100 vjet vetmi… pa Markezin
Centralistja në hyrje të gazetës së përditshme “Manifesti” (Itali) u rikthye e hutuar nga gazetari i ri që po kalonte aty pranë, në një mëng...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/100-vjet-vetmi-pa-markezin.html
Centralistja në hyrje të gazetës së përditshme “Manifesti” (Itali) u rikthye e hutuar nga gazetari i ri që po kalonte aty pranë, në një mëngjes pranvere: “Dëgjo, ky zotëria thotë që është Gabriel Garsia Markez”. Djaloshi, i shushatur edhe ai, e njohu autorin e “100 vjet vetmi”, vëllimi klasik i një brezi të tërë në botë, me bëmat e kolonel Aurelio Buendias, që nxit revolucione duke i humbur të gjithë dhe përfundon duke krijuar peshq të florinjtë, i qetë dhe heroik si Garibaldi në Caprera. Një libër që, nga viti 1967 ka shitur 50 milionë kopje në 25 gjuhë, duke i dhënë shkrimtarit kolumbian Cmimin “Nobel” për Letërsinë në vitin 1982, dhe duke krijuar bumin e letërsisë amerikano-latine të viteve ’60 dhe ’70, aq e gjithëpranishme saqë Jose Donoso shkruajti ironiken “Historia personale e bumit”.
Garsia Markez tha me ngadalë: “Jam këtu për të takuar Rossana Rossandan”, atëherë drejtore e gazetës së majtë. Djaloshi rendi drejt zyrës së Rossandas, i pafrymë dhe i emocionuar: “Rossana, Rossana, është Markez!”. Themeluesja e të përditshmës, e famshme për përqëndrimin në artikujt e saj, iu përgjigj pa lëvizur: “Thuaji të lutem që të më presë pesë minuta”. Autori më i famshëm i botës, mik personal i Fidel Kastros, për vite të tërë i ndaluar në SHBA për shkak të kritikave ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe politikave të saj kundrejt vendlindjes së tij, Kolumbisë, i dyshuari nga regjimi për trafik armësh për guerilasit dhe i detyruar të jetojë në mërgim në Meksikë, duhej të priste 5 minuta! Djaloshi u kthye me veshët ulur, por Gabo, sic e quanin miqtë Garsia Markezin nuk reagoi si femër, por tamam si kronisti që ka qenë gjithmonë: “Zanati që kam dashur më shumë, zanati im i preferuar, edhe përpara letërsisë, është gazetaria. Dëgjimi i historive të njerëzve, rrëfimi i tyre një për një në gazetë. Nëse do të më pyesnin se çfarë dua të bëj në jetë, një mijë herë do të përgjigjesha, gazetarin!”
Në një intervistë për Paris Review, një revistë shumë e sofistikuar letrare, Markez do të përsëriste i prekur: “Dua gazetarinë, mbi gjithçka tjetër”, duke kujtuar reportazhin e tij të jashtëzakonshëm të vitit 1955 “Rrëfim për një mbytje”, kronikë e rënies në det të marinarit kolumbian Luis Velasco, i rënë nga një anije tregtare dhe i mbijetuar deri në breg. Markez jep një shembull të letërsisë fantastike, ai “realizëm magjik” për të cilin kritikët i kanë njohur atësinë, “por unë nuk i dëgjoj, nuk i lexoj asnjëherë recensionet, as të mirët, as të këqinjtë, kritikët kanë idenë e tyre se si duhet të jetë letërsia e mirë, dhe të “hekurosin” për të të matur, a je brenda saj apo jo. Respektoj përkthyesit, por kujdes, nuk duhet të përdorin asnjëherë shënime në fund të faqeve”.
Duke qeshur, Gabriel Garsia Markez i tha djaloshit, që ende nuk e kishte marrë veten: “Eja të shkojmë të pijmë një kafe, që kur kam dashur të studioj kinema në Romë, në Qendrën Eksperimentale Kinematografike, kafeja romane është një moment unik. E di, Rossana është gruaja më inteligjente që unë kam njohur, dhe që do të të ndodhë të njohësh në botë, lëre të punojë”. Disa vite më vonë, do e përsëriste këtë gjykim, në një artikull për La Repubblica.
Kishte lindur në vitin 1927, në fshatin kolumbian të Aracatacas, ku era fryn prej Karaibeve, një model për Makondon e “Njëqind vjet vetmi”. Gjyshi i tij, që e dukonte kur i ati, Gabriel Elijio Garsia, me 11 fëmijë nga bashkëshortja Luisa Santiaga Markez dhe katër jashtë martese, telegrafist, homeopat, farmacist i dështuar, udhëtonte nëpër Kolumbi. “Gjyshja ime tregonte histori, nga më fantastiket, dhe më ka mësuar që nëse thua ‘Një elefant fluturon!’, askush nuk të beson, por nëse thua ‘Ej, 425 elefantë fluturojnë’, të gjithë të besojnë, dhe është teknika e gazetarisë që funksionon në romane”. Gjyshi kishte luftuar në Luftën e Një Mijë Ditëve, kur Kolumbisë iu desh të lëshojë Istmin e Panamasë, një burrë i ashpër dhe hijerëndë, model për “Kolonelin” e romanit më të bukur të Marquezit, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”: hero i luftërave të humbura, i braktisur nga një regjim i korruptuar, me djalin të vrarë prej vrasësve me pagesë, i cili vë bast për shpengimin moral dhe ekonomik, falë dueleve të një gjeli të fuqishëm, refuzon t’ua shesë kafshën e mrekullueshme shantazhuesve. Dhe kur e shoqja, në fund i turret me histerizëm: “Po nëse gjeli nuk fiton? Cfarë do të hamë”?, ai i përgjigjet stoikisht: “Do hamë mut!”
Aventurat e Makondos janë kronika letrare ku gjenia i Markezit sjell teknikën gazetareske në majat e Nëntëqindës, atje ku Heminguei – idhulli i tij bashkë me Conrad Faulkner – nuk mundi ta çojë. Nëse kompania “USA United Fruit” ishte simbol i shtypjes për fshatarët, ja tek shfaqen masakrat romanceske, murtajat, varfëria tek “Njëqind vjet vetmi”, të këqia që luftohen me sensualitet, pasion, rreptësi. Politika e Markezit nuk del nga skema e revoltës amerikano-latine, as edhe kur presidenti Bill Clinton bëhet miku i tij personal: “Lexoja Njëqind vjet vetmi në universitet”, kur studioja për Jurisprudencë, nuk mundesha ta lija mënjanë as gjatë leksioneve”.
Elozhe për Kastron dhe Kubën, më vonë për populistin venezuelian Chavez. Kur demokracia më në fund fiton avantazh në Amerikën Latine, dhe shkrimtari rival Mario Vargas Llosa e fton që të denoncojë diktaturat, Marquez nuk ndërron regjistër: edukata personale, natyra e përulur edhe pas fitimit të Nobelit, bëjnë të pranojë edhe luftarakun Vargas Llosa: “Në politikë jo, por si shkrimtar është një gjigant”.
Pa Markezin nuk do të kishim lexuar asnjëherë kryevepra, si Pedro Paramo e Juan Rulfos, me zbritjen e frikshme në prerinë e vdekjes? Dhe Onettin, Dorfmanin, Cabrera Infanten, Cortazarin? Jo. Pas revoltave, luftërave, murtajave, humbjeve, Nobelit, librave, dashurive, Garcia Markez nuk ngrysej asnjëherë dhe buzëqeshte me dashamirësi: “Kam vetëm një peng në jetë, nuk kam patur një vajzë”. E qajnë e shoqja, dy djemtë, udhëheqësit në të gjithë botën, kritikët që nuk i lexonte dhe miliona lexuesit. (Giani Riotta/La Stampa)/bota.al