GABIMET USHTARAKE / Kronikë e gafave që ndryshuan historinë e botës
Që nga pyjet e Teuteburgut, e deriwaterloo 1 në malet e Afganistanit, ja një kronikë e gabimeve ushtarakë më dramatikë të të gjithë kohërave...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/04/gabimet-ushtarake-kronike-e-gafave-qe.html
Që nga pyjet e Teuteburgut, e deriwaterloo 1 në malet e Afganistanit, ja një kronikë e gabimeve ushtarakë më dramatikë të të gjithë kohërave, pasojat e të cilëve kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe, sot e kësaj dite, kanë ndikimin e tyre në skakierën ndërkombëtare
Salamina (480 b.e.c.)
Dinakëri dhe taktikë, por edhe marrëzi dhe gabime të rëndë janë ingredientët që, të përzier bashkë, sollën fillimin dhe fundin e betejës së përgjakshme të Salaminës, gjithmonë e kujtuar si një prej përplasjeve që kontribuoi për t’u mbyllur perësve dyert e Greqisë së lashtë dhe bashkë me të edhe Europës. Një betejë detare që u luftua ashpërsisht në 28 nëntor të vitit 480 p.e.s. dhe që shënoi humbjen e mbretit të Persisë dhe Egjiptit, Kserksi I, biri i Darit të Madh, i konsideruar nga Eskili “mbret i mbretërve, i të gjithë fiseve njerëzorë dhe i të gjithë tokave të largëta”, e që u fitua nga një strukturë qytetesh-shtete të udhëhequr prej Athinës dhe Spartës.
Dhjetë vite pas humbjes së Maratonës (shtator 490 p.e.s.) ushtria perse provoi sërish që të sfidojë grekët. Kserksi urdhëroi për luftë dhe menjëherë një seri qytetesh dhe provincash u dorëzuan pa asnjë rezistencë: u gjunjëzuan Thesalia dhe Teba, Etolia, Epiri dhe Cikladat lindore.
Gjenerali grek Themistokliu, nuk iu përgjigj as ambasadorit të dërguar prej mbretit për “të patur tokat dhe ujërat”, domethënë të nënshtrohej. I preu kokën, jo për shkak të kërkesës së paturpshme, por për faktin që e kish bërë këtë kërkesë në greqisht, një gjuhë shumë fisnike dhe e lartë për t’u përdorur prej barbarëve, sic konsideroheshin grekët prej persëve. Menjëherë nxit një revolucion strategjik, pasi e kupton që ushtria e madhe perse nuk mund të ndalej në tokë, pasi ishte shumë më superiore, mbi të gjitha në numra, se sa ajo greke. E vetmja shpresë, pavarësisht rezistencës shumë të fortë nga brenda dhe të aleatëve spartanë, është deti, “druri” i përmendur dhe ndoshta i sugjeruar prej Orakullit të Delfit, i cili u pyet disa herë për këtë argument: “… Zeusi i gjithëpushtetshëm bën të vetmin lëshim që të mbetet i paprekur muri i drurit! O Salaminë hyjnore, do të shkatërrosh, ose do të bësh të vdesin bijtë e nënave”.
Dhe kështu ndodhi. Euribiadi, luftëtar dhe admiral spartan, udhëheq flotën greke, por është strategu Themistokliu që bën të gjithë lojën: një skllav i tij dërgohet tek Kserksi që, i mashtruar, nis të besojë se flota greke është e ndarë. Mbreti pers nënvlerëson forcat helenike dhe lejon të tërhiqet në Gjirin e Salaminës – ngushtica që lidh gjirin Saronik me atë të Eleusit – i shtyrë edhe prej nxitimit për të mbyllur sa më shpejt fushatën e gjatë.
Në pikën më të ngushtë të gjirit të vogël janë të vendosura 378 anijet e mëdha greke, nga ana tjetër 720 anijet perse (1200 sipas Eskilit), anije të vogla që në det të hapur, dhe jo në një ngushticë, do të kishin mundur t’u bënin bisht atyre greke. Linja e parë dhe pas saj të tjerat praktikisht shtypen pre janijeve të mëdha greke.
Eshtë një katastrofë. Dymbëdhjetë orë luftime më vonë ujërat janë skuqur prej më shumë se 100 mijë të vdekurve, grekët kanë humbur 40 anije, ndërsa kundërshtarët e tyre më shumë se 200. “Janë të mbushura me kufoma brigjet e Salaminës dhe vendet përreth… Ah, Salaminë, tingulli i dhimbjes, ah Athinë, kujtimi i vajit!” Greqia shpëton dhe persët mposhten, bashkë me ëndrrën e tyre për të krijuar perandorinë e parë botërore.
Teutoburgu (Viti 9)
Pushtimi i Gjermanisë veriore mes Renit dhe Elbës në vitet 4-5 pas Krishtit realizuar nga Tiberi dhe që zgjati më shumë se njëzetë vite, u prish brenda vetëm tre ditëve prej njërës prej disfatave më të rënda të historisë ushtarake romake. Për ironi të fatit, në krye të ushtrisë nuk ishte një gejneral, por guvernatori i territoreve të sapo pushtuar, Lucio Varo. Biografi Svetoni, tek “Jetët e dymbëdhjetë Cezarëve” na informon se perandori August, pasi mëson për rezultatin e ekspeditës, pothuajse i marrosur prej dhimbjes ka ulëritur: “Varo, ku i ke legjionet e mi!”
Në shtator të vitit 9 pas Krishtit ushtria legjionare që marshon drejt lumit Ren bie në një pritë të organizuar nga Armini, princi i Keruskëve në krye të një koalicioni fisesh gjermanikë. Mospërgatitja totale e guvernatorit romak do të materializohej në një seri gabimesh taktikë dhe ushtarakë me pasoja dramatike gjatë kalimit të pyllit të Teutoburgut. Varo kishte në dispozicion tre legjione me rangje të plotë, pra afro 15 mijë legjionarë dhe 5 mijë ndihmës dhe kishte përballë një armik pak më të madh në numër. Guvernatori, pa u vënë veshin zërave që qarkullonin për një pritë të mundshme, në një territor të paeksploruar dhe në brendësi të një pylli të rrethuar me këneta, nuk mori asnjë masë paraprake për të shmangur rënien në kurth. Marshimi, i shoqëruar nga një mot me shi, rezultoi që në fillim një sipërmarrje e pamundur.
Për tre ditë, legjionet u sulmuan, duke rënë në prita të befasishme, nga luftëtarë që e njihnin shumë mirë terrenin dhe që nuk lëshonin pe nuk bënin armëpushim. Radha e ushtarëve zgjatej me kilometra dhe nuk kishte asnjë mundësi të reshtoheshin në strukturë luftimi. Dy ditët e para humbjet ishin shumë të mëdha, por ushtria vazhdoi të përparojë. E fundit ishte më e gjata dhe më tragjikja. Legjionarët, të përgjysmuar u rrethuan dhe u sulmuan nga të gjithë anët. Pikërisht për këtë arsye, sic tregon historiani romak Cassio Dione “Varo dhe zyrtarët e tjerë të rangut të lartë nga frika se mos kapeshin të gjallë, kryen një vetëvrasje kolektive”. Me marrjen e lajmit të humbjes së komandantëve, pjesa tjetër e ushtrisë mori arratinë. Ishte një masakër. Përllogaritet që ka pasur 15 mijë të rënë në radhët e romakëve. Pasojat e kësaj disfate të tmerrshme patën një impakt shumë të thellë në historinë e Romës, dhe ndoshta me shumë gjasa edhe në atë të Europës sic e njohim sot. Shumë historianë bien dakord që nëse kolonizimi i territorit gjermanik do të përfundonte sic ishte nisur, ashtu si kish ndodhur edhe me popullsitë kelte, dhe nëse fiset lokalë do të ishin asimiluar atëherë do të kish patur një presion më të ulët mbi kufijtë perandorakë dhe, nuk përjashtohet një ekspansion i territoreve mes lumenjve Elba, Oder dhe Vistola.
Me paqësimin e territorit gjermanik, një sasi e madhe e trupave, burimeve dhe fondeve do të orientoheshin në fronte të tjerë, duke larguar rrezikun e pushtimeve. Pikërisht nga kufijtë përtej Renit, që nga shekulli IV, nisën të vijnë kërcënimet seriozë ndaj sigurisë së Romës. Një prej faktorëve, në mos më i rëndësishmi, që solli rënien e Perandorisë romake të Perëndimit.
Adrianopoja (378)
Nën presionin e Hunëve, në vitin 376 shumë fise Gotësh kaluan Danubin me miratimin e perandorisë. Por, shumë shpejt ky migrim u transformua në një rebelim të hapur ndaj Romës. Për dy vite, ushtria legjionare u përpoq në të gjitha mënyrat që të eleminojë rrezikun, por me rezulate zhgënjyes. Atëherë ndërhyu perandori i Lindjes Valente, në krye të një ushtrie prej 40 mijë vetësh; e arriti armikun e tij në fushim në pllajën e Adrianopojës dhe i reshtoi trupat për betejë.
Gotët kishin në dispozicion një kontigjent pothuajse dyfish, me 50 mijë këmbësorë dhe po kaq kalorës. Ndonëse Valente mund të priste ardhjen e përforcimeve, ai vendosi gjithësesi që të nisë betejën. Ka patur shumë spekulime në lidhje me arsyet e një zgjedhjeje të tillë: njëra mbi të gjitha, që perandori kishte marrë informacione që e nënvlerësonin numrin e vërtetë të forcave armike.
Megjithatë, ka nga ata që thonë se perandori thjeshtë nuk donte që të ndante lavdinë e një fitoreje me Grazianon, perandor i Perëndimit, i cili po afrohej me pjesën tjetër të ushtrisë. Luftimet nisën me repartet e kalorësisë së lehtë romake që, e ndodhur nën goditjen e barbarëve, sulmoi me iniciativën e vet. Megjithatë, kjo përcaktoi ndërhyrjen e kalorësisë armike, që ishte në pozicion të tërhequr: harkëtarët romakë në kuaj ishin tani më të paktë dhe u bë e domosdoshme ndërhyrja e kalorësisë së rëndë. Pararoja e Valentes arriti që të binte në kontakt me këmbësorinë e armikut, por u gjend krejt e pambrojtur nga kalorësit: më e paktë në numër, u mposht edhe ajo. Në pjesën tjetër të frontit, dy ushtritë vazhdonin të luftonin, por me një ndryshim të shpejtë kalorësia e gotëve kaloi në krahun e majtë të reshtimit romak që kish mbetur zbuluar.
Legjionarët nuk arritën të durojnë goditjen dhe në fund i gjithë fronti mori arratinë. Perandori u përpoq të rezistojë por u godit nga një shigjetë dhe vdiq, duke përcaktuar kështu fundin e luftimeve. Kjo disfatë shtyu pasardhësin e tij, Theodhosin që të adoptonte një politikë e cila lejonte asimilimin e popujve të vendosur përgjatë Limes (kufiri i perandorisë) me migrime në shkallë të gjerë dhe rekrutimin masiv të trupave mercenare. Sic është theksuar nga historiani Mikhail Rostovzeff, ishte fillimi i një agonie të zgjatur që solli rënien përfundimtare të perandorisë dhe copëtimin e saj. Ushtarakisht, legjionet ndryshuan fizionomi duke marrë në radhët e tyre kontigjente barbarësh gjithnjë e më të mëdhenj në numër që dëmtonin operativitetin e tyre. Vec kësaj, varësia nga forcat mercenare solli dhe një fenomen alarmant: paaftësinë për të drejtuar ushtritë dhe komandantët e tyre, për shkak të presioneve të shpeshtë që ushtarët bënin ndaj autoriteteve perandorakë.
Nikopoli (1396)
Nëse beteja e Lepantos e vitit 1571 shënon një ndalim të ekspansionit turk në Europë, ajo e Nikopolit e vitit 1396 mbetet themelore sepse përcakton penetrimin përfundimtar të turqve në Ballkan. Të mposhtur, europianët hoqën ndorë nga ndalimi i ekspansionit që do të vazhdonte pa u ndalur deri në nënshtrimin total të të gjithë perandorisë bizantine, kulmi i të cilit ishte rënia e Kostandinopojës në vitin 1453. Faktor kyc për humbjen, sipas historianëve që e kanë studiuar gjatë betejën, ishte arroganca e kalorësisë, në pjesën më të madhe franceze, si dhe mënyra e saj e vjetër e interpretimit të betejave, që shiheshin thjeshtë si luftime ku duhej të demonstrohej vlera dhe krenaria e saj, dhe jo si përplasje të studiuara në tavolinë dhe të organizuara me saktësi.
Me vendosjen në fushëbetejë të dy ushtrive, Sigismondo i Luksemburgut, mbret i Hungarisë (që i njihte shumë mirë turqit dhe nuk i nënvlerësonte aspak) u sugjeroi kryqtarëve (kalorësia franceze e udhëhequr nga shumë fisnikë dhe kalorës të Urdhërit Teutonik) që të vendoseshin prapa ushtrisë së tij, ndarë në tre trungje me hungarezët, transilvanët dhe valakët respektivisht në qendër, në të djathtë dhe në të majtë. Detyra e tyre është që të rezistojnë përplasjes së parë me pararojën turke, për t’u rinisur pastaj me kalorësinë. Fisnikët francezë dhe europianë të ardhur për kryqëzatën nuk pranojnë, shohin rolin e tyre të ridimensionuar dhe duan që të jenë protagonistë të betejës. Kalorësi nuk mund të heqë dorë nga nderi që të hapë luftimet ndaj këmbësorëve gdhë! Për më tepër, rezultati i përplasjes merret si i sigurtë, që nga momenti kur fisnikët europianë janë të zbukuruar dhe mbrojtur nga koraca prestigjoze.
Dhe kështu, ky është fillimi i fundit. Pa pritur sinjalin e sulmit, kalorësit franko-gjermanë nisen në sulm duke vënë përpara kalorësinë e lehtë dhe vijat e para të frontit turk, por pjesa më e madhe e këtyre qëndron prapa një reshti hunjsh dhe shtizash në gjatësinë e gjoksit të kuajve. Kalorësia gjendet e ekspozuar para një lancimi shigjetash. Shumë përfundojnë në këmbë, pa kuaj. Turqit riorganizohen dhe të krishterët rinisen, për të mbërritur të lodhur e të dërrmuar në përplasjen me zemrën e ushtrisë armike, pasi kanë mposhtur edhe një linjë të dytë të këmbësorisë turke.
Por ritmi i kalërimit triumfues drejt disfatës është i shkurtër: Në fakt, pas tre orësh, Sigismondo që kish parë planet e parë të hidheshin në erë, vendos të ndërhyjë me trupat e tij. Valakët dhe transilvanët vendosin të tërhiqen duke e konsideruar betejën të humbur, kështu që ai përparon vetëm me hungarezët, të cilët ndjekin pas mbretin. Sulltan Bajaziti I pikërisht këtë pret dhe, sapo sheh hungarezët të vihen në lëvizje, jep urdhër të përgatitet kalorësia e tij, që e ka lënë të fshehur në pritje të këtij momenti. Pavarësisht rezistencës së fortë, kontigjentet e fundit të kryqtarëve bien dhe turqit u vihen pas deri në brigjet e Danubit.
Që nga ajo ditë, flamuri i gjelbër do të vazhdonte të valëvitej në Europë deri kur mbërriti në portat e Vienës, ndërkohë që Mesdheu lindor u shndërrua në një lloj “baseni otoman”.
Vaterlo (1815)
Natën e 18 qershorit 1815, pati një stuhi dhe përmbytje të jashtëzakonshme në Vaterlo. Një gjë të tillë, askush nuk e mbante mend të kish ndodhur. Trupat angleze, të udhëhequra nga Duka i Uellingtonit, kaluan një natë ferri, por gjithësesi e pritën me optimizëm fenomenin e pazakontë atmosferik: ishin veteranë të fushatës së Spanjës dhe shumë prej tyre kujtonin se si, para cdo fitoreje, atje binte shi. Nuk mund të thuhej e njëjta gjë për francezët. Napoleoni kishte programuar të thyente rezistencën e anglezëve duke filluar me sulm me gjyle topi në shtatë të mëngjesit, por shiu pushoi së rëni vetëm në orën nëntë. Terreni u shndërrua në një kënetë gjigande dhe u bë shumë e vështirë zhvendosja e topave. Megjithatë, perandori ishte besimplotë. Në fakt, kishte arritur tashmë të thyente frontin armik, duke mos lejuar që armata angleze të bashkohej me atë prusiane të udhëhequr nga von Bluecher. Madje, në 16 qershor, krahu i djathtë i ushtrisë së tij, udhëhequr nga gjenerali Grouchy, kishte mposhtur prusianët duke i detyruar të largohen. Edhe pse, në atë rast, dicka nuk shkoi si duhet. Gjenerali mund të këmbëngulte në sulmin e tij dhe të shkatërronte ushtrinë në arrati, por hezitoi duke lejuar armikun të tërhiqet dhe të riorganizojë radhët. Me shumë vonesë ndodhi që Napoleoni urdhëroi të ndiqen dhe të kapen ata në arrati, në rast se i afoheshin fushëbetejës. Në orën 11:30 Roja perandorake kreu të shtënat e para që lajëronin nisjen e betejës. Përgjatë gjithë ditës trupat franceze sulmuan pozicionet e anglezëve, por një rezistencë e fortë dhe një seri gabimesh i cuan dëm të gjithë përpjekjet.
Sulmi i parë i Korpusit I të Armatës së gjeneralit d’Erlon u asgjësua prej pushkatarëve anglezë. Zgjedhja për të vendosur repartet në kolonë, ku vetëm ushtarët e radhës së parë mund të qëllonin, rezultoi shkatërrimtare. U përhap panik: trupat, tashmë pa disiplinë, u shpërndanë dhe nisën të largohen të ndjekura prej kalorësisë së armikut. Në pasdite gjenerali Ney që komandonte krahun e majtë, duke e interpretuar gabimisht zhvendosjen e të plagosurve si sinjal tërheqjeje, i dha urdhër kalorësisë që të lëshohet kundër armikut. Pothuajse 15 mijë burra, në disa valë sulmi, shkuan e u përplasën tek muri i bajonetave të këmbësorisë angleze të vendosur në kuadrate, duke u masakruar. Ndërkohë që trupat franceze ishin të përfshira në tentativën për të thyer vendosjen e trupave armike, repartet e parë prusianë që në pasditen e hershme kishin nisur të shfaqeshin në horizont. Grouchy nuk kish arritur t’i ndalte dhe, gjë edhe më e rëndë akoma, nuk po dukej. Nëse Napoleoni nuk fitonte avantazh ndaj Uellingtonit, shumë shpejt do të mposhtej. Perandorit i mbetj një mundësi e fundit: bataljonet e Gardës, që ishin shumë kurajozë në luftim, por ishin të paktë në numër. Në orën nëntë të mbrëmjes, të mbijetuarit e fundit u dorëzuan. Beteja kish marrë fund. Napoleoni kish qenë shumë pranë fitores, por një seri gabimesh të pashpjegueshëm kishin ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Mungesë disipline, prani ushtarësh në armët e para dhe paaftësi vendim marrëse e gjeneralëve janë disa prej hipotezave të hedhura nga studiuesit për të shpjeguar arsyet e disfatës.
Napoleoni pagoi për hezitimin e tij. Humbja e tij përbënte një udhëkryq të historisë dhe pasojat e saj kanë patur një rol kyc në vazhdimësinë e ngjarjeve. Endrra e një Europë “frankofone” dhe një perandorie universale ishin fundosur një herë e përgjithmonë.
Marshimi i vdekjes (1842)
Ishte 13 janari i vitit 1842 kur mjeku zyrtar Uilliam Brydon i ushtrisë britanike mbërriti me kalë përballë mureve të kështjellës së Jalalabadit me një plagë të madhe në kokë. Ata që rendën ta ndihmojnë e pyetën se ku ishte pjesa tjetër e ushtrisë dhe ai u përgjigj: “Jam unë ushtria!”
Gjithcka kishte nisur një javë më parë në Kabul, në Afganistan. Në 6 janar, një trupë angleze pushtimi, prej 16 mijë burrash – pa furnizime dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të fiseve afganë – kish vendosur të tërhiqej drejt Jalalabadit, 140 kilometra më në jug, nën komandën e gjeneralit hezitues Elphinstone, i cili kish marrë garanci se mund të mbërrinte pa probleme në Indi. Gjatë rrugës së rikthimit kolona në tërheqje u vu nën shënjestrën e fiseve armiq të pajisur me pushkë me tyta të gjata. Acari dhe mungesa e pajisjeve për dimër bënë pjesën tjetër. Rruga për në Jalalabad u shndërrua në një ferr të vërtetë: ditën e katërt disa qindra vetë dezertuan dhe u përpoqën të shkojnë sërish në Kabul, por u vranë të gjithë. Vetë Elphinstone, i njollosur prej gabimeve taktikë dhe strategjikë, vendosi që të dorëzohet si rob për të garantuar shpëtimin e ushtarëve të tij, por u burgos bashkë me oficerë të tjerë duke i lënë trupat në mëshirë të fatit. Në 2 dhjetor kolona ishte reduktuar në 200 ushtarë dhe 2 mijë ndihmësa. Trupat e mbetura, të udhëhequra nga gjenerali Anquetil arritën majën e malit Jugdulluk por u bllokuan nga disa fise. Një sulm i furishëm lejoi dy grupe që të kapërcenin linjat afgane: dymbëdhjetë kalorës rendën në pllajën pranë Jalalabadit, pjesa tjetër me gjashtëdhjetë vetë u strehua pranë fshatit Gandamak: të gjendur pa armë dhe municione refuzuan të dorëzohen dhe u masakruan. Edhe fati i kalorësve nuk ishte i ndryshuëm: të tërhequr nga premtimi për ushqime në fshatin Futtehabad u vranë të gjithë, përvec Brydon, i cili ishte i mbijetuari i vetëm.
Përfundonte në mënyrën më dramatike lufta e parë anglo-afgane (1839-1842), e karakterizuar nga një seri gabimesh që u paguan shtrenjtë. Vendimi i anglezëve për të futur hundët në punët afgane me qëllim ndaljen e ekspansionit rus në Azinë qendrore hyri në histori si Loja e Madhe. Ishte një bast i madh e i pasigurtë, që provokoi pasoja të forta në rajon, në nivel politiko-ushtarak: si dhe paqëndrueshmërinë e madhe që mbijeton sot e kësaj dite në atë vend.
Do të duheshin edhe dy konflikte të përgjakshëm për të vënë në fre fiset luftëdashës afganë, por me rezultate negativë. Humbja e 1842 e bëri ushtrinë anglee të kuptojë se sa i vështirë ishte kontrolli i këtij vendi dhe për këtë arsye u adoptua një strategji që synonte ndarjen e fraksioneve afganë për të kontrolluar lëvizjet. Pas perandorisë britanike, edhe Bashkimi Sovjetik dhe SHBA do të paguanin një cmim të madh.
Marna (1914)
Në 3 shtator 1914 guvernatori ushtarak i Parisit, Joseph Gallieni, pas evakuimit të qeverisë kombëtare bëri një thirrje solemne: “Kam marrë urdhër të mbroj qytetin dhe do i qëndroj deri në ekstrem kësaj detyre”. Niste kështu një prej betejave më të rëndësishme të Luftës së Parë Botërore, që ka hyrë në histori si “Mrekullia e Marnas”.
Po atë ditë pararoja e ushtrisë gjermane, udhëhequr nga gjenerali von Moltke, arriti 10 kilometra larg qendrës së Parisit, pas një përparimi të shpejtë që kish nisur në 2 gusht me pushtimin e Luksemburgut. Në ditët që pasuan trupat gjermane, të vlerësuara në një milionë e 250 mijë vetë, përparuan në disa drejtime duke pushtuar Brukselin dhe duke carë ushtrinë kundërshtare, mbërritën në dyert e kryeqytetit francez, i mbrojtur nga armata VI e gjeneralit Maunoury. Civilë e ushtarakë kishin ngritur barrikada dhe llogore, por vështirë se do i rezistonin një sulmi nga disa drejtime. Ndërkohë, trupa e ekspeditës britanike, e udhëhequr nga gjenerali John French, dërguar në ndihmë të aleatëve të përtej Kanalit, si dhe pjesa e mbetur e Armatës së V të gjeneralit d’Esperey u tërhoqën në juglindje të Parisit, në drejtim të Marnas, të ndjekur nga Armata I gjermane e gjeneralit von Kluck dhe armata II e von Bulou.
Megjithatë, në këto faza, gjermanët kryen një gabim të pafalshëm: të angazhuar në ndjekje, nuk sulmuan menjëherë qytetin, por shkuan drejt juglindjes. Duke qenë se trupat kishin kaluar prova të gjata marshimesh dhe linjat e furnizimit ishin të shtrira në mënyrë të panatyrshme, shtabi gjerman nuk kish asnjë aluzion për ndonjë kundërsulm të armikut. Superioriteti i shfaqur në javët e mëparshme kishte galvanizuar në një farë mënyre trupat perandorake, duke i bindur për krizën e afërme të armikut. Nuk do i dimë asnjëherë arsyet e kësaj zgjedhjeje, por rezultuan vendimtarë.
Mëngjesin e 5 shtatorit, ndërkohë që francezët e Maunoury të vendosur në veri të Parisit, lëviznin në drejtim të lindjes ku ndodhej armata e von kluck për ta sulmuar nga krahët, britanikët dhe trupat e d’esperey po zhduknin gjurmët e tyre. Ky sinjal u interpretua nga von Kluck si një arrati. Si pasojë, ai vendosi të kthejë gjysmën e forcave për t’i bërë ballë sulmit t Maunoury.
Por, një ditë më vonë, trupat e French dhe d’Esperey devijuan marshimin dhe sulmuan gjermanët nga jugu. Presioni u bë i papërballueshëm që sa von Kluck, mbrëmjen e 6 shtatorit thirri edhe dy trupa të tjerë të armatës, duke hapur kështu një hendek prej 50 kilometrash mes vetvetes dhe armatës së II.
Pasojat e një lëvizjeje të tillë ishin fatale, duke e bërë të dobët krahun e von Bulou. Në 7 shtator, gjenerali gjerman, i informuar se britanikët po përparonin në qendër të hendekut, vendosi të tërhiqet. Brenda pak ditësh gjermanët u dëbuan përtej Marnas: të corientuar nga manovra, vendosën të tërhiqen në lumin Aisne.
Parisi ishte shpëtuar. Por, tani niste një fazë e dytë e konfliktit, shumë më e gjatë dhe e përgjakshme, karakterizuar nga një luftë e lodhshme pozicionesh, që zgjati pothuaj katër vite dhe vazhdoi deri në fundin e konfliktit të parë botëror. Nëse trupat gjermane, në përparimin e tyre të shpejtë, do të kishin marrë Parisin, pushtimi i Francës nuk do të kish patur më pengesa, duke ndryshuar kështu fatet e konfliktit dhe ndoshta edhe të gjeografisë së Europës.
Dunkerque (1940)
Vija mbrojtëse e Maginot është e pamposhtur, mendonte Hitleri, por ka një defekt të vogël, nuk mbërrin deri në det dhe ndërpritet në kufi me Belgjikën. Falë këtij detaji gjermanët nuk bënë gjë tjetër vecse e anashkaluan, duke kaluar pikërisht nga Belgjika dhe Ardenet.
Kështu pra, fushata e Francës, që nisi në 10 maj 1940, zgjati pak më shumë se një muaj dhe përfundoi me një fitore të shpejtë të gjermanëve që befasoi mbrojtësit statikë francezë që gjendeshin tashmë të mposhtur, dhe me linjën mbrojtse Maginot të paprekur.
Dy manovrat brilante gjermane mbanin megjithatë embrionet e humbjes. Në 24 maj, Panzerat gjermanë ndalen në fakt disa kilometra larg prej trupave aleate në Dunkerque për shkak të një urdhëri të papritur dhe të pashpjegueshëm të dhënë direkt nga Fyhreri. Rommel dhe Guderian janë gati të nisin sulmin final. Hitleri megjithatë ka frikë se mos tanket e tij të rëndë ngecin në rajonin e lagësht e të mbushur me lumenj e kanale. Vec kësaj, për arsye propagandistike, mendohet që është Luftvaffe e re që duhet të marrë një rol vendimtar në fazën finale të luftës dhe jo ushtria “e zakonshme”, për më tepër e udhëhequr nga elementë jo aq pranë partisë nacional socialiste, si Rommeli apo si Guderiani.
Mes dyshimit dhe pasigurisë, rezultati ishte që Hitleri, për herë të parë përjashtoi nga vendimet këshilltarët e tij të OKH, komanda e lartë gjermane, dhe kundër mendimit të të gjithëve urdhëroi ndalimin e tankeve që ishin duke vënë përpara kundërshtarët. Guderian u ndal 20 kilometra larg nga Dunkerque, Rommel qëndroi në bazë dhe humbi një pjesë të madhe të vlerësimit që kishte për Fyhrerin.
Për anglezët ishte një mekulli e papritur: në tre ditët e pauzës kryen një operacion logjistik të jashtëzakonshëm. Royal Air Force siguroi dominimin ajror ndërkohë që 800 anije të të gjithë llojeve u shfrytëzuan për të transportuar trupat nga kontinenti. Në tetë ditë u evakuuan 338 mijë ushtarë, por në fushë mbetën afro 2 mijë topa, 60 mijë automjete, 76 mijë ton municione, 600 mijë ton karburant dhe furnizime të cdo lloji. Kur gjermanët pushtuan Dunkerque, në 4 qershor, ishte tashmë shumë vonë: pjesa më e madhe e trupave angleze dhe franceze ishte tashmë përtej kanalit.
Operacioni Dinamo (ose “evakuimi i Dunkerque”) kish qenë një sukses. Trupat angleze kishin shpëtuar dhe Britania e Madhe, ndonëse tashmë e varur nga SHBA, edhe për shkak të sasisë së madhe të materialit që kish humbur, ishte gati të përballte një fazë të re dhe të gjatë të luftës.
Operacioni Barbarosa (1941)
Në 24 qershor 1941 nisi Operacioni Barbarosa që, sipas planeve të Hitlerit, do të ishte një luftë e shpejtë. Ushtria gjermane kishte si objektiv pushtimin e zonave strategjike të Bashkimit Sovjetik, me qëllimin që t’i jepte fund luftës sa më shpejt të ishte e mundur. Muajt e verës u karakterizuan nga një përparim i shpejtë i trupave naziste dhe, në mes të tetorit, objektivat ishin shumë pranë.
Por në atë pikë, me shirat e parë të vjeshtës, përparimi nisi të bëhej më i vështirë. Në 30 shtator 1941, marshalli Boch nisi sulmin ndaj Moskës në një operacion të koduar “Operacioni Tajfun”. Në fillim përparimi ishte i pandalshëm, aq sa në 14 tetor forcat gjermane ishin disa kilometra larg kryeqytetit. Megjithatë, koha e keqe i bënte të papërdorshme rrugët e komunikimit. Në ditët e para të nëntorit nisi dhe dëbora. Në 27 nëntor tempreatura zbriti në minus 40 gradë, u shumëfishuan rastet e acarit dhe armët gjithashtu nuk funksiononin. Nga 14 tretori u kryen tre sulme, por të tre u ndalën pak kilometra larg qendrës. Ushtarët ishin të rraskapitur dhe u bë e qartë që nuk do të mundeshin të pushtonin Moskën. Në 5 dhjetor rusët kundërsulmuan dhe Boch arriti të shmangë anashkalimin vetëm për mrekulli.
Goditja finale ishte tragjedia e Stalingradit. Në 19 nëntor 1942 qyteti ishte në duar të gjermanëve, përvec disa pikave të armikut në Vollgë. Por atë ditë, komandanti Friedrich Paulus mori urdhër që të ndalet: ushtria gjermane, që dukej në pikën e fitores, tashmë ndodhej e rrethuar në një operacion darë. Për më shumë se tre muaj, mes vuajtjesh të parrëfyeshme, prej dimrit të ashpër dhe luftimeve të vazhdueshëm, të rrethuarit përpiqeshin të hapnin një të carë. Por klima i pengoi, pavarësisht përpjekjeve të shumta me tanke, që të canin rrethimin.
Në 31 janar, të mbijetuarit iu dorëzuan rusëve. Vonesa e madhe (fillimisht ishte fiksuar për 15 maj 1941) e nisjes së Operacionit Barbarosa rezultoi një prej gabimeve kryesorë të luftës. Gjeneralët gjermanë, duke shpresuar në një shpërbërje të shpejtë të ushtrisë ruse, nënvlerësuan kushtet klimatike dhe potencialin njerëzor dhe ushtarak sovjetik, ashtu sic kish bërë dhe Napoleoni më shumë se një shekull më herët. Vermahti ishte tendosur në ekstrem ndërkohë që Stalini, falë informacioneve të marrë prej shërbimeve të fshehtë mbi planet japonezë për të sulmuar SHBA – dhe si pasojë rënien e presionit ndaj BS – kish mundur të sillte forca të freskëta të ardhura nga Siberia.
Nuk është e ekagjeruar të themi që rrjedha e luftës ndryshoi pikërisht në hapësirat ruse. Ekuilibri ushtarak ishte ndryshuar; trupat gjermane, inferiore në numër dhe mjete, kaluan në mbrojtje dhe kjo tendencë, përvec disa përpjekjeve të dëshpëruara, do të manifestohej deri në fund të konfliktit.
Lufta e Koresë (1950-1953)
Në 27 tetor 1950 ushtria kineze kaloi lumin Yalu, duke hyrë në territorin koreano verior. Ishte fillimi i fazës më dramatike të Luftës së Koresë, konflikti që përfaqësonte momentin më të acaruar të luftës së ftohtë. Mundësia që të ndodhte një përplasje bërthamore, duke e zjeruar konfliktin në nivel global, nuk ishte kaq e largët. Sulmi kinez u materializua disa muaj pas fillimit të konfliktit, shkaktuar nga pushtimi i Koresë së Jugut prej Koresë së Veriut.
Pas një faze të parë fitimtare, ndërhyrja e trupave ndërkombëtare nën mandatin e OKB e vuri në mbrojtje Korenë e Veriut. Në pak muaj trupat aleate, duke rimarrë territorin e pushtuar, u drejtuan për në veri drejt kufirit me Kinën. Udhëheqësit ushtarakë amerikanë injoruan paralajmërimet e përsëritur të kinezëve për të mos kaluar paralelin 38, paralajmërime që bëheshin gjithnjë e më këmbëngulës me afrimin e trupave amerikane. Reagimi ushtarak kinez, që angazhoi 260 mijë vetë pati një efekt shkatërrimtar mbi trupat amerikane, të detyruara të kryenin tërheqjen më të madhe të historisë së tyre. Brenda pak javësh trupat komuniste, pavarësisht humbjeve të mëdha, rimorën të gjithë gadishullin koreano verior, duke cliruar kryeqytetin Fenian dhe duke u vendosur përgjatë paralelit 38.
Ndonëse Bashkimi Sovjetik mbështeste Korenë e Veriut, vendosi të mos përfshihet në konflikt. Stalini, në takimin me liderët kinezë dhe koreano veriorë kundërshtoi furnizimin e tyre me armë dhe njerëz. Për këtë arsye ndërhyrja kineze, ndryshe nga sa kishin menduar amerikanët, drejtohej nga Pekini. Në fillim të vitit 1951 presidenti amerikan Truman, që deri atëherë kishte mbështetur veprimet e McArthur, duke iu druajtur një zgjerimi të konfliktit, preferoi që ta zëvendësojë me më të moderuarin Mattheu Ridguay. Ishte 11 prill dhe pak muaj më vonë, me sugjerim të Bashkimit Sovjetik, filluan tratativat për një zgjidhje të konfliktit. Përvec një ofensive të dytë kineze që nisi në 22 prill, pothuajse menjëherë e frenuar nga trupat aleate, fronti u stabilizua përreth paralelit 38.
Negociatat e paqes, pas shtyrjeve dhe fërkimeve të vazhdueshëm, u përmbyllën në 27 korrik 1953 me firmosjen e një armëpushimi që rivendoste situatën e para konfliktit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar. Korea mbeti e ndarë në dy shtete: Korea e Veriut, me kryeqytet Phenianin dhe Korea e Jugut, me kryeqytet Seulin. Ajo e Koresë, e quajtur shpesh “lufta e harruar” shkaktoi pothuajse 3 milionë të vdekur dhe e coi botën një hap larg luftës bërthamore. Pas këtyre ngjarjeve, Lufta e Ftohtë pësoi një acarim të fortë duke i cuar dy blloqet në pozicione gjithnjë e më drastikë e të largët mes tyre. Gabimi i vlerësimit të sulmit kinez pati pasoja dramatike ushtarake; lufta do të kish mundur të përfundonte pothuajse menjëherë, por paaftësia për të parashikuar reagimin kinez solli një zgjatje të konfliktit. Armëpushimi nuk u prit pozitivisht nga dy Koretë dhe pasojat shihen edhe sot, me një paqëndrueshmëri të fortë që shpesh herë shfryhet në përplasje dhe sulme politikë.
Pushtimi i Gjirit të Derrave (19610
Eshtë viti 1961. Fidel Kastro ka pak kohë që ka mposhtur Batistën, duke eksportuar revolucionin në Kubë. Mërgimtarët kubanë në SHBA janë kundër dhe, me mbështetjen e presidentit Eisenhouer, formojnë një “ushtri clirimtare” – nën drejtimin e CIA-s – në disa baza të fshehta në Guatemalë. Janë vitet gjashtëdhjetë të nëntëqindës dhe Lufta e Ftohtë zien. 16 avionë të vjetër B26 janë gati të ngrihen nga Nikaragua si forcë mbështetëse për ushtrinë prej 1400 emigrantësh kubanë, të gatshëm të zbarkojnë në ishull. Plani i projektuar nga CIA është gati, operacionet po zhvillohen dhe John Fitzgerald Kennedy nuk dëshiron t’i ndërpresë. Ka frikë mos përhapet lajmi që SHBA kanë stërvitur imigrantë kubanë pa ditur më pas t’i dërgojë në luftim. Por plani bazohet i gjithi në bindjen, me sa duket të pajustifikuar, se të paktën 20 mijë kubanë, plus 2500 luftëtarëtë rezistencës kundër Kastros janë gati të rebelohen në një ushtri të rregullt prej 200 mijë vetësh. Llogaritë janë bërë gabim dhe e vetmja shpresë e agjentëve të CIA është ajo që SHBA dhe presidenti Kennedy, duke dashur të shmangin një humbje që në cdo rast do i shihte të përfshirë, në fund do të përfshihen në operacion.
Në 14 prill 1961 trupate pushtimit nisen në bordin e pesë anijeve të vogla drejt Kubës. Në 17 prill imigrantët zbarkojnë në gjirin e Derrave dhe pranë Playa Giron. Vendi i zbarkimit, ndryshe nga parashikimet, është pranë një kulle transmetimi që paralajmëron menjëherë Havanën. Askush nuk rebelohet ndaj Kastros, që ka kohën dhe shansin të arrestojë 200 mijë të dyshuar. B26, pas një sulmi të parë të dështuar, rikthehen të eleminojnë avionët e mbetur kubanë, por nuk koordinohen me avionët gjuajtës që i mbështesin, gabojnë orarin dhe mbërrijnë në Kubë të pambrojtur; katër pilotë amerikanë, që kishin zëvendësuar pilotët e lodhur kubanë, mbeten të vrarë. Vec kësaj, imigrantët që kanë zbarkuar nuk janë ushtarë ekspertë dhe mbështetja e SHBA nuk vjen.
Ushtria e Kastros nuk humbet kohë dhe rrethon menjëherë “pushtuesit” me forca të pakalueshme. Pas 64 orësh, imigrantët janë të burgosur në Havanë. Misioni dështon. Kastro forcon pushtetin e tij duke u bërë që atëherë Lider Maximo dhe duke u afruar gjithnjë e më shumë me BRSS, ndërkohë që presidenti i SHBA nuk kish arritur të pengonte një operacion tek i cili, për më tepër, nuk besonte.
Udhëheqësi rus, Nikita Hrushov bindet në atë pikë që Kennedy është i dobët dhe e sfidon. Për disa ditë bota gjendet në prag të një lufte bërthamore. Në fund fiton mirëkuptimi dhe dy udhëheqësit gjejnë një marrëveshje. Por që nga ajo ditë, vetëdija se mjafton një gjë e vogël për të cuar njerëzimin drejt apokalipsit bëhet evidente. Asgjë nuk do të ishte më si më parë.
Pushtimi rus i Afganistanit (1979-1989)
Në 24 dhjetor 1979 trupat sovjetike kaluan kufirin përgjatë lumit Amu Darya dhe hynë në territorin afgan. Ishte pararoja e një ekspedite të fuqishme, dërguar zyrtarisht në ndihmë të Republikës Demokratike të Afganistanit dhe që brenda tetë viteve do të zhytej në një prej konflikteve më të përgjakshëm të epokës moderne. Ndërhyrja sovjetike, në kulmin e Luftës së Ftohtë u shoqërua me një rigjallërim të luftës civile që kundërvinte qeverinë e Kabulit me fiset e ndryshëm luftarakë afganë, të njohur me emrin muxhahedinë. Brenda pak muajsh, një konflikt lokal u shndërrua në fushëbetejën në të cilën u vunë përballë, pak a shumë fshehurazi, fuqitë e mëdha. Mbështetja e BRSS për qeverinë e Kabulit solli një reagim të menjëhershëm të SHBA dhe Britanisë së Madhe, por edhe të shteteve si Pakistani, që financuan ushtarakisht dhe financiarisht rebelët. Muxhahedinët, të ndarë në disa fraksione, filluan një luftë guerilase të gjatë e të përgjakshme kundër forcave ruso-afgane, që solli shumë humbje nga të gjithë palët. Ushtria qeveritare kontrollonte qytetet dhe rrafshnaltat, ndërkohë që zonat malore ishin nën kontrollin e militantëve.
Superioriteti i madh sovjetik në armatim rezultoi joefikas. Prita dhe atentate të vazhdueshëm nisën të minojnë sigurinë e sovjetikëve. Shumë shpejt, edhe ushtria qeveritare nisi të dobësohet, duke detyruar sovjetikët të sjellin një numër gjithnjë e më të madh rezervistësh: rekrutë që dërgoheshin në përleshje në zonat më të largëta të vendit. Përdorimi i armëve të sofistikuara si raketëhedhës antitank dhe raketa tokë-ajër, me të cilat SHBA kish furnizuar muxhahedinët nisi të rëndojë humbjet. Me ashpërsimin e konfliktit operacionet ushtarakë u bënë gjithnjë e më të dhunshëm. Sovjetikët gjendeshin tashmë të mbërthyer në një konflikt pa rrugëdalje, ndërsa muxhahedinët bëheshin cdo ditë e më të fortë.
Në 15 prill 1989 trupat e fundit të blinduara kaluan të njëjtën urë prej ku kishin hyrë dhjetë vjet më herët. Zgjedhja e Bashkimit Sovjetik për të pushtuar Afganistanin u demonstrua një gabim me pasoja të pallogaritshme, jo vetëm sa i përket jetëve njerëzore, por dhe burimeve. Afganistani ishte rrënuar, një fushë e minuar dhe e qeverisur nga lordët e luftës në konflikt mes tyre. Një prej efekteve më jetëgjatë është pikërisht instabiliteti që mbretëron edhe sot.
Prania në radhët e muxhahedinëve e vullnetarëve nga e gjithë bota arabe, shpesh herë të lidhur me interpretimet më ekstremë të fesë islamike, do të përcaktonte edhe shfaqjen e fenomeneve të dhunshëm të terrorizmit. Të indoktrinuar në shkollat Kur’anike të Afganistanit, këta të rinj do të kishin një peshë të rëndësishme në rritjen e lëvizjes talebane, në lindjen e al Kaedës dhe në ngjarjet dramatike që do të përgjaknin Amerikën në 11 shtator 2001./bota.al