Shërimi nëpërmjet përdorimit të bimëve mjekësore
Parandalimi dhe kujdesi që në stadet e shfaqjes së simptomave të para cilësohet si rruga më e mirë në trajtimin dhe shërimin e shumë sëmundj...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/sherimi-nepermjet-perdorimit-te-bimeve_15.html
Parandalimi dhe kujdesi që në stadet e shfaqjes së simptomave të para cilësohet si rruga më e mirë në trajtimin dhe shërimin e shumë sëmundjeve. E në këtë drejtim gjithnjë e më tepër në ditët e sotme po gjen përdorimi i bimëve mjekësore. Kjo për arsye se organizmi vepron shumë mirë ndaj vlerave natyrale kurative që ofrojnë këto bimë. Ekspertët e shëndetit pohojnë se efektet kurative të këtyre bimëve janë të shumëllojshme. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia infeksioniste Ilda Xhelili, tregon se cilat bimë mjekësore dhe vlerat e tyre kurative.
Çfarë është mjekësia bimore?
Herbalizmi është një traditë e mjekësisë popullore që bazohet në përdorimin e bimëve dhe ekstrakteve bimore, të cilat shpesh përdoren edhe me termin ‘’ilaçe me përmbajtje bimore”. Në vitin 2001 studiuesit identifikuan rreth 122 komponimet e përdorura në mjekësinë e përgjithshme që janë nxjerrë nga burimet bimore. Njerëzit në të gjithë kontinentet kanë përdorur mijëra bimë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme që në kohë shumë të hershme. Libri i parë mbi trajtimin e sëmundjeve do të ishte në gjuhën angleze me autor anonim në vitin 1526 dhe do të pasohej më pas më 1597 nga ‘’Historia e përgjithshme e bimëve”, nga Xhorxh Gerod, si edhe nga varianti i tij më i zgjeruar më 1653 nga mjeku anglez Nicholas Culpeper. Zhvillimi i shpejtë i kimisë dhe fizikës do të sillte edhe zhvillimin e mjekësisë herbale.
Cila është filozofia e përdorimit të bimëve në mjekësi?
Të gjitha bimët prodhojnë komponime kimike si pjesë e aktivitetit të tyre metabolik. Të tilla janë për shembull sheqernat, yndyrat, proteinat të cilat janë gjetur në të gjitha bimët. Këto quhen edhe metabolitë fillestarë të bimëve. Por, ka edhe disa përbërës të tjerë të veçantë të cilët kanë veçori të specifikuara në veprimin mbi organizmin e njeriut. Këto përbërës janë të ndryshëm në bimë të ndryshme dhe me përqindje të ndryshme.
Prirja është për të përdorur pjesë të veçanta të bimëve, të tilla si rrënjët apo gjethet. Një përdorim mjaft të zakonshëm kanë çajrat e bimëve të ndryshme. Përdoren lulet ose gjethet e këtyre bimëve të thara. Për shumë bimë përdoren tretësirat e tyre alkoolike si për shembull ekstraktet alkoolike të bimës “Echinacea” (një përzierje e etanolit 100 për qind me ujë dhe me barishtet e bimës). Ky ekstrakt alkoolik përdoret sot me shumë efikasitet për rritjen e imunitetit të organizmit, por edhe si shoqërues i antibiotikëve në luftën kundër infeksioneve. Ajo mund të përdoret edhe për rënien në peshë, në hipertension, në infeksionet virale etj.
Cilat janë disa nga format e administrimit të këtyre bimëve mjekësore?
Siç e përmenda edhe më sipër, në radhë të parë ato mund të përdoren në formën e çajrave të bimëve të thara. Përdoren lulet ose gjethet e këtyre bimëve. Një formë tjetër janë gjithashtu edhe ekstraktet e tyre alkoolike, në formën e macertateve (një infuzion i ftohtë i bimëve që përmbajnë mucilago, një substancë kjo si zamkë, e duke e lënë kështu në ujë për 10-12 orë. Bimë të tilla janë për shembull trumëza, etj). Ato përdoren gjithashtu në formën e tinkturave (ku si tretës i bimëve përdoret acidi acetik), në formën e vajrave esencialë si për shembull vaji i ullirit, të cilin të gjithë e njohim “si ilaç” për efektet e tij laksative (kundër kapsllëkut), por edhe si vaj që nuk ndikon në rritjen e yndyrave në gjak. Gjithashtu ai njihet edhe për vetitë e tij zbutëse dhe rigjeneruese të lëkurës. Vajra të tjerë si vaji i bajames përdoren për masazhe të shumta relaksuese. Tjetër formë janë shurupet e shumta që janë një përzierje e bimëve me ujin dhe sheqerin. Mund të përmendim këtu shurupet e shumta të propolisit apo tretësirat e tij alkoolike për efektet e tyre antiinfeksioze, rigjeneruese dhe imunostimuluese të organizmit të njeriut. Bimët mund të përdoren edhe direkt, për shembull duke i vënë direkt gjethet e bimës “Aloe Vera” mbi plagë të ndryshme ose duke i lyer ato me lëngun e bimës. Në ditët e sotme po gjen një përdorim të gjerë administrimi në formë kapsulash orale i këtyre bimëve me efekt mjekësor (grirja e imët e tyre me anë të teknologjive moderne në formë pluhuri).
Cilat janë disa nga bimët që përdoren më tepër në praktikën e përditshme?
Hudhra
Që herët hudhra është njohur për ndikimin e saj në uljen e kolesterolit në gjak.
Kamomili
Ka treguar efekte të mira antispastike (dhimbje barku dhe gurgullima zorrësh), efekte anksiolitike (kundër ankthit), antiinfeksioze, etj. Edhe vaji i kamomilit është treguar mjaft premtues si agjent antiviral kundër virusit tip 2, të Herpes Simpleks në kushte laboratorike.
Xhenxherfilli i administruar në kapsula orale ka ulur në mënyrë të ndjeshme nausetë (të përzierat) dhe të vjellat gjatë shtatzanisë.
Boronica dhe trëndafili i egër
Këto bimë njihen si mjaft efikase në trajtimin e infeksioneve urinare tek femrat. Këto janë përdorur shumë edhe në vendin tonë dhe sot gjenden gjerësisht edhe në formën e kapsulave që administrohen nga goja (ato njihen me emrin cranberry për boronicën dhe urinal 200 dhe 400 miligram për trëndafilin e egër).
Angjinarja
Studimet kanë treguar se angjinarja ndikon në reduktimin e nivelit të kolesterolit në gjak.
Aloe Vera
Tradicionalisht është përdorur për shërimin e plagëve si rezultat i djegieve të shkallës së dytë. Aloe Vera ka dhënë rezultate të mira edhe në trajtimin e epidermofitive (myku i këmbëve, midis gishtave), si edhe në relaksimin dhe qetësimin e përgjithshëm të organizmit. Ajo njihet gjithashtu edhe për vetitë e saj “imunostimuluese”.
Mjedra e zezë mendohet se ka një veprim parandalues në kancerin e gjuhës.
Grejpfruti ndikon në uljen e obezitetit.
Çaji jeshil përmban komponentë që mund të pengojnë rritjen e qelizave të kancerit të gjirit, si edhe ndikon në shërimin e shpejtë të plagëve.
Përzierja e mjaltit me kanellën ndihmon në uljen e kolesterolit, si edhe në shumë sëmundje reumatizmale, si për shembull artriti, në eliminimin e erës së keqe të gojës me origjinë nga bajamet e infektuara.
Limoni i përdorur përditë si ekstrakt ujor i fletave të freskëta të tij, është provuar se ka ndikuar në uljen e kolesterolit në gjak
Gjethet e shelgut mund të përdoren për një shumëllojshmëri veprimesh antiinflamatore dhe antimikrobike.