Dilema: Do të funksiononin helmet dhe ilaçet e Shekspirit sot?

Si elemente qendrore të veprave të Shekspirit, helmet dhe ilaçet kanë ngritur ndër shekuj dilema mbi vërtetësinë e tyre. Shkenca është përpj...

Si elemente qendrore të veprave të Shekspirit, helmet dhe ilaçet kanë ngritur ndër shekuj dilema mbi vërtetësinë e tyre. Shkenca është përpjekur të zbulojë të vërtetën
Claudia Hammond, BBC

Është 450-vjetori i lindjes së Uilliam Shekspir (William Shakespeare) dhe ilaçet apo helmet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në veprën e tij. Por a kanë qenë ato të bazuara në substanca të vërteta? Shkencëtarët janë përpjekur ta zbulojnë.
Babai i Hamletit u helmua nga një substancë që iu derdh në vesh teksa flinte. Zhulieta përdori një ilaç për t’u shtirur se kishte vdekur. Dhe Titania ra në dashuri me një burrë me kokë gomari, pasi iu vu në sy lëngu i një luleje.
S’ka dyshim që secila prej këtyre shpikjeve botanike i ka shërbyer më së miri Uilliam Shekspirit. Debatin e ngjall pyetja se cilat substanca specifike përmenden në vepër dhe a e japin ato në të vërtetë efektin. A mundet shkenca 400 e ca vjeçare që u zhvillua që prej shkrimit të atyre veprave të gjejë prova të reja? A është e mundur të hidhet helm në veshin e dikujt pa e zgjuar? Mundet një ilaç të bëjë dikë të dashurohet me një tjetër? Dhe a ekziston ajo substancë që të të bëjë të dukesh i vdekur pa të shkaktuar dëme?
Fantazma e babait të pafat të Hamletit tregon se çfarë ndodhi. Është e vështirë të besohet se mbreti nuk mund të ndiente derdhjen e helmit në vesh dhe të mos zgjohej për ta gjetur vrasësin e tij në dhomë. Por në vitin 1950, një specialist britanik në anatominë e veshit arriti në përfundim se meqenëse vrasja ndodhi gjatë “orës së sigurt” dhe mbreti ishte “i ngopur”, ai mund të ketë qenë në gjumë të thellë. Nëse substanca do të ishte e lëngshme dhe shishja do të ishte ngrohur sa temperatura e trupit gjatë mbajtjes në dorë nga vrasësi, atëherë mbreti mund të ketë vazhduar të flejë pa e kuptuar se i është derdhur diçka në vesh.
Një debat i madh është hapur rreth çështjes se cila është substanca e vërtetë që Shekspiri i referohet si “hebenon”. Kandidatët përfshijnë helme të ndryshme. Gjethet, lëvorja dhe kokrrat e pemës bërshen janë po ashtu helmuese. Duke i klasifikuar nga simptomat që sjellin, vetëm bima e shtarës dhe bërsheni janë opsionet e mundshme sepse funksionojnë shpejt. Megjithatë asnjë prej këtyre helmeve nuk jep efektet që Shekspiri përmend në sipërfaqen e lëkurës. Ndaj kërkues si David Macht, që e kanë hetuar këtë pyetje rreth një shekull më parë, kanë arritur në përfundimin se helmet e Shekspirit nuk kishin “licencë” tjetër përveç asaj poetike.
Në vitin 1918, Macht po studionte absorbimin e ilaçeve nëpërmjet pjesëve të trupit dhe ishte i vendosur të zbulonte nëse babai i Hamletit mund të helmohej nëpërmjet veshit. Dyshime për të cilat ai bëri disa eksperimente gjatë të cilave u dha qenve nëpërmjet pjesëve të ndryshme të trupit ilaçe dhe mati shpejtësinë e veprimit.
Ajo që ai zbuloi ishte se kur një ilaç përcillej tek uretra ai shkaktonte të vjella brenda disa minutash, krahasuar me 30 minuta ose më shumë që duhej kur absorbohej nëpërmjet fshikëzës së urinës.
Substanca të ndryshme përfshirë niktonën dhe belladonna-n (që është bimë shumë toksike) mund të merreshin përmes veshit dhe ai vëren se tretësira e shtarës përdorej njëherë e një kohë për të shëruar dhembjen e veshit.
Por ekzistojnë disa dyshime se helmi do të vepronte mjaftueshëm shpejt vetëm nëse membrana e timpanit të veshit do të ishte e dëmtuar disi. Në një studim më të vonshëm të vitit 2002, një kërkues argjentinas Basilo Aristidis Kotsias pyet veten nëse Klaudiusi tek vepra e Hamletit kishte dëgjuar se mbreti po humbte dëgjimin dhe kishte marrë me mend se dëmtimi do të ndihmonte helmin.
Helmi me licencë poetike del sërish në pah tek “Ëndrra e një nate vere” ku Titania, mbretëresha e Fairies, drogohet nga mbreti i Fairies. Ajo manipulohet që të bjerë në dashuri me gjënë e parë që sheh pasi zgjohet. Rastis të jetë një fshatar me kokë gomari. Bimët Elizabetiane përfshijnë gjithçka nga farat e hithrës deri te patatja e ëmbël, por Shekspiri përmend manushaqen trengjyrëshe. Në mjekësinë popullore angleze ekzistonte një bimë për kurimin e astmës dhe problemeve të frymëmarrjes, po ashtu edhe një substancë që nxiste urinimin, por asnjëra nuk shkaktonte të rënët në dashuri.
Romeo dhe Zhulieta nuk patën nevojë për asnjë kimikat që t’i bënte të binin në dashuri me njëri-tjetrin. Megjithatë, Zhulieta piu një ilaç si pjesë e përpjekjes për ta bërë familjen e saj të mendonte se kishte vdekur. Një plan që përfundoi keq, kur Romeo e zbuloi atë dhe mendoi se kishte vdekur vërtet duke vrarë veten. Substanca mund të ketë qenë ‘atropa belladonna’ e njohur për efektin e nxitjes së gjumit. Në vitin 1597, në librin e tij “Historia e përgjithshme e bimëve”, Xhon Gerarde shkroi se një sasi e vogël e ‘atropa belladonna’ çon drejt çmendurisë, ndërsa një sasi e moderuar sjell gjumë të rëndë, ndërsa teprimi me këtë lloj bime mund të vrasë.
Në të shkuarën janë rekomanduar farat e xunkthit ose helmi i leopardit, që mendohet se ndihmonin në vrasjen e panterave dhe ujqërve, por jo të njerëzve. Por asnjë prej tyre nuk përfshinin ngadalësimin e zemrës aq shumë sa të merrej për e vdekur.
E vërteta është se ne mund të mos i njohim kurrë helmet dhe ilaçet që Shekspiri ka përmendur, por gjithsesi veprat e tij janë të përqendruara mbi eksplorimin e gjendjes së njeriut dhe jo në enciklopedinë e bimëve.

Related

Shtypi i huaj 8793142764405264645

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item