Femrat shqiptare më të bukurat në botë
Fadil Berisha është fotografi më i njohur shqiptar, më i dashuri i personazheve të vendit tonë, por edhe botës. Prej vitesh ai punon me yje ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/femrat-shqiptare-me-te-bukurat-ne-bote.html
Fadil Berisha është fotografi më i njohur shqiptar, më i dashuri i personazheve të vendit tonë, por edhe botës. Prej vitesh ai punon me yje të ekranit e të spektaklit në Amerikë dhe njihet si një promovues i së bukurës. Një numër i madh vajzash të bukura, kanë marrë emër vetëm pasi kanë kaluar përpara objektivit të aparatit të tij. Fadili jeton prej kohësh në New York dhe përveçse me fotografi, merret edhe me organizmin e spektakleve të bukurisë. Në një rrëfim për “Telegrafi”, fotografi i njohur zbulon sekretin e suksesit të tij. Fadili thotë se bukuria qëndron tek shpirti, dhe ai këtë përpiqet të zbulojë.
Si kanë qenë fillimet tuaja në këtë profesion, sepse thuhet që fillimi është i vështirë… Apo ndoshta fundi është edhe më i vështirë?
Sido që ta marrësh këtë shprehje, ka njëfarë kuptimi. Fillimi i karrierës është i vështirë. Por edhe fundi i karrierës është fundi i ëndrrës, ndaj po ashtu është i vështirë e mbase shumë i dhimbshëm. Sidoqoftë, unë ende jam aktiv dhe nuk mendoj për fundin, derisa syri të më bëjë dritë e dora klik! Pra, shtojzovallet e bukura, vazhdoj t’i zbuloj dhe t’i fotografoj. Ua nxjerr në pah bukurinë e heshtur, bukurinë e fjetur. Pastaj e bukura i mund të gjitha… Por, të kthehem në fillimet e karrierës sime. Ka qenë rastësi, kur në moshën-11 vjeçare isha në Itali dhe aty u njoha me një fotografe, e cila bënte foto të mrekullueshme. Ia mora zanatin dhe e kuptova se edhe unë kisha dhunti për fotografi e fillova, punova, ëndërrova… deri në SHBA, kur isha vetëm trembëdhjetë vjeç!
A ka traditë fotografimi tek ne?
Shumë. Të mos harrojmë Gjon Milin, Milto Monakin, Marubin. Ata ishin të mëdhenj. Po ju citoj fjalët e Gjon Milit: “Nuk është i civilizuar një popull, nëse arrin të deshifrojë pikturën, por nëse arrin të kuptojë fotografinë”. Prej kohësh në Kosovë organizohet konkursi me emrin “Gjon Mili”, dhe kjo është një formë e stimulimit të të rinjve për t’u marrë me artin e fotografisë. Fotografimi nuk është vetëm një ndezje blici, por është një imagjinatë e thellë dhe një art fisnik e shumë specifik.
Keni trashëgimtar në këtë fushë?
Po, djali është dizajner, kurse vajza gazetare. Pra aty afër jemi, të një fushe artistike.
Para syrit tuaj magjik të gjitha femrat duken të bukura, madje edhe ato që në shikim të parë s’duken të tilla. Si i “zbukuroni”? Së pari, qëndrimi i tyre, por edhe detajet. Unë fokusohem shumë tek detajet. Bie fjala, nëse i ka sytë të bukur, fokusohem tek sytë, apo diku tjetër. Dua të them se femrat shqiptare janë femrat më të bukurat në botë, kurse Shqipëria ka vende të mrekullueshme për të realizuar fotografi artistike. Kur femrat për nga natyra janë të bukura, atëherë nuk e ke shumë vështirë të ndezësh blicin, vetëm se duhet ditur ku duhet goditur.
Keni zbuluar shumë femra të bukura, të cilat pasi kanë kaluar përpara aparatit tuaj, janë bërë të njohura… Mund të na thoni një emër?
Po, është e vërtetë. Ka disa vjet që vizitoj trojet shqiptare dhe zbuloj bukuroshet e mjediseve të caktuara. I fotografoj dhe i përzgjedh për evenimentet më të njohura të bukurisë në botë. Bie fjala, njëra nga ato që ka bërë famë në SHBA është modelja dhe bukuroshja Emina Çunmulaj. Por para kamerës sime kanë qenë edhe shumë ‘miss’- e të botës. Trevat shqiptare janë plot me bukuroshe dhe kjo na bën krenarë, sepse jemi një komb i mbarë dhe racë e bukur, e bardhë.
Ju, bëni edhe foto nudo?
Jo shpesh, por kam bërë disa. Mund të përmend Anxhela Martinin, e cila është një femër shumë e bukur, nga veriu i Shqipërisë, por që jeton në SHBA.
Në Shqipëri kishit hapur një ekspozitë tuajën me fotografi. Si u prit ajo?
Shumë mirë! Ekspozita është hapur në kuadër të manifestimit “Ditët e artit”, ku ishim bashkë me Eliza Duashkun, Anxhela Martinin dhe Blerim Destanin. Me këtë rast u shfaq edhe filmi dokumentar për Shqipërinë, përgatitur nga Eliza Dushku, film ky që zbulon të gjithë bukurinë e Shqipërisë sonë të dashur. Çdo bukuri ka veçantinë e vet dhe unë mundohem ta gjej këtë vijë dalluese. Unë me aparatin tim, mundohem ta shkruaj historinë e bukurisë shqiptare, e cila është e rrallë dhe e paparë.
Në Kosovë organizuat një Festival të fotografisë, por nuk vazhduat më tej. Pse?
Kosova ka shumë talente, por ato duhen zbuluar dhe përkrahur. Unë për shkak të kohës nuk mund të lëviz shpesh, por jam në kontakt me fotografë të njohur. Disa prej tyre kanë qenë edhe në atelienë time, ku kanë punuar dhe kanë bërë njëfarë trajnimi.
Ju keni fotografuar edhe personalitete të shumta. Çfarë ndjenje ka njeriu para tyre?
Është përgjegjësi, por edhe privilegj. Ata që nuk mbahen pas idealit, rrëzohen shpejt. Çdo lavdi vjen nga guximi, kurse vështirësitë janë një justifikim, të cilin artisti nuk e pranon. Emrat që kam fotografuar janë të shumtë: Tyra Banks, Donald Trump, Russell Simmons, Bill Clinton, Roger Federer, Halle Berry, Snoop Dogg, Fergie, Patti LaBelle, Harry Belafonte, Jennifer Beals, Beverly Johnson, Robert Evans Kardashian, Kendall Jenner, Kylie Jenner, Inva Mula etj. Pastaj kam fotografuar edhe për mediumet me influencë: “Vogue”, “Mademoiselle”, “Elle”, “Allure”, “Cosmopolitan”, “Glamour”, “Harper’s Bazaar”, “Marie Claire”, “Seventeen”, “V”, “Vanity Fair”, “W”, “Esquire” e “GQ”.
Jeni fotografi shqiptar më i njohur në botë. Cili është sekreti juaj?
Shpirti! Në çdo fotografi më pëlqen shpirti i njeriut. Të nxjerrësh më të bukurën që ka brenda dhe kjo më ka ndihmuar gjithmonë. Dua të shoh çdo gjë të bukur dhe të rrethohem prej tyre. Ky është sekreti im! Shpirti.