Cila është arma e fshehtë e Putinit?

Roger Myerson* A ka ndonjë armë të fshehtë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin? Duket sikur, me një të tundur të dorës në Kremlin, ai mundet...

Roger Myerson*


A ka ndonjë armë të fshehtë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin? Duket sikur, me një të tundur të dorës në Kremlin, ai mundet të bëjë që turmat e secesionistëve të mblidhen në rrugët e Ukrainës lindore, turma që në një farë mënyrë kanë autoritet të mjaftueshëm lokal për të ndalur dhe çarmatosur njësi të ushtrisë ukrainase që u vihen përballë. Dikush mund të pyesë, se mos Putini ka ndonjë aftësi misterioze për të bërë të materializohen këto turma, nën komandën e tij, për së largu, ndërkohë që udhëheqja në Kiev duket e pashpresë për t’u përgjigjur.
Disa kanë argumentuar se Putini mund të jetë duke zbatuar arte të errët të spiunazhit që i ka mësuar në vitet e tij si oficer i KGB-së në Gjermaninë Lindore, para viteve 1990. Sado udhëzuese të mund të ketë qenë ajo përvojë, më lejoni të them që na e largon vëmendjen nga të kuptuarit e sekretit të vërtetë të mjeshtërisë taktike të Putinit në provincat lindore të Ukrainës sot. Agjentë të fshehtë dhe komando nuk mund të arrijnë shumë, pa mbështetjen e vendasve.
Aftësia e Putinit për të menaxhuar njerëzit në qeverisjen lokale u zhvilluar kur ai punoi për kryebashkiakun e Shën Petërsburgut mes viteve 1991 dhe 1996. Më pas, në vitin 1997, u bë zëvendës i Presidentit rus Boris Jelsin, i ngarkuar me marrëdhëniet me 89 qeveritë rajonale të Rusisë. Sipas Endrju Xhek (“Brenda Rusisë së Putinit”), Putini e ka përshkruar këtë pozicion si zëvendës i presidentit për marëdhëniet me qeveritë rajonale, si punën më interesante në të gjithë karrierën e tij.
Në pjesën më të madhe të vitit, ishte detyra e Putinit që të negocionte marrëveshje politike me udhëheqës lokalë në të gjithë provincat e Rusisë. Sigurisht që atëherë e kalonte pjesën më të madhe të kohës në telefon me liderë lokalë, duke bërë premtime dhe kërcënime për të fituar bashkëpunimin e tyre për menaxhimin e politikës dhe politikave publike në të gjithë Rusinë. Në këtë punë, ai zhvilloi tentakula pushteti që shtriheshin nga Moska, në të gjithë Rusinë.
Provincat e Ukrainës sot kanë këshilla të zgjedhur në nivel lokal, por sipas kushtetutës ukrainase, një guvernator i zgjedhur nga presidenti supervizon në fakt administratën shtetërore në secilën provincë. Kështu që, pa shumë kompetenca efektive bazuar mbi kushtetutën, këta këshilltarë provincialë kanë shumë pak zë në sistemin politik të Ukrainës. Në një provincë ku votuesit lokalë nuk kanë mbështetur presidentin apo kryeministrin aktual, askush që ka mbështetje popullore në provincë nuk mund të ketë zë në qeveri në çdo lloj niveli, lokal apo nacional.
Por duke fituar zgjedhjet e tyre lokale, këshilltarët provincialë kanë provuar aftësinë për të mobilizuar mijëra banorë për qëllime politike. Sado i vogël mund të duket roli i tyre sipas kushtetutës së Ukrainës, këta këshilltarë të zgjedhur në nivel lokal kanë fuqi të materializojnë turmat në komunitetet e tyre.
Sigurisht që Putini e ka kuptuar prej kohësh, më mirë se kushdo tjetër, se si disa telefonata dhe premtime nga Kremlini mund të rekrutojnë shumë prej këtyre liderëve lokalë në Ukrainën lindore, për të fituar bashkëpunimin e tyre në organizimin e banorëve vendas në protesta proruse. Për një këshilltar provincial të pavlerësuar, që i kanë çuar fjalë garancie se do të mirëpritet në partinë e pushtetit të Putinit, ideja e ndarjes nga Ukraina dhe bashkimit me Rusinë bëhet shumë joshëse. Nuk ka nevojë për çanta me para.
Mund të pyesim, a ua la Putini këto telefonata zëvendësve të tij, apo u telefonoi personalisht shumë prej këtyre liderëve lokalë në Ukrainë? Gjithashtu, mund të pyesim se sa këshilltarë provincialë në Ukrainën lindore kanë marrë ndonjë telefonatë “konkurruese” nga ndonjë zyrtar i lartë i qeverisë aktuale të Kievit?
Ukraina po konsideron propozime reforme kushtetuese për të decentralizuar pushtetin. Një reformë decentralizimi mund të forcojë Ukrainën kundër rreziqeve ndaj integritetit të saj sovran, vetëm nëse reforma mund të bindë liderët e zgjedhur lokalë në të gjithë vendin se do të kenë pushtet real për t’u shërbyer komuniteteve të tyre, në sistemin e ri të decentralizuar. Udhëheqësit nacionalë të Ukrainës duhet të diskutojnë aktivisht detajet e reformave të tilla me anëtarë të këshillave të provincave në rajonet e paprekur, për të formuluar një plan reformash që mund të fitojë besnikërinë e liderëve të zgjedhur në çdo cep të Ukrainës.
Kështu që, arma sekrete e Putinit nuk duhet të duket misterioze. Pyetja e madhe sot është nëse liderët në Kiev kanë kuptuar rëndësinë jetike të negociimit me këta liderë lokalë, t’u kërkojë mbështetje për integritetin sovran të Ukrainës brenda kufijve aktualë, që janë të njohur. Sigurisht që disa prej këtyre këshilltarëve lokalë do e mirëprisnin një telefonatë nga Kievi.
Ekonomist, fitues i Cmimit Nobel, Universiteti i Cikagos

Related

Shtypi i huaj 4492425647601202376

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item