Bajram Curri në 89 vjetorin e rënies së tij

(In Memoriam për Tribunin e Kombit) Nga Azgan Haklaj Në mitologjinë e Romës së lashtë, Marsi personifikohej si Perëndia e Luftës. Është kjo ...

(In Memoriam për Tribunin e Kombit)
Nga Azgan Haklaj

Në mitologjinë e Romës së lashtë, Marsi personifikohej si Perëndia e Luftës. Është kjo arsyeja që në kalendarin Gregorian të cilit i referohen kombet e qytetëruara, Perëndia e Luftës u përjetësua me emrin e muajit të parë të pranverës.
Marsi identifikohet në memorien historike të kombit shqiptar me ngjarje madhore, të cilat kanë përcaktuar vetë ekzistencën e etnisë shqiptare dhe të ardhmërisë së saj.
Më 2 mars 1444 u mblodh në Lezhë Kuvendi i Princërve Arbnorë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Këtu u farkëtua bashkimi kombëtar dhe u jetësua epopeja e lavdishme 25 vjeçare dhe Shteti i përqendruar Arbnor i udhëhequr nga Heroi ynë Kombëtar.
Dy shekuj më vonë po në Mars, me porosinë e Papës shqiptar Klementi XI e nën drejtimin e Arqipeshkvit të Tivarit, Zmajeviç, në Lezhë u mblodh Kuvendi i Arbërit, i cili me vendimet e tij i dha dritë të pashuar kulturës, arsimit dhe ndërgjegjës nacionale duke përgatitur terrenin për Rilindjen Kombëtare të shekujve XIX-XX-të.
Shtatë Marsi është identifikuar si Dita e Arsimit Shqip.
Pesë-Gjashtë Marsi janë ditët e epopesë të pavdekshme dhe rënies heroike të komandantit të UÇK-së Adem Jasharit.
Më 11 mars është ditëlindja e studentit liberator, udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Azem Hajdarit, që çertifikoi lindjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Më 22 mars 1992 Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha korri një fitore spektakolare mbi partinë shtet dhe ndryshuan faqen e historisë duke iu kthyer shqiptarëve besimin tek Zoti dhe orientuar politikën drejt vlerave perëndimore, për zhvendosjen e Shqipërisë nga Stepat e Lindjes dhe atashimin e saj në Bruksel, në kryeqytetin e Evropës së Bashkuar.
Data 24 Mars shënon betejën legjendare të Gllogjanit, të udhëhequr nga Sfinksi, Augusti i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku mbetën të vrarë Him Haradinaj, Agron Mehmetaj sëbashku me vllain e tij. Kjo ditë shënon fillimin e luftës ajrore të NATO-s mbi makinerinë ushtarake serbe.
Më 26 mars ra heroikisht vigani i Karadakut, Njazi Azemi (Komandant Mjekra), simboli i qëndresës të Luftës në Kosovë, të luftës për të drejtat e Shqiptarëve në Preshevë përkrah komandant Lleshit (Ridvan Qazimi).
Njëzet e nëntë Marsi është Omega e këtij muaji historik për shqiptarët, sepse në këtë datë në vitin 1925 në Shpellën e Dragobisë ra Bajram Curri, prijësi legjendar i betejave për liri e pavarësi që nga Lidhja e Prizrenit e deri sa mbylli sytë. I vlerësuar lart nga shqiptarët dhe kancelaritë e Fuqive të Mëdha, që u morën me Ballkanin dhe Çështjen Shqiptare, Bajram Curri ka merituar epitetet më të larta, prijës, tribun popullor e Plaku i Maleve.
Ai lindi në Krushë të Madhe të Kosovës në një karrocë, e cila e çonte familjen e tij në internim pasi babai i tij, Shaqir Curri, ishte burgosur nga qeveria turke.
Bajram Curri qysh i ri 18- vjeçar u pagëzua në betejat heroike të Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, si luftëtar dhe strateg i shquar. Ai u bë burim frymëzimi në betejat kundër xhonturqëve, serbëve dhe malazezëve, veçanërisht në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 të udhëhequra nga Hasan Prishtina, që synonin drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Këto beteja i dhanë Bacë Bajramit një emër të ndritur në panteonin e burrave të kombit, si krahu i djathtë i Hasan Prishtinës e udhëheqës ushtarak i kryengritjeve të mëdha. Bajram Curri sëbashku me Isë Boletinin, Idriz Seferin, Dedë Gjon Lulin e strategë të tjerë të luftës popullore i dhanë grushte dërmuese Perandorisë Otomane dhe synimeve të qarqeve shoviniste ballkanike që kërkonin me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare.
Bajram Curri nuk ishte vetëm strateg e patriot i shquar, por edhe një protagonist i kuvendeve të mëdha kombëtare të Junikut, Ferizajt, Shkupit, të cilët projektuan një Shqipëri të pavarur e të bashkuar të katër vilajeteve në një shtet të vetëm me kryeqytet Shkupin. Ai ishte orator i rrallë, me autoritet të padiskutueshëm dhe i aftë të hidhte në luftë e të udhëhiqte në betejat për liri mijëra luftëtarë shqiptarë. Ai ishte mik e bashkëluftëtar i korifejve të Pavarësisë, Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Isë Boletinit, Ded Gjon Lulit dhe Murat Toptanit.
Plaku i Maleve ishte njëkohësisht politikan vizionar dhe u rreshtua kurdoherë në krahun e duhur të historisë, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut. Ai i dha jetë shpalljes së Pavarësisë, luftoi me heroizëm kundër pushtimit të Kosovës nga serbo-malazezët dhe kundër rebelimit antikombëtar të Haxhi Qamilit, parazitizmit bajraktaro-feudal dhe bandave esadiste.
Si kryekomandant i forcave qeveritare spastroi vendin nga forcat reaksionare, shtriu kudo autoritetin e qeverisë duke dhënë një kontribut historik në konsolidimin e autoritetit e të themeleve të shtetit të ri shqiptar që doli nga Kongresi i Lushnjes.
Vendimet e Konferencës së Londrës e lenia jashtë autoritetit të shtetit Shqiptar të Kosovës, Çamërisë e të gjysmës së trojeve etnike e brengosen thellë, por ai nuk e pushoi luftën kundër pushtuesve të rinj.
Me vizionin e autoritetin e tij ai ndërtoi marrëdhënie miqësore me austriakët, të cilët i dëbuan serbo-malazezët nga trojet shqiptare. Bajram Curri e çmonte lart ndihmën e perandorisë Austro-Hungareze në krijimin e shtetit shqiptar dhe ndihmën e tyre për hapjen e shkollave shqipe.
Një dimension i madh i figurës së ndritur të Bajram Currit është ndihma e tij e drejtpërdrejtë në arsimin kombëtar. Me të ardhurat e tij ai pagoi bursat e disa studentëve shqiptarë në Vjenë. Hapi shkollën e konviktin e Krumës dhe disa shkolla në Shqipëri e Kosovë.
Bajram Curri ishte emblema e Komitetit të Kosovës, të drejtuar nga Hoxhë Kadri Prishtina e patriotë të tjerë për mbrojtjen e të drejtave e lirive të shqiptarëve të Kosovës. Denoncoi dhunën, vrasjet, dëbimet masive të shqiptarëve, grabitjen e pronës, mbylljen e shkollave në gjuhën amtare. Sëbashku me Azem Galicën mbajtën gjallë lëvizjen guerile dhe shpresën për ribashkimin e trojeve shqiptare që u ndanë pas krijimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në Konferencën e Paqes në Paris.
Vdekja e Bajram Currit më 29 mars 1925 ishte një humbje e rëndë kombëtare. Mbarë popullsia e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen, bija e Gashit, Xhufe Sylja, vajtoi me vargjet:
Ajo pushkë beg si të muer ty,
Ka marrë Rekë ka marrë malësi,
Muer Kosovën shpi për ship
Se për veti s’po kam dert
Mbush i pata 70 vjet,
Veç po m’dhimbet Kosova e shkretë
Kush një fjal për ta se flet.
Noli i madh i ka kushtuar vargjet lapidare:
Thonë u shtri e thonë u vra,
Por ti s’vdiqe or baba,
As te shpella e Dragobisë,
As te zemra e djalërisë!
Që nga ajo ditë dhe deri në ditët e sotme janë shkruar me qindra vargje, dhjetëra poezi, kumtesa,këngë kushtuar Bacë Bajramit. Ai mbetet gjithmonë refren i këngës, monument i shpirtit të kombit.

Related

Histori 2728470485094723236

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item