhën e personit që kemi përballë, të jemi elastik në komunikim, në mënyrë që të përshtasim gjuhën tonë atij për të thjeshtësuar të kuptuarit mes nesh. Nëse do të preferonim të bënim të kundërtën, e kundërta do të ishte ndjekësja jonë e vazhdueshme.
Në të përditshmen tonë ajo që ndodh jo rrallë është që, gjuha jonë e komunikimit dhe vendi ynë të mospërputhen me njëri-tjetrin, gjë që do të na detyronte të tjetërsonim gjuhën tonë të komunikimit në mënyrë të vazhdueshme duke na ndryshuar si njerëz. Ambjenti ku jetojmë dikton të folurën tonë, sepse procesi i të kuptuarit të tjetrit do të lehtësonte jetën. Prandaj, çdo komunikim që nuk do të vendoste ura komunikimi me tjetrin, do të ishte më së shumti një komunikim me veten i padobishëm për sa kohë ai i adresohet tjetrit. Kështu, përpjekja për t’iu përshtatur tjetrit në gjuhën e tij të të kuptuarit, përbën një nevojë çdo ditë si pjesë e domosdoshmërisë së jetës. Kjo gjendje nga njëra anë e lehtëson komunikimin me tjetrin, por nga ana tjetër ndryshon mënyrën tonë të komunikimit të mëparshëm. Varet në cilin ambjent jemi destinuar të qendrojmë dhe të kryejmë aktivitetin tonë të përditshëm, pasi dëshira dhe mundësitë jo gjithmonë gjejnë një përputhje mes tyre. Problemi është kur ambjenti që jetojmë ka një gjuhë shumë ndryshe nivelit tonë të komunikimit dhe përshtatja e përditshme me tjetrin do të tjetërsonte mënyrën tonë të komunikimit të mëparshëm. Nëse gjendemi përballë një rasti të tillë do të shohim pas disa kohësh ndryshimin në mënyrën tonë të komunikimit, arsyetimit dhe të kuptuarit të gjerave, dhe kjo vetëm për t’iu përshtatur ambjentit, të jemi të pranueshëm për të. Në dukje duket se humbasim, por përvoja që marrim na shërben për të kuptuar diversitetin e mendimeve të shtresave të ndryshme të popullsisë që është i pashmangshëm dhe i përhershëm në jetën tonë. Nëse duam të jemi të fituar duhet të dimë të përshtatim komunikimin tonë ashtu si rasti e kërkon.
Çështë e vërteta fjala shkon sëbashku me gjestet të cilat ndryshojnë kuptimin e komunikimin verbal. Duke u gërshetuar dy mënyrat e komunikimit verbal dhe joverbal të kuptuarit e tjetrit bëhet akoma edhe më i vështirë. Një gjest i pamenduar do t’i bënte hije fjalës së mirë duke ia ulur vlerat dhe tjetërsuar njëkohësisht kuptimin asaj. Ndërkohë që, gjithë qellimi ynë është të jemi pozitiv në sytë e të tjerëve, ndaj të kuptuarit e tjetrit është primar për bashkëjetesën në harmoni, të shoqërisë. Kur gjuha e komunikimit joverbal nuk është në përputhje me fjalën e duhur, ajo, s’na çon drejt qellimit të duhur, por e kthen të kuptuarin në raport me tjetrin në një problem. Në çdo rast, nëse duam që fjala të jetë mikja jonë duhet që dhe gjesti që e shoqëron atë të jetë i tillë, për të mos e ndërlikuar të kuptuarin me tjetrin, duke mos e kthyer atë në një problem për ne. Zgjedhja është jona, mënyra e qendrimit përballë tjetrit po ashtu, nëse na pëlqen ta thjeshtëzojmë të kuptuarin me tjetrin mund ta bëjmë. Mjafton që çdo njeriu t’i gjejmë komunikimin që i shkon përshtat, dhe komunikimin t’ia përshtasim momentit për të cilin flasim. Feedback pritet të jetë pozitiv pavarsisht zhvillimeve që mund të ndodhin, pasi qartësia në komunikim thjeshtëzon të kuptuarin e tjetrit përballë vetes dhe të vetes përball tjetrit. Çdo nxitim për të kuptuar tjetrin, e tjetërson të kuptuarin përball tij, duke vendosur mure të panevojshme të cilët do të duan shumë kohë që të shemben. E rëndësishme është të mos vendosim mure komunikimi me tjetrin, pasi çdo mur i vendosur është një izolim përball botës që na rrethon, e për të cilën ne kemi nevojë që të zhvillohemi.
Të kuptuarit e tjetrit pa frikë mund të konsiderohet çelësi i suksesit të përditshëm, apo dera që na çon drejt tij. Çdo përshtatje komunikimi me gjuhën e tjetrit i lehtëson raportet tona të bashkëveprimit duke u bërë më produktiv në këtë bashkëjetesë të detyruar. Çdo tentativë për të bërë të kundërtën do të krijonte tensione dhe thyerje të raporteve mes nesh, duke hequr urat jetike të komunikimit. Bashkëveprimi harmonioz do të na bënte më të suksesshëm, ndërkohë lufta e përditshme e çdokujt prej nesh shkon në atë drejtim. Ndërkohë, të qenit i suksesshëm është e lidhur ngushtësisht me të kuptuarit e tjetrit, sepse asnjë sukses që konsiderohet invidual, nuk mund të merret i tillë, pse ne jemi pjesë e shoqërisë, dhe si të tillë, nuk mund të veprojmë të shkëputur prej saj.