Si të gjeni punën që ju bën më të pasur
Shpeshherë, mënyra e paraqitjes së dokumenteve apo CV-së ndikon në prezantimin e parë me punëdhënësin. Nga ana tjetër, ka disa gjëra për të ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/si-te-gjeni-punen-qe-ju-ben-me-te-pasur.html
Shpeshherë, mënyra e paraqitjes së dokumenteve apo CV-së ndikon në prezantimin e parë me punëdhënësin. Nga ana tjetër, ka disa gjëra për të cilat duhet të jeni të përgatitur. Zbulojini në këtë artikull
Si t’i afroheni një kompanie në të cilën doni të punoni, por nuk ka nxjerrë njoftim për punë?
Mënyra më e mirë është që të krijoni njohje me punonjës të rëndësishëm të kësaj kompanie dhe të paraqisni interes të vazhdueshëm dhe të bini në sy në njohjet që krijoni se jeni mjaft i interesuar për të punuar aty. Mos hezitoni të takoni edhe shefin apo menaxherin e burimeve njerëzore. Mund t’i dërgoni dhe një letër interesi ku t’i tregoni personit të duhur se ju jeni i interesuar për të punuar. Por, mos u bëni i bezdisshëm!
Çfarë të bëni që CV-ja juaj të bjerë në sy?
Në radhë të parë, ju duhet që të siguroheni që CV-ja juaj të jetë e lehtë për t’u lexuar dhe të duket e këndshme. Tregohuni të kujdesshëm, pasi shpesh CV-të janë jo fort të kuptueshme. Ato herë kanë mangësi në informacion ose duken shumë të pabesueshme. Ju mund të përdorni edhe ngjyra ose lloje shkrimi të veçanta. Por mbani parasysh se punëdhënësit janë më shumë të interesuar për përmbajtjen. Por gjëja më e rëndësishme është që në CV të shihen qartë arritjet tuaja dhe aftësitë që ju bëjnë më të përshtatshmin për vendin e punës që ju kërkoni. Mos e dërgoni kurrë CV-në në anglisht apo në gjuhë të tjera të huaja. Kjo do të krijojë bezdi dhe mendimin se ju keni nënvlerësim për kompanitë shqiptare dhe se paraqiteni atje nga halli.
Cilat janë gabimet më të shpeshta?
Gabimi më i shpeshtë që bëhet në shkrimin e një CV-je është thjesht shkrimi i një liste të punëve të bëra më parë. Fatkeqësisht, kjo metodë e shkrimit të CV-ve është e shpeshtë në Shqipëri. Por përvoja e vendeve të përparuara tregon se nuk është i rëndësishëm vetëm fakti i pasjes së një përvoje pune pranë një kompanie të caktuar. CV-ja duhet të tregojë arritjet që ju keni pasur gjatë punës në vende të ndryshme. Thjesht fakti se ju keni punuar diku në një kompani dhe keni pasur një detyrë të caktuar nuk do të thotë se jeni i kualifikuar për punën e re. Menaxherët dhe administratorët që merren me aplikimin dhe intervistat e punës duhet të kërkojnë arritjet dhe rezultatet e kandidatit pikërisht në punët e mëparshme dhe të mos konsiderojnë thjesht punët. Shpesh, në CV shkruhen gjëra shumë të përgjithshme si p.sh. shprehja “njohuri të mira në kompjuter” nuk mjafton apo njohje e programeve bazë të kompjuterit. Ju duhet të thoni programet që dini të përdorni ose aftësitë e menaxhimit të rrjeteve, mirëmbajtjen e kompjuterëve, njohuritë më të spikatura dhe ato që nuk i keni.
Si të krijoni një rrjet njerëzish që t’ju ndihmojnë në çështjet e punësimit?
Ju duhet të përdorni çdo mënyrë të mundshme. Për këtë mund t’ju ndihmojnë miqtë, familjarët, kushërinjtë, ortakët e biznesit, ish-shokët e klasës etj. Gjithashtu ju duhet të shfrytëzoni çdo situatë që të takoni njerëz të rinj e të bini në sy. Raste të tilla mund të jenë trajnime, punë me kohë të pjesshme, punë vullnetare, pjesëmarrje në organizata jofitimprurëse etj. Kur ju krijohen mundësi të tilla, ju duhet t’i shfrytëzoni në maksimum. Prezantoni veten, lërini t’i kuptoni personit tjetër se çfarë po kërkoni dhe pyeteni nëse mund të takoheni më vonë për të diskutuar për çështje të ndryshme, përfshi punësimin tuaj.
Cilat janë të mirat e të këqijat e punës me kohë të pjesshme, kur jeni në kërkim të një pune me kohë të plotë?
Punët me kohë të pjesshme ju ndihmojnë që të zbusni problemet financiare gjatë kohës që ju kërkoni punë. Gjithashtu ju mund të krijoni njohje, por edhe të zhvilloni zotësitë tuaja, duke fituar përvojë pune. Në qoftë se ju jeni me të vërtetë të mirë, atëherë puna juaj me kohë të pjesshme mund të shndërrohet në një trampolinë për t’u punësuar me kohë të plotë. E vetmja e metë është se puna me kohë të pjesshme ju merr kohë gjatë kërkimit të punës.
Si të silleni në një intervistë pune?
Gjithmonë mendoni si personi që po ju bën intervistën. Mbani parasysh qëllimet që ka ky person për marrjen tuaj në punë. Ju duhet të tregoni që keni aftësitë e duhura dhe motivimin për të punuar në atë detyrë. Ju duhet të flisni edhe për përvojat tuaja të kaluara, aftësitë etj.
Sa të sinqertë duhet të jeni gjatë një interviste pune?
Sa më të sinqertë që të mundeni. Por me kujdes që të mos jepni informacion që është kundër jush. Kjo varet edhe nga tipi i pyetjeve që ju bëhen. Në qoftë se punëmarrësit janë të huaj, kujdesi duhet të jetë më i madh. Duhet pasur kujdes që të mos zbulohen gjëra të pavërteta. Kjo do t’ju bëjë të dukeni mashtrues, edhe nëse thoni të vërtetën.
Si t’ia bëni nëse ju thonë: “Jeni tepër i kualifikuar për këtë punë”?
Kur një punëmarrës ju thotë që jeni tepër i kualifikuar, shqetësimi i tyre është nëse me të vërtetë jeni i interesuar për atë vend pune. Një tjetër arsye është për të provuar motivimin tuaj për atë detyrë, megjithëse paga e privilegjet do të jenë më të ulëta se ato që përshtaten me kualifikimet tuaja në tregun e punës. Në vend që të diskutoni për këtë çështje ju duhet të tregoni se shqetësimet e personit nuk qëndrojnë. Punëdhënësit tuaj të ardhshëm duhet t’i tregoni se ju jeni me të vërtetë të motivuar dhe se pagesa nuk është gjëja më e rëndësishme. Ju duhet të tregoni edhe se duke ju marrë ju në punë, kompanisë i rritet vlera e saj. Kjo pasi rritet një nga asetet më të rëndësishme të një kompanie; cilësia e burimeve njerëzore./Revista Ekonomia