“Ariu” i zgjuar dhe një kontinent në gjumë letargjik

Cfare nuance do te kete “gri”-ja e Ukraines Ermal Gjinaj Nëse për një cast do t’ia “hiqnim frerët” imagjinatës, dhe në krye të Departamentit...

Cfare nuance do te kete “gri”-ja e Ukraines
Ermal Gjinaj

Nëse për një cast do t’ia “hiqnim frerët” imagjinatës, dhe në krye të Departamentit të Shtetit sot do të kishim jo John Kerryn, por Henri Kissingerin, atëherë me siguri, në ndonjë prej fotografive të agjencive të lajmeve do të na shfaqej mjeshtri i madh i politikës së jashtme të Amerikës, në zyrën e tij, me një receptor në dorë, me një pamje pakëz të përhumbur dhe duke vrarë mendjen se cilit numër duhet t’i bjerë. Për të folur me “Europën”, sigurisht.
Sepse kronologjia e ngjarjeve të Ukrainës, ashtu sikurse dhe pjesa dërrmuese e analizave të këtyre ditëve mbi ngjarjet atje, të cojnë në përfundimin se pikërisht ajo, “Europa”, ishte e munguara e madhe në këtë krizë. Dhe për të vazhduar me shprehjen e famshme të Kissingerit, nuk ishte vetëm një numër që mungonte për t’u vënë në kontakt me Europën. Kësaj të fundit i mungonin edhe “një palë veshë”, për të dëgjuar thirrjet e qindra mijëra ukrainasve që vinin nga sheshi Majdan, dhe që, sic po e kuptojmë sot, e njihnin shumë më mirë se politikanët e Brukselit se cfarë është në gjendje të bëjë “Ariu” i përtej kufirit.
Ndonëse dimër, në gjumë letargjik nuk ishte zhytur “Ariu rus”, por politikanët europianë, një gjumë me sa duket i rëndë, përderisa prej tij nuk po arrinin ta zgjonin as thirrjet e ukrainasve nga Lindja, dhe as ato që vinin nga aleati përtej oqeanit. Ndoshta është e vështirë të zgjohesh nën ngrohtësisë që ta sigurojnë, në mes të të ftohtit, impiantet që furnizohen prej gazit që të dërgon ai, “Ariu”.
Sot mund të jetë vonë. Pavarësisht ushtrisë së analistëve që mendojnë se strategjikisht, Putinit i intereson po aq pak sa edhe Europës përdorimi i gazit si armë diplomatike dhe ekonomike, gjithësesi, Njëshi i Kremlinit e ndien se ka një gur më shumë në dorë se sa Europa e “nukedisekujt” dhe Amerika e Obamës.
Unë nuk e besoj se Putini e ka menduar me të vërtetë atë që ka deklaruar kohë më parë, se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 21. Pavarësisht profesionit intrigues dhe mbushur adrenalinë që ai vetë ka patur, si spiun në ish-KGB dhe më vonë në agjencinë e zbulimit që e pasoi atë në fillim të viteve nëntëdhjetë, Cari i Kremlinit e di fare mirë se, për atë vetë, për popullin e tij, katastrofë gjeopolitike do të ndodhte nëse sot, në kohët moderne, Ukraina fqinje do t’i hidhte në erë atij planet për të ndërtuar Perandorinë moderne ruse, jo si ajo sovjetike, por një me fqinjët si satelitë besnikë, me një Europë në gjunjë për shkak të gazit dhe naftës, me një Amerikë që nuk ka c’bën tjetër përvecse të ulet, ta dëgjojë, e t’i bindet “propozimeve” të tij, sic ndodhi me Sirinë. Kjo do të ishte katastrofë potenciale gjeopolitike për Putinin. Ndërsa ajo, ideja e “katastrofës” së Bashkimit Sovjetik, i duhet për t’u shpëlarë trurin të tijëve, brenda kufirit të Rusisë mëmë, por mbi të gjitha atyre rusëve përtej kufirit, në Krime dhe gjetkë, të cilët me retorikën e tij, i ka “karikuar” dhe “ruajtur” pikërisht për kohëra vendimtare si këto të krizës së sotme.
Europa, ende e përgjumur, nuk mundet të bëjë asgjë përvecse të dhjetëfishojë atë ndihmë financiare që hezitoi ta japë vetëm pak muaj më parë, teksa “shtriqej” dhe bëhej gati të zhytej në gjumin dimëror. Por sot, kur Parlamenti i “gurëve të shahut” që Putini i ka në shumicë dërrmuese brenda Krimesë, voton për referendumin që shpresojnë t’u sjellë bashkimin me “mëmëdheun”, problemi nuk mund të jetë më vetëm ekonomik. Sot, edhe njëqindfishimi i ndihmës financiare për Kievin, nuk do të ndalte ekstremistët prorusë. E di mirë presidenti i zgjedhur rishtaz në Kiev, i cili në një përpjekje për “zbutje”, nisi të japë pak e nga pak premtime për autonomi të zgjeruar për Krimenë. Një lëshim, që nuk dihet se cfarë efekti do të ketë, a do të frenojë, apo do të hapë më shumë orekset e filorusëve në gadishull dhe “padronëve” të tyre në Moskë.
Për t’iu rikthyer Kissingerit, dikush shkruante dje: “The man has spoken!”. Ish Sekretari i Shtetit ka thënë që nuk është ndër ata rastet klasikë ku duhet të zgjedhësh mes të bardhës dhe të zezës, dhe ku zgjidhja është e ndarë si me thikë. Ku askush nuk ka të drejtë që thotë se djajtë vijnë nga Lindja dhe engjëjt nga Perëndimi i Ukrainës.  Këtu, të gjithë palët, nga Uashingtoni, në Bruksel, në Moskë dhe në Krime janë të detyruar të zgjedhin vetëm se cfarë nuance do të ketë “gri”-ja. Gjithmonë nëse nuk i ka marë malli për luftë…/bota.al

Related

Opinione 8126156501676339801

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item