Tregimi për tre vëllezër - Ferid MUHIQ
Europa është kontinent me fat të veçantë. Me sa njohim, vetëm Europa ka mitin e saj për formimin (lindjen) vetjak. Janë ruajtur madje dy tra...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/tregimi-per-tre-vellezer-ferid-muhiq.html
Europa është kontinent me fat të veçantë. Me sa njohim, vetëm Europa ka mitin e saj për formimin (lindjen) vetjak. Janë ruajtur madje dy tradita mitologjike se si e ka marrë emrin e saj kontinenti Europa. Sipas një tradite, Europa është e bija e Okeanit dhe Tetijes, e motra e Thrakies, Azisë dhe Libisë, e cila i lindi Zeusit të birin, Dodonin, heroin eponim të Dodonës. Sipas traditës tjetër, e cila është shumë më e njohur dhe të cilën ndjek edhe Homeri në Iliadë, Europa ishte e bija e mbretit fenikas Atenorit dhe bashkëshortes së tij mbretëreshë. Një variant si prindër të Europës përmend mbretin fenikas Atenorin dhe mbretëreshën Telefas, ndërsa tjetri flet për mbretin fenikas Fenikun dhe mbretëreshën Perimedën. Në të dyja rastet, prejardhja e Europës, pa dyshim, vendoset në të njëjtin rajon, në Fenikinë e dikurshme, pra jashtë vetë Europës, konkretisht në Lindjen e Afërme, me qendrën në territorin e Jerusalemit. Sipas këtij tregimi Zeusi, babai i zotave, u dashurua në vashën tejet të bukur semite, princeshën fenikase. Që mos ta frikësonte shumë herët, u shndërrua në dem të madh të bardhë, me natyrë të qetë, me aromë mallëngjyese të trëndafilit dhe shafranit. Një ditë, kur në livadhin e qetë idilik Europa vilte lule në shportën prej thuprash, para saj u shfaq një dem i bardhë. E dehur nga aroma e fuqishme, nga forca dhe karakteri i urtë i demit të madh të bardhë, Europa iu afrua dhe filloi ta përkëdhelte. Në fund madje mori guxim që të ngjitet në shpinë të demit të butë të bardhë. Atëherë demi nxitoi me galop në det dhe notoi me Europën në shpinë, deri te ujdhesa Kreta, i përcjellë me këngë dasmore të Nereidave dhe me mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Poseidonit, Amfitrites dhe Afërditës. Këtu Europa me Zeusin lindi tre djem hyjnorë. Në shenjë të dashurisë së madhe ndaj Europës, babai i zotave urdhëroi që kontinenti në veri të Kretës të quhej sipas emrit të saj, dhe atë deri në fund të fundit, më larg se sa që mund të arrijë edhe shikimi më i mprehtë njerëzor. A munden këta tre djem, në një vizion të qartë profetik, të jenë paralajmërim i tri feve të mëdha, të cilat, nga po kjo pjesë e botës, dhe pikërisht nëpërmjet ujdhesës së Kretës si etapë e parë (të kujtojmë faktin se Islami në Kretë ka vendosur praninë e tij të organizuar fuqishëm: politike, ekonomike dhe shtetërore qysh para dymbëdhjetë shekujsh nëpërmjet emiratit të formuar në këtë ujdhesë qysh në vitin 824), dhe se pastaj vetes do t'i gjenim qëndrim të përhershëm dhe të formonim shtete të fuqishme dhe të zhvilluara në këtë kontinent, para së gjithash në dy prej tri siujdhesave të mëdha: Pirineje, Ballkanike, (pa Apeninen), dhe me këtë ka përcaktuar në mënyrë të përhershme fatin edhe të tyre, edhe të tërë kontinentit!? A mundet tregimi për nënën semite të tre vëllezërve, të cilët do ta marshojnë nëpër kontinentin e Europës dhe do ta popullojnë përgjithnjë, duke u quajtur sipas nënës së tyre (!), të bëhet parandjenjë e frymëzuar mitologjike dhe profeci, e cila paralajmëron Kristianizmin, Islamin, Judaizmin, ata tre djem hyjnorë, tre vëllezër. Tri porosi Hyjnore, të dërguara nga vendi i Shenjtë, do ta përhapin fjalën e Zotit në kontinentin e Europës, dhe prej aty, do ta përcjellin në tërë botën!? Nuk përjashtohet, sepse struktura e tregimit mitologjik për emërtimin e kontinentit tonë me emrin Europë edhe në kontekstin filozofik, edhe në atë didaktik është thellësisht fetare. Të kujtojmë, se fjala është për të bijën e mbretit semit të marrë nga vetë Zeusi në Kretë, ku lindi me të tre djem, të cilët në shenjë të dashurisë së madhe i japin tërë kontinentit emrin e saj. Drama e Europës mitologjike është e rreptë dhe konvulsive, është brutale dhe e dhunshme, është e mbështetur në poshtërsi dhe mashtrim. Por, njëkohësisht kjo është dramë e cila të gjitha elementet negative të përmbajtura në premisa, i sublimon dhe i zgjidh maksimalisht në mënyrë pozitive në përfundimin e tij moral! Zeusi vërtet ka shfrytëzuar mashtrimin, por vetëm sepse para kësaj e ka dashuruar sinqerisht Europën. Rrëmbimi i Europës është kryer edhe me pajtimin e saj (qoftë edhe jo tërësisht e vetëdijshme), sepse edhe ajo menjëherë u pajtua me demin e fuqishëm me lëkurë të përsosur të bardhë, me karakter të urtë, i cili kishte aromë më të këndshme se trëndafili dhe shafrani, kurse asaj i nxiti ndjenjën e drejtpërdrejtë të besimit, e cila ishte aq e madhe saqë madje vetë i hipi në shpinë. Dashuria është alibia absolute i këtij mashtrimi, e cila e tëra, nga fillimi deri në fund ka qenë në shërbim të dashurisë, që është pohuar edhe nëpërmjet lindjes së tre djemve, nëpërmjet fatit të lumtur të mëvonshëm të Europës, sikur edhe faktit se në shenjë dashurie ky kontinent i tëri e mori emrin e vashës, të cilën babai Zeusi aq shumë e kishte dashuruar. Nëse i shtojmë edhe të dhënën se po në këtë kontinent qëmoti gjendej Olimpi, pra vetë qendra e zotave mitologjikë në krye me Zeusin, e që megjithatë kurrë para këtij rasti ky kontinent nuk kishte pasur emrin e tij, por e fitoi sipas kësaj vashe semite nga Lindja e Afërt, do të bëhet e qartë se ky tregim mitologjik në fakt është alegori e energjisë mrekulluese paralajmëruese, e cila tërheq vëmendjen në elementet e dunës dhe mashtrimit, por vetëm që të theksohet më fuqishëm elementi i erosit të shpërthyer në dashuri, dhe të theksohet barabarësia thelbësore e të tri feve të lindura në Lindjen e Afërt, kurse të ardhura në Europë nëpërmjet metaforës së tre vëllezërve të lindur, të ngjizur hyjnisht në mitrën e pëlleshme të Lindjes së Afërt! Dhe deri sa këta tre vëllezër jetonin së bashku, qenë të pajtimit. Një ditë u nisën në rrugë për në Europë, kontinenti i panjohur i quajtur sipas emrit të nënës së tyre, vëllai më i vjetër dhe i mesmi. Vëllai i mesëm në fillim ishte i afërt me më të madhin. Kur arritën së bashku në Europë, vëllai më i madhi e ndihmoi të bënte për vete zemrat e shumë popujve, të sundonte mbi shumë shtete dhe të shtinte në dorë pjesë të mëdha të kontinentit, por më vonë tërë pushtetin e grabiti vetëm për vete. Kur duke ndjekur rrugën e vëllezërve të vet, edhe vëllai më i vogël arriti në Europë, edhe ai bëri për vete shumë zemra dhe formoi shtetin e tij, në të cilin jetonin në harmoni dhe me të drejta të barabarta i gëzonin edhe pasardhësit e vëllait të madh dhe të mesëm. I vendosur ta pushtonte për vete tërë kontinentin, vëllai i mesëm i shpalli luftë vëllait më të vogël, e shkatërroi shtetin e tij të cilën e kishte themeluar në Siujdhesën e Pirinejeve, grabiti territorin e tij dhe i përndoqi të gjithë pasardhësit e vëllait më të madh dhe më të voglit. Por, pasardhësit e vëllait më të vogël, tashmë e kishin edhe shtetin e tyre të dytë në Europë, në Siujdhesën Ballkanike, një perandori të fuqishme me fuqi të plotë, në të cilin drejtësia ishte ligji më i lartë, ndërsa i patën hapur më dy kanatash portat dhe në shtetin e tyre, në të cilin pasardhësit e vëllait të mesëm kishin jetuar në paqe dhe të kursyer nga luftërat, i pranonin pasardhësit e përndjekur edhe të vëllait më të madh, edhe më të voglit, duke dëshmuar se të tre vëllezërit, në Europë, e cila iu përket barabar të gjithëve, mund të jetonin në harmoni dhe së bashku. Por kjo mëshirë e vëllait më të vogël e hidhëroi mjaft vëllanë e mesëm. Që atëherë, vëllai i mesëm u kthye kundër vëllait më të vogël dhe i shpalli luftë deri në vdekje. Fati i luftës kishte lëvizur nga njëra anë në anën tjetër, e më në fund do të vendosej paqja. Vëllai i mesëm nuk arriti ta dëbonte tërësisht vëllanë më të vogël nga Europa, dhe, pas një beteje të madhe në të cilën ai humbi deri në fund, hoqi dorë nga përndjekja e mëtejshme dhe i la pak vend në juglindje të kontinentit. Vëllanë e madh, i cili nuk kishte shtetin e tij, vëllai i mesëm e vrau egërsisht në territorin e vet të Europës dhe kreu një holokaust të vërtetë, sepse me milionë pasardhësish të vëllait më të madh i vrau pa mëshirë në llogore, të cilat edhe i pati ndërtuar për këtë qëllim. Edhe pasardhësit e vëllait më të vogël, të cilët patën mbetur në vatrat e veta, kur shtetin e tyre e pushtuan pasardhësit e vëllait të mesëm, e pësuan prej zemërimit të tyre të papërligjur dhe hakmarrjes së pakuptimshme, dhe vijuan të ishin të dëbuar dhe u vranë deri në ditët e sotme, kur u janë mohuar të drejtat e tyre. I lexuar si alegori, ky tregim qartë tregon se kush janë këta tre vëllezër: vëllai më i madh është Judaizmi, vëllai i mesëm është Kristianizmi dhe vëllai më i vogël është Islami. Ky libër flet për atë se si ndodhi që vëllai i mesëm ta konsiderojë vetëm vetveten për europian autokton, kurse tërë kontinentin ta shpallte për pronë të tij legjitime dhe që gjatë kësaj vëllezërit e tij, më të madhin dhe më të voglin, t'i shikonte si trup të huaj, edhe pse të tre, sipas asaj legjende, janë të lindur në Lindjen e Afërt nga nëna e njëjtë dhe i njëjti baba hyjnor. (Marrë nga libri "Identiteti islam i Europës")