Gjon Pali II – Papa që erdhi nga i ftohti
Enzo Bettiza Shenjtërimi i sotëm ka bërë bashkë praninë tokësore dhe dëshminë e shenjtë të figurës së jashtëzakonshme papnore të Karol Vojti...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/gjon-pali-ii-papa-qe-erdhi-nga-i-ftohti.html
Enzo Bettiza
Shenjtërimi i sotëm ka bërë bashkë praninë tokësore dhe dëshminë e shenjtë të figurës së jashtëzakonshme papnore të Karol Vojtilës. Ngjarja ka patur padyshim një peshë fetare shumë të madhe për besimtarët e krishterë. Megjithatë, një pjesë e madhe edhe e jobesimtarëve, polakë dhe europianë, por edhe amerikanë, nuk munden të mos të ulen në gjunjë, tek kujtojnë rëndësinë historike dhe jo vetëm teologjike, të Papës së madh polak, i cili për 27 vite me radhë ka udhëhequr me një forcë të jashtëzakonshme veprimi dhe mendimi Kishën dhe komunitetet e krishterë si në Lindje, edhe në Perëndim.
Për shumë aspekte, edhe autobiografikë, ai nuk ishte thjeshtë një papë banalisht “i mirë”. Ishte një papë i fortë. Një mjeshtër i besimit, mbrojtës dhe përhapës i kultit të krishterë, i cili erdhi nga i ftohti dhe nuk iu dorëzua asnjëherë shtypjes së “izmave” totalitarë të shekullit XX.
Asnjë prej sirenave të epokës nuk arriti ta magjepsë apo ta mashtrojë. Kur ishte një prift në moshë të re, si patriot e përçmonte nacionalsocializmin gjerman, si kardinal i Polonisë nuk i lëshoi as edhe një pëllëmbë terren komunizmit, dhe në fund si papë dënoi me enciklikat e tij shpërdorimet dhe parajsat e humbura, të falsifikuara ose falsifikuese, të kapitalizmit të egër. Në ditët kur kardinalët përgatiteshin ta ngjisnin në majën e Selisë së Shenjtë, drejtuesit komunistë rusë dhe filorusë, duke ia njohur temperamentin e çeliktë, shqetësoheshin dhe pyesnin: çfarë do të ndodhë në Poloni dhe në vendet e tjerë të Europës qendrore dhe lindore nëse nuk arrijmë t’ia mbyllim gojën? Kështu që vendosën ta çojnë para kohe në varr, duke ia besuar atentatin një fashistoidi turk. Atentati u bë: por vetëm përgjysmë, duke plagosour Papën pa e vrarë. U riprodhua prej aty paradoksi enigmatik i një bashkëpunimi solidar, sado jonormal, mes Papës-viktimë që shpëtoi, dhe vrasjes së munguar. Pothuajse një roman klasik, pothuajse dostojevskian dhe pakëz konradian.
Për Vojtilën, që sot është më i gjallë se kurrë, dhe më pak i vdekur se kurrë, duhet të flitet si për një shenjt gjithnjë të pranishëm mes nesh: një shenjt jo të varrosur, por që sapo ka dalë nga hija e një vdekjeje fizike sa të mundimshme, aq edhe të lavdishme. Diçka misterioze, ndoshta e shenjtë, na detyron që pothuajse ta mendojmë dhe ta emërtojmë me folje të fiksuara në të tashmen dhe jo të të shkuarës së largët. Këtu, për të dalluar paradokset që bashkëjetonin dhe bashkëjetojnë në personalitetin e Vojtilës, duhet që t’i “numërosh” dhe t’ia nënshtrosh rendjes drejt të pafundmes, ose më mirë pafundësisë së një vdekjeje që nuk vdes, sepse është e bekuar nga familja e shenjtë, që për të ishte dhe është Kisha. Duhen bllokuar ata paradokse, të ngjashëm me rrufetë e shpërndara në qiejt e lëvizshëm të një Mikelanxheloje triumfues: duhen “grisur”, vendosur, dekriptuar por pa shkatërruar sensin e fundëm ekzistencial. Këtu misteri quhet Vojtila, Karol Vojtila, Papa Gjon Pali II. Një shenjt, që në një farë kuptimi duket se pranon me një buzëqeshje të lehtë peshën e shenjtërisë së tij./bota.al