Leksionet e lashtësisë për botën e sotme

Ka një ngjashmëri të madhe mes botës së sotme dhe asaj të Antikitetit të Vonë. Rënia e autoritetit qendror të Amerikës po gjallëron ekstremi...

Ka një ngjashmëri të madhe mes botës së sotme dhe asaj të Antikitetit të Vonë. Rënia e autoritetit qendror të Amerikës po gjallëron ekstremizmin fetar dhe nacionalizmin, njësoj siç ndodhi kur ra Roma
Paqja Romane

Foreign Policy

Pax Romana (Paqja Romane) ishte një periudhë paqeje relative dhe stabiliteti në të gjithë Mesdheun. Por historia është shpesh çështje këndvështrimi. Në vitet 200 pas Krishtit, Perandoria Romake ekzistonte ende nën perandorin e sapovdekur, filozofit pagan Markus Aurelius “në mes të një rrethi magjepsës konservatorësh”, sipas përshkrimit të historianit Piter Broun (Peter Brown) nga Universiteti Princeton.
Por gjatë 500 viteve që pasuan, çdo gjë ndryshoi. Nga viti 700 pas Krishtit, Perandoria Romake ishte zhdukur nga harta e Perëndimit, Perandoria Sasanide Perse ishte zhdukur nga Lindja e Afërt, Europa ishte bërë kristiane ndërsa Lindja e Afërt dhe shumica e Afrikës Veriore ishte bërë myslimane.
Gjatë kësaj epoke, heretikë kristianë të varfër, të paarsimuar dhe ekstremistë e sektarë, sulmuan në të gjithë Mesdheun sinagogat dhe tempujt paganë para se të përmbyseshin në Afrikën e Veriut nga një religjion i ri. Ndërkohë, fiset gotike shpartallonin Europën dhe Azia e Vogël ishte në prag të një konflikti epik mes kristianëve që adhuronin ikonat dhe atyre që lavdëronin shkatërrimin e tyre.
Braun, gjatë jetës së kaluar me studime, i dha një emër kësaj epoke në të cilën bota gradualisht u përmbys: Antikiteti i Vonë.
Antikiteti i Vonë u dominua nga ndryshime të stërmëdha në qytetërim, megjithëse shumë prej tyre nuk lanë gjurmë në atë kohë. Duke shkruar për mesjetën që pasoi, tashmë historiani i ndarë nga jeta i Universitetit të Oksfordit, R.W. Southernm, vërejti: “Kjo heshtje në ndryshimet e mëdha të historisë është diçka që na takon ne gjithkund”. Antikiteti i Vonë shfaqet me dramacitet të plotë vetëm se ne e dimë se kur fillon dhe kur mbaron. Por në secilën nga ditët e atij gjysmë mileniumi, bota e Mesdheut mund të mos dukej aq dramatike dhe shumë pak mund të thoshin se në çfarë drejtimi po lëviznin ngjarjet.
Natyrisht, ora historike lëviz shumë më shpejt sot, dhe mijëra e mijëra fjalë – vetëm në këto faqe – janë shkruar për Pranverën Arabe, rritjen ushtarake të Kinës, trazirat në Bashkimin Europian, Iranin bërthamor dhe largimin nga hegjemonia amerikane e post-Luftës së Ftohtë. Por a mundemi ne sot të dallojmë ndopak më mirë se sa njerëzit e Antikitetit të Vonë se në çfarë drejtimi po ecin punët?
Erozioni i rolit të Amerikës si fuqia organizuese, e cila në vetvete mbështetej te pranimi i heshtur publik dhe paaftësia e të gjithë të tjerëve për të sfiduar status quo-në, i ka çorientuar elitat në Uashington dhe Nju Jork, mirëqenia profesionale e të cilëve është ngushtësisht e lidhur me angazhimin aktiv të Amerikës jashtë vendit. Dhe shumë pak zhvillime janë bërë më domethënëse sa i përket ndjesisë së izolimit të artë mes qytetarëve amerikanë, ose dobësimit të dukshëm të SHBA-së, se sa rasti i Sirisë.
Siria është Levanti, zemra gjeografike e Antikitetit të Vonë. Dhe shpërbërja e saj, njësoj si rrënimi i Libisë, Jemenit dhe Irakut, krahas rebelimeve kronike në Tunizi dhe Egjipt, simbolizon jo lindjen e lirisë, por rënien e autoritetit qendror. Roma nuk mund ta shpëtonte Afrikën e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara nuk do ta shpëtojnë Azinë e Afërt, sepse, siç demonstrojnë sondazhet e opinionit publik, amerikanët janë të ngopur me telashe ushtarake në dhe të huaj. Anarkia, ndoshta e pasuar nga forma të reja të hegjemonisë, do të vijë si pasojë e kësaj.
Nëse jeta e ndonjë individi përmbledh Antikitetin e Vonë, ajo është pa dyshim jeta e Shën Agostinit, një berber i lindur më 354 në Thagaste, pak larg kufirit të Tunizisë në Algjeri. Në tranzicionin e tij nga filozofia pagane te Manikeizmi dhe në fund te Kristianizmi, të cilën ai ia nënshtroi logjikës së Platonit dhe Ciceronit, Shën Agostini përplasi botën e Romës klasike me atë të Mesjetës. Poema e tij e parapëlqyer ishte Eneida i Virgjilit, e cila feston themelimin e Romës si qytetërim universal. Ai bëri fushatë kundër donatistëve radikalë, (devijues berberë), herezia e të cilëve po minonte stabilitetin e Magrebit, megjithëse ai pa përfitime në lidhjet tradicionale si tribadizmi. Dhe ai vdiq në moshën 76-vjeçare më 430, në mes të sulmit të vandalëve mbi prokonsullatën afrikane, kolonia e parë afrikane e Romës. Vepra e tij e madhe, Qyteti i Zotit, shkruan studiuesi Gerri Uills (Garry Wills), u përpoq të ngushëllonte kristianët që ishin çorientuar nga humba e Romës si parimi organizues i botës së njohur. Roma, shkroi Shën Agustini, nuk mund të kënaqë kurrë zemrat e njerëzve: Vetëm Qyteti i Zotit mund ta bëjë këtë. Kështu, ndërsa Roma u dobësua, religjioni u intensifikua.
Ne jemi në prag të një epoke të re që mund të jetë po aq kaotike sa ajo e Mesjetës dhe kjo epokë mund të vijë mbi ne më shpejt, për shkak të mjeteve të revolucioneve elektronike dhe në komunikim, kombinuar me një bum popullsie. Këto e kanë kompresuar historinë.
Mendoni që, më 1989-n, në fund të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ishin kolosi njëpolësh ushtarak dhe ekonomik, demokracia triumfaliste liberale e kapur nga filozofi politik Frensis Fukajama (Francis Fukuyama) në artikullin e tij “Fundi i Historisë?”. Që nga ajo kohë, Bashkimi Europian është zgjeruar përmes Europës Qendrore e Lindore, duke premtuar t’u japë fund stuhive të së shkuarës së kontinentit. Natyrisht, Lindja e Mesme, nga Oqeani Atlantik deri te nënkontinenti i Indisë, ka qenë i keq dhe joliberal përgjatë viteve të para të shekullit të 21-të. Por së paku ishte i fjetur, së paku nga standardet e veta të ulëta.
Pastaj bota shpërtheu. Një sulm në shtëpinë e amerikanëve nga ekstremistët myslimanë solli dy pushtime të mëdha tokësore në Lindjen e Mesme, të cilat, në këmbim, ndihmuan për ta vënë rajonin në lëvizje. Autokracitë dekadente u rrëzuan dhe monarkitë konservatore u detyruan të bëjnë lëshime të paprecedenta, edhe nëse axhenda e presidentit Xhorxh Bush (George W. Bush) Axhenda e Lirisë, nuk doli ashtu siç pritej.
Afrika e Veriut që nga ajo kohë është shpërbërë në një botë pa kufij gangsterësh, milicësh, fisesh e terroristësh transnacionalë, forcash ekspedicionare antiterroriste dhe regjime të vogla të zëna në kurth. Levanti fqinj shpërtheu në një luftë të gjatë me intensitet të ulët me vetëm dy entitete ligjore të lëna mes pikës më lindore të Mesdheut dhe Platesë së Azisë Qendrore: Shteti i hebrenjve dhe ai i persëve (kështu pozicioni qendror i Iranit mbështet idenë e përafrimit me Shtetet e Bashkuara).
Ndërsa kjo ka ndodhur, Bashkimi Europian ka filluar të dridhet seriozisht. Një krizë borxhesh, rënie ekonomike dhe nivele të larta papunësie që vijojnë për vite, ndërsa shteti i mirëqenies, gjurma e arritjes morale të politikanëve europianë të pasluftës – bëhet në një masë të madhe i papërballueshëm. Rezultati është që vetë Bashkimi Europian, kaq dominues gjatë dy dekadave të para pas rënies së Murit të Berlinit, ka humbur një pjesë të forcës së vet gjeopolitike në Europën Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që Rusia është rishfaqur si vend autoritar dhe i fuqishëm, falë të ardhurave nga burimet energjetike. Harta e Europës po ndryshon  nga ajo e ngjyrës uniforme te kthimi te nuancat e divergjencës, me identitete kombëtare – që dikur konsideroheshin si në rënie, tashmë po shfaqen në rigjallërim.
Sa për Kinën, ai ndryshim i madh demografik dhe gjeografik që është bërë motori i tregtisë së botës, pas pothuajse një të tretën e një shekulli rritje pa precedentë, ekonomia e saj më në fund po ngadalësohet. Ekonomia dhe ushtria e Kinës janë ende duke u rritur pasivisht në terma absolutë, por e ardhmja e Mbretërisë së Mesme nuk është më aq e sigurt sa dukej vetëm një dekadë më parë.
Ndërsa minoritetet etnike dhe kinezët Han kërkojnë më shumë liri në mes të më pak mundësive, është e mundur që Kina një ditë të përballet me fatin e Bashkimit Sovjetik.
Autoriteti, dikur kaq i sigurt dhe i shpërndarë siç duhet në të gjithë botën, duket sikur është në një proces shpërbërjeje në copa të vogla me sekte dhe herezi – salafistë, kriminelë kibernetikë e me radhë – duke hyrë nga të gjitha dyert. Shtetet e Bashkuara vijojnë të sundojnë ekonomikisht dhe ushtarakisht, me rezerva të stërmëdha burimesh natyrore. Gjithsesi, fuqia e Amerikës është duke u përballur gjithnjë e më shumë me këto forca të reja e të paparashikueshme.
Fuqia e madhe, tanke dhe avionë lufte, bomba atomike e aeroplanmbajtëse, duken gjithnjë e më shumë si produkte të një Epoke Industriale në rënie të vazhdueshme. Megjithatë versioni postmodern i Antikitetit të Vonë thjesht sa ka filluar.
Në mes të kësaj panorame trazirash botërore dhe formash të reja sovraniteti (një fenomen që Shën Agustini e përjetoi 1,600 vjet më parë), një vëzhgim interesant ka zënë papritur vend: fiset kanë rëndësi. Po, fiset. Ata ishin zgjidhja për kontrollin e dhunës dhe përballjen me ekstremistët fetarë me vdekjen e kulteve të tyre në Irak. Ato kanë qenë realiteti dominues në Afganistan, një botë klanesh e fisesh (ajo që pashtunët e quajnë nënklane). Dhe kur ato regjime reptilësh në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme u themeluan, u rrëzuan, nuk ishte demokracia ajo që u shfaq, por ishin fiset. Kështu ndodhi veçanërisht në Jemen, Libi dhe Mali, por ishte gjithashtu e vërtetë deri në habi në shoqëri edhe më të zhvilluara si Siria, ku poshtë mbulesës së sektarizmit gjendet një mozaik fisesh e klanesh, shumë prej të cilëve janë shkrirë me shpirtin e luftës së shenjtë.
Në botën e Shën Agustinit të rënies perandorake, këto lidhje të lashta ofronin frymëmarrje nga trazirat për shkak se brenda fiseve kishte një hierarki dhe organizim. Por moderniteti supozohej të na çlironte ne nga këto pranga të afrimësisë fisnore. Në të vërtetë, moderniteti, shkroi Ernest Gellner, antropologu shoqëror britaniko-çek, nënkupton rritjen e autoritetit të centralizuar dhe rënien si pasojë e kësaj të tribadizmit.
Por pikërisht e kundërta po ndodh: rrënimi i autoritetit qendror në pjesën më të madhe të Afrikës së Veriut dhe në Lindjen e Mesme (si dhe rilindja e nacionalizmit në pjesë të Europës) tregon se moderniteti nuk është asgjë tjetër veçse një fazë kalimtare. Sot, fiset me autostrada, telefona satelitorë, eksplozivë plastikë dhe raketa krahu ndihmojnë për të ngushtuar distancën mes Antikitetit të Vonë dhe fillimit të këtij shekulli.
Afrika e Veriut e Shën Agustinit sot është përplot me ngrehinat e degraduara urbane, me tulla të krisura dhe çati llamarinash. Ajo do të shohë rritjen e popullsisë së vet nga 208 milionë në 316 milionë deri në vitin 2050, duke vënë nën presion të rëndë burimet, qoftë natyrore, qoftë të krijuara nga njeriu, nga uji te qeveria.
Ndërsa këta milionë lëvizin drejt qyteteve në kërkim të punës dhe lidhjeve, rendi politik pa dyshim do të zhvendoset. Në të vërtetë, ajo që ne konsiderojmë si modernitet, në vetvete mund të jetë sakaq e kaluar. Titujt e parë nga tani deri atëherë do të jenë zhurmëshumë e histerikë, siç janë sot në Siri, edhe ndërsa ndryshimet themelore fillimisht do të jenë të padukshme.
Sepse historia nuk është vetëm për sa i përket pranimit të heshtur, por edhe për sa i përket lëvizjes së ngadaltë të tokës nën këmbët tona.
Te Qyteti i Zotit, Shën Agustini zbuloi se është i devotshëm, ata që kërkojnë faljen, nuk kanë nevojë të kenë frikë nga e ardhmja. Dhe ndërsa fiset e vjetra tashmë ngadalë po ndalojnë grirësen e mishit të urbanizimit të botës në zhvillim, religjioni do të jetë më i nevojshëm se kurrë si zëvendësues. Për fat të keq, islami ekstremist (dhe gjithashtu kristianizmi evangjelist e judaizmi ortodoks në Perëndim), marrin kuptim në kohën tonë, edhe pse Nemesisi i të gjithë kësaj mund të mos jetë demokracia, por forma të reja të autoritetit ushtarak. Antikiteti i Vonë është i vlefshëm deri në atë shkallë sa na bën ne modestë në parashikimin e asaj që na pret. Por se çfarë vjen më vonë, qerthulli magjepsës i elitave perëndimore përfundimisht nuk është në gjendje ta kontrollojë.

Related

Lajme 7166112390721515186

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item