Fryma qeveritare anti-Kadare, si frymë antieuropiane

NDRIÇIM KULLA Emërimin nga Kryeministri Rama të një këshilltari për diplomacinë kulturore e kam mirëpritur jo për faktin se cili ishte perso...

NDRIÇIM KULLA


Emërimin nga Kryeministri Rama të një këshilltari për diplomacinë kulturore e kam mirëpritur jo për faktin se cili ishte personi që e mori këtë detyrë, por se për herë të parë një kryeministër shqiptar po vlerësonte në mënyrë institucionale kulturën shqiptare duke e bërë aset të diplomacisë. Kur flitet për diplomaci kulturore të shtetit shqiptar, në drejtim të botës, dhe veçanërisht të Europës ku duam të integrohemi dhe ku jemi para një provimi të vështirë, me çështjen e statusit për vend kandidat në BE, mendja të shkon së pari te emri i Ismail Kadaresë. Është fakt i njohur se ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, në vitin 2006 krijoi një imazh të mirë për kulturën edhe në aspektin diplomatik, kur e shpalli vitin 2006 në mënyrë simbolike si vitin e Kadaresë. Nuk mund të imagjinohet të bëhet diplomaci kulturore shqiptare pa përdorur, si të thuash, asetin kulturor “Kadare”. Shpallja nga ana e Kryeministrit Rama e diplomacisë kulturore si një nga prioritetet e tij, përkoi me kohën kur isha duke i dhënë dorën e fundit një projekti që mund t’i shërbente fare mirë pikërisht diplomacisë kulturore. 
Është fjala për një album me titull “Gjeografia e veprës së Ismail Kadaresë”. Nga gjithë korpusi i veprës së shkrimtarit tonë me famë botërore kam përzgjedhur pas një pune të mundimshme dhe të gjatë gati 25-vjeçare gjithë përshkrimet që iu bën ai qyteteve, fshatrave, maleve, kështjellave, vendbanimeve historike, lumenjve, liqeneve, krahinave, pyjeve, shkretëtirave, rrugëve, peizazheve etj., në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha vendet e botës ku ai ka udhëtuar. Paragrafët përkatës me përshkrime të shkrimtarit tonë të madh do shoqërohen me fotografi të bëra posaçërisht, duke u nisur nga këndvështrimi i shkrimtarit. Ky album, përveçse është një guidë që u shërben lexuesve të veprës së Kadaresë, në pjesën për Shqipërinë dhe Kosovën do të përbënte një guidë turistike të mrekullueshme, ose së paku do të ishte një material shumë i vlefshëm që do të shërbente në hartimin e çdo guide turistike. Është e njohur rëndësia që i japin zhvillimit të turizmit të gjitha qeveritë shqiptare, duke përfshirë edhe këtë të sotmen. 
Por natyrisht që një album i tillë do të përdorej shumë mirë edhe si një dokument i diplomacisë kulturore. Si mund të prezantohet më mirë Shqipëria me pamjet e saj, se nëpërmjet përshkrimeve të penës së Kadaresë? Megjithëse ideja e këtij projekti ishte e imja, unë nuk e shikoja dhe akoma nuk e shikoj këtë projekt thjesht si pronë timen, por kam dashur dhe ende dua që këtë ta shoh si një projekt të përbashkët me institucionet e shtetit shqiptar, dhe me gjerë, të Kosovës, se ky projekt nuk kufizohet vetëm në kufijtë e Shqipërisë. Sot, kur dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, po pretendojnë për një shkallë më të lartë bashkëpunimi dhe për projekte të përbashkëta, cili do të ishte projekti më i përshtatshëm në fushën e kulturës se ky që kam përmendur më lart për Kadarenë? Por kisha shpresuar më kot. 
Si autor i një projekti me të cilin një shtëpi botuese aplikoi për një financim nga Ministria e Kulturës, dhe nuk fitoi ose më qartë nuk u përfill fare, nuk do t’ ia kisha lejuar kurrë vetes që të bëja një polemikë në shtyp me ministrinë përkatëse, pavarësisht bindjes që do të kisha se projekti me autorësinë time ishte përjashtuar pa të drejtë nga lista e fituesve. Në fakt, megjithëse më parë ka pasur raste që kam kritikuar në shtyp performancën e kësaj ministrie në lidhje me financimin e projekteve kulturore, asnjëherë nuk e kam bërë këtë gjë duke shkruar një artikull për një projekt të veçantë, autor të cilit kam qenë unë. Dhe artikuj kritikë mbi mënyrën e financimit të projekteve kulturore nga kjo ministri kam botuar në shtyp edhe në kohën kur ka qenë në pushtet maxhoranca parlamentare e mëparshme. Kështu që nuk mund të thuhet se jam nisur nga një motiv politik.
Këtë herë vendosa të shkruaj një artikull mbi një projekt të veçantë, autor i të cilit jam unë. Sepse këtë e konsideroj projektin më të veçantë kulturor që kam bërë. Dhe guxoj të them se është edhe projekti më i veçantë kulturor që është bërë për një shkrimtar të njohur shqiptar. Por fatkeqësisht, Ministria e Kulturës nuk e vlerësoi këtë projekt as aq të rëndësishëm sa disa projekte që kishin të bënin me prodhimin e gjizës dhe turshive, të cilët u shpallën fitues. Që të mos krijohen keqkuptime më duhet të sqaroj lexuesit se aplikuesi nuk kërkoi nga ministria medoemos gjithë shumën e financimit të projektit, por qoftë edhe vetëm një pjesë të saj, thjesht të kontribuonte me aq sa kishte mundësi. Dhe që ministria kishte mundësi të kontribuonte kjo u duk nga lista e projekteve fituese dhe shuma e parave që iu është në dispozicion të tyre. Të them të drejtën, unë nuk prisja që të kishte ndonjë predispozitë dashamirëse ndaj këtij projekti nga ana e ministrisë në fjalë, dhe kjo për arsye që nuk është vendi të zgjatem këtu për t’i trajtuar, por që në të ardhmen zotohem se do ta sqaroj. Por unë prisja që ministria ta përfshinte edhe këtë projekt në listën e fituesve, duke dhënë qoftë edhe një shumë të vogël, vetëm për faktin që projekti kishte të bënte me Kadarenë. Në të vërtetë edhe unë do të isha gjithsesi i kënaqur me kaq, se doja që emri i Ministrisë së Kulturës të vendit tim të përfshihet në këtë album, që do të botohet në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Por duket se ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro-Furxhi, nuk e ka këtë shqetësim.
Gjëja që më vret më shumë shpirtërisht është se mënyra se si u refuzua projekti tregon se në qeverinë e sotme ka një frymë anti-Kadare, duke filluar me ministren Kumbaro. Por është parë kjo frymë anti-Kadare më parë edhe në deklarata publike televizive të këshilltarit të Kryeministrit për diplomacinë kulturore, z. Fate Velaj. Është parë kjo frymë anti-Kadare në mënyrën se si qeveritarët e sotëm, duke nisur që nga vetë Kryeministri, i kanë bërë nderime Rexhep Qoses, duke e shpallur atë si atin e Rilindjes së re që pretendojnë të bëjnë. Por Rexhep Qosja ka pasur një polemikë të ashpër me Ismail Kadarenë mbi orientimin e vlerave në rang gjithëshqiptar, dhe në këtë polemikë Kadareja mbronte orientimin perëndimor, europian të shqiptarëve, ndërsa Rexhep Qosja mbronte orientimin lindor, aziatik. Që nga ajo kohë Rexhep Qosja i ka thelluar pikëpamjet e tij antieuropiane. Këto gjëra sigurisht që i dinë qeveritarët e sotëm. E megjithatë, për ta Rexhep Qosja është idhull. Çdo njeri e kupton se për shkak të pozicioneve që kanë marrë ndaj njëri-tjetrit Kadareja dhe Qosja, ai që e ka idhull Qosen e përçmon Kadarenë dhe veprën e tij. Këtu e ka origjinën dhe qëndrimi refuzues i Ministrisë së Kulturës ndaj projektit për gjeografinë e veprës së Kadaresë, ku unë jam autor.
    Unë jam i sigurt se nëse do të ishte aplikuar me një projekt për gjeografinë e veprës së Rexhep Qoses, ku unë të isha autor, ky projekt do të ishte përfshirë në listën fituese të ministrisë në fjalë dhe do t’i ishte dhënë një shumë parash sa për të mos u dukur se qeveria e neglizhoi emrin e Qoses. Madje zonja ministre do të ishte ofruar për të shkruar edhe një parathënie. Madje nuk është çudi që edhe vetë zoti Kryeministër të kishte gjetur mënyrën të më vinte në dijeni se ishte ai që do të dëshironte të shkruante një parathënie të shkurtër për albumin. Se Qosja është një idhull për qeverinë e sotme. Unë jam i sigurt se nëse do të ishte paraqitur një projekt i tillë, atëherë në promovimin e albumit do të kishte ardhur edhe zonja ministre, madje edhe zoti Kryeministër. Unë jam i sigurt se edhe Ministria e Arsimit do të kishte blerë një numër të madh kopjesh për bibliotekat e shkollave. Por unë kam një projekt për një album për Kadarenë, jo për Qosen. Prandaj qeveria e sotme nuk ka asnjë interes për projektin tim.
Shndërrimi në idhull i Rexhep Qoses nga qeveria e sotme, duke nisur që nga vetë Kryeministri, është kulmi i atij procesi që Kadareja e ka quajtur “Mosmarrëveshja e shqiptarëve me vetveten”. Dhe kjo ka prodhuar atë që në pamje të parë duket si “Mosmarrëveshja e Kadaresë me vetveten”. Këtë e them duke u nisur nga një traditë që ka krijuar Kadareja tanimë në sjelljen e tij me qeveritë shqiptare, pavarësisht se cilit krahu politik i përkasin ato, kur ka pasur moment kyç të integrimit të Shqipërisë në Europë.
Çdo qeveri shqiptare, gjatë këtyre më shumë se njëzet vjetëve që kur Shqipëria nisi të bëjë përpjekje për t’u integruar në strukturat euroatlantike, ka pasur nevojë për një fjalë të mirë të Kadaresë, në favor të integrimit të Shqipërisë, në kohën që vendi ka qenë duke ngjitur një shkallë të integrimit euroatlantik. Se çdo qeveri shqiptare e ka ditur se fjala e Kadaresë ka peshë në sallonet diplomatike të Europës kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Dhe Kadareja nuk i ka kursyer kurrë këto fjalë të mira, pavarësisht se ai nuk ka qenë i bindur se qeveritë përkatëse e meritonin mbështetjen e tij. Por ai, siç e ka thënë vetë mëse një herë, ka qenë i bindur se nga integrimi përfitonte në radhë të parë Shqipëria. Unë jam i sigurt se Kadareja e ka këtë bindje edhe këtë herë, kur Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, që na u refuzua dhjetorin e kaluar. E megjithatë, Kadareja heshti vitin e kaluar, në prag të vendimmarrjes së Bashkimit Europian, dhe vazhdon të heshtë edhe tani, kur po afron momenti i vendimit nga ana e BE në qershor. 
Cila është arsyeja që Kadareja hesht? A mos ndoshta Kadareja me këtë heshtje është duke i thënë qeverisë se sotme se juve nuk ju duhet fjala ime në sallonet diplomatike të Europës, se keni atje idhullin Rexhep Qosen, antieuropianin më të madh bashkëkohës te shqiptarët? Natyrisht se Qosen nuk e pranojnë as që t’u afrohet salloneve diplomatike europiane. Në të vërtetë, duket se Kadareja hesht për arsye se ai me mprehtësinë e gjeniut ka kuptuar se fryma kundër tij, pra fryma anti-Kadare e qeverisë së sotme, është në fakt një frymë e fshehtë antieuropiane, antiintegrim, është ajo frymë djallëzore që shkrimtari ynë i madh e ka denoncuar në librin e tij testamentar për filozofinë e mendimit shqiptar, që është “Mosmarrëveshja”. Kadareja hesht se nuk do që pa dashje të bëhet ambasadori i kësaj fryme djallëzore në sallonet diplomatike europiane. Kështu që në këtë heshtje të Kadaresë nuk ka asnjë mosmarrëveshje të tij me vetveten, por ka një besnikëri të tij ndaj qëndrimit të tij që nga viti 1990 e deri më sot.
Unë nuk them se Kadareja nuk mund të ndryshojë qëndrim, por guxoj të shpreh mendimin se do të jetë një mungesë besnikërie e shkrimtarit ndaj vetvetes nëse ai e bën këtë gjë para se të ketë ndryshuar qëndrimi i qeverisë së sotme ndaj tij. Se Kadareja duhet të jetë i vetëdijshëm që në rastin e qëndrimit të një qeverie shqiptare ndaj tij, nuk bëhet fjalë për qëndrimin ndaj një personi apo ndaj një shkrimtari, por për qëndrimin e qeverisë ndaj atij që përfaqëson kriterin më të sigurt për të verifikuar nëse çdo qeveri e re që vjen në Shqipëri, ka një frymë të vërtetë integruese europiane apo jo. 

* Idetë që shprehen në këtë shkrim janë personale dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet e institucionit të Presidencës ku autori punon

Related

Kultura 2804246563927935315

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item