ARSIMI PËRBALLË RUTINËS DHE ASHPËRSISË

ARTAN MULLAJ Zona ku banoj, në lindje të Tiranës është e paasfaltuar dhe e pasistemuar nga pikëpamja urbane. Është një reliev qyteti ku duri...

ARTAN MULLAJ
Zona ku banoj, në lindje të Tiranës është e paasfaltuar dhe e pasistemuar nga pikëpamja urbane. Është një reliev qyteti ku durimi, si një virtyt, nuk mjafton për t’u ambientuar me pasojat që sjellin problemet me ashpërsinë e tyre. Përveç durimit nevojitet edhe shpresë. Shpresë se dhembshuria e Bashkisë do ta ndriçojë këtë zonë me dritën e saj shpirtçjerrëse…Netëve mungon ndriçimi në rrugët e pista, si për të kujtuar epokën e elektrifikimit të vështirë qyshkur, apo llamburitjen si një vegim perëndimi i bllokut në qendër. Mbrëmjeve digjen plehrat shumëjavore të familjeve dembele që kanë zbarkuar dhe pushtuar periferinë gjatë tranzicionit. Ato e paguajnë shtrenjtë injorancën e tyre dhe indiferencën e të tjerëve me shëndetin e gjithë fëmijëve dhe banorëve të tjerë, ndërsa tymi helmues, me furi vullkani pushton banesat një nga një gjatë errësirës. Mbrëmjeve, njerëzit mbyllin dyert dhe dritaret në shtëpitë e tyre, për të bërë paqe me fatin dhe fatalitetin, sepse prej vitesh, nuk dinë dhe ende nuk kanë ku të ankohen për ndotjen e rrezikshme të natës. Mbrëmjeve asnjë llambë nuk ndriçon rrugën kryesore me gropa dhe plehra dhe asgjë nuk e nxjerr në dritë mallkimin e saj elektoral për politikanët që deri tani janë shfaqur në këtë zonë vetëm gjatë fushatave elektorale. Shfaqen  bardhoshë, kodoshë dhe plot siguri në vetvete, njëlloj si paraardhësit e tyre. Njëlloj zbresin nga fuoristradat dhe se kanë për gjë të ecin mes pluhurit apo baltës me këpucët lustrafina, sa herë që ju premtojnë fshatarëve të shndërruar me ngut kryeqytetas, asfaltim, ndriçim dhe sistemim. Njëlloj avullojnë parfum të shtrenjtë nga poret e trupit, por indi aromatik i banorëve të rinj të Tiranës çoroditet për shkak se aroma “noi-velout” e tyre që kushton 500 euro përzihet me erën e padurueshme të ujërave të zeza. Këto ujëra zbresin nga kodra në drejtim të malit të Dajtit, ku mes të tjerave, ndodhet vila kështjellore e Presidentit të Republikës, dhe shtohen nëpër degëzime, derisa krijojnë një përrua ujëzi që ndan zonën, si lumi i Senës Parisin, në dy pjesë. Bashkia e Tiranës ka filluar punimet në një kohë të caktuar, por përfundimi, fshehur në të ardhmen mashtruese, është ende i paqartë dhe aromat, bashkë me tymnajat, bashkë me mashtrimin bashkiak, vazhdojnë.
Realitet i ashpër me njerëz të ashpër, të ardhur në Tiranë nga zona të ashpra,  që kanë vazhdimisht këpucë të ndotura me baltë, dhe kanë fëmijë që luajnë në hapësirat e rrugës përgjatë përroit plot me materie fekale, që notojnë drejt lumit të Lanës dhe thithin tymin e plehrave që digjen në atmosferë. Ekspertët e ambientit, me siguri do të ishin shumë afër konstatimit se këto tymra rrezikojnë qytetarët shumë më tepër se armët kimike të Sirisë.
Por duke thithur avujt vrasës të djegies masive të mbeturinave, dhe duke ecur përgjatë rrjedhjes së fekaleve drejt qendrës,  infrastruktura e humb gradualisht ashpërsinë dhe fillon e përmirësohet. Rrugët janë asfaltuar dhe ndriçuar njëfarësoj. Gratë veshin taka të larta, kanë fytyra burrërore megjithëse ndihen mirë me manikyrët që përdorin dhe minifundet e kursyera. Burrat lexojnë gazetën në mëngjes ose pinë raki me fasule pllaqi, si rojtarët e pyjeve të shkatërruara të Sherës. Shumica janë të papunë, por në çdo rast rrëfejnë historitë e tyre të dashurive të ndaluara ose bëjnë politikë. Megjithatë, ndërsa duke shkuar drejt qendrës ambienti “zbutet”, të njëjtën gjë nuk mund të thuash edhe për njerëzit.   Vështirë të krijosh një ide se ç’statistikë gjeografike kanë historitë, dashuritë, ndërsa treguesi lëviz mbi Tiranë. Ku dashurohet më shumë? Ku tradhtohet më shumë, në ç’zonë, në ç’komunitet, në ç’fis. Ku ka mbeturina më shumë. Ku njerëzit vriten më shumë. Ku xhelozohen burrat më shumë dhe ku, në ç’vend, në ç’kohë, dhunohen gratë më shumë. Shkurt, ka zhurmë, ka jetë, ka histori, dashuri, tradhti, dhunime, vrasje dhe vetëvrasje, të gjitha të shpërndara në mënyrë kaotike, pavarësisht infrastrukturës, ujërave të zeza, tymnajës, apo ngjyrës së pushtetit vendor. Dashuria dhe krimi nuk kanë atdhe, si kudo. Por prapë, dashurohen ose jo, vriten ose jo, dhunohen ose jo, njerëzit në Tiranë janë të ashpër njëlloj, pavarësisht ku jetojnë. Janë njëlloj të çuditshëm. Asfaltimi i rrugëve, dritat, reklamat, disa pemë të mbjella, grumbullimi i plehrave në kosha, pabet, trotuaret me pllakaqe si zemër dhe shumëkatëshet e reja, në qendër, duket se nuk kanë ndikuar aspak në sjelljen civile të njerëzve, dhe në kulturën e tyre.
Që ne jemi një popull i ashpër, kjo nuk do shumë vëmendje për t’u kuptuar. Nëse me ashpërsi quajmë një raport barbar të njeriut me veten, raport që nxjerr në pah vlerën e mohuar të jetës, privimin primitiv nga gjërat dhe ngjarjet e bukura, epiteti i përdorur qëndron.
Kur je i ashpër, je dhe i fortë! Je një krijesë që ka energjinë e mjaftueshme për të shpërfillur normalitetin, ligjet e jetës, ligjet e krijimit. I ashpri sfidon, shkatërron, vret e mohon. Këto janë veprime dhe vendime gjallesash, të cilat kanë zhvendosur normalitetin për të krijuar një normalitet të ri ku sundon paradoksi dhe mosarsyeja. Ne përfaqësohemi prej tyre. Ne vetëbombardohemi me lajme të zeza të një realiteti mizor të cilin vetë ne e krijojmë. Kronika të kobshme dominojnë lajmet e ditës në vend. Burri vret gruan në sy të fëmijëve, për xhelozi ose edhe për para. Jo rrallë vëllai vret vëllain, me thikë, me sëpatë, me gërshërë, për një pëllëmbë tokë ose për hiçmosgjë. Ati vret të birin, vëllai motrën, të gjitha krime brenda familjes. Në Shqipëri, këto janë aq të shpeshta dhe aq të pazakonta, sa mungesa e normalitetit përfaqëson në tërësi realitetin tonë..
Dhe kur ndodh rëndom brenda familjes, krimi i zakonshëm në rrugë mbetet të jetë një rutinë. Të rinj me pistoleta në brez vrasin njëri-tjetrin për parakalim makinash. Për sharje e fyerje. Për vështrime të shtrembëta. Për karshillëqe në rrugë. Rrugëve ndesh cuba të armatosur që me pak vëmendje i dallon kur të duash. Fryjnë gjoksin dhe kanë mësuar të shohin vëngër. Të frymëzuar nga filmat, por edhe nga realiteti shqiptar, që jo rrallë konkurron Hollivudin për nga fantazia e krimit, këta janë si çarqe të ngrehur, gati për sherr, gati për luftë, gati për zjarr. Çdo natë në periferitë e Tiranës dhe qyteteve të tjera, në rrugë, në lokale, në salla bilardosh, grinden, shahen, theren, shqyhen, madje edhe vriten, me një shkujdesje të frikshme.  Madje edhe në shkolla. Ende vazhdon drithërima kombëtare për vrasjen e para disa ditëve në Durrës, brenda një shkolle publike.

***
Qasja gjenetike drejt ashpërsisë, e njerëzve tanë është një lajm i keq. Është lajm i keq, sepse është rezultat i një rutine të gjatë negative, të shndërruar në një zakon të shëmtuar. Nuk do të jetë kurrë i lehtë përmirësimi i civilizimit tonë; as me moralizime, as me programe, as me mbështetje psikologjike, as me drejtësi të shëndetshme. Kemi të bëjmë me një demon instiktiv të ndërgjegjes kolektive, që vepron dhe ndikon realisht në jetën tonë. Vrasja, ndotja, harbutëria, dominojnë skenarët e përditshmërisë sonë. Por ndërsa nuk mund të shtypim a shuajmë instinktet, ne mund të përmirësojmë mënyrën tonë të të menduarit. Ne mund t’i japim më shumë pushtet arsyes, strategjive, edukimit të shëndetshëm të fëmijëve që në bankat e shkollës. Prandaj arsimi është në qendër të këtij rrethi vicioz. Edukimi, natyrisht edhe familja, duhet të angazhohen në vetëdijen se vetëm krijimi i rutinës pozitive që herët, në shkolla, do sjellë zakone të mira dhe njerëz më të arsyeshëm dhe më të civilizuar. Policia mund të parandalojë kriminelët, por vetëm edukimi mund të parandalojë instinktet rebele që prodhojnë krimin shumë herët… Shoqëria jonë sillet në një rreth vicioz ku dominojnë ende vrasjet, gjakmarrjet dhe bajraktarizmi. Është arsimimi dhe edukimi i brezit të ri që do mund ta nxjerrë këtë vend nga ky mallkim i pafund… Janë reformat e shëndetshme, vizioni i qartë dhe strategjitë e edukimit të brezit të ri.

Related

Opinione 5582932602322094569

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item