Më e rëndësishme forma apo përmbajtja?
Majlinda Bushja Vet situatat e jetës së përditshme rrëfejnë në mënyrë të vazhdueshme se, për kohën që jetojmë kur forma është më pak terheqë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/me-e-rendesishme-forma-apo-permbajtja.html
Majlinda Bushja
Vet situatat e jetës së përditshme rrëfejnë në mënyrë të vazhdueshme se, për kohën që jetojmë kur forma është më pak terheqëse se përmbajtja, ne përmbajtjes i japim pak, apo aspak rëndësi. Jo se nuk duam, por ajo që duam ka një mënyrë vlerësimi që nis nga çasti, pasi koha për t’i zgjidhur gjerat vërtet perfekt është e kufizuar. Shumica prej nesh e nisin vlerësimin nga forma dhe mbesin po aty, e po aty vlera e përmbajtes tjetërsohet. Siç shihet kontakti i parë vret. Sot luftohet shumë për t’i dhënë rëndësi primare formës sa ajo në një farë mënyre po zëvendëson përmbajtjen, apo po i jep asaj një rëndësi më pak seç i takon në të vërtetë. Pavarsisht se përmbajtja ka më shumë rëndësi se forma ajo kamuflohet për shkak të peshës që ne sot i japim formës veçandërisht, pasi forma shet. E në botën komerciale kjo është më e rëndësishmja, konsiderohet suksesi.
Meqenësë në jetën tonë ne më shumë vrapojmë sesa ecim për shkak të ritmit të shpejtë të jetës, ne harrojmë për të vlersuar realisht përmbajtien sepse koha në dispozicion nuk na e jep këtë luks. A nuk ndodh shpesh t’i gjykojmë njerëzit dhe shumë gjera të tjera nga forma, natyrisht që po, ky është konkluzioni i parë për shumë njerëz dhe konkluzioni i fundit për disa të tjerë. A është kjo bota e formës apo e përmbajtjes? Mendoj se realisht është e formës për shkak të rëndësisë dhe kohës që i japim kësaj të parës. Aq shumë kohë dhe rëndësi i japim formës në përditshmërinë tonë sa forma na është kthyer në mani dhe ne rendim pas saj, ndërkohë që gjithçka e rëndësishme fluturon me kohën. E gjitha ndodh sepse më shumë na pëlqen e bukura sesa e rehatshmja, na pëlqen dukja dhe jo brendia, na pëlqen momenti pa llogaritur të ardhmen. Gjithkush mund të më kundërshtoj, por çështë e vërteta ne jemi robër të formës. Shumkush do t’i preferonte të dyja por kjo është diçka e pamundur pasi ne nuk jetojmë në një botë perfekte, por perfeksionin përpiqemi ta arrijmë nëpërmjet sakrificave të mundimshme. Nëse na pëlqen që të kënaqim përveç syrit tonë dhe sytë e të tjerëve kjo tregon se ne ende kemi mbetur tek forma, jo se ajo nuk ka rëndësi por rëndësia që i kemi dhënë i kalon vlerat që përmbajtjes i takojnë.
Meqënëse jemi egoistë në brendinë tonë ne gjejmë forma për ta shprehur atë veçandërisht përmes formës, dukjes që merr padrejtësisht atributet e përmbajtjes. Nëse karta e parë e fitores sot është forma atëherë çfarë vendi do t’i japim përmbajtjes që sot është pas formës por që në të vërtetë është e vërteta mbi atë që duam, vlera. Për hir së vërtetës forma konsiderohet fillimi i suksesit, sepse është ndjesia e parë që mund shumë ndjesi të tjera që vijnë më pas, forma e komunikimit, qendrimit, prezantimit, dëgjimit janë thelbësore. Nëse marrim ndjesi pozitive përmes formës në një farë mënyre zbehim vlerën e përmbajtjes e cila nxjerrë përfundimet e vërteta pas një kohe të caktuar.
Në fakt forma është “lëkura” që mbështjell përmbajtjen, por dukja e saj i jep rëndësi edhe asaj që fshihet pas, vet përmbajtjes. Nëse përmbajtja do kohën e vet për t’i caktuar një çmim forma është si diçka e çastit e merr vlerësimin aty për aty. Për formën kjo përbën një zgjidhje por, për përmbajtjen përbën një problem, pasi varësia e kësaj të fundit diktohet nga e para. Nëse i referohemi formës së prezantimit ai është fillimi që na hap derën e suksesit. Nëse dështojmë me formën që kemi zgjedhur të prezantohemi për të arritur një qellim, më pas askush nuk do të interesohet për përmbajtjen tonë, vlerën reale që fshehim por që nuk kemi ditur ta prezantojmë. Forma është zbavitëse për syrin, por kjo tërheqje e çastit, të çastit ka dhe arsyetimin dhe vlerësimin përfundimtar mbi atë që shohim. Realisht është koha e testit që prezanton vlerat, por në fillim nuk kalohet që aty por nëpërmjet formës së prezantimit të vetvetes. Të dish të prezantohesh si duhet është një formë suksesi ku jo çdokush prej nesh ka kurajon ta bëj të vetën. Ne mendojmë madje shpesh, se dimë mjaftueshëm, por njohim veten, vetëm atëherë kur kemi njohur shumë të tjerë më pas. Më pas nivelet krahasuese na shërbejnë si zgjim për të kuptuar se ku jemi dhe kush jemi përballë të tjerëve dhe sa shumë kohë na duhet për të arritur një qellim që në dukje ka reflektuar i kapshëm.
Zakonisht arsyetimin tonë ne e nisim nga forma për shumë situata, ngjarje, njerëz. Hedhim themelet e besimit tonë për shumë vendime duke u nisur vetëm nga dukja, megjithëse përtej saj fshihet e vërteta e cila kur nuk merret parasysh deformon vlerësimin përfundimtar. Pavarsisht se forma konsiderohet mjet suksesi, ajo më shumë i mëshon suksesit të çastit se zgjatjes së tij për shumë kohë. Pasi vlera më shumë përkon me kohëzgjatjen e gjerave, pavarsisht se momenti kërkon ta shes gjithçka me vlerën që i duhet. Kush s’ka durimin të pres ushqen vetveten përherë me këtë të fundit, formën. Forma është vlera që i shtohet vlerës së vërtetë që është përmbajta, por gjithmonë e më shumë po ndodh e kundërta. Zëvendësimi që i bëjmë përmbajtjes po rrënjëzon brenda shoqërisë sonë subjektivitetin e vlerësimit përherë e më shumë. Misteri është i lidhur me përmbajtjen, por pse përmbajtja është zakonisht e mistershme për aq kohë sa ajo egziston, ne në mënyrë të natyrshme bëhemi robër të formës, e vlerësimi subjektiv bëhet natyrshëm pjesë e jetës sonë. Objektiviteti është më i rëndësishmi në vetvete, por rruga deri atje është aq komplekse sa ne përpiqemi t’i zgjidhim gjerat thjeshtë duke rënë në grackën e subjektivitetit, ndoshta për tu dukur praktikë brenda rrjedhës së problemeve.
Ne si individë komentojmë zakonisht për formën e gjërave për atë çka na përcillet në dukje, pavarsisht kureshtjes për të ditur përmbajtjen që shpesh shitet sipas rrethanave në të cilat ndodhemi e u shërben atyre. Ideja që krijojmë në mendjen tonë është se përfundimet tona janë të sakta, nëse do të mendonim ndryshe do të ndiheshim të humbur, madje e gjithë tabloja që shfaqet para nesh përpiqet pikërisht të na miklojë me këtë fakt që ne jemi zotër të kohës që jetojmë. Kjo prurje besimesh na shëron ndërgjegjen në dukje, sepse realisht nuk shohim përmbajtjen, por veç formën sepse është ajo që duket. Kur fuqia e përmbajtjes kalon përmasat e të zakonshmes, formës i zbehet forca e kontaktit të parë. Vëmendja përqendrohet pikërisht aty për shkak të rrezikut të përmbajtjes sepse çdo minutë, mund të konsiderohet minuti i fundit.
Forma i përket “dritës”, përmbajtja “errësirës”, e prirja jonë është të qendrojmë në “dritë”, pa kuptuar se e vërteta fshihet në “errësirë”. Me këtë qendrim ne gjithmonë përpiqemi t’ia lehtësojmë punën vetes, për të dhënë konkluzione të shpejta për gjithçka ndodh, për ne dhe rreth nesh, e ky qendrim joni nuk është i drejti, por që ne shpesh e shesim për të tillë në çdo situatë.