Adem Demaçi i xhelozon edhe të vdekurit

Shkruan: Ahmet Selmani Adem Demaçi tregohet shumë i pasinqertë, madje edhe i neveritshëm kur arkitektin e pavarësisë, Ibrahim Rugovën e quan...

Shkruan: Ahmet Selmani


Adem Demaçi tregohet shumë i pasinqertë, madje edhe i neveritshëm kur arkitektin e pavarësisë, Ibrahim Rugovën e quan pa fije turpi sabotues të pavarësisë. Nuk e çan kokën fare se çfarë gënjeshtre të pakripë po shqipton para gjithë shqiptarëve, e aq më pak nëse do ta besojë atë ndokush. Por, megjithatë, historia është tepër e pamëshirshme, nuk i harron bëmat e asnjërit

Pikërisht në kohën kur simboli i rezistencës kundër aparteidit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela e mbylli jetën e tij me nder dhe dinjitet të plotë, nga ana tjetër, si për paradoks, erdhi edhe një lajm se “Mandela” i Kosovës, përkatësisht ish i burgosuri politik, Adem Demaçi, vazhdon edhe më tej me marrëzitë e tij të njohura për t’u shndërruar gjithnjë e më tepër në një simbol të padenjë. Në të vërtetë, duke e marrë si shkas humbjen e Isa Mustafës në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor në Prishtinë, ai shfrytëzoi rastin edhe njëherë për ta zbrazur dufin e urrejtjes që e ushqen prej kohësh kundër ish presidentit, Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, ashtu sikundër mund të pritej, ai e “zbuloi” shkakun e humbjes së tij, pra duke e fajësuar Isa Mustafën se i paska ngritur një shtatore presidentit historik, Ibrahim Rugova, të cilin pa ngurrim dhe fare pa cipë e quajti antihero, sabotues të luftës, sabotues të përpjekjes për pavarësi etj. Sipas logjikës së tij, lideri i LDK-së paska humbur pikërisht për shkak të shtatores së ngritur e cila paska kushtuar jo më pak se disa miliona euro.
S’do mend, edhe kësaj radhe u vërejt fare qartë se Adem Demaçi assesi nuk mund të pajtohet me faktin se Ibrahim Rugova do të mbetet pjesë e artë e historisë shqiptare, se pa të Kosova asnjëherë nuk do të ishte kjo që është sot. Duke marrë parasysh edhe këtë deklaratë të tij, mbase është krejt afër mendsh për ne se ky njeri mezi pret ndonjë moment të tillë për ta zbrazur mllefin e vjetër dhe të ri që ka ndaj ish presidentit të Kosovës, madje duke e bërë me shumë zell edhe tani që ai nuk jeton më fizikisht.
Për sa i përket zanafillës së kësaj lufte të pafrenuar e të egër, gjithsesi, duhet thënë se e ka një shkak të të cilin mund ta zbërthejmë fare lehtë. Dhe kjo gjë vlen të kujtohet në mënyrë të veçantë, sidomos duke i përmendur disa veprime e qëndrime që e karakterizojnë njërin dhe tjetrin.
Së pari, kur Adem Demaçi doli nga burgu gati pas 30 vjetësh, Ibrahim Rugova e kishte qartësuar pozicionin e tij lidhur me çështjen e Kosovës. Thjesht, ky i fundit që atëherë pat thënë troç se Kosova duhej të bëhej shtet i pavarur, por në mënyrë paqesore. Kundruall kësaj kërkese tepër të guximshme, e cila zuri të afirmohej gjithnjë e më tepër në qarqet e ndryshme botërore, Adem Demaçi menjëherë nisi të bëhet një ziliqar finok. Prandaj, hapi i parë i tij për t’u treguar si paqesor e human ishte se, në të gjitha takimet, intervistat, debatet etj., serbët, madje edhe maqedonasit e të tjerët, vazhdimisht i quante vëllezër. Dhe, në këtë aspekt, për t’ia kaluar atij për nga qëndrimi pacifist, zilia e madhe e shtyri të shkruante edhe “Librin për Vet Mohimin”, ku e paraqet një shqiptar dhe një serb duke udhëtuar me tren. Në njërën anë serbi gjithë kohën e lume e provokon dhe e fyen shqiptarin, ndërsa, në anën tjetër, ky i fundit vetëm duron deri në absurd. Pra, me anë të kësaj tablloje të parëndomtë dhe atipike, A. Demaçi dëshironte që ta ndërtonte prototipin e shqiptarit paqesor që duron gjithçka. Madje shkonte aq larg sa brenda librit të gjithë dialogët ndërmjet serbit dhe shqiptarit zhvillohen në dy gjuhë; serbi flet vetëm serbisht, ndërsa shqiptari vetëm shqip. Kështu, në fund del se gati gjysma e këtij libri është serbisht e gjysma tjetër shqip. Natyrisht, duke dashur që me këtë t’ia rrëmbejë “bajrakun” e pacifizmit, ai u bë palaço i vërtetë i saj, la një testament tepër të keq për shqiptarët. Dhe meqë nuk arriti asgjë me këtë vetëposhtërim, atëherë vendosi të vazhdonte edhe me metoda të tjera, për ta diskredituar atë me të gjitha mënyrat e mundshme.
Së dyti, derisa I. Rugova besonte plotësisht në projektin e pavarësisë së Kosovës, duke e përsëritur në mënyrë retorike për vite me radhë, Adem Demaçi tallej me këtë gjë dhe pa fije turpi promovonte projektin e Ballkanisë, kuptohet bashkë me Serbinë nën një kulm të përbashkët. Pra qëndrimi dhe ideja e tij ishte krejtësisht jashtë kohës dhe hapësirës, thjesht një projekt kryekëput absurd dhe anakronik, për të mos thënë edhe një kopje e modifikuar e RSFJ-së.
Së treti, gjatë viteve ’90, kur Ibrahim Rugova e mori çmimin “Saharov”, në vlerë prej disa qindra mijëra euro, të gjitha i dhuroi për fondin e studentëve të dalluar, me arsyetimin se ata do t’i duheshin Kosovës në të ardhmen, nga ana tjetër, edhe Adem Demaçi po ashtu e mori këtë çmim prestigjioz, por nuk i dhuroi askujt asnjë cent. Pra I. Rugova dha një porosi shumë të qartë se e donte Kosovën dhe, mbi të gjitha, dëshmoi se i donte të rinjtë, ata që do ta udhëhiqnin Kosovën në të ardhmen. Ndërsa A. Demaçi nuk dha asnjë provë të tillë. Përkundrazi, u tregua shumë zemërngushtë.
Së katërti, kur i erdhi radha që një ditë t’i maste forcat me Ibrahim Rugovën në zgjedhjet presidenciale të cilat u mbajtën dikur, ai dështoi tmerrësisht duke mbetur krejt i turpëruar. Sigurisht, edhe në atë rast e kuptoi qartë se kush ishte Adem Demaçi e kush Ibrahim Rugova para gjithë popullit të Kosovës. Por zjarrin e urrejtjes nuk e fiku kurrë ndaj tij. Prandaj aq më tepër u egërsua në këtë aspekt. Meqë s’kishte çfarë t’i bënte popullit që e votoi I. Rugovën, atëherë vazhdoi të hakërrehet e ta njolloste këtë të fundit si “fajtorin” kryesor për çdo humbje të tij në fushën politike.
Së pesti, A. Demaçi kur e kuptoi se nuk mund të bënte gjë me metodat e tij paqesore, atëherë i shkrepi në mendje që më në fund ta braktiste këtë politikë. Siç dihet, me të dalë në skenë UÇK-ja, ai e gjeti rastin e volitshëm që ta provonte edhe këtë alternativë, duke dalë publikisht në përkrahje të luftës, pra si zëdhënës politik i saj. Megjithëse tani I. Rugova nuk i bënte asgjë, ai nuk pushoi asnjëherë duke u shfryrë kundër tij. Për aq kohë sa zgjati lufta në Drenicë, A. Demaçi krekosej si gjel duke bërë çmos që roli i Rugovës të asgjësohej tërësisht nga skena politike. Në të vërtetë, ai më shumë e kishte luftën me I. Rugovën sesa me S. Millosheviqin.
Së gjashti, kur erdhi koha e Konferencës së Rambujesë, A. Demaçi e kuptoi qartë se gjërat do të rridhnin pikërisht sipas parashikimeve të Ibrahim Rugovës (dialog në prani të palës ndërkombëtare, protektorat ndërkombëtar si fazë kalimtare). Dhe atëherë bëri një marrëzi edhe më të madhe: në mënyrë krejt të papërgjegjshme u deklarua kundër kësaj konference, madje duke bërë thirrje haptas që të mos shkonte askush për të marrë pjesë atje, sepse, sipas tij, amerikanët po na mashtronin. Meqë këtë thirrje nuk e përfilli askush, ai mbeti i krejtësisht i vetmuar në angazhimin e tij. Kështu, Konferenca e Rambujesë u zhvillua ashtu siç e kemi të njohur, por A. Demaçi aq më tepër e humbi orientimin. Ish sekretarja amerkane e shtetit, Medlin Olbrajt, në librin e saj “Zonja sekretare”, pas një bisede telefonike që kishte zhvilluar me këtë njeri, thotë: “E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedimet me rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time”.
Së shtati, kur Ibrahim Rugova u diagnostifikua me kancer në mushkëri, doli haptas para popullit dhe në mënyrë lapidare u zotua burrnisht se do të punonte për Kosovën deri në frymën e fundit. Pra këtë paraqitje e bëri me një dinjitet të paparë e të mahnitshëm. Ndërkaq, Adem Demaçi vajti në Sarandë për ta thithur ajrin e Detit Jon, pa u shqetësuar fort për fatin e Kosovës.
Së teti, kur Ibrahim Rugova i mbylli sytë përgjithmonë, erdhën personalitete të larta botërore për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, sigurisht në shenjë mirënjohjeje për atë që kishte bërë për Kosovën. Të njëjtën gjë e bëri gjithë populli i Kosovës dhe më gjerë, i cili vajti e i bëri homazhe duke e përcjellë në varreza për t’u prehur i qetë. Përjashtim bëri vetëm Adem Demaçi që ishte në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili nuk e pa të udhës t’ia bënte asnjë nderim sado të vogël. Pra dufi kundër tij nuk u shua as pas vdekjes.

E gjithë kjo është një pasqyrë shumë e qartë se përse Adem Demaçi e urren në mënyrë kronike Ibrahim Rugovën. Tani atij i pengon çdo gjë që ka të bëjë me Ibrahim Rugovën, edhe varri i tij që është bërë si një vend pelegrinazhi, ku shkojnë e përulen delegacione të huaja dhe vendëse, qytetarë të thjeshtë, pleq, fëmijë etj. Prandaj, nuk është për t’u habitur që kaq shumë ia vret sytë edhe shtatorja e tij në mes të Prishtinës. Ai e ka tmerr një gjë të tillë. Thjesht dëshiron ta zhvendosë edhe nga historia. Mbase dëshiron ta zhbëjë edhe nga faqja e dheut. Por ja që është e pamundur kjo aventurë naive dhe e ligë njëkohësisht. Me këto veprime kaq destruktive e çnjerëzore harron se nuk mund të arrijë asgjë, përveçse ta rrënojë autoritetin e vet. A. Demaçi tregohet shumë i pasinqertë, madje edhe i neveritshëm kur arkitektin e pavarësisë, Ibrahim Rugovën e quan pa fije turpi sabotues të pavarësisë. Nuk e çan kokën fare se çfarë gënjeshtre të pakripë po shqipton para gjithë shqiptarëve, e aq më pak nëse do ta besojë atë ndokush. Por, megjithatë, historia është tepër e pamëshirshme, nuk i harron bëmat e asnjërit.  E pra, ky është “Mandela” i Kosovës që i urren edhe të vdekurit, që i xhelozon deri në pafundësi.

Related

Opinione 7420636842825297865

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item