Përse u besojmë teorive të komplotit?
Nga Fareed Zakaria Të gjithë ju që jeni të lodhur nga mbulimi mediatik që i është bërë aksidentit të Malaysian Airlines 370, dua të provoni ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/perse-u-besojme-teorive-te-komplotit.html
Nga Fareed Zakaria
Të gjithë ju që jeni të lodhur nga mbulimi mediatik që i është bërë aksidentit të Malaysian Airlines 370, dua të provoni një eksperiment.
Kur të jeni me një grup miqsh – të cilët e shfaqin lodhjen e tyre sapo nisni dhe e përmendni këtë cështje – pyetini se cfarë mendojnë që ka ndodhur me avionin. Shumë shpejt, do të ndodheni në mes të një diskutimi shumë të gjallë – me shumë teori të ndryshme, secila e mundshme, po prapëseprapë secila me të meta.
Avioni u rrëmbye, do të thotë dikush. Po atëherë, përse nuk pati kërkesa nga rrembyesit? Ishte aksident, do të thotë dikush tjetër. Po atëherë, përse nuk pati lëshim sinjalesh alarmi? Misteri i asaj që ndodhi në të vërtetë është në qendër të magjepsjes sonë pas kësaj historie. Dhe tani, misteri është shkrirë në një numër gjithnjë në rritje teorish komploti, për atë cfarë ndodhi atë ditë fatkeqe të muajit që kaloi, kur avioni u zhduk.
Ka filmime në YouTube që thonë se alienët kanë patur gisht në këtë ngjarje. Ka postime në blogje që akuzojnë iranianët se e kanë rrëmbyer avionin. Shumëkush beson se pasagjerët dhe ekuipazhi janë ende gjallë, ndoshta diku në një ishull – tamam si në ngjarjet e serisë televizive “Lost”.
Po mendoja për disa prej këtyre teorive dy ditë më parë, teksa lexoja një libër të ri të profesorit të jurisprudencës në Harvard dhe ish zyrtarit te administratës Obama, Cass Sunstein. Titullohet “Teoritë e komplotit – dhe ide të tjera të rrezikshme”. Eseja kryesore në libër shpjegon përse teoritë e komplotit përhapen – dhe Fluturimi 370 është një shembull i përsosur i logjikës së tij. Sunstein i trajton me seriozitet teoritë e komplotit, dhe me këtë dua të them që ai nuk pohon që njerëzit janë të cmendur kur u besojnë atyre.
Në fakt, ai argumenton që, përderisa kaq shumë njerëz në kaq shumë vende u besojnë teorive të tilla, ne duhet të kuptojmë përse dhe si.
Një kusht kryesor që ndihmon në përhapjen e teorive të komplotit është mungesa e informacionit. Kur informacioni është i mangët, teoritë e tilla shfaqen me bollëk. Dhe ne në fakt nuk dimë shumë gjëra për atë që ndodhi realisht me atë avion.
Tendenca për teori komploti rritet kur ka mosbesim ndaj politikës, politikanëve dhe autoriteteve. Këtë element mund ta shohësh në sistemet politikë disi të paqartë si Malajzia dhe Kina. Por mund ta shohësh edhe në SHBA, një vend i famshëm për mosbesimin ndaj qeverisë së vet.
Sunstein thotë se kur një ngjarje e madhe prodhon ndjenja dhe emocione, njerëzit – në gjendje frike apo zemërimi – e kanë më të lehtë të besojnë në ide të tilla. Një vrasje si ajo e John F. Kennedyt, një sulm terrorist si ai i 11 shtatorit, apo rrëzimi i një avioni, të gjitha janë ngjarje që kanë prirjen të prodhojnë emocione të fortë si dhe të vënë njerëzit në kërkim të dickaje apo dikujt për të fajësuar.
Edhe mendimi në grup ka efekt. Kur njerëzit e prekur apo të interesuar në ngjarjen kanë tendencën të mblidhen në grup, të flasin me njëri-tjetrin dhe të komunikojnë në izolim, bindjet e tyre kanë prirjen të forcohen. Kështu që, nëse cdo njeri me të cilin flisni – dhe dëgjoni apo shihni – beson se Presidenti Obama po e fsheh certifikatën e lindjes, atëherë bëhesh gjithmonë e më i sigurtë për këtë gjë me kalimin e kohës.
Por arsyeja më e rëndësishme, thotë Sunstein, është se ne, qenieve njerëzore, nuk na pëlqen të besojmë që gjërat ndodhin për arsye arbitrare. Ne kërkojmë një model dhe, nëse e shohim, pavarësisht se sa i pabesueshëm mund të jetë, preferojmë atë dhe jo idenë e rastësisë.
Sunstein thekson se filozofi Karl Popper thoshte që qeniet njerëzore preferojnë të besojnë tek qëllimi – që një ngjarje shkaktohet nga një qëllim apo veprim i posacëm. Kështu që, ne ekzagjerojmë aftësinë e njerëzve, apo qeverive, apo bankave të mëdha, sepse mendojmë që gjërat janë drejtuar nga dikush.
Tani, ndonjëherë ka edhe komplote.
Por, ajo që unë mendoj për botën, është se ndonjëherë gjërat ndodhin gabimisht, prej informacionit të keq apo pa dashje. Ose, sic thotë Ligji i Hanlonit: asnjëherë mos ia atribuo dashakeqësisë, atë që mund të ketë ndodhur prej paaftësisë.
Ndoshta nxitësi më i madh i ngjarjeve është dicka vërtetë misterioze – shansi. Gjërat shkojnë mirë, ose keq, për shkak të fatit – ndonjëherë fat i mirë, herë të tjera fat i keq. Dhe kombinimi i shansit, injorancës dhe paaftësisë shpesh herë prodhon dicka që duket si mister dhe ngjan si komplot.
Përgatiti: E.Gjini-bota.al/