A po rikthehet gjeopolitika e kodeve?

Selim Ibraimi Ambasadori amerikan në Maqedoni Paul Wholers gjatë një fjalimi në fund të nëntorit me mjeshtërinë e një diplomati të karrierës...


Selim Ibraimi
Ambasadori amerikan në Maqedoni Paul Wholers gjatë një fjalimi në fund të nëntorit me mjeshtërinë e një diplomati të karrierës, ishte shumë i qartë rreth rolit të identitetit dhe historisë në krijimin dhe ndërtimin e vlerave të një kombi.
Ndërsa novelisti dhe poeti i famshëm irlandez James Joyce (1882-1941) thotë se “historia është një ankth prej së cilës unë përpiqem të zgjohem”.
Po ashtu kur Kroacia hyri në BE në muajin qershor, zv/presidenti amerikan Joe Biden, citoi novelistin James Joyce.E gjithë kjo kishte një domethënie!
Tre shembuj të mrekullueshëm që kanë ngjashmëri me situatën në Ballkan dhe Maqedoni. Është mirë që historia e papërfunduar ballkanike të mos vazhdojë me identitetin, historinë antike dhe mesjetare. Megjithatë forcat jo-demokratike që kanë ende pushtet në rajon, vazhdojnë ta përsërisin këtë ëndërr dhe ankth në politikat e tyre qeveritare.
Mendim historik
Nuk është mirë asnjë komb në rajon pa përkrahjen e SHBA-ve të gërmojë në histori. SHBA me vite kanë investuar për një Ballkan të ri me shtete dhe ekonomi stabile të integruara në BE. Po ja që disa qeveri dhe individë me agjenda të caktuara kanë marrë një rol tepër dëmtues në rajon.
Pas shumë viteve të ballafaquara me krizë, Shqipëria dhe Kosova hodhën disa hapa përpara, gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Vetëm Bosnja dhe Maqedonia sikur kanë ngecur prapa zhvillimeve demokratike.
Serbia është e ndarë rreth partnerëve apo alternativave strategjike, ndërsa Kosova është zhytur me çështjen e veriut, demokracisë së brendshme dhe njohjeve ndërkombëtare.
A ndërsa Maqedonia, është humbur në gjeopolitikën e identitetit, por megjithatë republika është një vend i vogël pa kapacitete të projektojë forcë rajonale. Kështu që e vetmja gjë që mbetet për qeverinë është ndërtimi nga brenda.
Energjinë dhe angazhimin duhet ta përqendrojë në forcimin e barazisë etnike dhe vendosjen e një baze të mirë të rregullimit shtetërorë. Kjo gjë deri më tani nuk ka ndodhur. Vendit nuk i duhet ndonjë aleancë interkontinentale për të ruajtur sigurinë e brendshme dhe të jashtme. Mjafton forcimi i demokracisë së brendshme dhe respektimit të të drejtave individuale, etnike dhe parimeve demokratike.
Deri më tani vendi ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga SHBA-të dhe BE-ja, dhe kjo duhet t’i shërbejë qeverisë dhe të gjithë partive si motiv për të shkuar drejt botës së integruar.
Shpeshherë drejtimi është gabuar dhe është dashur përsëri SHBA të ndërhyjë dhe t’i vendosë proceset politike në binarë. Mbështetja e SHBA është mjaft e rëndësishme për vendin dhe për të gjitha shtetet e izoluara gjeografikisht.
E kemi të njohur faktin se shtetet e brishta ballkanike, përpiqen të duken si palë e fortë në skenën ballkanike dhe të bëhen më tërheqës para Fuqive Botërore.
Por kjo formë e ekspozimit në politikën e jashtme është mjaft e rrezikshme. Këtë gjë nuk duhet ta përqafojë Maqedonia dhe të tjerët. Fuqitë Botërore kanë politikat dhe interesat që shtetet e vogla nuk kanë mundësi dhe burime t’i kuptojnë.
Këtu historia mund të shkaktojë mjaft dridhje, në Ballkanin e mbushur me nacionalizëm. Në Maqedoni, vendosja e një mbreti mesjetarë në qendër të Shkupit, Gazpromi rus, zvarritja e integrimeve, sikur e ka forcuar më shumë idenë e formimit të një boshti jugorë në Ballkan.
Këtu shkojmë thellë në histori, ku gjeografia e një administrimi të vjetër territorial bëhet pjesë e politikave aktuale. Mirëpo, Maqedonia kështu e ka të pamundur të vazhdojë të funksionojë, nëse me të vërtetë nuk ka ndonjë ndërhyrje nga jashtë për të ndalur këtë lëvizje negative. Kjo çështje lë të kuptojmë se shfaqja e një gjeopolitike të re ka për qëllim të pengojë zhvillimin normal demokratik.
Këtu nuk besoj se forcat me ndikim janë për këtë gjë në Maqedoni dhe më gjerë në rajon. Besoj se nuk është vonë, fuqitë e jashtme të mendojnë rreth një politike më aktive në Maqedoni. Në qoftë se kësaj radhe ata janë të prerë në pozicionet, atëherë nuk do të vijë edhe deri tek dështimi i bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni.
Nuk mund të vazhdohet me këto veprime, pasi gjendja sociale dhe siguria e vendit  nuk lejojnë lojëra që dëmtojnë qytetarët. Kjo gjendje sjell vetëm dëm dhe nuk lë shumë perspektivë për ndonjë integrim të shpejtë në BE dhe NATO. Situata që paraqitet gjatë këtyre ditëve është jashtë çdo kontrolli demokratik.
Viti i humbur!
Nuk është mirë të quhet dekada apo viti i humbur për Maqedoninë dhe Ballkanin, për shkak se të gjithë ne, besojmë se këtu ka vend për diçka më shumë. Përparim dhe demokraci nuk mund të arrihet për disa ditë apo vite.
Kërkohet përpjekje maksimale nga qeveritë që mirëqenia dhe demokracia të zhvillohet. Shpeshherë ka ndodhur që kombet të humbasin rrugën apo drejtimin, por zgjimi nuk është vonë.
Tani BE ka një qëndrim të prerë se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të KE-së rreth mundësisë së fillimit të bisedimeve në mes KE-Maqedonisë.
Nuk është asnjëherë vonë reformat e nisura të zbatohen dhe ndoshta është dëshpëruese, por duhet të qartësohet se çka është përparësi në këtë vend.
Dëshirojmë BE dhe NATO-n apo kemi plane dhe projeksione të ndryshme gjeopolitike?! Zyrtarët e BE-së thanë se ndoshta bisedimet do të jenë në agjendë pas muajit maj të 2014. Vërtetë ky do të jetë një vit i vështirë për Maqedoninë dhe koalicionet e ardhshme. Situata e post -mbretit mund t’i vështirësojë edhe më shumë integrimet dhe raportet e brendshme.
Nga një fazë në tjetrën, pa stabilitet dhe qetësi, do të jetë keq dhe rëndë për qytetarët. Andaj kompasi ynë lokal duhet t’i përgjigjet dhe të shkojë baras me diplomacinë ndërkombëtare.
Në rast se vazhdojmë kështu, atëherë edhe pengesat do të jenë më të mëdha në marrjen e kredive dhe autoriteti ndërkombëtarë do të vihej në dyshim. BE dhe SHBA derdhin miliona dollarë dhe euro nga taksa paguesit e tyre për reformat që ende nuk po i përfundojmë apo si kemi nisur.
Kështu KE vendosi në nëntor t’i japë Maqedonisë edhe 60 milion euro për reformat e premtuara. Ndërkaq shuma vjetore e BE-së shkon deri në 100 milion euro.
Po ashtu USAID për më shumë se 15 vite ka miratuar projekte mbi 500 milion dollarë. Megjithatë administrata publike, gjykatat, arsimi, shëndetësia dhe shtypi janë në gjendje jo të mirë.
Përveç SHBA-së dhe BE-së, një depërtim në zonë ka bërë, Rusia dhe Kina, me investime dhe “diplomaci të butë”. Për arsye historike, vendi nuk duhet të lejojë që rajoni të transformohet në unione të reja subpolitike dhe territoriale.
Kështu SHBA dhe BE, mund t’i izolojë të gjitha ata liderë që mbështesin një sistem autoritarë të qeverisjes në Ballkan.Duhet të izolohen partitë politike që promovojnë ideologji dhe varfëri sociale. Me këtë politikë, ndërkombëtarët do të kursenin mjaft të holla në Ballkan. Ish-zëdhënësi i DASH-it James Rubin po ashtu pati të drejtë kur qortoi lidershipin në Prishtinë. Andaj përsëritja e historisë në mjediset e përziera etnike, ndikon në rritjen e nacionalizmit me prirje që shteti të vazhdojë të bëhet jo stabil si rezultat i kapaciteteve të dobëta demokratike.
Gjeopolitika e shekullit të ri
Maqedonia duhet ta ndryshojë kursin e veprimit të politikës së jashtme dhe të largohet nga aleancat e dyfishta. Energjia dhe burimet natyrore kanë çuar qeverinë të mendojë për alternativa tjera dhe të kushtueshme shumë. Përndryshe nga jashtë vërehet se këtu kemi të bëjmë me një paqartësi në diplomacinë e vendit
SHBA me siguri do të vazhdojë me të njëjtën qasje gjate vitit 2014. Do të përkrahë çdo nismë që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve Shkup-Athinë.
Por shqetësuese është gjendja e brendshme në Maqedoni që nuk ndryshon. Është rritur korrupsioni dhe pasiguria ekonomike. Ndoshta kjo ka të bëjë me pesimizmin qeveritar  për të shkuar apo jo në BE dhe NATO. Periferia e Evropës nuk paraqitet aq me perspektivë. Ndërtimi i hekurudhës moderne Maqedoni-Bullgari, Korridori i X, Gazprom dhe lidhjet jug-lindje, ndoshta janë parë si zgjidhje afatshkurtra apo afatgjata për vendin?
Kur jemi këtu, nevoja për një balancë ballkanike do të ishte më mirë se sa një fragmentim, që do të çonte në humbjen e neutralitetit dhe forcimin e boshtit jugor.
Përderisa gjiganti rus Gazprom po kthehet në gadishull, Serbia po merr rolin kryesor energjetik të ndërtimit të rrjetit më të madh të gazsjellësit rus. Me këtë pritet që Beogradi të ndikojë në politikat e jashtme të vendeve fqinjë. Lakmia për tu bashkuar në grupime të vogla dhe për të përfituar më shumë nga këto anëtarësime, bëhet me më interes për shtetet si Maqedonia, Mali i Zi apo Bosnja.
Po ashtu në zonë, Moska mund të paraqitet si faktorë global dhe vendosës. Kur “Unioni Euroaziatik” do të vijë në shprehje, një ndarje e re në rajon dhe Evropë do t’i dëmtonte demokracitë post-komuniste në Ballkan.
Duhet përmendur se shtetet si Kosova, Maqedonia dhe Bosnja paraqesin një rrezik në vetvete për shkak të shoqërive të brishta, mundësisë së një integrimi të vonshëm në BE, vetizolimit dhe vendosjes nën ombrellën e forcave te jashtme. Gjasat e këtyre shteteve për të hyrë në BE para vitit 2020 janë jashtë çdo parametri të KE-së. Këtu mungon qasja evropiane e qeverisjes, zhvillimit të politikave etnike dhe ekonomike. Shtetet e vogla në rajon duke i parë politikat e rrepta ekonomike të BE-së dhe përçarjet në BE, mendojnë se një ‘Iron Curtain’ tjetër në Ballkan dhe Evrope do të paraqitet.
Shkëputja perëndimore dhe forma e re rajonale!
Gjatë katër viteve të fundit kemi parë se disa shtete të Ballkanit pra këtu edhe Maqedonia, kanë bërë përpjekje të pavarësohen nga sfera dhe ndikimi i jashtëm i BE-së dhe SHBA-ve dhe fillimit të një faze të ngritjes së aleancave të sigurisë kolektive.
Përkundër pranisë së ndërkombëtarëve në menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme, aktualisht po bëhet e qartë se BE dhe grupet e interesit në Parlamentin dhe Komisionin Evropian kanë filluar ta humbin interesin rreth nesh.
Po ashtu ish -ambasadori amerikan në Maqedoni Kristofer Hill në muajin gusht tha se SHBA ka filluar ta humbë një pjesë të interesit rreth zgjidhjes së çështjeve të hapura me fqinjët.
Dhe këtu skeptikët thonë se kriza është në prag, pasi me të vërtetë kjo ka bërë që Maqedonia të vazhdojë të mbajë një farë rezerve ndaj kursit euro-atlantik.
Nëse i trajtojmë integrimet globale kështu, atëherë demokracia do të ketë pamje të zymtë. Gjendja serioze dhe politikat që nuk ofruar të paktën zgjidhje minimale, nuk kanë treguar as edhe ndonjë zhvillim normal demokratik në vend.
Gjatë shekullit XVIII dhe XIX, popujt e Ballkanit që fituan pavarësinë nga Perandoria Osmane u lidhën fuqishëm me Kremlinin dhe Evropën. Qeveritë e formuara kishin për qëllim forcimin dhe krijimin e një rendi të ri dhe fillimin e modernizimit të shoqërive agrare.
Koncepti dhe veprimet aktuale të qeverive e forcojnë idenë, se mos është kthyer gjeopolitika e kodeve, një politikë e rrënjosur shumë më herët në Ballkan.
Një cikël me tipare të njëjta u paraqit në vitin 1991 dhe sikur morri fund me Kosovën, por ja që sistemi botërorë, përsëri po pëson ndryshime dhe nevoja për tu lidhur në aleanca dhe unione bëhet si karakteristikë e politikave të jashtme.
Si lojtarë që duan ta ndryshojnë pamjen e rajonit paraqiten Maqedonia dhe Serbia dhe të dy shtetet kanë bërë përcaktime të qarta shtetërore duke nënshkruar një varg marrëveshjesh të karakterit energjetik dhe ushtarak.
Qëllimet kryesisht kanë qenë të ripozicionimit të forcave në Evropën e kapluar nga kriza. Duhet përmendur se politika e jashtme, shtypi dhe media sociale e bazuar në kujtimet dhe përvojat historike të një kombi, mund të sjellë probleme për shtetet e vogla që nuk kanë fuqi. Po kalon një shekull që kur filluan luftërat ballkanike dhe tani përsëri rrotullohet e njëjta situatë e karakterizuar me tensione. Kemi stabilitet të brishtë dhe ngecje ekonomike. Nuk i përfundojmë reformat dhe i refuzojmë të gjitha kërkesat dhe propozimet që vijnë nga jashtë.
Unionet tregtare, platforma amerikane dhe Maqedonia
Kështu nuk duhet të habitemi se si rrjedhojë e krizës në shtetet e eurozonës, që nga vitit 2008, ideve për unione rajonale iu është dhënë një vend të posaçëm. Propozimi për një G-6 në Ballkan ka rëndësi për vetë shtetet që e kanë menduar këtë bashkësi dhe për fuqitë e jashtme.
Bashkëpunimi duhet të bazohet dhe zhvillohet paralel me politikën amerikane. Platforma amerikane për Ballkanin duhet të jetë si bazë e mirë dhe fillestare për unionet.
Ndarja do të çonte në një përplasje që do të zgjonte gjeopolitikën rajonale me kode etnike dhe nacionaliste, që aktualisht jemi duke e dëshmuar në Maqedoni. Dilema e sigurisë do të rritet dhe boshti do të formohet më ndryshe, nëse nismat nuk kanë përkrahje amerikane.
Që nga vitit 1991 kemi parë një zgjatje dhe forcim të muskujve të Maqedonisë drejt fqinjëve. Përdorimi i forcës nuk është bërë vetëm brenda vendit, por edhe tensionimi i fundit në mes Shkupit dhe Prishtinës e vërtetoi situatën, se sa vështirë e ka rajoni të hyjë në BE dhe sa larg qëndron bashkëpunimi dhe modernizmimi ekonomik.
Në fund pasojat e zgjatjes së çështjes se emrit, mund të nxjerrin efekte anësore në Maqedoni dhe po ashtu mund t’i dëmtojnë të gjitha proceset demokratike në Ballkanin Perëndimorë. Përndryshe BE duhet t’i ndëshkojë të gjitha politikat e shteteve të Ballkanit në evolim që kanë për qëllim keqësimin e situatës në shtetet e ndihmuara ekonomikisht nga BE dhe SHBA. Në fund Maqedonia nuk ka mundësi qoftë edhe të largimit nga orbita amerikane, të kundërshtojë konceptin amerikan për rajonin apo Evropën.
Po ashtu në muajin shtator të këtij viti, Maqedonia dhe Kosova shtete me kapacitete të dobëta ekonomike hynë në ‘luftë tregtare’ rreth eksport –importit të miellit. Kjo ishte një mundësi që do të çonte në ndryshimin e baraspeshës rajonale të vitit 1999.
Maqedonia u përpoq të “bllokojë” Kosovën nga jugu, njëjtë ashtu siç ka vepruar Serbia në veri të territorit të Kosovës. Duhet theksuar se prej këtu fillon krijimi i unionit tregtarë në jug të Ballkanit, pasi kemi ngjashmëri në lëvizjet e tyre gjeopolitike.
Nga një aspekt tjetër “luftërat tregtare” mund të dalin jashtë kontrollit në rajon për shkak të problemeve socio-etnike në Maqedoni. Për më shume kriza aktuale tregon për rikthimin e gjeopolitikës së vjetër ballkanike të shekullit të XVIII.
Prandaj për këto arsye shtetet e Ballkanit që aktualisht gjenden prapa integrimeve evropiane, mund të përballen me cikle gjeopolitike që ju përgjigjen mirë qeverive nacionaliste.
Historia, gjeopolitika e identitetit dhe e kodeve, në kujtesën e popujve të Ballkanit ka lënë ëndrra të këqija me interpretime të ndryshme. Perandoritë kur ikën nga gadishulli lanë pas vete mjaft përçarje dhe konflikte.
Sot në Maqedoni dhe më gjerë, kërkohet vullnet politik për ta ndryshuar gjendjen drejt një zhvillimi demokratik dhe paqësorë. Hyrja e gjeopolitikës së kodeve në rajonet e tensionuara historikisht, nuk mund të thuhet se është politikë e mençur. Duhet të shfrytëzohen të gjithë të mirat nga bota e përparuar që vendi të marrë drejtimin e duhur dhe të mos humbet në udhëkryqet e politikave të errëta.
Gërshetimi i simboleve antike, mesjetare, ngarkesat e së kaluarës, problemet etnike dhe pengesat me fqinjët, cenojnë paqen dhe sigurinë rajonale.  Thënia e James Joyce se ” historia është një ankth prej së cilës përpiqem të zgjohem” do të jetë aktuale këtu, përderisa ankthi, do të vazhdojë të mbështetet nga ëndrrat mesjetare të liderëve. Rajoni meriton një qeverisje më ndryshe me liderë dhe qeveri që punojnë për të mirën e të gjithëve.
(Autori ka mbaruar master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Universiteti Webster, SHBA)

Related

Opinione 4189967554440801439

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item